Gazeta Nacional Albania

“Të mendosh për kohën” – Poemë nga Walt Whitman. Përkthue: UKË ZENEL BUÇPAPAJ

TË MENDOSH PËR KOHËN – POEMË NGA WALT WHITMAN. Përkthue: UKË ZENEL BUÇPAPAJ shqipëruar dhe pajisur me pasthënie

1

Të mendosh për KOHËN – për gjithë atë kohëparakalim, Të mendosh për të sotmen, dhe vitet që pastaj do të vinë.

A ju ka shkuar ndërmend se do t’ju duhet të ndaloni?

A ju kanë tmerruar brumbujt e dheut?

A jeni frikësuar se Ardhmja do të jetë një hiç për ju?

A është e Sotmja një hiç? A është e Shkuara pa fillim një hiç?

Nëse e Ardhmja është një hiç, me siguri, edhe këto janë hiçi i hiçit.

Të mendosh se dielli lindte në lindje – se burrat dhe gratë ishin

Të epshëm, të vërtetë, të gjallë – se çdo gjë ishte gjallë,

Të mendosh se unë edhe ti nuk shikonim, nuk ndjenim, nuk mendonim, nuk lindnim, as nuk vdisnim,

Të mendosh se tani jemi këtu, lindim dhe vdesim.

2

Asnjë ditë, asnjë minutë, asnjë sekondë nuk kalon pa një foshnje,

Asnjë ditë, asnjë minutë, asnjë sekondë nuk kalon pa një kufomë.

Netët e mërzitshme treten tutje, tutje treten edhe ditët e mërzitshme

Hidhërimi i lëngimit shumë gjatë në shtrat hidhet pas shpine,

Mjeku, pasi e ka shtyrë e shtyrë përgjigjen, në vend të saj, lëshon vështrimin e heshtur dhe të tmerrshëm

Fëmijët vijnë me nxitim dhe duke qarë, lajmi u dërgohet vëllezërve dhe motrave,

Barnat rrinë të papërdorura në raft (era e kamfurit u bë kohë që ka pushtuar dhomat),

Dora besnike e të gjallit nuk e braktisë dorën njeriut që jep shpirt,

Buzët që dridhen puthin lehtë-lehtë ballin e njeriut që jep shpirt,

Frymëmarrja ndalon, edhe rrahjet e zemrës pushojnë,

Kufoma shtriqet në shtrat dhe i gjalli kujdeset për të,

Është e prekshme, njëlloj si i gjalli.

I gjalli kujdeset për kufomën me dritën e syve të vet,

Por, një qenie tjetër pa dritë syri, sillet vërdallë dhe vështron kufomën me kureshtje.

3

Të mendosh se mendimi për Vdekjen u përzie me mendimin për sendet!

Të mendosh se lumenjtë do të rrjedhin, dhe se dëbora do të bjerë, dhe se frutat do të piqen, duke ndikuar te të tjerët, siç ndikojnë te ne tani – megjithatë nuk do të ndikojnë te ne!

Të mendosh për gjithë ato mrekulli qyteti dhe fshati dhe se të tjerët ende çmenden pas tyre – kurse ne nuk duam t’ia dimë për to!

Të mendosh se me sa zell i ndërtojmë shtëpitë!

Të mendosh se edhe të tjerët po kaq të zellshëm do të jenë, por ne krejt mospërfillës!

(Shoh njërin që po ndërton një shtëpi ku do të kalojë ca vite, shtatëdhjetë a tetëdhjetë vjet, e shumta,

Shoh njërin që po ndërton një shtëpi ku do të banojë më gjatë se kaq.)

Rreshta të zi, që mezi lëvizin, zhagiten ngadalë anembanë rruzullit – ata kurrë nuk ndalojnë – janë rreshtat e varrimtarëve,

Ish Presidenti u varros, edhe Presidenti i tanishëm, me siguri, në varr do të përfundojë.

4

Kujtim i turbullt i fatit të rëndomtë,

Mostra e shpeshtë e jetës dhe e vdekjes së një punëtori,

Secili sipas sërës së vet:

Përplasja e ftohtë e valëve për anije te skela, në lumë shkëlqimi dhe akulli, balta gjysmë e ngrirë nëpër rrugë,

Sipër, qielli i përhimë, zemërthyer, drita e fundit e një dite dhjetori,

Makina e varrimit dhe kaloshinat – vargu i mjeteve të tjera me njerëz – varrimi i një drejtuesi plak kaloshine nga Rrugëgjana.

