Gazeta Nacional Albania

SYTHI FRYMOR. Poezi nga Era Buçpapaj

 

Strukur në foletë e veta sythat rrinë

Diellin e prillit puthin, hanë e pinë

Me rrezet e tij shërojnë dashurinë

 

Tretur përtej dimrit e njerëzimit

Më në fund “Po” i thonë gjallimit

Sikur dimri edhe Ne

Shpirtin ua këpusim

E jetën ua ndalojmë

 

Natyra vajtoi dje

Sot vajtomë Ne

Pranvera luan me Të

Dimri luan me Ne

 

Strukur në frikën e tij njeriu rron

Diellin e prillit ethshëm dëshiron

I tij është ai, por atij nuk i takon

Dashuria e helmuar atë helmon

 

Ne, Krijues të kësaj Toke, besuam se ishim

Fuqi mbi Të, besuam se kishim

Dashnorë të përjetshëm besuam se ishim

 

Natyra ka ngritur krye

Kërkon të shpëtojë nga thundra Jonë

S’na fal, përdhosjen që i bëmë s’e harron

 

Pjella që qumështin e Nënës pështyn

Përjetë gjemba do të lindë

E shpëtim kurrë nuk do të ketë

 

Natyra mundi njerëzimin

Sot ka shpallur ngadhënjimin…