DASHURIA E FUNDIT E HEMINGUEIT. Tregim nga  Ndue Lazri

 

 

 

 

Ishte akoma nervoz kur zbriti në portin e Genovas në detin e Ligureve. Gruaja e tij, Meri, mundohej ta qetësonte.

-Mbase jo çdo e keqe vjen për keq,-i tha ajo. -Le të vizitojmë Italinë e bukur. Ke njëzet vjet që nuk ke ardhur në këto anë. Me siguri ke çfarë të vizitosh e të kujtosh.

Heminguei kishte nxjerrë nga anija makinën e tij, një Buick me ngjyrë të kaltër dhe ishte ndalur diku në hapësirën e portit, pa ditur se ç’drejtim do të merrte. Ishin nisur për të shkuar në Francë, por anija ishte prishur papritur e detyruar të ankoronte në këtë port italian. I hodhi një vështrim bregdetit të bukur të Ligureve, të cilin ai e njihte aq mirë dhe ku kishte kaluar vite të zjarrta të rinisë së tij. Një shetitje gjatë këtij bregu mbase do ia rigjeneronte forcat pas udhëtimit të gjatë. E donte Italinë, të cilën me shaka e quante “toka e spaghetit”. “Të hyn në gjak e pastaj të shkatërron në çdo gjë tjetër”, kishte shkruar dikur në rininë e tij për këtë vend me bukuri të pafundme. Kurse një herë tjetër, i entuziazmuar, kishte shkruar:”Kam kaq shumë dashuri për Italinë, saqë kur shkruaj për të më vjen diçka speciale, që mund të shkruhet vetëm në letrat e dashurisë”.

-Përse jo? Le të vizitojmë Italinë e bukur,-i tha befas së shoqes, pas këtyre kujtimeve.

Hypën në makinë, lanë prapa portin dhe nisën të kalonin rrugëve të qytetit të Kristofor Kolombit. Po mendonte që të bënin një shetitje panoramike nëpër rivierën ligure, të ndalej në Rapallo ku dikur takonte mikun e tij, shkrimtarin Ezra Pound, pastaj do të vendoste se në cilën pikë të Italisë do të sistemoheshin për të kaluar disa vite. Tashmë nuk ishte i ri. Po u afrohej të pesëdhjetave dhe shëndetin nuk e kishte më si dikur. Kishte vite që nuk shkruante asgjë e mbase Italia do i printe për mbarë edhe në këtë drejtim. Iu kujtua që këtu kishte përfunduar romanin e tij “Lamtumirë armë”. Këtu? Jo pikërisht këtu…Befas mori një kthesë të papritur me makinën dhe e la prapa idenë e rivierës ligure.

-Për ku kështu?-e pyeti Meri.

-Në Lago Maggiore,-tha ai dhe u nis drejt Verbanias, të cilën dikur e kishte cilësuar si mbretëreshën e bukurive italiane.

Pas më shumë se tri orë nëpër një rrugë gjarpëruese nëpër bukuritë piemonteze, makina u ndal përpara Grand Hotel në Stresa. Zbriti nga makina dhe sytë iu veshën me një tis të hollë lotësh. Si një vrundull ere i erdhën përnjëherësh tufa kujtimesh të rinisë së tij. Panorama që ofronte liqeni me ishujt Borromee në mes ishte po aq e bukur si dikur, madje më e bukur me ndryshimet që ishin bërë në njëzet vitet e fundit. Iu afrua bregut të liqenit që valëzonte lehtë në atë orë të pasdites së vonë. Një motobarkë, nga ato që transportonin turistët, sapo ishte shkëputur nga moli dhe ecte drejt Ishullit të Bukur. Më tej Ishulli i Peshkatarëve dhe akoma më tej Ishulli Mëmë. Sa herë kishte shkuar me barkë në këta ishuj në kohën që ishte sistemuar në Grand Hotel. Madje në Ishullin e Peshkatarëve edhe kishte fjetur një natë në një hotel të thjeshtë.

Pranë tij u afrua Meri. Ajo dukej e mrekulluar nga bukuritë që shikonte, por rrinte në heshtje tek shikonte burrin e saj aq të emocionuar e të mbërthyer nga kujtimet.

