Gazeta Nacional Albania

SOFRAT SHTROHEN ME SHQIPTAR Në familjen e biznesmenit dhe humanistit Ndue Ftoni në 15-vjetorin e ditëlindjes së djalit të tij   Nga Nga RAMAZAN ÇEKA

 

Ishte nder i veçantë për mua që mora pjesë në një ditëlindje aq madhështore me qindra të ftuar dhe mes shumë personalitetesh.

Biznesmeni i suksesshëm shqiptaro-amerikan me origjinë nga Dukagjini, kremtonte ditëlindjen e djalit të tij, tanimë 15-vjeçar Ronaldo Ftoni. Ai kishte zgjedhur ta celebronte këtë festë në Atdhe, në Shkodrën e tij mes miqëve, të afërmëve dhe dashamirëve, mes artistëve të nderuar shkodranë e jo vetëm, duke treguar kështu se festat tona shqiptare ruajnë traditat më të mira të popullit tonë dhe e tillë ishte kjo festë, që për nga pjesëmarrja kishte përmasat e një dasme të madhe.

Unë isha atje dhe e përjetova këtë festë me të gjitha detajet dhe emocionet.Sa për informacion Ndue Ftoni është një malësor nga Dukagjini, i cili ka emigruar në SHBA në vitin 1996 dhe atje në sajë të këmbënguljes, vullnetit dhe aftësive të tia ka korrë sukses, duke u bërë një nga biznesmenët më të nderuar në Diasporën Shqiptare. Ndue Ftoni ka një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në zhvillimin, publikimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare kulturore dhe artistike.

Për mua dhe gjithë të pranishmit, pikërisht ardhja e tij familjarisht nga Amerika për të festuar ditëlindjen e djalit të tij të vetëm në Shqipëri, mes shqiptarësh është dekorata më e nderuar që mund ta vëmë në gjoksin e tij.

Salla madhështore e Art Center “Blue Sky” ú bë sofra që shtroi për miqt i zoti i shtëpisë Ndue Ftoni. Çdo gjë: mikëpritja, bujaria, kënga, vallja dhe urimet ishte shqiptare. Dy flamuj madhështorë shqiptar dhe amerikan dekoronin sallën për të treguar lidhjet historike të dy kombeve.

Me ka rastisur të marr pjesë në shumë sofra e gëzime dhe gjithmonë kam përjetuar emocione të veçanta e që nuk harrohen lehtë sado që ato janë pafund, me familjarë e miq të artit, ekranit e te fushave të ndryshme të jetës, por emocioni i darkës familjare të shtruar nga miku dhe dashamirësi i shqiptarëve Ndue Ftoni do mbetet një sofër e veçantë në kuptimin e vërtetë të fjalës Bujari. Në pamundësi për t’i patur pranë të gjithë, ka ardhur enkas nga Amerika e Largët bashkë me familjen e tij për ta ndarë me ne gëzimin më të madh të zemrës së vet, datëlindjen e 15 të djalit të vetëm Ronaldos.

Bujaria dhe dashamirsia e tij janë armët më të forta me të cilat ka luftuar dhe skalitur emrin e vet në mesin e qindra mijërave shqiptarëve të emigruar larg trojeve të veta aq sa Ndue Ftoni është një nga emrat më të njohur në Michigan si biznesmen dhe figurë e spikatur në mesin e njerëzve me të suksesshëm të atij vendi.

Bujaria e tij rrezatoi dukshem në gëzimin që ndan me ne në këtë sofër të shtruar për familjar, të afërm, miq e të ftuar të nderuar me statuse të larta në fushën e artit e kulturës shqiptare si prof. Fadil Kraja, dramaturgu i shquar shqiptar, Drejtori i Pergjithshëm Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare Dr. Minella Kureta “Mjeshtër i Madh”, si dhe shumë personalitete te tjera si Kryetari i Shoqatës “Dukagjini” në Shkodër Ndue Sanaj dhe ish Kryetari i Shoqates “Dukagjini” në Amerikë Nikolin Shyti, Frrok Gjoni ish deputet i PS, Gjon Marku nënkryetar i Qarkut Shkodër, ish piloti i aviacionit dhe punonjës i gardës Ndue Doda, Nikolin Thana themelues i PD në Shkodër, Mark Babani biznesmen i suksesshëm dhe Kryetar i Bashkisë Vau Dejës, Vasel Muça biznesmen, stafi i TV Kopliku, Paulin Ndoja “Mjeshtër i Merituar i Sportit” ish futbollist i Klubit “Vllaznia”, poeti Gjovalin Dushaj, shkrimtari dhe studiuesi Kadri Fikaj, këngëtarët Hajro Pepaj, Gofile Paplekaj, Prek Mrishaj, Gjin Shani etj. Ilmi Kurti Kryetar i Shoqatës Atdhetare “Malsia”, si dhe shumë shaljanë që Ndue Ftoni ka bashkëjetuar për 10 vite në zonën e Mjedës dhe Gurit të Zi.