Troku i shpejtë, i qëndrueshëm, drejt varrezave, kambana e vdekjes ushton në kohë,

Kalohet porta, ndalohet te varri i ri, të gjallët zbresin, hapet makina e varrimit,

Nxirret arkivoli, ulet dhe rehatohet në varr, mbi arkivol rri kamxhiku, dheu i hidhet me shpejtësi përmbi,

Pirgu i dheut sheshohet me lopata – heshtje,

Një minutë – askush nuk lëviz, askush nuk flet – mbaroi,

E varrosën me nderime – ç’mund të bëhet më tepër?

Ishte njeri i mirë, fliste lirshëm, nxehej shpejt, nuk ishte i keq për t’u parë,

I zoti në jetë, i zgjuar, i ndjeshëm ndaj shpërfilljes,

Mikun nuk e linte në baltë në ditë me diell, as në ditë me shi, i kishte në qejf gratë, luante bixhoz, hante me gjithë shpirt, pinte me gjithë shpirt,

E kishte provuar ç’do me thënë të skuqesh, nga fundi ra shpirtërisht, u sëmurë, e ndihmuan me lëmosha, vdiq 41 vjeç – dhe ky ishte varrimi i tij.

Në kërkim të punës, me përparëse, pelerinë, doreza, këpucë me rrip, rroba të lagura nga shiu, kamxhik të zgjedhur për merak,

Kapedan, soditës, fillestar, kafshar, dikush sorollatet me ty, ti sorollatesh me dikë, vazhdon rrugën, njerëz përpara, njerëz prapa,

Ditë e mbarë pune, ditë e keqe punë, fis i zgjedhur, fis i lig, i pari në punë, i fundit në punë, natën bie për të fjetur,

Të mendosh se këto vlejnë kaq shumë për karrocierët e tjerë, kurse atij atje nuk i bëhet fare vonë për to!

5

Tregjet, qeveria, pagat e punëtorëve – të mendosh se sa marrin nga netët dhe ditët tona!

Të mendosh se punëtorët e tjerë do t’u japin po kaq rëndësi, megjithatë ne nuk duam t’ia dimë fare për to!

I rëndomti dhe fisniku, ajo çka quhet mëkat dhe ajo çka quhet e mirë, të mendosh sa larg rrinë nga njëra-tjetra!

Të mendosh se ky dallim do të vazhdojë ende tek të tjerët, kurse ne qëndrojmë përtej këtij dallimi!

Të mendosh sa kënaqësi ka!

A kënaqeni kur shikoni qiellin? A kënaqeni kur lexoni poezi?

A kënaqeni në qytet? A kënaqeni kur merreni me tregti? A kënaqeni kur parashikoni të hidhni kandidaturën dhe të fitoni në zgjedhje? A kënaqeni kur rrini me gruan dhe familjen?

A kënaqeni kur rrini me nënën dhe motrat? A kënaqeni kur bëni punë shtëpie? A kënaqeni kur ngarkoheni me kujdese të bukura amësore?

Edhe këto vërshojnë përpara tek të tjerët – unë dhe ti vërshojmë përpara, Por në kohën e caktuar, mua dhe ty nuk do të na hynë më në sy. Ferma jote, fitimet tua, të vjelat tua – të mendosh sa i zënë je!

Të mendosh se ende do të ketë ferma, fitime, të vjela, por a të hyjnë më në punë?

6

Çka do të jetë, do të jetë mirë, se çka është, mirë është, Të përfillësh, është mirë, edhe të mos përfillësh, mirë do të jetë.

Qielli vazhdon të falë bukuri,

Kënaqësia e burrave me gratë nuk do të shpallet kurrë, as kënaqësia e grave me burrat, as kënaqësia që vilet nga poezia,

Gëzimet familjare, puna shtëpiake ose tregtia e përditshme, ndërtimi i shtëpive, nuk janë fantazma, kanë peshë, trajtë, vendndodhje,

Fermat, fitimet, të vjelat, tregjet, pagat, qeveria, asnjëra syresh nuk është fantazmë,

Dallimi ndërmjet mëkatit dhe të mirës nuk është gënjeshtër,

Toka nuk është jehonë, njeriu dhe jeta e tij dhe gjithë gjërat e jetës merren mirë parasysh.

Nuk të kanë flakur në mëshirën e erërave, ti mbahesh të vetja me siguri dhe mbrojte,

Te vetja! Te vetja! Te vetja, përjetë, në pafundësi.