Në hollin e hotelit thuajse nuk kishte ndryshuar asgjë. Nuk e njohu askush për momentin. Ndaj si me ndrojtje u afrua në reception dhe pyeti nëse ishte e lirë suita me numër 106. Punonjësja që ishte aty e pa në fillim si me dyshim nëse e kishte kuptuar mirë pyetjen apo jo. Pastaj, duke u përqëndruar në fytyrën e klientit e sidomos në sytë e tij të veçantë, u kujtua:

-Mister Heminguei?

-Po, unë jam. Kurse kjo është bashkëshortje ime, Meri,-prezantoi ai.

-Më falni që nuk ju njoha menjëherë. Kanë kaluar kaq vite. Keni lënë edhe mjekër, e cila m’i ngatërroi më shumë idetë…,-po justifikohej punonjësja.

-Thuani më mirë që Heminguei i dikurshëm është plakur. Është evidente,-tha ai duke qeshur.

-Oh, jo, mister Heminguei. Ju jeni në formën më të mirë,-i tha ajo.-Ja edhe çelësi. Suita me numër 106 është sërish në dispozicionin tuaj,-i tha ajo.-Për bagazhet mendojmë ne, urdhëroni në bar për një aperitiv.

Shkuan në bar dhe ai porositi një Bloody Mary, koktejl që ai kishte filluar ta pinte që kur ishte martuar me gruan e katërt, Merin. Madje ai preferonte që në vend të votkës të vinte rum, duke e konsideruar gati një koktejl të shpikur prej tij. Ishte i pasionuar pas pijeve alkoolike, sidomos pas rumit, xhinit, por edhe verërave të kuqe italiane e franceze. I kishte mbetur ky zakon që kur ishte në shërbim të kryqit të kuq dhe shkonte me ambulancë në frontin e luftës së parë botërore në konfliktin midis Italisë e Austrisë. Atëherë ishte vetëm 18 vjeç dhe si gazetar i ri kishte kërkuar të bëhej kronikan i luftës. Meqenëse kishte probleme me shikimin, nuk e lanë të shkonte direkt në front si luftëtar, por i dhanë ambulancën me të cilën u çonte ushtarëve nëpër transhe çokollata, cigare, ilaçe. Atje u plagos nga një predhe mortaje, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e tij. E dërguan në spital në Milano. Aventura e tij luftarake kishte marrë fund.

Meri ndihej e lodhur dhe kërkoi të ngjiteshin në dhomë. Kur hynë brenda, Heminguei pa që suita ishte po ajo, me atë mobilimin e saj luksoz stil liberty. Salloni i madh i veshur me mermerin e bardhë të Sienës ishte në harmoni me ndriçimin që jepnin llampadarët e ndërtuar me qelqin e Muranos. Oxhaku ishte ndërtuar posaçërisht me mermerin e çmuar të Karrarës, nga ai mermer që Mikelanxhelo e zgjidhte me duart e veta duke ia dëgjuar tingullin kur e godiste në mënyre delikate me çekiç. Vetëm kur tingulli e bindte, ai e zgjidhte bllokun e mermerit për skulpturat e tij. Ky lloj mermeri e jepte idenë e ngrohtësisë edhe kur oxhaku nuk ishte i ndezur. Portat e brendshme, që nga salloni, dy dhomat e gjumit, studioja ku ai kishte punuar dikur, tri banjot, ishin të punuara me gur madre perla, me bronx, zink e bakër.

Meri tha se nuk do të hante darkë dhe shkoi direkt në dhomën e gjumit. Kurse Heminguei kishte mbetur si i magjepsur, duke i parë me hollësi ambientet. Në fakt ato ambiente ai i njihte mirë deri në detaje.  Por ishte si i magjepsur sepse po rishihte veten njëzet vjet më të ri e nëpër mendje i vinin ato kohë kur kishte ardhur këtu të shkruante kapitujt e fundit të romanit “Lamtumirë armë”. Zemra i rrihte pikërisht si në ato vite, kur i dashuruar me infermieren Anjeze, që i kishte shpëtuar jetën, kishte ardhur të fshihej këtyre anëve, larg syve të njerëzve që i njihnin. Në qendër të veprës kishte vënë veten në rolin e oficerit amerikan Frederik dhe Anjezen në rolin e Katerinës. Ambienti i hotelit, qyteza e Streses buzë liqenit, kurora e kodrave dhe maleve rreth liqenit, arqipelagu i ishujve mes tij, barkat e peshkatarëve dhe ato që çonin e sillnin turistë nëpër ishuj, ishin amfiteatri perfekt i një historie dashurie romantike.

