Gazeta Nacional Albania

SELAJDIN SHABANI, KUMANOVË: LOJA ME GJARPËRIN, POEZI

TI EMRIN E KE SHQIPËRI

Jetëgjatësia jote nuk ndalet,
ecën si zvarranik,
ani pse filli yt është me Tokën e Diellin,
lëkura të ndrydhet e të rrudhet,
por Ti vazhdon të mbetesh racë më e bukur.
Rrugëtimi yt si një guaskë në brinjët e dhisë.

Ti mbetesh e fortë, nga shpina, barku e këmbët,
bën dashuri e nuk shumohesh, bëhesh urë e nuk rrënohesh,
mbetesh Mesi i Artë,
me zemër të madhe e me lëkurë të regjur.

Ti mbetesh banorë i planetit
nga fillimi e për mot
dhe jeton si lumë që derdhet në det e oqean.

Ti merr frymë nën ujë
dhe kur kërcënohesh futesh nën lëkuren tënde
dhe ecën e ringjallesh
duke u mbrojtur nën eshtrat e ndizesh si eshkë.

Ti lëkundesh, përplasesh, trandesh, sfidon me dhembjet,
por mbijeton,
Shqipe, Shpirti yt i ndarë, por nuk copëtohet,
Ti je metuzalem.

Dhëmbët të dalin të rinj,
të bien dhe përsëri të dalin duke u plakur,
sytë i ke shqiponjë rreth e rrotull në errësirë,
sheh më mirë se njerëzit dhe më mirë e dallon ylberin.
ushqehesh si mundesh
dhe jeton në botën tënde,
si mbret pa kurorë.

DREJTPËRDREJT NGA TEATRI

Sa e sa herë më është dashtë,
t’i mbyll sytë para skenave të jetës
dhe të bëhem sikur jeta është teatër,
dhe sikur s’po shoh përtej perdeve.

Sa e sa herë më është dashtë të heshttë
e të shfryj në vetvete duke namatisur shumë fjalë
e pa thënë as edhe një fjalë në letër…

Sa e sa herë se më duhet të ikë nga skena djallëzore
e, jeta skena të tilla ka pa fund
të cilat i ndiejmë dhe i jetojmë
e nuk i themi mes vete:

as me gruan, as me fëmijët,
e ndonjëherë me miqtë kalimthi pëshpëritim,
dhe ne vazhdojmë të ecim si hije me frikë.

Vetja po me duket si i marrë
dhe jeta po më detyron
të luajë rolin e një aktori modern
edhe në heshtje, edhe në zhuritje
edhe në jetë edhe në skenë!

LOJA ME GJARPRIN

Sa e sa herë kam hy në lojë vdekjeje, me ty gjarpër,
edhe kur na kanë thënë se,
je i shtëpisë dhe mbrojtës i saj,
dhe të kam sjellë qumësht në shtrofullën e oborrit,
të bunarit e arrës,
por, unë s’të kam besuar,
as kur na kanë mësuar,
se ti nuk sulmon i pari,
kur kam mund ta shuaj etjen dhe të pimë ujë bashkë.

Jo rrallë, më ke goditur në sy, edhe pse ti i verbër
më ke mbështjellë për qafe si bollë
dhe më ke kafshuar me dhëmbët helmues:
edhe në gurë, edhe në lumë,
edhe në besë, edhe në fushë.

Ti nuk i zbulove gjurmët
edhe pse ishe me dy kokë edhe në gjumë
dhe loja me ty mbeti e pafund,
mos i zë besë gjarprit!?
E unë vazhdoj të luaj përsëri me ty,
pa ditur se do fitoj ndonjëherë, gjarpër!?

PRANË DRURIT TË THATË

Sa herë jam djegur pranë drurit të thatë,
duke heshtur e pikuar si qiriu
por prapë kam mbetur dru i çarë për shkreptimë.

Sa herë jam prerë me shpatë e më sharrë,
duke mos bëzan,
sërish kam mbetur dru i thatë
herë i butë e herë i egër
duke dergj për flakë.

Sa herë jam flakur për rrugë,
kam mbetur lëvozhgë
herë i gdhendur e herë i pagdhendur,
por prapë jam ringjallur i dendur.

Shumë herë jam shartuar e gdhendur,
lagur e terur nëpër mote
duke mbet trung e cungajë i paepur.

SYRI I LIGË

Mos të paftë e mos të qaftë syri i keq,
As në pikë të ditës, as në pikë të natës
e korbi-korbit e as sorra-sorrës, s’ia nxjerrin sytë,
në këtë botë e tokë, njeriu prish e ndreq,
se prore e ndjek një shpirtdreq.