7

Kjo nuk bëhet që ti të shpërndahesh, o i lindur nga nënë e babë – kjo bëhet që të njihesh;

Kjo nuk bëhet që ti të jesh i pavendosur, por që ti të jesh i vendosur;

Diçka e përgatitur për një kohë të gjatë dhe e paformë arrin dhe formohet tek ti,

Që nga ky çast e tutje, je i sigurt, çfarëdo që të vijë dhe të shkojë.

Mblidhen fijet që u drodhën, të lagëtit kapërcen litarin e anijes, trajta është e përkryer.

Te përgatitjet secili ka hisen e vet,

Orkestra i ka akorduar si duhet instrumentet – shkopi i dirigjentit ka dhënë sinjalin.

Miku që po vinte – priti gjatë – tani prehet në shtëpi,

Është njëri nga ata të bukurit dhe të lumturit – është njëri nga ata që ia vlen të kujdesesh dhe të rrish me të.

Ligji i të Shkuarës nuk mund të shmanget,

Ligji i të Tashmes dhe i të Ardhmes nuk mund të shmanget,

Ligji i të gjallit nuk mund të shmanget – është i përjetshëm,

Ligji i përparimit dhe shndërrimit nuk mund të shmanget,

Ligji i heronjve dhe i mirëbërësve nuk mund të shmanget,

Ligji i pijanecëve, spiunëve, të poshtërve – asnjë jotë e tij, për be nuk mund të shmanget.

8

Rreshta që mezi ecin dhe të zi lëvizin pareshtur anembanë rruzullit,

Veriori shkon në vig, edhe jugori në vig shkon, edhe ata në brigjet e Atlantikut, edhe ata në brigjet e Paqësorit,

Edhe ata ndërmjet tyre, edhe çdo banor i Misisipit, dhe çdo banor i kësaj toke.

Mjeshtrit e mëdhenj dhe kozmosi ndjehen mirë teksa largohen, heronjtë dhe mirëbërësit ndjehen mirë,

Prijësit dhe shpikësit e përmendur dhe pasunarët e mëdhenj dhe besimtarët dhe të shquarit mund të ndjehen mirë,

Por ka më shumë shpjegime se kaq – gjallon shpjegimi i shpjegimeve.

Hordhitë e pafund të të paditurve dhe të ligjve janë diçka, Barbarët e Afrikës dhe të Azisë janë diçka, Njerëzit e zakonshëm të Evropës janë diçka – amerikanët vendas janë diçka, Të infektuarit në spitalin e imigrantëve janë diçka – vrasësit dhe të poshtrit janë diçka, Vargjet e përjetshme të njerëzve të cekët janë diçka teksa largohen, Prostituta më të përdala janë diçka – përqeshësit e fesë janë diçka, teksa largohen.

9

Për gjithë këto gjëra, tejendanë,

Kam ëndërruar se nuk duhet të ndryshojmë aq shumë, as ligji për ne nuk duhet të ndryshohet,

Kam ëndërruar se heronjtë dhe mirëbërësit duhet t’i nënshtrohen ligjit të tanishëm dhe të shkuar

Dhe se vrasësit, pijanecët, gënjeshtarët duhet t’i nënshtrohen ligjit të tanishëm dhe të shkuar,

Sepse kam ëndërruar se u mjafton ligji të cilit po i nënshtrohen tani.

Dhe kam ëndërruar se qëllimi dhe thelbi i jetës së njohur, e përkohshmja, Duhet të formojë dhe përcaktojë identitetin e jetës së panjohur, të përjetshmen.

Nëse çdo gjë përfundon në hi dhe pleh,

Nëse krimbat dhe minjtë na japin fund, atëherë Kushtrim! Se na kanë tradhtuar,

Atëherë dyshimi te vdekja është i vërtetë.

A dyshoni te vdekja? Po të dyshoja te vdekja, do të vdisja tani,

A mendoni se do të mund të shkoja shend e verë dhe i veshur si dhëndër drejt asgjësimit?

10

Shend e verë dhe i veshur si dhëndër shkoj,

Nuk e përcaktoj dot nëse shkoj, por e di se është mirë,

Krejt gjithësia tregon se është mirë,

E Shkuara dhe e Tanishmja tregojnë se është mirë.

Sa të bukura dhe të përkryera janë kafshët!

Sa e përkryer është toka dhe gjërat më të vockla mbi të!

