Gazeta Nacional Albania

Sulejman Mato: Tri dite te nxehta gushti, tregim

Sulejman Mato

Tri dite te nxehta gushti

Ajo ndjeu sikur në krevatin e saj bashkëshortor ishte futur një njeri i huaj. U ngrit me vrull dhe doli në korridor. I hodhi dhe një vështrim të shpejtë shtratit të saj, dalloi veç një gunge të mbuluar me jorgan. U hutua aq shumë, saqë hapi portën dhe doli në verandë pa frymë. Zbriti shkallët, kaloi përmes kopshtit të vëllezërve Serani, të ndarë në mes me një lesë druri, dhe trokiti lehtë në derën e kunatit edhe pse të dyja familjet kishin së paku dhjetë vjet që nuk flisnin me njëra- tjetrën.
E kunata, kur e pa ashtu, me flokë të kërleshur, u çmerit.
-Një burrë i huaj më ka hyrë në shtëpi…, – tha ajo me një pamje për t’u mëshiruar.
Ana Sevrani pati një ndjesi sikur në atë çast të zgjohej nga gjumi. I ktheu shpinën së kunatës dhe iku… Kunata e ndoqi me shikim të trembur. Ç’të kishte ndodhur?
-I ka humbur kujtesa, – i tha të shoqit kur u fut brenda. –
– Mirë t’i bëhet…- shfryu ai. – Kështu ndodh kur kërkon t’i bësh varrin tjetrit.
Vëllezërit Sevrani kishin kohë që takoheshin vetëm nëpër gjyqe. Edhe fëmijët i kishin rritur me ndjenjën e mërisë.Sipas vëllait të madh, Hitos, ish-oficer i lartë policie, tashmë në pension, truallin rreth shtëpisë e kishin të përbashkët, trashëgim nga gjyshi, ndërkohë që vëllai i tij i vogël, me ca marifete hipoteke, e kishte hedhur në emrin e vet.
* * *
Humbja e kujtesës së Anës nuk do merrte rëndësi, në se ato ditë nuk do të flitej për një virus të çuditshëm, tepër të rrezikshëm për kujtesën njerëzore, që prekte cipën e trurit. Një ditë më parë urgjenca kishte regjistruar 24 raste. Një mjek bakteriolog kishte ardhur enkas nga Parisi dhe ishte larguar pa dhënë asnjë shpjegim. Një mjek indian, Magan Mishra, shef pavijoni në spitalin amerikan të Tiranës, kishte dalë në një stacion tjetër televiziv dhe kishte qetësuar qytetarët duke i porositur që në këto ditë gushti të mos qëndronin nën diell, pasi rastet në fjalë kishin lidhje me goditjen diellore.
Të enjten temperatura arriti një shifër rekord, 45 gradë…Sipas spikeres së televizionit shtetëror, kjo ndodhte një herë në njëqind vjet. “Nesër TV” atë mbrëmje dha një version tronditës: sipas një astrologu të njohur amerikan, në kozmos ishin konstatuar shpërthime diellore. Pra po afrohej dita e parashikimit të fiseve maja: fundi i botës.
Një ditë më vonë, në mesditë, mbi qytet u shfaq një dritëz e çuditshme e cila lëvizte me një shpejtësi të paparë. Ata që e panë këtë fenomen qiellor, thërrisnin gjithë gëzim: ‘UFO…UFO..!’ Më pas pamjet e asaj drite që lëvizte me shpejtësi të çuditshme, u panë në të gjitha kanalet televizive. Televizioni shtetëror dha një argument shkencor: “ imazhe të përthyerjes së dritës diellore”.
Atë mbrëmje qytetarët e qytetit, pasi panë edhe njëherë sekuencat e asaj drite lëvizëse, bënë një gjumë plot ëndrra.
Ditën tjetër, gati në të njëjtën orë, mbi qytet u shfaqën serish, tri dritëza lëvizëse…Dukeshin e zhdukeshin me shpejtësi të paparë. Qyteti i cili gjer në ato ditë dukej sikur dremiste në një gjumë shekullor, i mbante sytë nga qielli . Vetëm Ana Sevrani nuk kishte marrë vesh asgjë. Lëvizte nëpër shtëpi si e shushatur, në mëngjes dilte gjer te marketi i lagjes për të blerë bukë e ushqime dhe kthehej, pa e vrarë mendjen për shenjat që paralajmëronin fundin e botës. Nuk kishte as strese, as kujtime, as ëndrra për të ardhmen. Në fund të fundit për çfarë i duhej kujtesa? Njeriu jeton dhe pa kujtesë.
Atë mbrëmje, teksa kthehej për në banesë ndaloi në trotuar. Nuk orientohej dot… Kishte harruar shtëpinë e saj Pyeti me mirësjellje një kalimtar. I panjohuri qëlloi të ishte një kushëri i të shoqit.
E quanin Bilal. Tre vjet më parë ai u kishte trokitur në derë, së bashku me presidentin e firmës së ndërtimit “Bogova” për ngritjen e një pallati shumëkatësh në truallin e tyre.
