Gazeta Nacional Albania

SHTATORI I GJEMES SE MADHE. Fragent romani nga Skifter Kellici 

Fragment nga romani nga Skifter Kellicit, me rastin e 20-vjetorit te tragjedise ne kullat binjake,(11 shtator 2011)

 

Marta po përgatitej të shkonte, si përherë në punë, kur dëgjoi tingellimen  e telefonit. E ngriti dhe dëgjoi zërin e Besimit. Zakonisht ai rrallë i telefonte në orët e para të mëngjesit, ndaj dhe ajo u habit kur dëgjoi zërin e tij dhe u habit edhe më shumë, kur ai zë ishte më shumë se hija e atij zëri. Ai zë sikur vinte nga moskësobota.

– Martë, a je vetëm në dhomë, apo me djalin?- e pyeti ai.

– Djali është në dhomën e vet e po sheh një film në televizor, – iu përgjigj ajo. – Po pse më pyet?

– Mbahu si burrneshë, Martë. Kulla ku ndodhem unë ashtu si dhe kulla tjetër binjake, janë goditur nga dy avionë. Mos më pyet më gjatë. Me siguri këtu kanë gisht terroristët e Bin Ladenit.

Me të dëgjuar këto fjalë, ajo nuk përmbajti një klithmë.

– Të thashë të mbahesh si malësore që je!- e urdhëroi ai.

Dhe ajo shtëngoi buzët që i dridheshin.

– Tash më dëgjo me vemendje, – vazhdoi ai.

Kësodore, zuri t’i rrëfente çfarë kishte ndodhur. Pas çdo fjale të tij Marta psherëtinte, ofshante, mbante lotët, gëlltiste këtë ogur të zi që po ia helmonte zemrën, shpirtin, jetën.

– Në besë të besës më ke, – tha pastaj ajo përmes ngashërimesh brengosëse, kur Besimi mbaroi së rrëfyeri gjithçka që kishte përjetuar dhe që përjetonte ato çaste. – Edhe Trimit, tash për tash nuk po i tregoj asgjë…

Por fërgëlloi kur ndjeu se dy duar të vogla e prekën nga pas, dy duar që dridhëtonin, që digjeshin, dy duar që përvëlonin. Ktheu vrulltas kokën dhe pa të birin, Trimin, me sy të rrëmbushur, që nisi të thoshte plot përdëllim:

– Nënë, në televizor shikova që të dyja kullat kishin marrë flakë, kurse ti sapo flisje për mua në telefon e po thoje që nuk do të më tregoje gjë . Me babën po bisedoje?

Marta mbeti e drunjësuar, pa ditur se ç’përgjgje t’i jepte të birit.

Atëherë Trimi, që kuptoi gjithçka, mori telefonin nga dora së ëmës dhe zuri të thoshte me ngashërim:

– Babë, ti më ke vënë emri Trim, ti më ke mësuar që trim të jem gjithnjë! Më thuaj, babë, a je në një nga kullat që po digjen?

Edhe Besimi, ashtu si Marta, u befasua, kur dëgjoi ç’po i thoshte i biri. E pa që ishte e kotë t’ia mbante këtë të fshehtë atij. Në mos tani, ca më vonë, ai do ta mësonte atë.

– Po, bir, jam në kullën e parë.

– Po vimë edhe ne babë, – gërthiti Trimin me tërë forcën e mushkërive të tij. – Po vimë për të të shpëtuar.

– Është e kotë, bir. Kullat s’do të vonojë e do të shëmben. Mund të shpëtojnë vetëm ata që ndodhen në katet e poshtme të tyre. Prandaj, mbahu dhe ti si nëna jote. Lus zotin të shpëtojë axha Rroku që është andej.

Pas këtyre fjalëve, Trimi, sadoqë u përpoq, u mbyt në lotë.

– Po burrnohu, Trimi i babës, ti sapo më dhe fjalën, – dëgjoi zërin e të atit, që thuajse po i përgjërohej.

