Gazeta Nacional Albania

Tahir Bezhani: 10 poezi

TINGËLLIMË MALLI

Kur zënë e theken mendimet nëpër kohë
Vuajtjet luajnë valsin e melankolisë
Rikthejnë kohën në nisje të sosur
Sa larg morën rrugë kujtimet
Më trazoi malli kur fëmijët i shikoj të vegjël
Im bir, flinte në gjirin tim ,në përqafim
Sado bënte të ftoftë
E ngrohja me hukamën e avullit
Të mushkërive të mia,
Natën ja shikoja sytë e mbyllur ëmbël
Ëndrrave të jetës shëtiste malli si tym flake
Shikoja buzët gëzim i jetës…
E lija lirshëm të flinte, të shkokëlonte trupin
dëshirave
Kthehej rrotullimeve n ‘ankth nate
Buzëqeshte symbyllur, ëndërr shijonte hyjnitë
Qeshja edhe unë lumturive të tij ,bëhesha
fëmijë
E puthesha gjatë, gjatë, pa e zgjuar tim bir…

PËRPLASJE E GUXIMSHME

Do re të mbarsura era i ndjek në qiell
Një buzëqeshje hidhëruar vetoi buzëve
Rrugëtimi shpon largësitë e turbullta
Sytë shikojnë gjithësinë, ngrihen në lojën e
yjeve
Lagështim në shterje dehur dënesjeve
Lënë e kam mallin zjarrishtave
Më janë pjekur këmbët në erë tymrash
Lëkurë e zverdhur nuk ndryshon pamjen
Cilën rrugë të gjej më të shpejtë
Të mbërrij te oqeani i dëshirave të flakta
Të laj zbardhjet e mia në vuajtje për të
dashurit
Ata që rrinë statujë gjaku në gjakun tim
Djegën e më djegin pleqërinë në ardhje
Meteorë rrinë bebëzave pa dridhje qerpiku
Herë herë përfytyroj hedhjen n ‘përqafim
Zihem në zjarrminë që nuk ngrinë kurrë
Cila rrugë dërgon në oqeanin e dëshirave
Shkumë më rrjedh nga goja.
Si dëshmi me peripeci rrugëtimeve të gjata
Sytë nuk do mbyllen pa përqafimet tuaja
Shpirtra të shpirtit tim, të paepur kurrë
Hirin tim as kripa e loti nuk e tretë..

ENDACAK I ÇMENDUR

Endacak i rrugëve të humbura
Mbi shpinën e një kali të azdisur
Fluturim hapësirave pafund
Si fluturues mitik nëpër kohë
Tjetërbotës, tjetërvetës, tjetër…
Kalorës i mendimeve të kokëforta
Pa laps e fletë të bardhë, pa emër
Me iniciale shkruar nëpër dru maleve
Për ta ndezur qejfin e flijuar
Në shpirtin trazuar dallgëve të oqeaneve
Pa dëshmi, më tërheqin zvarrë mendimet
Rrugëve të dëshirave të heshtura
Përafrimeve të dashurisë njerëzore
Baltës së thartuar nga djersë e njelmët…
Përmallshëm do vdes, syhapur
Pranë përqafimeve të juaja
Endacak i çmendur pakufi….

KUR DO PUSHOJNË DHIMBJET

Stuhitë vazhdojnë pa u ndalur
Në tokën e nemitur në shekuj
Çdo ndërrim motesh, përplasje erërash
Ndiej meteorologjinë e ndryshimeve
Do dridhje therëse trupin provokojnë
Pluskon jeta me durimin e heshtur
Lisit të moshuar po i pëlcet lëkura
Plagë të vjetra kullojnë helm
Tokë e stërvitur buzëqeshjeve të hidhura
Ecje hutuese copëzave të mendimit
Sa i gjatë durimi sakatues i natës
Sa mashtruese rrezet e heshtura të ditës
Dhimbjet flejnë në rrudhat e psalmeve
Eshtnaja krejt natën heq valle zjarreve
Ninulla të vjetra të historisë së plakur
Paskam lindur të jem bukuri e vuajtjeve
Lakmi e idhnakëve të ngjashëm
Skulpturë mjeshtërore prej gurit në guri..

PSE QESH DUKE LOTUAR
Unë asgjë nuk fola
Të shikova çdo pjesë të trupit
Imagjinatë e lirë mendova
Me sytë e dergjur malli
Përgjova bukurinë e humbur
Dëgjova të rrahurat e zemrës
(aritmi e thellë, përplasje dukej)
Zemra ime hesht në harenë e qelbur
Mbete pranverë e akullt ,të thashë
Ti qaje dhimbshëm, më dënesje
Sa e doja një shi puthjesh
Moj dhimbja ime e vjetër
Mos qesh me lotimin e zhuritur malli
Kënga ime e mbjellë në zemër..

