Gazeta Nacional Albania

SI TË MOS VDESËSH NGA URIA. Tregim nga HYSEJİN RAHMİ GYRPËNAR, Turqi. Përktheu nga Turqishtja: Besiana Zyfi

Përktheu nga Turqishtja: Besiana Zyfi

Zoti L.: “Bonjur, moncher…”
Zoti V.: “Boniur, cher ami…”
— “Ku po shkon kështu me flokët e krehura, i hekurosur e i krekosur, tamam si një filozof që po del për të kontrolluar sjelljen dhe etikën?”
— “Jo, jo. Nuk ishte fare krahasim me vend. Nuk mund të dilet për kontroll sjelljeje dhe etike që në mëngjes me barkun bosh nëpër këto rrugë të zymta që e bëjnë njeriun të ndjehet si i shkretë. Veç kësaj, në një ditë të tillë kur ligjet e filozofëve më të mëdhenj falimentojnë, na mori lumi nëse njerëzimi i varfër do të ketë nevojë që zbatueshmërinë e ligjit ta garantojnë të pamoralshëm si ju dhe unë! Unë kam dalë të kërkoj një gjë krejt ndryshe.”
— “Çfarë?”
— “Shiko fytyrën time të verdhë, shiko sa pa zgjidhje kam mbetur dhe kuptoje.”
— “Hë e kuptova. Duhet të kesh dalë për të kërkuar “une aventure d’amour” (një aventurë dashurie).”
— “Ah miku im, sa larg qëllimit je! Ajo që thua ti, bëhet kur je me barkun plot. Unë kam dalë që në pikë të mëngjesit për të mbushur barkun pa harxhuar lek.”
Duke i futur krahun shokut tha: “Ou! Më bëre shumë kurioz. Të mbushësh barkun pa harxuar lek… Nëse keni gjetur një mundësi për këtë, le ta shpallim menjëherë këtë zbulim. Në këtë mënyrë, edhe njerëzit ngopen, edhe ne bëhemi të famshëm.”
— “Jo, jo! Është e vërtetë që ky është një zbulim me mjaft rëndësi; por nuk është mirë ta shpallim. Po t’ua tregojmë të tjerëve këtë mënyrë për të mbushur barkun, mbetemi prapë të uritur pastaj.”
— “Epo, meqë qenka kështu, do e dimë veç ti dhe unë.”
— “Ke uri?” *
— “Si ujk. Një pyetje e tillë nuk m’u duk fare e përshtatshme për mëndjen dhe botëkuptimin tënd.”
— “Pse?”
— “Ti e di që unë jam një i shkretë që jetoj me rrogë. E pra, këtë të martë mbushen plot pesëmbëdhjetë ditë nga kalimi i afatit të rrogës. Muajin e kaluar më kishin mbaruar të gjitha paratë pa ardhur akoma data pesëmbëdhjetë gjithsesi. Kemi një muaj që mezi jetojmë.”
— “Me kredi?”
— “Aman o burrë! E kujt i ka mbetur reputacion në këtë botë, që të kem unq kredi te kasapi e te dyqani i lagjes!”
— “Po si jeton?”
— “Zoti i madh që ka pesëmbëdhjetë ditë që nuk vret kryetarin Europian të bashkisë, na ruan edhe ne. Vetëm se nuk kam më durim të flas. Po vdes nga uria. Mezi po pres të mësoj këtë sekretin tënd të ngopjes pa shpenzuar para.”
— “Atëherë hajde me mua. Do bësh atë që bëj unë. Vetëm se mos rri ashtu si i ngordhur. Qëndro si një burrë i fuqishëm e i lumtur që tregëtarët mos dyshojnë tek ne.”
— “Si kështu? Po shkojmë të mashtrojmë ndokënd?”
— “Po, vetëm pak ama.”
— “Do bëhemi rezil po të na kapin.”
— “Ky është një mashtrim aq i pafajshëm, saqë bëhet me lejen e të zotit të mallit dhe para syve të tij. Ata që guxojnë t’i hyjnë kësaj pune, janë plotësisht larg rrezikut të ndjekjes penale.”
— “E çuditshme!”
— “Hajde hajde!”
***
Dy shokët zbritën drejt pazarit Ballek (pazarit të peshkut). Futen në një dyqan te ngushtë e të errët. Me këmishën të lyer me vaj e gjëra të ngjashme, shitësi barkmadh është i zënë me dy tre klientë. Zoti V. i thotë cirakut të shitësit, i cili po shikonte me vëmendje si mace e uritur gjithë dinakëri mallrat që mbushnin raftet deri ne tavan: “Dua djathë.”