Megjithatë, një forcë instiktive e shtyu djalthin të kapte për dore nënën dhe të bënte vrulltas përpara, duke shpresuar në një fuqi të mbinatyrshme që së bashku me të të dilnin thuajse duke fluturuar jashtë pallatit, ku banonin dhe, po duke fluturuar, të gjendeshin te Kullat Binjake, të gjenin shpejt babain dhe ta shpëtonin. Por qe një feksje e vetëtimtë, një mirazh po aq i vetëtimtë, që erdhi e u shua menjëherë.

Sado i vogël, Trimi, duke ndjekur nga ekrani pamjet gjëmëmëdha, e kuptoi mirëfilli se ç’po ndodhte dhe mbeti, ndërsa e ëma, duke shtënguar buzët që të mos i shpëtotnte prej tyre ndonjë gulçim, e rroku dhëmshurisht..

– Mirë, babë, atë po bëj, – mërmëriti pastaj vogëlushi, duke fshirë me dorën tjetër lotët që i çurkonin faqeve.

– Tani më dëgjo me vemendje, ti me nënën, – vijoi Besimi, ndërsa Trimi me Martën pritnin ç’do t’u kumtonte ai:

– Bir, pas pak ditësh ju do të ktheheni në Kosovë, do të shkoni në Prizren, në qytetin ku kam lindur, ku prindërit më vunë emrin Besim, që të besoj për të ardhmen e Kosovës.. Nuk do të kalojnë një, dy, ose dhe pak më shumë vjet dhe kjo ka për të ndodhur.

– Po babë, ne do ta shohim atë ditë të lume, do ta shohim Kosovën të pavarur, siç më ke thënë shpesh herë ti.

– Ah, sa e bukur është Kosova, bir…

Ashtu si një vetëtimë që çan qiellin e rënduar nga re të tufanta, të cilat paralajmërojnë stuhi, shtërgatë, ashtu edhe Trimit vetëtimthi iu kujtuan ato fjalë që ati i kishte përsëritur sa e sa herë, qoftë kur shetitnin dhe ai magjepsej nga bukuritë e mahnitshme të Nju Jorkut, nga rrokaqiejtë, shatërvanët gurgullues e liqenthet që hijeshonin parqet bleroshe, qoftë kur e vinte për të fjetur, ku, veç përrallave, i shushuriste me zë ëmbëlak:

“A don male në Kosovë, bir? Ke për të parë Bjeshkët e Namuna, me majën e tyre më të lartë, Gjeravicën. A don fusha?Sikur të kalosh, qoftë përmes Fushës së Kosovës, ke për t’u mahnitur, kur të ecësh e të ecësh përmes saj e ajo ka për t’u dukur se nuk ka të sosur. Po lumenj?Afrohu në brigjet e Drinit të Bardhë që është më i madhi e që përshkon tërë Rrafshin e Dukagjinit, me pamje që të lenë pa mend. Po liqenet, bir! Më nënën do t’i ngjitesh Malit të Sharrit e e ke për të parë liqene të vogla me ujë të kthjellët e të kaltërt, si qielli në ditë të bukura pranverë…!”.

– Po, babë, – mezi mundi të belbëzonte pastaj Trimi i ngashëryer. – E ti sa e sa herë më ke folur plot mall për bukuritë e Kosovës e të të jap fjalën që kam për t’i parë, ashtu siç kam për të parë edhe viset e Grudës, ku ku ka lindur nëna…

Ai heshti një grimë dhe priti fjalën e Besimit.

– A po më dëgjon, babë?- e pyeti pastaj.

Por nuk dëgjoi më zërin e tij.

– Babë, babë!- gulçoi pastaj Trimi duke drejtuar sytë plot ankth nga e ëma.

Pësëri heshtje.

Atëherë Marta, mori dorëzën e telefonit nga duart e tij.

– Si je, Besim?- e pyeti, gjithashtu, plot ankth

Por, në vend të përgjigjes, nga marrësi erdhën buçima, këlthitje, rënkime dhe asgjë tjetër.