Sa herë kam folur me sy të mirë,
Vetullat,
herë i kam shkrirë, e herë i kam ngrirë,
nganjëherë i kam ndukur,
por syri më kishte bërë shpirt e dritë,
duke ec me gjak në sy, në këtë botë të ligë
që s’e kisha ditë?!

Syri i ligë, si syri i pushkës, e si syri i njerkës,
më ka shpuar përtej veshit e gushës
ah, ju zëntë sytë buka e ora e mortjes
“A i besohet syrit të keq?”,
E unë vazhdoj të mbetem nazar!

PËSHPËRITJE

Jeta nuk është ashtu si duket,
edhe kur shikohesh e rregullohesh para pasqyrës,
buzëqeshja të mashtron,
sytë të joshin,
zemra nuk e thotë,
diç pëshpërit në vete,
që as veten s’e kupton
edhe herën e parë, edhe përditë, edhe herën e fundit,
duke përpëlitur e duke mbyllur sytë.

DRITHËRIMË

Për ditë po na vrasin nga pak,
duke na tharë nga një damar,
duke na ndalë ndonjëherë,
dhe frymëmarrjen.

Po na përcjellin hapat
dhe na bëjnë hijeditë e hijenatë
edhe hijet e gjakut si hafije.
Për ditë po na e pinë gjakun
edhe ashtu të shprishur e të turbulluar
si llum në lumë.

Ndonjëherë vazhdoni të na ngushëlloni,
se bëheni të mëshirshëm,
të na falni pak dhembshuri,
e ne duke qenë të mirë,
vazhdojmë të fundosemi për keqardhje.

E PATHËNA …!

Dhembshurisht
në këtë stinë të dytë
vjen e brishtë
as një fjalë më shumë,
as një fjalë më pak,
për dhe rreth teje si një fije floku.

Më shumë më ke munguar Ti,
se sa frymëmarrja e ajrit
dhe këtë s’ta kam thënë asnjëherë,
se gjërat më të zjarrta,
thuhen në paraverë,
dhe mbahen mend në jetë…!

At-këtu ndjejmë
si në ëndrrën e tretë.

NJË RRUGË TJETËR

Kurrë s’ma the
se ëndrrat e tua kanë një rrugë tjetër,
s’ma the as atëbotë,
kur udhëzat dhe rrugët e djallit
s’ mund të heshtnin,
e s’ma thua as sot
dhe më lë me pika të fshesës…

Dhe unë s’të kisha vënë re atëherë,
dhe sa herë më vjen në mbamendje,
sot,
unë mbetem pak i nemitur
dhe më shumë i çoroditur,
edhe sot nuk ma thua,
se ëndrrat e tua
kishin një rrugë tjetër
e shikimi të mbetet këndej
te dritarja e vjetër!

KURRË S’MA THE!

Kurrë s’ma the
se ëndrrat e tua kanë një rrugë tjetër,
s’ma the as atëbotë,
kur udhëzat dhe rrugët e djallit
s’ mund të heshtnin.
S’ma thua as sot
dhe më lë me pika të plagosjes…

Dhe unë s’të kisha vënë re atëherë,
dhe sa herë më vjen në mbamendje,
unë mbetem pak i nemitur
dhe më shumë i çoroditur,
edhe sot nuk ma thua,
se ëndrrat e tua
kishin një rrugë tjetër!

ME ZJARRMI NËPËR FYTYRË

Si nuk ke një pikë mëshirë,
ëndrrat për t’i shkrirë!

Si nuk ke një pikë dëshire?
ëndrrat për t’i shtrirë!

Si nuk ke një pikë të ngurtë?
ëndrrat për t’i shthurë!
e ëndrrat vazhdojnë të mbesin ngrirë,
ku as Dielli nuk t’i shkrinë.

Si vazhdon të mbetesh ngrirë?
me zjarrmi mbi e nën fytyrë!

U lind më 29 shtator të vitit 1969 në fshatin Runicë të Kumanovës. Shkollën fillore dhe të mesme ka mbaruar në Kumanovë e Gjilan, ndërsa Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Për më shumë se një dekadë ka punuar në Radio Shkup dhe për dy vite në Televizionin e Maqedonisë, programet në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe paralelisht ka punuar edhe në gazetën “Flaka”, në gazetën “Koha Ditore” botimi në Maqedoni; gazetën “Lajm” Maqedoni/Kosovë dhe së fundi në gazetën “Shqip”.
Veprat: “Ndrydhje”, (1999), poezi,
“Mes stinëve të një gazetari”, (2006), libër me shkrime për konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni
”Përtej Momentit”, (2008), skica e reportazhe nga periodiku i kohës
“Më shumë se Unë”, (2014), poezi,
“Të kam thënë …Lajdins”, (2018), poezi
“Pwrtej heshtjes”, 2020 (poezi)
Ka marrë disa çmime për gazetari dhe poezi për ngjarje e manifestime të ndryshme.