Heminguei mbushi një gotë me xhin dhe me të në dorë sillej nëpër suitën e madhe 240 metra katrore. Prekte me duar mobiljet, kulltukun ku dikur ulej pranë oxhakut, karriken ku ulej të shkruante në studion e gjerë e komode. Mbrëmja kishte rënë dhe jashtë ishin ndezur dritat. Doli në tarracën e gjerë që ishte e lidhur vetëm me këtë suitë dhe ku ai shkruante gjatë ditës nën hijen e disa pemëve të bukura dekorative. Ajo ishte e zbukuruar hijshëm me gjithfarë lulesh e ai ndihej në një paqe që nuk e kishte përjetuar kurrë më parë. Dritat reflektoheshin mbi liqen si peshq të argjendtë që kërkonin të kërcenin mbi sipërfaqe.

Ndjeu pak fresk dhe u fut brenda. Kishte nevojë të pushonte, por më përpara deshi të bënte një dush të ngrohtë, atje tek banjoja me hidromasazh. Hyri tek banjoja me vaskën e madhe. Kudo mbretëronte mermeri. Vaska dhe ambientet ishin veshur me mozaikë të mrekullueshëm. Hapi ujin e ngrohtë që të mbushte vaskën. Për një çast iu duk sikur tek pasqyra, përmes avujve që kishin nisur të krijoheshin, pa trupin lakuriq të në vajze të re e të bukur, që bëhej gati të dilte nga vaska dhe zgjaste dorën drejt tij për t’i dhënë peshqirin në formë robdeshambri. Trupi i saj si prej alabastre dukej sikur konkuronte me mermeret e shtrenjta me të cilat ishte veshur vaska. Gjinjtë e fryrë nga ngrohtësia lëshonin një avull, si ajo mjegulla që vesh kodrat e rrumbullakta mëngjeseve të pranverës. Ishte kaq i gjallë ky përfytyrim, sa ai gati zgjati dorën. Në këtë vegim po i shfaqej bukuroshja piemonteze me emrin Bianka. E kishte njohur kur ajo kishte ardhur bashkë me prindërit për disa ditë në këtë hotel. Ishin takuar në kopështin me statuja mermeri prapa hotelit dhe përnjëherësh kishte lindur midis tyre një histori e vrullshme dhe pasionale. Bukuroshja mërzitej gjithë ditën në praninë e prindërve dhe njohjen me Heminguein e gjeti si gjënë më të bukur e më argëtuese të atyre pushimeve. Prindërit e saj mbrëmjeve preferonin  të shkonin në ishujt dhe të luanin apo të pinin me miq në pallatet e pasanikëve të tjerë, ndërsa Bianka preferonte të rrinte në hotel. Pasi ata largoheshin, zbriste tek suita e shkrimtarit amerikan, me të cilin kalonte orë të zjarrta. Lexonte me kënaqësi ato që shkruante ai. Heminguei i kishte treguar që heroina e romanit ishte e dashura e tij, me të cilën kishte ca kohë që ndodheshin në moment krize. Madje Anjezja sapo i kishte shkruar që ishte dashuruar me një italian dhe i linte lamtumirën duke i thënë që të mos e kërkonte më.

-Përse tek personazhi i Katerinës nuk ve edhe një çikë Bianka?-i tha ajo një mbrëmje kur ishin arratisur nga hoteli e kishin shkuar në Cuneo, në një pastiçeri speciale ku tregëtoheshin çokollata me rum. Ishte e vetmja në të gjithë Italinë dhe një surprizë e Biankës për të dashurin e saj që i pëlqenin pijet e forta alkoolike.

-Mirë,-i tha ai duke i futur në gojë një çokollatë.-Katerina do të jetë 70 për qind Anjeze e 30 për qind Bianka.

Nga këto kujtime Hemingueit iu ngjall dëshira për rum dhe vajti e mbushi një gotë nga bufeja me pije të shumta. E mori gotën ta pinte ngadalë ndërsa meditonte në vaskën e mbushur me ujë të ngrohtë, ku dukej sikur avujt e hidromasazhit përzieheshin me avujt e rumit.

