Gazeta Nacional Albania

SHQIPËRI MOJ, PIKË UJI  NË SHUPLAKË TË T’ETURIT. Poezi nga Ali Podrimja

 

 

 

 

 

 

VETMIA

 

 

Bota mbet

Planetë e mërguar

 

 

Lule e heshtjes

 

 

Maja e shpatës

Në bebëz të dritës

 

Vetëton

 

 

 

 

 

RËNIA S’ËSHTË HUMBJE

 

S’ është rënia humbje

Humbje s’ është me ra

S’është cung i vetëm në pyll

 

 

MERRENI KËTË GUR

 

 

Merreni këtë gur e hidheni

Ku të doni

Nëse dëshironi

Përtej fillimit tim të fisit

Përtej nëntë plagëve të Gjergj Elez Alisë

Gozhdoni po deshët

Muroni

 

 

Merreni këtë gur

Pagëzojeni ose lëreni pa emër

Kohës ndërrojani klimën

Pa tokë lëreni pa qiell

 

 

Merreni këtë gur e hidheni

Ku të doni

Fortësia e tij na përjetëson

 

 

 

 

 

KULLA E BALSHAJVE

 

I rri afër Zotit

Se nuk u zihet besë

As njerëzve

 

 

Kur dielli godet në kokë

Bie në gjunj para Ujit të Madh

Sytë i lanë në shuplaka engjëjve

 

E një zog i qëmotshëm ngrin në ajër

Përderisa të zgjohet Bindi

Erërat detare t’i lidhë për rrënjë ulliri

 

 

Kush u ngjit aty

Harroi diçka të marrë

Dhe Zotin nuk e troi kurrë më

 

 

 

 

REÇAKU

 

Na vrasin të na bëjnë të pavdekshëm

Ku të kesh fat

Një herë në njëqind vjet

Ndodh të krahasohesh me Zot

 

 

 

 

 

MACA E ZEZË

 

 

Në udhëtimin tim

Një mace e zezë më ndjek

 

Shpirti më thotë

Në gjysmë rruge ke për të mbetur

 

 

E kënga më thotë

Kurrë s’do t’më këndosh me zë

 

 

E drita më thotë

I verbëri i verbër ka mbetur

 

E ëndrra më thotë

Më kërko në zhgjëndërr

 

 

Pa eja e thuaje atë fjalë

Kur s’di kë dashuron a urren

Eja e besoji fytyrës në pasqyrë

 

 

Një macë e zezë më ndjek

Në udhëtimin tim

 

Orën e fatit ajo dikton

Atdheu i mbërthyer në arkë

 

 

 

 

 

MARTIN CAMAJT

 

Del në mëngjes Evropës

Për një lutje fisi

Shpirtin asgjë nuk ta qetëson

 

 

Në mbrëmje kthehesh dikur vonë

Dhe kur zonja Evropë

Mbyll dhe syrin tjetër

 

Nxjerr nga arka Atdheun

Dhe në dritë të hënës

E peshon në shuplakë

 

Damar pas damari e shpalon

Kushedi për të satën herë

Duke i gjetur kuptime të reja

 

 

Të bëhet se thërret ndonjë zot të harruar

Të bëhet se kush ikën

Nga përqafimi i llahtarshëm

 

Vë veshin pastaj dhe dëgjon trokun

Mes Drinit të Bardhë e të Zi

Që vetëm ti e kupton

 

Me ferk mbërthen atdheun në arkë

Dhe merr Evropën në sy

I bindur se asgjë nuk peshon më rëndë

 

Në hall na qite Burrë Malcie

Me ata zëra paganë bubullinë Dheu

Me ato ethe Arbërie

 

 

GRIGJA

 

 

Më ra në qafë ujku

A lidhet qeni natën

 

Pse e lidh

Kur ulërin Mali

 

Më ra në qafë Ujku

Në ëndërr më shfaqet Grigja

 

Pa kënduar gjeli

Nuk çel drita

 

 

 

UNË NUK JAM AI

 

 

Ai pranë dritares

Nuk jam unë

është jot ëmë

Që të kërkon në turmë

 

Ai në fund të dhomës së errët

Nuk jam unë

është yt vëlla

Që përmallshëm fyellit i bie

 

Ai para pasyrës

Nuk jam unë

është jot motër

Që flokët shkurton

 

 

Lum Lumi

Unë jam ai që derën e hap

 

 

 

 

NË MBRETËRINË E HUMBUR

 

Ike nga dëshira

Për të jetuar

 

Por të gjallët

Ende s’i le të qetë

 

 

Trimat nuk vajtohen

Pa dritë në mbretërinë tënde

Të humbur

 

 

 

 

REKUIEM PËR PYELLIN E PRERË

 

 

Në Janinë hyra

Kur gjethet kishin rënë

Dhe drunjtë zhveshur rreth Kështjellës

Janinë, oh Janinë e Ali Pashës

Si nuk arrita të të shoh

Pyll të ri

 

 

 

 

ZARI

 

 

Të bëhet se je fitues

Veç ti ke hyrë në lojë

 

Të bëhet se dole në breg

Uji të ka bartur kushedi se ku

 

Të bëhet

Se jeton më në fund

Ti i harruar tashmë nën bli

 

Zari është art

Ai që e hedh

Ndan edhe humbjen

 

 

 

 

GRUAJA

 

Nuk është prej gjakut

Prej zjarrit është prej drite

Ndriçim i brendshëm i shpirtit

 

 

Nuk është prej gjumit

Nga rëra është nga uji

Humbet nëpër gishtërinj

 

ëndërr më tepër perëndi

Si libër i lashtë hapet

Do t’i lexohet fundi

 

Nuk është prej fjalëve

Dhe tërmetesh është, misteresh

Nga trajta drithëruese shket

 

 

Kohë në kohë diku shpaloset

Nga temperatura e trupit

Drejtpeshimin e humb

Nën hije të Njeriut

 

 

 

 

SHENJA

 

E shënove cakun

Mos e le

Pa e rrëzuar

 

 

Shkrehe deri sa ta qëllosh

 

 

Nuk të shkrepi

Fatkob je

Qyqe

 

Nuk kanë me të knue

 

 

NË MAJË TË TOMORRIT

 

Nuk u nda një shqiponjë

Udhë e lartësive, udhë e Abazalisë

 

Tërë frymë të papritura o i uruar

 

Sa harrova Lumin dhe Kosovën

 

Qenka vështirë të jesh perëndi

Njerëzit t’i shikosh nga maja

 

 

ETYD PËR SHQIPËRINË

 

 

Xhuxhe je

Xhuxhe moj

Pa mua

 

 

Dhe kurkushi jam

Jam kurkushi moj

Pa ty

 

Frymë e trup

Kush na i nami

Nën kupë të gastartë

 

Shqipëri moj

Pikë uji

Në shuplakë të t’eturit

 

 

 

 

KËNGA

 

Nuk këndohesh gjithmonë të jesh këngë

kurrë nuk këndohesh deri në fund

Muzikë e rëndë

 

 

Dhe nuk këndohesh krejt se mbarimi yt

Është fundi i pakryer i botës

Vdekje e gjatë e njeriut