RUGËT NUK JANË TË ZBRAZTA

Në qytetin tim rrugët nuk janë të zbrazëta
Lëvizjet duken normale, fytyrat të vrenjtura
Shikimet shëtisin lirshëm anësoreve të zbehta
Do lecka fytyrave mbulojnë pamjet e
dëshiruara
“Urdhri” virusal shëmton bukurinë e ditës
Shtyllave lexohen dhimbshëm emrat e të
vdekurve
Spitalet po rënkojnë dhimbje të përditshme
Nesër për sa do lexojmë shtyllave…
Ka edhe vdekje shpirtërore që lëngojnë gjatë
Pjesëmarrja në varrime nuk lejohet
( Dy herë vdekje, përtej vdekje)
Sytë nuk dinë të bëjnë grevë
Zemra nuk pajtohet
Eeeeee!….
Sa lëngata përjetuam nëpër shekuj
U zvogëluam, u rritëm,
Prapë ramë e u ngritëm
Tani u shpërndamë nëpër botë ,
Nuk njihemi mes veti
Buzëqeshjet duken anormale..

NGACMIM MENDIMESH

Fjalët ngacmuan mendimet e tretura
Prekën dëshirat e përflakura
Rrugëve të pluhurosura, baltë kohësh
Deshën të shpalojnë rrënjën e rrënjës
Deri te ashti i kallur në këngë
Asnjë përgjigje, asnjë fjalë, heshtje e ngrirë
Qielli i mbushur satelitë përgjues luftërash
Teknologji e pështjellur në lëmshin e jetës
Nuk më vjen përgjigje, mbeta hijeve të natës
Heshtja e lodhur rrugëve të vetmisë
Një gacë cungu e mbuluar me hi
Dëshmi e përplasjeve, nuk fiket kurrë
Ndoshta, pas vdekjes më vjen përgjigjja
Vareni mbi kokën time, në rrasë mermeri
Lexojeni rreshtin e këngës plasëse….

PËRHERË KAM THËNË….

Kur më shikoni flokët e shprishura, të serta
Dijeni, era i ka lënurë tërë natën pa hënë
Nëse shikon mrrola të çakërdisura në ballë
Më kuptoni drejtë, ashtu siç u kam thënë,
Dikush shpirtin ma ka trazuar
Lotët nëse i shihni duke gjëmuar
Ashti është arratisur dhunshëm
Plaga ulërinë damarëve plot zjarrmi
E kënga ku fshehët kurrë nuk e dita
Ndoshta në flaken e qiriut po tretet
Duke dhënë pakës dritë
E unë, ofshamë përvëluese mbeta
Jam shpuzë e bardhë
Në fitil të djegur…

BALLAFAQIM SHIKIMESH

Diçka po digjet në mua
Kaq shumë tim
Edhe erë shkrumbi përtej flakëve
Shikimet ballafaqohen si dy memecë
Trishtueshëm flasin në heshtje shkallëzimet
Jeta po fshihet diku skutave të përvuajtura
Ngarkuar me injorancë
Dashuri e rreme përvidhet shikimeve
Nën këmbë hetohet flaka
Kush mund të di kahet e rrugëtimeve…
Në ballafaqim shikimesh diçka po ikën
Ndoshta kotësia e jetës
Si një ditë pluhur….

DITA VDES PARA SYVE TË MI

Vranësira moti më rrethojnë
Tërë ditën shi bie pa nda
Ushtojnë lugje, kërcasin dritaret
Nuk vërej hijen time që zgjatet
As tkurrjen nuk e vërej
Dëshirat stepen si myshqe
Dita vdes para syve të mi
Nye e kam lidhë fjalën me vetminë
Sillem vërdallë në dhomë derëhapur
Bisedoj pa zë me miqtë
Shpesh ngrij zërin
Pastaj i përqafoj
Nuk e besoni se si nata bëhet ditë!….
Përmallimet dregëzohen syve
Dita vdes në bebëzat e ngrira
Në vargje loza një etyd të vogël
Harresa mos t’i mbyll kujtimet
Unë do vdes pasi të ikë dita
Natën e ditës së re…..

PASTAJ MË LENI TË QETË…

Flisni, mos ndaloni asnjëherë
Shani, fyeni ,nënçmoni
Përgojoni si te doni!
Ngopuni, qeshni ironikisht
Por edhe gënjeni si të dini
Kënaquni si te dëshironi
Përsëri ju shikoj me dashuri
Kur të zgjoheni nga amullia
Shfletoni fletët e ndërdijes
Çfarë u thotë ndërgjegjja
Ndërsa dritat e jetës rrugëtojnë
Dashuria fle në qeliza të trupit
Fshihet nën hijen e vetullave të bardha
Deti e përpin errësirën furtunave
Në rafte librash do të jetë porosia
Mësohuni ta duani njëri tjetrin
Tha dikur ai i lodhur nga shfaqja e jetës
Pas vdekjes më leni të qetë!
Por askush nuk e dëgjoi…

( Nga libri më i ri,”Valset e Hirit” botuar këto ditë)