 

*   *   *

Të nesërmen Meri u befasua kur i shoqi i tha që do të iknin që atë ditë nga hoteli. Asaj i pëlqente zona dhe do të kishte dashur të rrinin disa ditë, të shetisnin me varkë në liqen, të vizitonin ishujt. Por ai ishte i paparashikueshëm në vendimet e tij.

-Do të shkojmë në Venezia, kemi gjëra akoma më të bukura për të parë,-i tha. Edhe në receptions u habitën kur shkrimtari u tha që ishte në ikje e sipër. I sollën librin e përshtypjeve dhe i befasoi sërish kur shkroi një shënim të thjeshtë: “Një klient i vjetër”. As emër e asgjë. E megjithatë ai shënim do të ishte pjesë e historisë së hotelit.

Rruga ishte e gjatë. Kur arriti në afërsi të Viçencës, ai devijoi nga rruga kryesore dhe u fut me makinë për disa çaste në Schio, aty ku tridhjetë vite më parë kishin patur kazermat dhe vendkomandën e tyre. Aty e kishin sjellë të plagosur rëndë që nga transhetë e luftës. Ndërtesat ishin po ato, por tani përdoreshin për funksione të tjera. Askush nuk e njohu dhe ai u largua sërish me peshën e kujtimeve rinore. Këtyre anëve kishte takuar dikur edhe shkrimtarin John Dos Passos. Përmes këtyre kujtimeve, përpara se të arrinte në Venezia, e devijoi sërish rrugën dhe u ngjit drejt parkut Fraforeano, ku miku i tij, konti Federico Kechler kishte një vilë të bukur. Ndërtesa ishte e madhe, trekatshe dhe gjitha kornizat e dritareve dhe të dyerve të fasadës kryesore ishin të veshura me lulevile. Ato transmetonin një atosferë paqeje e prehjeje, përveçse e bënin pamjen më romantike. Meri u mrekullua dhe u dashurua që në momentin e parë me këtë ambient.Parku përreth vilës, me pemë shekullore, me lule e ujëra që i jepnin jetë blerimit të shtrirë në një sipërfaqe prej tre hektarësh, përbënte një parajsë të vogël tokësore. Merit i pëlqente të kalonte orë e orë të tëra në park, ndërsa Heminguei me miqtë e tij dilte për gjah. Gjuanin rosa e thëllëza në Caorle e në zonat përreth lumit Tagliamento.

 

*   *   *

Mëngjes herët. Atë ditë Heminguei kishte dalë me mikun e tij, Federicon, për gjah thëllëzash në Latisana. Ishin të dy të pasionuar. Binte një shi i imtë, nga ata që të lagin pa kuptuar e të hyjnë deri në palcë. Heminguei kishte marrë atë ditë makinën e tij dhe tregohej i kujdesshëm për shkak të shiut e të njëfarë mjegulle që e vështirësonte disi pamjen. Nuk ishte fort i bindur nëse ishte një ditë e përshtatshme për gjah thëllëzash. Papritur në një kryqëzim rruge u shfaq figura e një femre, që i ngjante një ninfe të sapodalë nga uji. Ishte ditë e ftohtë dhjetori dhe me siguri vajza e bërë qull nga shiu do ishte bërë akull.

-Ndale makinën,-i tha Federico.-Është vajza e një mikut tim.

Heminguei e ndali makinën dhe vajza kërceu brenda si një kaproll i trembur. Rrobat e saj vazhdonin të kullonin ujë. Flokët gjithashtu.

-Në shtëpi do të shkosh, Adriana?- e pyeti Federico.

-Ku tjetër mund të shkoj kështu si pulë e lagur?-tha ajo.

-Si thëllëzë e lagur,-foli Heminguei duke e vështruar me buzëqeshje vajzën.

-Ah, më falni, nuk ju prezantova,-foli Federico.-Kontesha e vogël Adriana është vajza e mikut tim, kontit Ivançik. Kurse zotëria është miku im, shkrimtari i njohur Heminguei.

-Gëzohem,-tha vajza. Ndërsa Heminguei nuk foli. E kishte mendjen tek rruga. Kur iu afruan një ure që kalonte mbi lumë, vajza foli:

-Ajo është shtëpia ime. Ishte një vilë e bukur e elegante midis pemëve.

-Matanë lumit, midis pemëve,-foli Heminguei pa kuptuar nëse po e thoshte me vete apo për të tjerët atë shprehje. I mbeti ne mendje ai imazh i shtëpisë.