Në këtë gëzim familjar nuk munguan asnjë nga ata më të nderuarit e fshatit Shosh, me të cilët Ndue Ftoni është lindur dhe rritur me ta.

Nuk e fsheh dot mirënjohjen time ndaj kësaj familje pasi pak ditë më parë unë isha i ftuar në shtëpinë e tij në Amerikë bashkë me disa miq, ku pritja mori kuptimin e një feste familjare.

Ishin disa orë të gëzueshme e të paharrueshme për mua dhe miqt e mi. Dashamirsi, bujari, këngë e biseda përtej kënaqsive që zakonisht i bashkon shqiptarët në mërgim.

Si duket Ndue Ftoni ruan të fortë lidhjen e tij me truallin nga ka rrënjët, mikpritjen dhe bujarinë, të cilat po ia kultivon edhe familjes së vet atje në Amerikën e Largët, pasi merita të veçanta ka dhe familja e në veçanti gruaja e tij e mrekullueshme znj. File Ftoni, e cila me një dashamirsi e shumë bujari pret e përcjell çdo ditë shqiptarë në shtepinë e saj.

Mirënjohje e falenderime ndaj kësaj familje, e cila me të vërtetë është ndër të rrallat me të cilat mund të mburremi e themi se jemi shqiptar.

Ndue Ftoni djali tu baftë plak i urtë e fisnik si baba e hisja e tij tu baftë mëhallë.Ty ta shtoftë Zoti bujarinë e mirësinë e shpirtit tand e kurrë mos ta mungoftë Zoti bereqetin.Këto ishin disa nga urimet tradicionale që i erdhën këtë mbrëmje nga të ftuarit çiftit Ftoni dhe djaloshit Ronaldo Ftoni, i cili edhe pse ka lindur në SHBA është bir i vërtetë dhe i denjë tërësisht shqiptar.

Në këtë mbrëmje e morën fjalën shumë nga të ftuarit, por unë do të veçoj tre prej tyre, Prof. Fadil Kraja “Mjeshtër i Madh”, autor i librit “Guxo”, dedikuar Ndue Ftonit ndër të tjera, duke uruar Ronaldon 15 vjeçar u shpreh: “Kam dëgjuar se njëri nga Presidentët Amerikan Xhorxh Uashington e ka pasur nënën shqiptare, malësore nga Malësia e Madhe. Ti djalosh ke lindur në Amerikë, e pse jo edhe ti, të mos bëhesh një ditë President i Amerikës”.

Drejtori i Pergjithshëm Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare Dr. Minella Kureta “Mjeshtër i Madh” ndër të tjera tha: “Ndue Ftoni është biznesmen suksesi. Humanist dhe mbështetës i paqes sociale.Veprimtar i shquar i vlerave liridashëse kombëtare dhe një sensibilizues e promovues shembullor i tyre.Vazhdues i denjë i virtuteve tradicionale.Artdashës dhe mbështetës, si dhe sponsorizues nga më të rëndësishmit i vlerave kulturore artistike në Shqipëri dhe në Komunitetin Shqiptar të Diasporës”.

Me humorin që e karakterizon, aktori i famshëm i Teatrit “Migjeni” Besnik Çinari “Mjeshtër i Madh” iu drejtua të pranishmëve: “Unë kam qenë shumë e shumë herë në Amerikë, ku jam pritur me respekt dhe nderime nga ky burrë që na ka mbledhur sonte. Kam njohur atje me dhjetra biznesmenë, artistë, studiues etj.etj., por kam vënë re  që shumica e fëmijëve të tyre nuk flasin ose kuptojnë shumë pak gjuhën shqipe dhe këtu bën diferencën miku ynë Ndue Ftoni, i cili nuk është kujdesur vetëm për suksesin në biznes, por për edukimin dhe formimin e fëmijëve të tij si shqiptarë”.

Më pas Besa e mbylli me një batutë të urtë dhe me humor: “Por ta dish Ndue Ftoni se një burrë i mirë nuk mund të jetë kurrë i mirë, pa pasë një grua të mirë. Ronaldos i uroj nga zemra edhe 100 vite të lumtura e të suksesshme bashkë me familjen e tij të mrekullueshme”.

Mbresat e kësaj mbrëmje familjare ishin  të mëdha, ishin të paharrueshme edhe do të mbeten në kujtesë për shumë kohë tek të pranishmit, si një shembull i trashëgimit të traditës sonë shqiptare.

 

Korrik 2019