Çka quhet e mirë është e përkryer, edhe çka quhet e ligë është njëlloj e përkryer,

Perimet dhe mineralet, të gjitha janë të përkryera, edhe lëngjet e papeshueshme të përkryera janë;

Ngadalë dhe të sigurta kanë kaluar në këtë gjendje, dhe ngadalë dhe të sigurta ende vazhdojnë të përsosen.

11

Betohem, tani besoj se çdo gjë pa përjashtim ka shpirt të përjetshëm!

Pemët me rrënjë të ngulura në dhe e kanë! Leshterikët e detit e kanë! E kanë edhe kafshët!

Betohem, besoj se nuk gjallon asgjë tjetër, përveç pavdekësisë!

Se për të është skema e pacen, edhe vërshimi i mjegullt, për të është, edhe ngjizja, për të është!

Poet, gazetar dhe eseist amerikan, i njohur më së shumti për veprën “Gjethe bari” (1855), e cila u ndalua herë pas here, për shkak të poezive “Këndoj për trupin tronditës” (“I Sing the Body Electric”) dhe “Kënga ime” (“Song of Myself”). Uitmani futi në poezi ritmet e të folurës së natyrshme. Megjithëse shpërfilli metrin, përjetimet përfundimtare që përcjell te lexuesi janë tingëllima tejet të ëmbla dhe të rrepta, si ato të ortekut të dëborës në një ditë me diell të bukur dimëror. Harold Blumi (Harold Bloom), në librin e tij The Western Canon (Kanuni Perëndimor, 1994), thekson se “asnjë poet Perëndimor, këto 150 vjetët e fundit, madje as Brauningu (Browning), as Leopardi (Leopardi), as Bodleri (Baudelaire), nuk arrin të matet me Uollt Uitmanin ose Emili Dikinsonin (Emily Dickinson).”

“Uknisht, u çuan, më rrethuan paqe e gaz dhe – dhe dituria që kapërcen të gjitha mjeshtëritë dhe përballjet me mend e fjalë, të kësaj bote;

Dhe e di se dora e Zotit është dora ime e kahershme,

Dhe e di, po, e di, se shpirti i Zotit është vëllai im i madh,

Dhe e di, po, e di, se kush ka lindur gjer tani, është gjithashtu vëllai im –

—- dhe gratë janë motrat dhe të dashurat e mia.”

(nga “Kënga ime”)

Uollt Uitmani u lind në Long Ajlend (Long Island) të Nju Jorkut (New York); ishte i biri i një marangozi besimtar, kurse në dejet e së ëmës rridhte gjaku i kulluar i bujqve holandezë. Kur ende ishte fëmijë, skllevërit i punonin tokat. Që aso kohe e më vonë, shpirti i i Uitmanit ziente nga dashuria për natyrën. Në rininë e vet lexoi shkrimtarë klasikë, si dhe u frymëzua nga krijimtaria e Gëtes (Goethe), Hegelit (Hegel), Karlilit (Carlyle) dhe Emersonit (Emerson). E braktisi shkollën shumë herët dhe filloi të punonte si ndihmës-piktor. Më 1835 punoi, gjithashtu, si mësues dhe kryetipograf. Pas kësaj kohe shkroi dhe redaktoi për disa organe periodike, si The Brooklyn Eagle (Shqiponja e Bruklinit, 1846-1848) dhe The Brooklyn Times (Kohët e Bruklinit, 1857-1858). Gjatë ndërmjetëzave të kësaj periudhe, kaloi tre muaj në Nju Orleans (New Orleans) pranë një gazete, dhe nxori bukën e gojës, duke u marrë me punë angari.

Në Nju Jork Uitmani pa me sytë e vet rritjen e vrullshme të qytetit, dhe dëshironte të shkruante një lloj të ri poezie, që përputhej me besimin e ri të njerëzimit, me shpresat dhe gjallërinë e pashoqe të epokës së vet. Një temë tjetër te poezia “Kënga ime” është vuajtja dhe vdekja – ai njësohet me KRISHTIN dhe fatin e TIJ: “Kot m’i gozhduan duart me gozhda. / Si tani, më kujtohen kryqëzimi dhe kurorëzimi / Si tani, më kujtohen prapashpinësat dhe kamxhikët e fyerjeve / Varrimi dhe qefini më kanë vënë përfund / Gjallë jam në Nju Jork, gjallë jam në San Francisko / Sërish, pas dy mijë vjetëve, rrugët përpëliten nën këmbët e mia.” (nga varianti fillestar).