“Ta gjej unë shtëpinë. Si jo…”, – i tha ai…”Ku më ra ky fat”,- mendoi i gëzuar. “Ku më ra ky fat mua…”
U nisën së bashku përgjatë bulevardit. Te sheshi pranë shatërvanit dredhuan djathtas dhe morën rrugën e ngushtë me shtëpi private. Në fund të rrugës ishte vila e vëllezërve Sevrani, të cilët ishin betuar se nuk do ta pranonin njëri-tjetrin as në varreza. Më pas Bilali mori në celular presidentin e firmës: “Dëgjo, – i foli i emocionuar.- Tani po kthehem nga Sevranët…. Ajo zonja që nuk donte të nënshkruante kontratën ka humbur kujtesën.”
Zylyftar Myrdari, kur e dëgjoi këtë lajm sa nuk luajti mendsh nga gëzimi.
– O zot i madh! Nga më erdhi kjo e mirë tani… Tetë mijë metra ndërtim në zonën më të preferuar të qytetit herë kaq… hiq koston e ndërtimit…hiq përqindjen e pronarëve të truallit… i mbetej të fitonte rreth 2 milionë euro…Ja kjo është punë.
– Do të ketë pësuar ndonjë goditje diellore, – belbëzonte Bilali nga ana tjetër e telefonit.
-Hala s’ka pësuar goditje hëne, – ia ktheu Zylyftari. Dëgjon! – Nuk duhet të humbasim kohë. T’u shkojmë qysh sonte në shtëpi. Kur t’i kthehet asaj kujtesa ne kemi mbaruar punë?!
Zylyftar Myrdari do të kishte mbaruar punë qysh në takimin e parë, sikur Ana S., ish- ekonomiste, të mos ishte tamahqare për të përfituar një përqindje të lartë. Pale…Zonjës nuk na i kishte pëlqyer as emri Zylyftar!? Pika që s’i bie! Siç i ka rënë.
* * *
Polemika rreth UFO-ve dhe ekzistencës së tyre zgjati vetëm tri ditë. “ Ekzistenca e trupave qiellorë ka marrë fund, – tha një prej analistëve të TV Klan. Një tjetër analist i atij emisioni përhapi një panik edhe më të madh kur përmendi relacionin e astrologut kinez,Cen Hai Hi, për një shpërthim diellor. Spikerja e emisionit atë mbrëmje bëri edhe një lidhje tjetër me urgjencën spitalore, për të saktësuar pasojat e ngrohjes diellore. 122 raste me goditje diellore dhe me humbje kujtese.
– Rroftë dielli!, – thirri një firmë farmaceutike spanjolle, e cila sa kishte hyrë në tregun shqiptar dhe e kishte kapur menjëherë situatën duke reklamuar medikamentin e saj kundër sklerozës.
‘Rroftë dielli!’- thirri spikerja e T.V.Sh-së , i cili e shfrytëzonte rastin për t’ia hedhur të gjithë fajin diellit, për mungesën e ujit të pijshëm në zonat e periferisë së Tiranës.
‘Rroftë dielli!’ – thirrën atë mbrëmje edhe çobanët nëpër harca malesh, duke u vënë zjarrin kullotave për të siguruar ushqimin dimëror për bagëtitë e tyre .
‘Rroftë dielli!’ – thirri atë mbrëmje dhe presidenti i firmës “Bogova”, Zylyftar Myrdari, duke u kthyer në apartamentin e tij i qetë dhe ëndërrimtar, me një kontratë të majme në çantën prej lëkure.
* * *
Më njëmbëdhjetë gusht, në orët e vona të mbrëmjes, u dha një lajm edhe më tronditës: dr. Nirmal Bappu, astronom i njohur amerikan, me qendër në NASA, kishte vërejtur tri anije gjigante kozmike, të pasuara nga tetë fasha drite, ngjyrë blu, secila prej tyre 259 km e gjatë. Ishin nisur me një shpejtësi të pallogaritshme në drejtim të planetit tonë. Astronomi kinez shtoi edhe një hollësi; Anijet gjigante kozmike ishin nisur nga planeti Gotta dhe ishin tepër armiqësore për tokën. Zylfytar Myrdari i dëgjonte lajmet qetësisht. Ku e kishte hallin ai e për çfarë vrisnin mendjen shkencëtarët. Fytyra i ndrinte nga gëzimi…Tashmë që ai kishte mbaruar punë me familjen Sevrani, le të vinin ato anijet gjigante.
Në ditët që pasuan, temperatura filloi të ulet. Dielli nuk e kishte më shkëlqimin e mëparshëm. Moti nisi të ftohej me një shpejtësi të pazakontë. Më trembëdhjetë gusht qielli papritur u mbush me re gri. Në mesditë ra një shi i çuditshëm, kokërrmadh… Qielli u nxi. Qyteti u zhyt sërish në monotoninë e vet. Qytetarët u mbyllën brenda apartamenteve të tyre, si dikur. Nuk kishin më ngjarje të pazakonta, edhe pse vazhdonin të qëndronin në pritje të anijeve kozmike gjigante, me tetë fasha blu, të gjata 259 km katrorë e që, sipas astronautit kinez, ishin armiqësorë…?!