Gazeta Nacional Albania

Shqipërime poetike nga Sinan Kërpaçi

 

 

 

 

 

W.SHAKESPEARE

 

MOS KULLONI VIRGJËRESHA SI KRUA

 

Mos kulloni virgjëresha si krua,

Pse meshkujt gjithnjë mashtrojnë,

Se tradhëtinë e kanë në thua

Dhe fjalës s`i qëndrojnë.

 

Nga “Shume zhurme per asgje”, Akti II, skena III

 

 

 

 

EZRA POUND

 

“Marrëveshje”

 

Po bëj një marrëveshje me ju Uolt Uitman:

Të kam urryer gjatë.

Po vij te ju si një adoleshent

Që ka patur një baba kokëderr.

Thinjat më mësojnë si të zë miq.

Krahët e tu e rrëzuan atë lis

Për ta krasitur unë më vonë.

Jemi gatuar nga i njëjti brumë:

Të bëhemi që të dy gjetje fjale.

 

 

 

 

 

  1. Tagore

 

GJYKATËSI

 

Thoni për të çfarë të dëshironi, por unë i njoh dobësitë

e fëmijës tim.

 

Nuk e dua pse është i mirë, por sepse është i vogli im.

 

E si do ta dini sa vlera ka kur përpiqeni të vini në një kandar meritat kundrejt të metave?

 

Kur më duhet ta ndëshkoj ai bëhet edhe më shumë i imi.

 

Kur bëhem shkak për lotët e tij më qan zemra bashkë me të.

 

Vetëm unë kam të drejtë ta fajsoj dhe ndëshkoj,

sepse ai vetëm mund t`u prish gjumin atyre që e duan.

 

 

 

Jack Prelutsky

 

GËZOHU QË HUNDËN E KE NË FYTYRË

 

Gëzohu që hundën ti e ke në fytyrë

dhe jo të ngjitur atje ku s`rri mirë,

se po të ishte në vendin ku s`ka punë

me hundën do mërziteshe shumë.

 

Sikur mos ta kishe hundën ku e ke,

sanduiç midis gishtave të këmbës të qe

kënaqësi s`do të ishte ndonjëherë

që këmbëve 24 orë t`u merrje erë.

 

Kjo hunda jetën si do t`ua nxinte

sikur në majë të kokës këmbëkryq të rrinte,

kënaqësia do të ishte krejt e huaj

kur qimet të gudulisnin hundën tuaj.

 

Sikur brenda veshit hunda të qe

eja merre vesh cdo të bëhej atje,

në çastin që teshtima do dilte e thellë

ai veshi juaj do ushtonte si shpellë.

 

Por hunda rri ku është elegante vërtet,

rri e nuk luan nga vendi i vet,

në tjetër vend ajo nuk rri mirë:

gëzohu , o fatlum që e ke në fytyrë!

 

 

 

 

 

 

  1. B. Yeats

 

PËRGJËRUAR TË VISHET ME TISIN E QIELLIT

 

Të kisha pëlhurat e zbukuruara të qiejve

Të qëndisura me shndritje ari dhe argjendi,

Pëlhurat e kaltra, të zbehta, të errëta

Të territ, të dritës dhe mugëtirës,

T`i shtroja si qilim nën këmbët e tua:

Por jam i varfër dhe kam vetëm ëndrra;

Shtrirë i kam ato nën këmbët e tua;

Shkel butë, e dashur, se “shkel” mbi mua.

 

 

 

 

Robert Burns

 

DASHURIA IME

 

Trëndafilja ime veshur me të kuqe

Shpërthen në petale Prill e Maj;

Një melodi unë po ta qëndis

Të bëjë bota be: për kok` të saj.

 

Sa je e bukur Ti, o Bukuri

Në dashuri që mbetet

Kaq do ndjehem unë kur t`ju pi

Si të kem pirë detet.

 

Derisa detet të thahen, e dashur

Dhe shkëmbinjtë të shkrijnë në diell

Unë do t`ju dua, o e shtrenjtë,

Lart do t`ju ngre, në qiell.

 

Dhe lamtumirë ty, e vetmja ime!

Dhe lamtumirë vetëm për pak!

Me ty jam unë gjithnjë, e dashur

Dhe afër, edhe larg.

 

 

Hilaire Belloc

 

ELEFANTI

 

Kur njerëzit elefantin sjellin ndërmend

E çojnë habinë gjer te retë,

Me një bisht pas që s`kërkon vend

Dhe feçkë para sa një planet.

 

 

 

 

Carl Sandburg

 

NËN NJË SHTYLLË TELEFONI

 

Jam një tel bakri i nderur në ajër,

I hollë sa mezi bëj në diell një vizë hije.

24 orë nuk pushoj – gumëzhij si zgjua një këngë:

Është dashuri, luftë dhe para, përpjekje

dhe lot, është puna dhe nevoja,

Vdekja dhe e qeshura e burrave dhe grave që kalojnë

nëpër mua – hamall i të folurës suaj,

Në shi dhe mjegull kulloj,

Në diellin shëtitës lindje-perëndim

rri i thatë,

Një tel bakri.