Çiraku i përgjigjet: “Të jap unë. Sa kile?”
V. Bey: “Prit njëherë, të provojmë mallin; kilet vijnë pastaj.”
— “Hidhni një sy, ka disa lloje djathrash. Merrni nga cili t’ju pëlqejë.”
— “Pa na prit një copë nga ky këtu.”
Çiraku ia zgjat copën e prerë te djathit myshterinjve me majën. Zoti V. ha një pjesë për vete, pjesën tjetër ia zgjat shokut duke thënë: “Hmm, nuk është i mirë, shumë i kripur.”
— “Kemi edhe pa kripë.”
— “Pa ta shohim.”
Çiraku sërish me majën e thikës u jep myshterinjve edhe nga ai pa djathë. Mjekrat e myshterinjve lëvizin lehtë dy tre herë. Në fytyrë u formohen rrudha që shprehin pakënaqësi. Shitësi ngul këmbe; u jep për të provuar edhe katër pesë lloje të tjera. Por nuk arrin t’i kënaqë këta klientë të vështirë. Ata heqin dorë nga djathi i bardhë dhe vendosin për kaçkavallin. Provojnë edhe prej tij disa lloje. Sërish pas provave thartojne fytyren, ja që nuk u pëlqen. Dalin nga dyqani.
Zoti V. pyet: “Si dukesh, erdhe ndopak në formë?”
— “Pa dyshim. Hëngra më shumë se dhjetë copa djathë. Vetëm se sikur të kishim ndonjë copë bukë.”
— “Bukë nuk marim dot. Na kuptohet hilja pastaj. Hajde njëherë, do hamë edhe gjëra të tjera!”
Hyjnë në një dyqan të dytë. Këtë herë kërkojnë ullinj. Jeshil, të zinj, të vegjël, të mëdhenj, hanë nga të gjitha llojet. Nuk u puqet pazari, dalin.
Zoti V. pyet shokun:
— “Sa ullinj hëngre?”
— “Unë njëmbëdhjetë.”
Pas nja pesë a dhjetë dyqanesh hyjnë në një tjetër. Tani provojnë nga pak pastërma dhe sallam. Nuk lënë asnjë lloj pa provuar. Natyrisht që nuk merren vesh për pazarin. Vetëm se u pëlqen shumë ky ekzaminimi i pastërmave e suxhukëve, gjithë kripë e erëza.
Zoti V. pyet vazhdimisht: “Si je?”
— “Sikur të kisha një copë bukë do ngopesha tamam.”
— “Kjo mungesa e bukës është pikërisht rreziku i vetëm i kësaj gostie.”
— “Ke uri të hash më?”
— “Nuk e di, u kripa goxha.”
Këtë herë shkojnë për të provuar mjaltë, pekmez dhe recel. Hanë e hanë deri sa u djeg zemra. Pastaj marin racionin e tyre nga shportat me rrush: “Xhaxha, me sa e ke?” pyesin duke cimbisur aty këtu nëpër vile. Duke marë një këtu e një atje si bletët nëpër vile, mund të hanin rrush sa të donin.
Zoti V. po ecte drejt Jemishit, kur shoku e pyet: “Ku po shkojmë?”
— “Te shitësit e frutave të thata. Kemi ende arra, lajthi, bajame, rrush e fiq të thatë për të provuar.”
— “T’i lëmë për ndonjë ditë tjetër. Për Zotin unë u ngopa shumë…”
— “Ja pra, mik, mësove sekretin e ngopjes pa para. Vetëm se çdo art e ka një sekret. Ky yni ka këtë: Tek dyqanet ku shkuam sot, nuk duhet vajtur më për një kohë të gjatë. Stambolli është qytet i madh. Sot merr riskun tënd nga pazari Ballëk, nesër shkon në Gallata dhe Tophane. Ditën tjetër në Kumkapë, ditën pas saj në Samatja. Qarkullo vazhdimisht. Ai që na ka krijuar, pa dyshim që na ka dërguar risk me bollëk. Por duhet të dish ta kërkosh e ta gjesh. Atëherë nuk ka asnjë fajtor, fajin e kanë vetë ata që mbeten të uritur. Ja, shiko se si sot pak nga pak prej disa vendeve të ndryshme mblodhëm pak nga pak dhe u ngopëm. Zot shyqyr. Kjo është dëshira e Zotit. Hajde mik, të kam dhënë një mësim të vyer sot, për sa kohë të kesh fuqi të bredhësh rrugëve, nuk do vdesësh nga uria. Sepse sipas traditës, të shijuarit tek ne është hallall.”