POEZIA SI NDRIÇIM I KUJTESËS DHE DASHURISË
Hyrje
Ka poetë që nuk e ndërtojnë poezinë me gurë fjalësh, por me frymë kujtese. Poeti Fadil Lekaj është një prej tyre. Në vëllimin “PËR TY ZBRES HËNËN” (2021), ai e kthen poezinë në një vend pelegrinazhi shpirtëror, ku ndalen për një çast malli, dashurie e kujtese të gjitha fytyrat që njeriu i ruan në veten e tij, atdheu, nëna, mërgimi, dashuria, stinët, gjuha. Në secilën poezi duket sikur autori zbret vetë me hënën, për t’i ndriçuar kujtimet e veta e për t’u falur njerëzve dritën që mban vet ai në shpirt.
Atdheu si frymë e pashuar
Në poezinë e Fadil Lekajt, atdheu nuk është vetëm hapësirë, por ndjenjë që rreh brenda çdo frymëmarrjeje. Ai e thërret Shqipërinë e tij “të bukur por me plagë e me dritë”:
Më ka marrë malli, mes miqsh të ngre dolli,
të ndjej Shqipërinë krenare, ndonëse i mërguar,
prej verës së kuqe në gotë, shpirtit t’i japë liri,
t’i fal ngrohtësi zemre, prej fëmijësh të larguar.
Poezia DOLLI PËR SHQIPËRINË, faqe 7.
Dhe vargjet për Kosovën që e sheh si “dashuri e përjetshme që nuk shteron”.
E dashuruar me ty pergjithmone
O, KOSOVA ime, o KOSOVA jone…!
Dardani Antike pëgjithmonë
Poezia KOSOVA – DASHURIA IME, faqe 12.
Në këto vargje, poeti nuk kërkon lavdi, por përkushtim: dashurinë për atdheun e trajton si amanet, jo si stoli. Poezitë “Dolli për Shqipërinë”, “Kosova – dashuria ime”, “Atdheu im, të dua përjetësisht” e “Baladë e flamurit”, dhe disa të tjera shndërrohen në një himn të qetë, ku flamuri, toka, dhe kujtesa flasin në gjuhën e përulësisë.
Poeti Fadil Lekaj nuk shkruan për atdheun si për një nocion të largët; Ai i flet si biri nënës. Çdo varg i tij është një përpjekje për të shlyer borxhin dhe mallin ndaj vendit të lindjes, siç shprehet në poezinë “ATDHEU IM TË DUA PËRJETËSISHT”, thotë ai, dhe në këtë përjetësi nuk ka fjalë të tepërta, vetëm frymë e gjallë shqiptare, që vjen nga brenda. “Tek heshtja ime, prehje gjeta…/ Të shkruajnë ata që ikën,/ Jo unë, që në ATDHE mbeta…/ Të dy bashkë Atdheu im/ Malli i tyre pa mbarim/ S’je në vargje, je në shpirt/ Të dua përjetësisht!/ Shqiperi vend Perendie”, (faqe 21).
Mërgimi dhe hëna e vetmisë
Motivi i mërgimit është shtyllë tjetër e kësaj poezie. Poeti jeton larg atdheut, në rrugët e dheut të huaj, por ai nuk e quan këtë ndarje humbje, e quan përvojë, mbijetesë, kujtesë e hapur. Në poezinë “Emigrant”, ai rrëfen:
Na mori rininë,
na dha dhimbje shumë…
Dhe gjumi s’na zinte,
trembeshim në gjumë…
Emigrimi, plagë që s’shërohet,
plagë që na dhëmb në shpirt
Emigrimi na la dhe pa emër,
na mori të ritë…
Faqe 19.
Në vargje të tilla, mërgimi shndërrohet në peizazh të brendshëm. Ai nuk e shkatërron identitetin, por e thellon. Tek “Trokas tek porta”, (f.108), dhe te poezia “Motiv i vjetër kurbeti”, sidomos vargjet: “Po ç’emër kish, të padëgjuar!/ Që zemrën ta shponte kur thuhej/ E mjera, siç ish pagëzuar,/ “Lëndina e Lotëve” quhej.”, (f.81). Këtu vet poeti bëhet një udhëtar që i kthehet gjithmonë vetvetes, edhe atëherë kur rrugët e mërgimit janë të gjatë. Fadil Lekaj nuk vajton kurbetin, ai e rrëfen me urtësi, si njeri që ka mësuar ta dojë edhe dhimbjen, sepse nëpërmjet saj ai e njeh më mirë atdheun e vet.
Nëna dhe burimi i dhembshurisë
Në çdo varg për nënën, ndjehet një dritë që s’venitet. “Nëna”, “Dhimbje”, “Mall për nënën”, “Ikje”, janë vetëm disa nga poezitë që flasin me një gjuhë që nuk ka nevojë për shpjegim. Figura e “Nënës”, te poezia e Fadil Lekajt, është simboli i dashurisë që nuk kërkon kthim, e heshtur por e përjetshme, prandaj Ai shkruan: “Të puth duart e nënës, më merr malli,/ Më merr malli t’i dëgjoj zërin e ngrohtë…/ Nëna është njeriu më i shenjtë,/ Si nëna nuk ka tjetër në botë…”, (f.22). Këtu poeti e shndërron figurën e nënës në qendër të gjithë ekzistencës njerëzore. Ndoshta malli për të është edhe malli për atdheun, për fëmijërinë, për të gjitha rrënjët e jetës. Nëna bëhet dritare drejt hyjnores, e njëkohësisht rrënjë që e mban poetin të lidhur me tokën.