 

 

 

 

 

Siegfried Sassoon

 

VETËVRASJE NË TRANSHE

 

Vetë e kam njohur nën armë një djalosh

Që u zgërdhi me jetën në gëzimin bosh,

Dremiti i braktisur në errësirë,

Laureshës i fishkëllente që pa gdhirë.

 

Në transhetë akull, i dëshpëruar shumë

Me shpërthime, morra dhe pa rum

Kokës së vet ia futi një.

Për ushtarin askush nuk foli më.

 

Ju turma të kënaqura me syrin zjarr

Që i brohorisni djemtë kur shkojnë ushtar,

Ktheheni në shtëpi pa e ditur njëherë

E qeshura dhe rinia ku shkojnë, në ç`ferr.

 

 

 

 

Robert Pinsky

 

KËNGË SAMURAI

 

Kur nuk kisha çati bëra

Guximin çatinë time. Kur nuk

Kisha darkë darkova sytë e mi.

 

Kur nuk kisha sy unë dëgjova.

Kur nuk kisha veshë unë mendova.

Kur nuk kisha mendim unë prita.

 

Kur nuk kisha baba bëra

Kujdesin babain tim. Kur nuk kisha

Nënë përqafova rregullin.

 

Kur s`e kisha një mik bëra

Heshtjen mikun tim. Kur nuk kisha

Armik u ballafaqova me kurmin tim.

 

Kur nuk kisha faltore bëra zërin tim

Faltoren time. Nuk e kam një

Prift, gjuha ime është kori im.

 

Kur nuk kam asnjë mundësi

Fati është mundësia ime. Kur mos

Të kem asgjë vdekja do të jetë fati im.

 

Nevoja është taktika ime, pavarësia

Është strategjia ime. Kur s`e kisha

Një të dashur iu fala gjumit.

 

 

 

 

Mary Elizabeth Frye

 

MOS RRI TË QASH MBI VARRIN TIM

 

Mos rri të qash mbi varrin tim,

Unë s`jam në gjumë, jam në zgjim.

Jam era që pa rreshtur fryn,

Mbi dëborë diamanti që ndrin.

Grurit i jap pjekje si drita e diellit,

Në vjeshtë jam loti i madh i qiellit.

Kur në mëngjez ta kesh një zgjim

Vij si vrrulli i zogjve në fluturim,

Që i ngjitet qiellit lart,

Jam ylli që ndrin nëpër natë.

Mos rri mbi mua të qash me zë,

Unë s`jam në varr, nuk vdiqa gjë.

 

 

 

 

Miller Williams

 

KAFSHËT

 

Mendoj se vdekja e kafshëve shtëpiake

shënon ndryshime të madha në jetën tonë.

Mendo si ishin gjërat kur ato ishin ndryshe.

Ishte një kafshë atëherë, një qen apo një mace,

jo ajo që ti ke tani, një tjetër.

Mendo kur gjërat ishin ndryshe para asaj.

Ishte tjetër gjë atëherë. Ju gati e kishit harruar fare.

 

 

 

 

Robert Bly

 

SILLEM VONË ME MAKINË TË POSTOJ NJË LETËR

 

Natë e ftohtë me flokë dëbore. Rruga sonte fare e shkretë.

Të vetmit në lëvizje janë flokët e bardhë në pështjellim.

Ngre kapakun e kutisë postare dhe ndiej të ftohtin e hekurit.

E kërkoj vetminë e kësaj nate në shoqërinë e dëborës.

Me duar në timon le të më fluturojnë minutat.

 

 

 

 

Emily Dickinson

 

NËSE NJË ZEMRE QARJEN IA NDALOJ

 

Nëse një zemre qarjen ia ndaloj

Nuk do jetoj më kot;

Nëse një jete brengën ia largoj,

Apo pushoj dhimbje të fortë,

Nëse e bëj një të vetmuar

Të lumtur prapë në botë:

Nuk do jetoj më kot!

 

 

 

 

Sylvia Plath

 

PASQYRË

 

Jam prej argjendi dhe kërkuese. Nuk kam paragjykime.

Gjithçka shoh e gëlltit menjëherë

ashtu siç është, pa ngarkesë dashurie a mospëlqimi.

S`jam fare mizore, vetëm e çiltër,

syri i një zoti të vogël, katërkëndësh.

Më të shumtën e kohës meditoj për murin përballë. Ai është rozë, me pikla. E kam parë aq gjatë

sa tani ka zënë vend brenda meje. Por shndrit.

Fytyrat dhe errësira na ndajnë gjithnjë e më shumë.

 

Tani jam liqen. Një grua përkulet mbi mua,

duke kërkuar në botën time për çfarë është realisht.

Pastaj u kthehet atyre mashtruesve, qirinjve apo hënës.

Shikoj shpinën e saj dhe ia pasqyroj besnikërisht.

Ajo ma shpërblen me lot dhe një tundje të duarve.

Jam e rëndësishme për të. Ajo bën ecejake.

Çdo mëngjes është fytyra e saj që i zë vendin errësirës.

Brenda meje ajo grua ka mbytur një vajzë, brenda meje një plakë

ngrihet drejt saj ditë pas dite si një peshk i tmerrshëm.

 

 

Fundi i bashkëbisedimit

Shkruani një mesazh …