Unë nuk jam le me urrye kërkand,
e as ty jo e jo,
po ti m’je ba si burri i nanës e baba gjallë,
ti e brin* urrejtjen
me dhambët e gjaksit.
Ta shoh fytyrën e trishtueme,
dhe buzët që nuk të qeshin asnjiherë,
t’i shoh ato sy që nuk shohin askand sy më sy,
ato sy që nuk iu gëzuen
asnji gëzimi të dikujt tjetër…
Ti endesh nëpër shkretinë
tue kërkue lavdi,
e lavdia ta ka gërrye kafkën,
ta ka përkrye vetminë,
në nji burg të stolisun
me monedha të vjedhuna
në Bankën e Vorfnisë.
Ti nuk e di se nga ke ardhë ,
as për ku je nisë nuk e di,
gjithkush e ka nji Itakë me u kthye
Itakë për ty nuk ka ,
deri kur të mbytesh
në bunarin e vetes,
aty ky lavdia mezi të pret
si gjarpën i panginjun…
Rro edhe sot në zhguallin e egos tande,
e nesërmja e lavdishme
nuk dihet se kur vjen,
se Dita e Lavdisë nuk asht njizetekatër orë,
asht njizetekatër shekuj,
e gjatë, e gjatë ,
sa me të dhanë kohë ty
me ia ngritë nji piramidë vetes,
aty ku krimbat kanë me e ngranë
kujtimin tand…
E kur të tanve ka me iu ba qejfi,
tue e pa kujtimin tand,
përtypun prej krimbave,
mue ka me m’ardhë keq
për nji Njeri
që s’pati Itakë ku me u kthye…
__
* bri: me kafshue

