6 Korrik, 2021
Është shuar në moshën 67 vjeçare poeti dhe kineasti i shquar Petrit Ruka.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë dhënë të afërmit dhe miqtë e tij.
Poeti ka mbyllur sytë mëngjesin e kësaj të marte, për shkak të një sëmundjeje në zemër që e torturonte prej kohësh.
Gazeta Nacional ngushellon familjen Ruka , shpirti i tij u prehte ne paqen e perjetshme.
Petrit Ruka Lindur në Tepelenë më 21.08.1954. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe dhe studimet pasunuversitare pёr dramaturgji filmike, Akademia e Arteve të Bukura, Tiranё 1985 – 1986. Ka punuar si pedagog nё Shkollёn e Mesme tё Pёrgjthshme, Tepelenё.1976 – 1984. Skenarist dhe regjisor. Kinostudio “Shqipёria e Re” dhe Alba Film Studio.Tiranё.1986 – 1996. Drejtor nё Teatrin Kombëtar të Fëmijëve. Tiranё 2000 – 2000. Kryetar i Qëndrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare 2000 – 2005, 2007 – 2008 Pedagog i jashtëm, Universiteti i Arteve, Dega e Regjisë së Filmit
Ka botuar:
- “ Rinia ime” vёllim, poezi, 1978.
- “ Atdheu fillon tek zemrat” vёllim, poezi 1983
- “ Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” vёllim, poezi, 1990
- “ Vërtitu, Kokë e prerë!” vёllim, poezi, 2000.
- “ Në zemër bie shi…” vёllim, poezi, 2003
- “Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, 2008
- “Kalorësi mbi det“ esse monografike për Kadri Roshin 2009
- “Iso dashurie“ Ars Poetika & Petrit Ruka, poezi e zgjedhur 2015
- “Nëntë vjet e nëntë ditë“ Poemë baladeske, 2015
Ka realizuar me shume se 40 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.
Si skenarist: filma artistik. Vepra tё ekranizuara:
- “Eja” 1986, skenari pёr film artistik, regjisor Piro Milkani.
- “Njё i tretё “ 1987, skenar pёr film artistik, met. i shkurtёr, regjisor F.Koçi.
- “Lumi qё nuk shteron” 1988, skenar pёr film artistik, regjisor Fatmir Koçi.
- “Njё djalё dhe njё vajzё” 1989. skenar, film artis, regjisor I. Muça. K. Mitro.
- “Vazhdojmё me Bethovenin” 1995 skenar pёr film artistik, regjia S. Pecani
Filma dokumentarë.
- “Shembja e idhujve” 1994 skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjonaj.
- “Tё burgosurit e galerisё” 1994, sken pёr film dok, regjisor S.Kumbaro
- “Nёnё Tereza” 1999, skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjonaj.
- “ Butrinti i gjallë” 1996 skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka
- “Në fillim ishte Ademi” skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka.
- “Braktisja e Madhe” skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka.
- “Qyteti mbi gur” 2002 skenar pёr film dokumentar, regjisor Eli Bici.
- “Qyteti mbi naftё” 2003 skenar pёr film dokument, regjisor P. Dervishi.
- “Nënë Tereza” 2004 skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjoni.
- “Drama Fadil Paçrami“ 2006 skenar pёr film dokument, regjisor N.Ajazi.
- ’’Atdheu lind nga tё rёnёt’’ 2006 skenar pёr film dokum, regjia Esat Ibro.
- “Kur vriteshin poetët” 2007 skenar për film dokumentar. Regjia N.Ajazi.
- “Poet i ekranit” skenar për film dokumentar. regjia P. Ruka.
14 “Aleksandër Moisiu“ skenar për film dokumentar. regjia N. Ajazi.
- “Unë jam Ismail Qemali“ skenar për film dokum. regjia Viktor Gjika.
Filma vizatimorë.
- “I vdekuri i gjallё” 1993, skenar pёr film vizatimor, regjia Albert Malltezi.
(shpallur skenari mё i mirё i filmit nё Fest e 10 kombёtar tё Filmit shqiptar.)
- “Ekuilibёr” 1994 skenar pёr film vizatimor, regjia Albert Malltezi.
- “Nёntё vjet e nёntё ditё” 2001, skenar pёr film vizatim, regjia Artur Dauti.
Si regjisor ka realizuar: (skenari dhe regjia)
1 “Njëqind për qind” 1994 film artistik, skenar e regji P. Ruka, A. Minarolli.