Hynë brenda drejtpërdrejt tek një dhomë ku bubullonte zjarri në oxhak. Adriana vajti e mori një peshqir dhe afër zjarrit, ashtu më këmbë, filloi të thajë flokët. Heminguei kishte mbetur më këmbë dhe po e sodiste me vëmendje. Ndërsa Federico kishte shkuar të kërkonte të zotët e shtëpisë në pronën që kishin përreth vilës.

-Më falni, uluni,-i tha vajza.-Më ka hutuar shiu.

Heminguei nuk u ul, por iu afrua më tepër vajzës dhe po e shikonte si i magjepsur. Flokët dhe trupi i saj nxirrnin avull aty afër zjarrit të ngrohtë. Ajo i kishte fshirë flokët dhe po i trazonte me duar si për t’i krehur. Instiktivisht Heminguei nxori nga xhepi një krëhër që e mbante gjithnjë me vete, e theu në dy pjesë dhe ia zgjati gjysmën vajzës. Ajo mbeti e befasuar nga ky gjest, por e mori krëhërin dhe filloi të krihej pa ndrojtje e kthyer nga ai. Lirshmëria në sjellje dhe bukuria e freskët e kësaj 18 vjeçareje qenë si një goditje rrufeje për shkrimtarin gati 50-vjeçar. Ai kishte patur plot aventura dashurie në jetën e tij, ishte martuar katër herë, por një shok i tillë elektrik nuk i kishte ndodhur ndonjëherë.

-Prisni sa të ndërrohem pak, ndryshe do të marr ndonjë të ftohur,-tha vajza, duke e ftuar të ulej në një kolltuk aty pranë. Heminguei u ul pa folur dhe ndiqte me vëmendje çdo lëvizje të saj. Pas pak ajo hyri në dhomë me një veshje të lehtë shtëpie,që nxirrte më shumë në pah format e trupit të saj të gdhendur. Vuri re që sytë e tij nuk i ndaheshin dhe u detyrua ajo ta thyente sërish heshtjen.

-Domethënë ju jeni shkrimtari Heminguei, për të cilin kohët e fundit flitet aq shumë në Venezie? Njerëzit kanë lexuar librin tuaj “Lamtuirë armë” dhe kudo diskutohet për të.

-Ai libër është shkruar para njëzet vjetësh. Por Musolini e kishte ndaluar botimin e tij në Itali, meqenëse në roman flitet për disfatën e tij në Caporetto,-foli Heminguei.

-Unë nuk e kam lexuar atë libër. Madje nuk kam lexuar asgjë nga ju,-u tregua e sinqertë vajza.

-Një vogëlushe si ju e ka gjithë jetën përpara për të lexuar. Mbase tani që u takuam do ju lindë kureshtja të lexoni ndonjë gjë nga unë,-tha shkrimtari pa ia ndarë sytë.

Në këtë kohë hynë Federico dhe prindërit e Adrianës. U prezantuan dhe e zonja e shtëpisë, Dora, i ftoi të kalonin nga salloni për të pirë ndonjë gjë.

Miqësia e Hemingueit me Adrianën qe e menjëhershme dhe e vrullshme. Nga ana e Hemingueit ishte dashuri e qartë, e zjarrtë, me pasionin e një burri të pjekur në gjoksinn e të cilit rrihte akoma zemra e djaloshit që kishte luftuar në malet italiane. Nga ana e Adrianës ishte një tërheqje kurioze drejt figurës së shkrimtarit të famshëm, që ishte tridhjetë vjet më i madh se ajo, por që kishte akoma një energji e joshje djaloshare. Asai i pëlqente të shkruante poezi e ndoshta ndodhej në pozicionin e asaj letrares ende të panjohur që rastësisht ishte gjendur në shoqërinë e miqësinë e një shkrimtari me famë botërore. Kurioziteti dhe tërheqja ishin të pashmangshme. Në vijim u bënë të pandarë jo vetëm në rastet e gjuetisë, por edhe në shetitjet në Venezia, ku Heminguei shfaqej më shumë i shoqëruar nga bukuroshja Adriana se sa nga bashkëshortja e tij,Meri. Ai sillej me të si kortexhiator dhe si baba. Madje me thellimin e miqësisë së tyre ajo e quante shpesh papa. Ndërsa ai i vinte gjithfarë emrash, që nga bijë, koloneli im, kali i zi e shumë të tjera. Tek e shikonte një mbrëmje me vëmendje, Adriana thoshte me vete: Një i moshuar. Mbi ball i spikasin dy rrudha mjaft të thella dhe mustaqet e drejta i rrinë përmbi buzë. Sytë e tij janë të gjallë e penetrues, mbase mishërim i qartë i botës së tij të brendshme. Ndoshta nuk është edhe aq i moshuar. Megjithëse mosha është e rëndësishme, prapë ka një pamje tërheqëse e simpatike.

