Kësaj vere gjatë vizitës sime në Shqiperi kam konstatuar një shqetësim që dua ta ndaj me ju të gjithë, sepse si punonjëse sociale dhe e specializuar në fushën e familjeve me fëmijë ndiej detyrim profesional për mbrojtjen e tyre.
Nxënësve të klasës së dytë u janë dhënë për të mësuar terma të lëndës “Shoqëri”, të cilat në fakt i takojnë klasës së tetë e më lart. Për pasojë, detyrat e shtëpisë pas mësimit u zgjasin rreth tre orë. Kjo zgjatje vjen si rezultat i mbingarkesës, sepse fëmijët përballen me terma që nuk përputhen me kapacitetin e moshës së tyre.
Nuk është rastësi që për zhvillimin e fëmijës ekziston parimi pedagogjik: sipas pedagogjisë, në çdo moshë përcaktohet sasia e njohurive që fëmija mund të përvetësojë, duke marrë parasysh aftësitë e t`ij dhe kufijtë e ngarkesës që mund të përballojë. Pyetja që shtrohet është: çfarë ndodh në psikikën e fëmijës nëse kjo mbingarkesë vazhdon gjatë?
Të paktën këtu në Finlandë, e cila njihet për cilësinë e shkollave, baza e planit mësimor për klasën e dytë ka për qëllim pikërisht mësimin pa mbingarkesë. Procesi mësimor duhet të jetë i tillë që të mbështesë zhvillimin psikologjik, social dhe kognitiv (dijen) të fëmijës.
Si pasojë, ndodh pikërisht ajo që nuk dëshirojmë. Çdo prind natyrisht kërkon që fëmija të ketë sukses në shkollë dhe të bëjë çdo ditë detyrat e shtëpisë, me qëllim që të mos marrë nota të ulëta. Por a është në gjendje truri i një fëmije të përthithë gjithçka që i servohet përditë, kur është i tejngarkuar?
Fëmija në këtë rast nuk humbet vetëm përqendrimin, por edhe motivimin për të mësuar. Lodhja mendore e bën të parehatshëm, me mendje të shpërndarë, dhe fatkeqësisht kjo mund të çojë deri në humbjen e plotë të interesit për shkollën.
Stërmundimi për të mësuar gjëra që nuk janë të përshtatshme për moshën dhe kapacitetin e tij, mund të ketë pasoja edhe më të rënda, duke u shfaqur në forma të ndryshme të shqetësimeve mendore.
Shqetësimi im më i madh është, kush i përcakton mësimet dhe termat që u mësohen klasave të ndryshme? A ekziston një komision pedagogjik që vendos për dozën dhe fjalorin e përshtatshëm sipas moshës? Nga sa kuptova, në Shqipëri prindërit shpesh nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të stërmundojnë fëmijën, me frikën se mos u bien notat. Nga ana tjetër, mësuesit nuk guxojnë të flasin hapur për anën pedagogjike, nga frika se mund të humbasin vendin e punës.
Pyetja që lind është: si mund të rishikohen tekstet shkollore që ato të jenë të përshtatura realisht me moshën dhe zhvillimin e fëmijëve? Fëmijët janë e ardhmja dhe fëmijë të stërmunduar do të sjellin nesër qytetarë me probleme.
Silvana Berki