- “Plumbi prej plasteline” 1995 film art, s kenar e regji P. Ruka, A. Minarolli.
- “Butrinti i gjallë” 1998. dok. për Kadri Roshin, skenari e regjia Petrit Ruka.
- “Në fillim ishte Ademi” 1999 dok. për A, Jasharin, skenar e regji P. Ruka.
5 “Braktisja e Madhe” 2001 dok për emigrimin. skenari e regjia Petrit Ruka.
- “Kapedani i këngëve”, 2005 dok. poetit Maliq Lila. S kenar e regji P. Ruka.
- “Amanet Labërinë” 2006. Dok. për Enver Guga. skenari e regjia P. Ruka.
- “Me varrin hapur” 2006 dok për L. Mërkurin. skenar e regji P. Ruka.
- “Bolenë, trimja Bolenë” 2007 dok. skenari e regjia Petrit Ruka.
- “Aulona Folk Inernacinal Festival“ I 2009 dok. skenar e regji P. Ruka.
- “Folk Inernacinal Festival“ II film dok. S kenari e regjia Petrit Ruka.
- “Folk Inernacinal Festival“ III film dokument. skenari e regjia Petrit Ruka.
- “Poeti i ekranit, Viktor Gjika” 2009 film dok. skenari e regjia Petrit Ruka.
- “Homerët e filmit ballkanik“ – vëllezërit Manaqi. dok. sken e regji P/ Ruka.
- “100 vjet me Himnin e Flamurit“ film dokum. skenari e regjia P. Ruka.
- “Flamurmbajtësi i Vatrës“ film dokumentar. skenari e regjia P. Ruka.
- “Syri i Shqiponjës“ film dokumentar. skenari e regjia. Petrit Ruka.
- “Buzët tek kënga…“ dok për poetin Agim Shehu. skenar regji. P. Ruka.
Të tjera:
- Anëtarë i disa bordeve artistikë në RTSH. QKK dhe institucione të tjera.
- Pjesëmarrës në disa Koferenca Kombëtare e Ndërkombët, për Kinematog,
- Autor i një sërë shkrimesh në shtypin letrar, reportazhe, ese, artikuj për kulturën e kinematografinë.
ÇMIME LETRARE DHE FILMIKE
Çmimi libri më i mirë poetik i vitit 1983 me vëllimin “Atdheu fillon tek zemrat”
Disa cmime të para dhe të dyta për cikle poetik në shtypin letrar në gazetën “Drita” dhe “Nëntori” në vitet 1980- 1990
Çmimi i parë për skenarin e filmit “I vdekuri i gjallë” në Festivalin e 10-të Kombëtar Kinematografik 1993
Çmimi i parë për kameran në filmin artistik “Plumbi prej plasteline” në Festivalin Kombëtar Kinematografik 1995
Çmimi “Dokumentari më i mirë i Jubileut 2012” për filmin dokumentar “Kryekënga e Kombit” viti 2012
Çmimi i Akademisë KULT për dokumentarin më të mirë të viti 2012 për filmin “Kryekënga e Kombit” viti 2013
Çmimin poeti më i mirë i viti 2013 nga Fondacioni letrar “Harpa” Fier.
Çmimi i parë poetik në Manifestimin poetik të Pejës, 2015
TITUJ
Skenarist, akorduar nga Kinostudio “ Shqipëria e Re” në vitin 1988
Regjisor i filmit, akorduar nga Kinostudio “ Shqipëria e Re” në vitin 1995
MJESHTËR I MADH, akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me dekretin nr, 9371, Tiranë, më 18 dhjetor 2015.
me motivimin e mëposhtëm:“për krijimtarinë e tij letrare dhe kinematografike, si poet, skenarist, shkrim-tar e publicist i shquar”
KUR TË VDES UNË…
PETRIT RUKA
Kur të vdes unë mbylle derën me çelës dhe pi e pi atë natë
Hapi shishet e verës që nuk pimë dot bashkë
( Zot, janë shumë, një kantinë e tërë,)
Pi edhe shamë që të tradhëtova me vdekje
Burrë i pabesë, …si uji në rërë…
Kur të vdes lexo nja dy këngë të miat, të trishta
Pastaj grisi në dysheme
(Pa pikë mëshire, pa lotë,)
Më shaj që nuk të këndova siç e meritoje,
Që s’tu bëra poeti më i mirë në botë.