Botimi i parë i Gjetheve të barit doli në korrik të vitit 1855 me paratë e vetë Uitmanit – EDHE RADHITJEN, EDHE FAQOSJEN, VETË I KISHTE BËRË – dhe të gjitha poezitë ishin shëmbëlltyra e vetë poetit. Në të njëjtin vit u botua edhe vepra e Longfellout (Lonfellow) The Song of Hiawatha (Kënga e Hiavatës), epit tjetër të madhërishëm amerikan. Botimi i tretë i Gjetheve të barit doli në dritë gjatë ecejakeve të Uitmanit, më 1860. U prit mjaft ngrohtë, megjithëse, fillimisht, vepra e tij nuk ishte fort e njohur. Ralf Ualldo Emersoni (Ralph Waldo Emerson) ishte njëri nga adhuruesit e tij, i cili, më 1855, shkroi: “U gëzova, kur e lexova, sepse fuqia e madhe na fal lumturi.”

Kur shkroi variantin e parë, Uollt Uitmani e njihte pak ose aspak filozofinë indiane, por kritikët e mëvonshëm kanë arritur të kapin mendimet indiane të shprehura në poezi – fjalët nga sanskritishtja përdoren saktë në disa poezi të shkruara pas vitit 1858. Gjethet e barit, gjithashtu, përfshijnë një cikël me poezi nën titullin “Kallami” (“Calamus”), e cila është marrë si pasqyrim i homoseksualitetit të poetit, megjithëse, sipas Uitmanit, ato lartësonin “dhembshurinë e bukur dhe të arsyeshme të mashkullit për mashkullin”. Sipas disa burimeve, pat bërë vetëm një përpjekje të dështuar në drejtim të marrëdhënieve seksuale, në kuptimin homoseksual të fjalës, gjatë dimrit të vitit 1859-60.

Gjatë Luftës Civile, Uitmani punoi si nëpunës në Uashington. Kur iu plagos i vëllai në Frederiksburg (Fredericksburg), Uitmani shkoi atje për t’u kujdesur për të, si dhe për ushtarë të tjerë të Bashkimit dhe të Konfederatës. Lufta Civile ndikoi shumë te shkrimtari, çka tregohet në prozën e tij Memoranda During the War (Kujtimet e luftës, 1875) dhe në poezitë e botuara nën titullin Sequel to Drum-Taps (Kur përkëdhel daullen) më 1865. Në këtë cikël (1865-66) përfshihet elegjia e madhërishme për Presidentin Abraham Linkoln (Abraham Lincoln), When Lilacs Last in the Dooryard Bloom’d (Kur te oborri lulëzuan jargavanët herën e fundit). Një poezi tjetër e famshme që u kushtua vdekjes së Linkolnit është “O Kapiten! Kapiteni im (“O Captain! My Captain!”).

“Ngazëlleni o brigje, dhe bini o kambana!

Veç unë me hap të përzishëm,

Shkoj te kuverta ku rri shtrirë Kapiteni

Akull i ftohtë dhe i vdekur.

(Nga “O Kapiten, Kapiteni im”).

Për shkak të shërbimeve të veta të vyera, Uitmani u punësua si sekretar në Departamentin e Punëve të Brendshme. Pastaj e transferuan në Prokurorinë e Përgjithshme, ku shefi i tij e etiketoi veprën Gjethe Bari libër të turpshëm, për shkak të vargjeve të tilla si: Kapelën e vë siç ma ka ënda, jashtë dhe brenda; Nuk kam tule, në kockat e shatit zbuloj ëmbëlsinë e ëmbëlsive; Unë jam burri, vuajta, isha atje; Po flas përçart? Shumë mirë, atëherë po flas përçart”; Lëshova sokëllimën time barbare sipër çative të botës, Kur fal, fal veten time (nga “Kënga ime”); Lundrimi për në Indi (nga “Lundrimi për në Indi”); Më pret një grua (nga “Më pret një grua”); Shtegu i gjatë ngjyrë kafe përpara meje më çon ku ma ka ënda (nga “Këngë për rrugën e lirë”); “… kokëkrisja e pafund e të zgjedhurve (nga “Këngë për sëpatën e burrit”); Pionierë! O Pionierë! (nga “Pionierë! O Pionierë!”). Megjithatë, në Angli vepra e Uitmanit u prit më mirë – mes adhuruesve të tij bënin pjesë Alfred Tenisoni (Alfred Tennyson) dhe Dante Gabriel Roseti (Dante Gabriel Rossetti).