Heminguei me të shoqen, Merin ishin vendosur në hotel “Gritti”, një nga hotelet më luksoze të Venezias. Kishin zënë një suitë të gjerë e të mobiluar me luks mbretëror, siç i pëlqente shkrimtarit. Ata frekuentonin shoqërinë e lartë veneciane, e shquar jo vetëm për stilin e jetës së saj, por edhe për veset, tradhëtitë, shthurjet, intrigat. Një kornizë e përshtatshme edhe për një histori atipike si ajo midis shkrimtarit amerikan dhe vajzës së re italiane. Heminguei shkonte çdo ditë në Harrys Bar, ku i pëlqente të shijonte me miqtë e tij koktejlin Montgomery, që ai vetë e kishte shpikur i frymëzuar nga gjenerali anglez. Në këtë koktejl ai vinte raportin 15 pjesë xhin e një pjesë vermuth, pikërisht raporti 15:1 që gjenerali anglez kërkonte të kishte përballë forcave armike kur i sulmonte ato. Heminguei e blinte xhinin me arka dhe e pinte me shumicë sidomos kur kthehej nga gjuetia e peshkut. Zinte shumë peshk. Një pjesë e shiste për të blerë pijet e tij të preferuara dhe një pjesë ua falte njerëzve që gjente në mol kur kthehej nga gjuetia. Në darkë i pëlqente të pinte verë Amarone të Valpolicellas dhe shpesh pastrueset e hotelit gjenin prapa dere dy-tri shishe të boshatisura gjatë mbrëmjes.

Në Harrys Bar e në ambiente të tjera vinte shpesh me Adrianën. Nëpër ambiente kishin filluar thashethemet. Shkrimtari nuk po shkruante më, por ishte dhënë si i marrë pas kësaj konteshe të vogël italiane, të cilën filluan ta konsideronin të shthurur e të paturpshme. Për të mbrojtur emrin e të shoqit, Meri filloi të dukej në shoqëri bashkë me të shoqin dhe Adrianën, për të lënë të kuptohej se vajza ishte mike e familjes. Por shoqëria borgjeze veneciane nuk të falte e nuk e hante sapunin për djathë. Madje filluan të gjykonin keq edhe Merin për këtë sjellje pa principe morale. Fjalët shkuan deri në veshët e familjes Ivançik. E ëma, Dora, që e vlerësonte Heminguein, sidomos për ndihmën që po i jepte së bijës për të botuar poezitë e saj, mendoi ta merrte vetë situatën në dorë. Një ditë e ftoi Heminguein të flisnin për këtë problem, por me konditë që në bisedë të ishte e pranishme edhe Meri. Por në ditën e takimit Meri nuk mundi të paraqitej, pasi kishte thyer këmbën. Përballë stuhisë së thashethemeve u detyruan të pranojnë zgjedhjen që Heminguei, Adriana dhe mamaja e saj,Dori, të transferoheshin për ca kohë në Kubë, ku Heminguei kishte një shtëpi në Finca Vigia. Shkrimtari ndërtoi një projekt të përbashkët krijimtarie. Adriana ishte bërë tashmë muza e tij dhe ai kishte filluar të shkruante romanin “Matanë lumit, midis pemëve”, që i kushtohej historisë së tij me Adrianën. Kurse Adriana do të merrej me kopertinat e librave të tij e do të shkruante poezi. Edhe pse botuesit nuk ishin fort të kënaqur me talentin në pikturë të vajzës, Heminguri nguli këmbë që të miratoheshin variantet e saj të paraqitura për kopertinat e romanit “Matanë lumit,midis pemëve” dhe të tregimit “Plaku dhe deti”.