Dashuria – frymë që mban gjallë botën
Në poezitë e dashurisë, Fadil Lekaj është i butë dhe i brishtë, si njeri që e njeh dhimbjen por nuk dorëzohet. “Malli i pritur”, “Dashuria e parë”, “Pa ty”, janë jo vetëm poezi, por këngë të një dashurie që nuk plaket, që mbart në vetvete durimin dhe mallin.
MALLI I PRITUR
Një pritje në shi, padurimi pranë
Një puthje në shi, takimi i parë
Ankth i mbledhur, mall i heshtur…
Vështrimet tona, duke qeshur…
Ndjenjë, frike, shi, … kenaqesi
Malli i pritur, veshtrimeve ngelej
Dy miq të vjetër… dhe nostalgji
Frika, pa frikë cepave endej
U çlodhem mbi mallin e pritur
Në ëndrrat tona bashkë rritur.
Faqe 28.
Dashuria për gruan është për poetin një ndriçim që zbut dhimbjen e mërgimit, një kujtim që e bën shpirtin të ndiejë përsëri. Ai nuk e përshkruan dashurinë si zjarr, por si dritë që nuk shuhet, andaj ky libër është edhe përkushtim për të: “Këtë liber ja kushtoj familjes time e në vecanti bashkëshortes time Flories për mbështetjen që më jep në rrugën time të krijimtarisë.”. Ajo është forca që e bën të zbresë hënën për t’ia dhuruar njeriut që do, Flories.
Natyra dhe qetësia e brendshme
Në poezitë ku flet për natyrën, poeti Fadil Lekaj i kthehet ritmit të stinëve si një mësues i brendshëm. “Mollët”, “Pemët”, “Vjeshta ime”, “Elegji fundvjeshte”, “Fleta”, janë dëshmi se poeti e sheh natyrën si pasqyrë të shpirtit të njeriut. Në to, çdo fletë që bie është kujtesë, çdo pemë është qëndresë.
PEMËT
Ç’mëkat biblik të kenë bërë vallë
Pemët, që, në jetë të jetëve, dënuar janë,
Si asnjë tjetër, në botë, krijesë e gjallë!
Çdo vjeshtë, kur vjen, i zhvesh gjethesh ato
Që dimrin e gjatë, me acar edhe me erë
Ashtu, lakuriq, ta durojnë Deri në pranverë…
Ç’mëkat kaq të tmerrshëm të kenë bërë
Të gjorat pemë…
Faqe 62.
Përmes këtij vëllimi poetik, natyra bëhet zë që i flet njeriut për qetësinë, për rrotullimin e pandalshëm të jetës. Në çdo stinë, Fadil Lekaj gjen një arsye për t’u pajtuar me vetveten.
Trashëgimia dhe legjenda si dritë kombëtare
Në poemën “Mali i Vashës”, poeti e kthen mitin në një kujtesë kolektive. Ai flet për qëndresën, për sakrificën, për atë trashëgimi të përbashkët që populli e mban në rrëfime. “Nga Mali i Vashës kur bie shi,/ Rrëkeza uji gjarpërojnë/ Seç pëshpërisin një histori”, (f.82), ose “Nga Mali i Vashës, kur bie shi/ Rrëkeza uji gjarpërojnë./ Seç pëshpëritin një histori/ Shkumbinit plak, t’ia thonë shkojnë”, (f.85). Në këtë poemë, guri bëhet simbol i nderit, mali, dëshmitar i vajzës që zgjodhi vdekjen për të mos humbur dritën. Fadil Lekaj e përtërin legjendën me një gjuhë moderne, duke e bërë të ndjehet e gjallë në kohën tonë. Ai nuk e sheh mitin si diçka të ngrirë, por si urë që lidh brez pas brezi shpirtin shqiptar.
Poezia si kujtesë, dashuri dhe dëshmi
Në thelb, poezia e Fadil Lekajt është një rrëfim njerëzor për qëndrueshmërinë. Ai nuk kërkon lavdërim, por dëshmon: Se ka dashur, ka mërguar, ka kujtuar, ka besuar. Në secilën poezi, gjuha e tij është e qartë, e qetë, e ngrohtë, si një rrëfim i zemrës që nuk do të harrohet. Sikur “Ishe aty”, i thotë vetvetës poeti, dhe shton: “Bëra atë që munda, dashurova me zemër, gruan e as Atdheun nuk i harrova”. Ky interpretim i lirë, shprehet kudo në vargun që nuk mëton të të tronditë, por të ngrohë. Është dritë që lind nga përulësia, dhe përulësi që shndërrohet në art.
Përmbyllje: Poeti i kujtesës dhe dritës
Poeti Fadil Lekaj bëhet një zë karakteristik i poezisë shqipe në mërgatën shqiptare, me një tonalitet të përmbajtur, të ndritur e të butë. Si studiues e si poet, ai e ndërton vargun me ndërgjegje kulturore dhe me dashuri njerëzore. Poezia e tij është ura midis brezave, midis atdheut dhe botës, midis njeriut dhe kujtesës.
Pikërisht në librin “PËR TY ZBRES HËNËN”, ai e shndërron mërgimin në dritë, mallin në këngë, dhe kujtimin në bekim. Ky është zëri i një poeti që nuk flet për vete, por për gjithë ata që kanë dashur, që kanë pritur, që kanë mbajtur gjallë fjalën e zemrës edhe larg shtëpisë. Në çdo poezi të tij, ndjehet një urtësi e heshtur: Se jeta, pavarësisht largësive, mbetet gjithmonë një udhëtim drejt dashurisë. Dhe aty, në fund të këtij udhëtimi, poeti i mërgatës shqiptare i thotë të dashurës (bashkëshortes), me qetësi: “Për ty zbres hënën”, që ta gjesh rrugën mes kujtimeve të mia.
Prishtinë, 12 tetor 2025.