Për inatin tim nxirri gjinjë jashtë këmishës
Më thuaj: ja ku i kam akoma plot jetë,
(Ç’ti bëj tani pa ty, zuzar,)
Po tashmë kam ikur e si të ta them
Që për to do të rrotullohem
Edhe brenda në varr…
Kur të vdes unë mos ma fal
tradhëtinë e fundit me vdekje,
(Atë më të poshtrën, më të pabesën.)
Veç mbaje një sy hapur tek dritarja, se s’ dihet,
Mund të bëj marrveshje …e të vij
…Me vesën…
VDEKSH, MOJ TI, QË FLE ZBULUAR!
Vdeksh, moj ti, që fle zbuluar,
Në të shkretin ëndërrim,
Me çarçafin e rrëzuar,
Sikur bën qefinin tim.
Vdeksh, moj ti, që pjek nën hënë,
Gjinjtë-pjepra, mjaltë e vrer,
Zot, o zot, mos qoftë e thënë,
Që dhe syri vret e ther …
Vdeksh, që si vesë të mekur,
Bulon djersën mbi kërthizë,
Mbase ti më do të vdekur,
Me mornica më qëndis…
Vdeksh, që krahët si shandanë
I ke ndezur për të parë,
Tërë tempuj paganë,
Ndrinin me të tillë pishtarë.
Tërë kolonat prej mermeri,
Si këto kofshët e tua,
Kur të hyj me drithma tmerri,
Rënçin, më thërmofshin mua.
Vdeksh, që gjakun ma bën ujë,
Me dy gjysëmhëna pjeshke,
Digju, moj e zeza kujë,
Si një zjarr bubak,* prej eshke.
Vdeksh, që s’e ngre, – më thua,
U bë akull dyshemesë,
Mos e bëj qefin për mua,
Ëndrra, ëndërr,…s’di te vdes…
NJË GRUA E ZHVESHUR, NË SHTRAT S’BËN HIJE
Do zhvishemi një natë dhe bashkë do të flëmë,
(O Zot, mos u zgjofshim më, nga ai “gjumë!”)
Hija ime në mur do të dridhet nën hënë
Si trofta në grep, në zallin mbi lumë.
Po ti kur të zhvishesh, hije s’do kesh,
(Një grua e zhveshur për shtrat, s’bën hije,)
Bëhet shpirt dhe Drita kalon si në qelqe
Aty vdes fizika nga një një ligj Perëndije…
Vdes, që unë si grimca e Zotit,
Të shkoj tej e tej nëpër shpirtin pa trup,
Si malli që shkon mes pikës së lotit
Dhe lotin nga fija e qerpikut s’e tund…
Për herë të parë e kurrë njëherë tjetër,
E mbytur në dritë, do mbetesh pa hije,
Dhe unë do të vdes me ëndrrën e vjetër,
Që fjeta së fundi me një lule qershie
ATDHEU U SHIT, ANKANDI U MBYLL.
Atdheu u shit, ankandi u mbyll,
Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,
Miliona letra me vlerë votimi,
Tani do të bëhen thasë me para…
U vumë në radhë si mijra dele,
Kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,
Dhe shpresën e re në mijra blegërima
E mblodhën Ata në vatha partish.
Në vend të zinxhirëve – karta krediti,
Skllevër të lirë, me bukë e makina,
Për ankthin miliona tableta kimike
Nën bluzat firmato, zemra me vrima.
Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur
Ekranet me ngjyra e bëjmë limonadë,
Të dyja palët numurojmë çdo mbrëmje
Ne parainfarktet, dhe ata… paratë.
Atdheu u shit, ankandi mbaroi,
Këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,
I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,
Po s’kam më fuqi, as për maraz.
Unë kam fuqi veç për këtë këngë,
Me të cilën ata do qeshin me lot,
Do thonë; “..po ky si s’vuri pak mend
Poet i mirë, po mbeti idiot…”
NJË LETËR SPITALI
Oiii, sa e trishtueshme, tani, puna ime,
Tek të shkruaj një letër të hidhur nga spitali,
ca vargje që zemra ia hedh mendjes së lodhur,
si tagjinë për mëshirë, para shembjes, një kali.
Tek shoh që gjakun me shiringa kauçuku
po ua fal ca qelqeve në laboratore kimike,
tek veten e tall, që për Atdheun, nuk derdha
të paktën një pikë…në vjersha patriotike!
Gjithë mjekët në kor: kujdes emocionet!
as gëzime të forta dhe as mallëngjim,
ta dinin qyqarët, që Ti do t’i mbysje,
tek kërkojnë që unë… të të vras me Harrim.