Një mbrëmje, tek rrinin pranë e pranë në shtëpinë e tyre në Kubë, Heminguei e mbështolli në një përqafim. Një çast buzët e saj u mbështetën mbi të tijat. Pastaj befas u tërhoq duke thënë:

-Ops. Ishte një gabim nga ana ime.

-Ishte një gabim i ëmbël,-iu përgjigj ai.-Mundohu të gabosh më shpesh.

Heminguei ishte kthyer tashmë me gjithë vrullin e tij krijues. Romanin “Matanë lumit,midis pemëve” e shkruante duke ia lexuar Adrianës, ku ajo paraqitej me emrin e heroinës,Renata. Diku në faqet e romanit autori kishte futur edhe një skenë, ku të dy protagonistët, domethënë ai dhe ajo,konsumonin një skenë seksi në një gondola në Venezia, duke shkaktuar një skandal publik.

-Në këtë skenë nuk jam unë,-i tha ajo duke e ndërprerë leximin.-Me sa di unë kjo ka ndodhur me aktoren Marlene Dietrich.

-Lëre kështu siç është. Më pëlqen ta kem me ty,- tha ai.

Vajza uli sytë dhe e pranoi në heshtje.

Kur përfundoi së shkruari romanin, autori vuri këtë dedikim: Adrianës, e cila ka frymëzuar gjithçka të mirë në këtë libër”. Libri ndikoi për ta rënduar më tej situatën e thashethemeve ndaj të dyve. E kjo filloi të bëhej një problem serioz psikologjik për të dy.

Historia midis tyre vazhdoi për gjashtë vjet. Heminguei ishte gjithnjë e më i dashuruar e nuk linte rast pa ia deklaruar. Ndërsa Adriana ishte më e rezervuar në deklaratat e saj.Vetëm në një rast i tha: -Të dua kaq shumë. Nuk mundem e nuk do të mund kurrë të dua një tjetër siç të dua ty. Besoje të lutem dhe mbaje në zemrën tënde.

 

*   *   *

 

Ariana ishte martuar dhe kishte dy fëmijë. Kishte një shtëpi të bukur në Maremma dhe një jetë të rregullt e të qetë familjare. Por historia me Heminguein kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e saj. Gjykimet e opinionit publik e kishin rënduar psikologjikisht dhe një herë tentoi vetëvrasjen. Pastaj mendoi se mbase do të ishte më mirë ta sqaronte opinionin publik nëpërmjet një vepre letrare. Shkroi librin “Kulla e bardhë”, që i kushtohej periudhës së saj në shtëpinë e Hemingueit në Kubë. Aty tentonte të spiegonte që historia midis tyre kishte qenë vetëm një miqësi e pafajshme dhe një bashkëpunim në fushën krijuese. Por a e besuan? Kjo pyetje e mundonte çdo ditë e më shumë pas botimit të librit.

Ndërkaq Heminguei, që vazhdonte të shkruante njërin pas tjetrit librat e tij, i dërgonte letra të ngrohta dashurie që nga përtej oqeanit. Edhe ai ishte në gjendje depresive nga paragjykimet e opinionit. Në një nga letrat i shkruante: “Dikush do mendojë këtë e dikush do mendojë atë. Vetëm ne të dy do ta dimë të vërtetën e ndërkohë do kemi vdekur”. Ndërsa në letrën e fundit ai i deklaronte: “Kurrë nuk të kam dashur aq shumë sa në këtë orë të vdekjes sime”. Nuk vonoi dhe asaj i arriti lajmi i hidhur se Heminguei kishte vrarë veten, duke futur grykën e pushkës në gojë.

Kjo gjë e tronditi edhe më shumë e gjendja e saj psikologjike bëhej më e rëndë. Kishin kaluar tre vjet nga botimi i librit të saj. Një mëngjes doli që pa gdhirë nga shtëpia. Ishte në një gjendje konfuzioni. Këmbët i kishte të zbathura dhe veshur mbante një fustan të lehtë. Ecte përmbi barin e pronës së tyre dhe këmbët ia lagte vesa e freskët e mëngjesit. Kur i shoqi doli për të shkuar në punë, përmes rrezeve të para të diellit pa trupin e saj që luhatej varur mbi një pemë. “Dikush do të mendojë këtë e dikush do mendojë atë. Por të vërtetën do ta dimë vetëm ne e ndërkohë do kemi vdekur”. Mos kishte qenë një paralajmërim i fatit?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here