Për sëmundje të rëndë dyshojnë dhe recetat
m’i nxijnë llahtarshëm me një tmerr latinisht,
ç’më vjen që natën t’i mbush nga inati
me këngë të pashkruara, të ndrijnë foshnjërisht.
T’i kthej përmbys e t’i shkruaj mbi to,
së pari, një letër… qershisë plakë në Turan,*
t’i them që si ty jam vërtetë plot zgërbonja
Po një degëz me lule si ty ende e kam.
Ti shkruaj nënésë poshtë dheut të zi:
për porositë e tua jam plot me pendime,
“…më kot i lexon “tërë” librat e botës,
se zemrën, o bir, ta mbushin me rënkime.”
Mbi recetat ku shkruhet se gjaku po prishet,
rrjedh ngadalë dhe mundet…të bllokohet diku…
asnjë mjek se gjeti që gjaku po ndalet,
të mendoj; ç’qe kjo jetë, kështu,… “Kuturu?!”
Se gjaku mëdyshet, nuk di nga të shkojë,
si babai, në fund…me bastun, mes avllisë,
asnjë, mjek s’e kupton, që Ty, kur të shkruaj
një mijë e një dredha i bëj… ishemisë…
Sa e trishtueshme tani, jeta ime, moj grua,
Tek të shkruaj një letër të hidhur spitali…
Nga njëra anë sëmundjet me bisht latinisht
Në anën tjetër vetë unë,…hingëllima e një kali…
PRIT! JO, MOS PRIT!
Për Ty nga “My petit”
Prit, mos nxito kaq shumë, tek zhvishesh
Të lutem ngadalë,
Bëje tmerrësisht ngadalë,
T’i shoh çarçafët tek thinjen nga zilia
(E zezë është thinj-ja e copës së bardhë… )
Ma jep tani mua këmishën e ngrohtë,
Ma jep edhe turpin tënd të purpurtë ,
Gjerdanin e perlave të qafës
Ma ler,
Ti var në rrathët e frymës sime të butë.
Mos u shtri aty! Prit, se jastëku
E paska një rrudhë e supin ta vret,
Më prit pak, që Hënën ta lëviz
Si një ftua,
Ta vë në cep të dritares.
Në qejfin e vet.
Se pas dashurisë do jetë pjekur
Dhe ne prej urisë….
Hënën mund ta hamë,
Po gjer atëherë dritë e saj tek kërthiza,
Le të ma mbush atë kupëz
Përplot me shampanjë.
Tani përkulu, shtrihu, më thuaj!
Sa tigra të duhen
Të t’i fus nën lëkurë,
Jam gati të murosem tek harqet e tua
Tani që mbi mua
Po bëhesh një Urë.
Tani çahu si shega në vjeshtën e tretë,
Dhe hape Flamurin e Kuq
Si flakë,
Tani mos prit! Nxito, nxito,
Një sekondë po prita
Do të ngrysem një Plak…
Tani jam burri më i mirë në njëmijë,
Bëhu Zonja e jetës,
Vrime e zezë kozmike,
Përpimë që të vdes dhe ngjallëm sërish
Je ti Ringjallja e sagës biblike.
Mos merr ashtu frymë,
Se xhamat do t’i thyesh,
Dhe Zoti do zgjohet nga gjumi i penduar,
Që ne të dy na bëri bashkë
Ah, kaq të vonuar….
Tani mendoje këtë natë si të fundit,
Mi var rënkimet – perla
Pas qafës tënde,
Se dua, se dua, se dua të mbetem
Pesëqind vjet pa mendje….
KOHA IME, TANI JE NJE KALE I BARDHE!”
Koha ime, tani, je kali i bardhë në fushë
si kali i fëminisë që e ndiqja nga pas,
kur se arrija e më shkonin lotët në gushë
ndërsa ai majë bregut kthente kokën me gaz…
Kali im i bardhë, u muga, ah u muga,
po ulem mbi kullota kujtimesh të dremis,
gjithkujt, një ditë, zë e i piqet buka,
buka e hidhur, pa kripë e vetmisë….
Po shpirti më i shpejtë se kuajtë e vendlindjes,
do të vrapojë përjetë me jelet në erë,
kur kockat e mia si gëlqere prej dhembjes
ca gram Shqipërie do të shtojnë ku kam lerë.
GRUA MA KE NXIRË JETËN DHE JETËN TA KAM NXIRË
Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.
Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.
Pastaj jemi përqafuar ; “e po unë isha në gjumë “
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.
Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as O.K.B-ëja s’ka parë.
Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!