Një goditje paralize më 1873 e detyroi Uitmanin të hiqte dorë nga puna. Në moshën gjashtëdhjetekatërvjeçare, ai u vendos në shpinë e tij të vogël në Mikëll Strit (Mickle Street) në Kamden (Camden) të Nju Xhersit (New Jersey), ku kaloi pothuajse gjithë jetën që i kishte mbetur. Për të u kujdes një vejushë, të cilën e kishte të dashur.

Fama e tij u errësua, ngaqë ishte shprehur hapur lidhur me çështjet seksuale, por nisi të rritej pas njohjes në Angli nga Suinbërni (Swinburne), Znj. Gilkrajst (Mrs Gilchrist) dhe E. Karpenteri (E. Carpenter).

Një histori për vitet e fundit të Uitmanit, e treguar nga një botues, zbulon se autori nuk i humbi asnjëherë vetëbesimin dhe krenarinë, deri sa ndërroi jetë. Uitmani kishte hyrë me mjekrën të shpupuritur dhe me sombreron në kokë, në hollin e Hotel Albertit (Hotel Albert) në Nju Jork. Të pranishmit kishin mbuluar fytyrat me gazetë, për t’u fshehur nga shikimi i shkrimtarit. Ai u kthye, dhe doli jashtë. Botuesi, për kushedi çfarë arsyeje, e ndoqi pas dhe e pyeti se kush ishte. Ai ia ktheu: “Jam Uollt Uitmani. Po më falët një dollar, do të ndihmoni pavdekësinë të bëjë mëkat.” [nga The March of Literature (Marshimi i Letërsisë, Ford Madox Ford, 1938)].

Horhe Lui Borhesi (Jorge Luis Borges) e ka cilësuar Uitmanin heroin e epit të vet, personazhin që i pikonte në zemër të ishte: Pra, në njërën faqe të kësaj vepre, Uitmani lind në Long Ailend (Long Island); në të tjerat, në Jug. Pra, në njërin nga pjesët më të mirëfillta te “Kënga ime”, ai shtjellon një episod heroizmi nga Lufta Meksikane, dhe thotë se e ka dëgjuar këtë histori të treguar në Teksas (Texas), vend ku nuk kishte shkuar asnjëherë.” [nga Biblioteka e plotë (The Total Library, 1999)].

Më 1881 doli botimi i ri, i përpunuar dhe i pasuruar, veprës Gjethe bari. Një vit më pas Uitmani botoi librin Specimen Days & Collect (Mbledhja e ditëve mostra) dhe më 1888 përmbledhjen e artikujve në gazeta November Boughs (Degë nëntori). Vëllimi përfundimtar Gjethe bari u botua para vdekjes së tij, të cilin e përgatiti më 1891-92. Ai mbyllet me një pjesë proze të titulluar “Vështrim prapa i rrugëve të shkelura” (“A Backward Glance O’er Travel’d Roads”), ku përpiqet të shpjegojë jetën dhe veprën e vet. Uitmani vdiq më 26 mars 1892, në Kamden.

Vargjet tallaze-tallaze dhe përdorimi i freskët i gjuhës e ndihmuan Uitmanin të çlironte poezinë amerikane. Ai dëshironte të bëhej bard kombëtar. Mes jehonave të librave të tjerë, dëgjohen edhe ato të klithmave profetike të Biblës, por çiltërsia e tij erotike e veçoi atë nga poetët konvencionalë romantikë. Ai, gjithashtu, mburrej se nuk ishe “as letrar, as i hijshëm” – çka ndoshta nuk ishte aspak e vërtetë. Kur e nxiste Muzën të harronte çështjen e Trojës dhe të shtjellonte tema të reja, e dinte mirë se çfarë ishte çështja e Trojës.

Gjethe bari, fillimisht, u paraqit si grup me 12 poezi, dhe u pasua nga pesë botime të përpunuara, si dhe tre ribotime gjatë kohës që autori ishte ende gjallë. Uitmani mendonte se stili i poetit duhet të jetë i thjeshtë dhe i natyrshëm, pa rimë dhe metër të ngrirë. Poezitë u shkruan për t’u lexuar si bashkëbisedim, por ato kanë larushi të madhe ritmi dhe volumi në ton. Tema qendrore lind nga pikëpamja panteiste e Uitmanit për jetën, nga identifikimi simbolik i ripërtëritjes së natyrës. Përdorimi nga Uitmani i vargut të lirë pati ndikim të madh në poezi. Ai ishte shembull i madh frymëzimi për Brezin Grushtdhënës (Ginsberg, Kerouac, etj.). Në hyrje të kësaj vepre Uitmani shkroi: “Arti i artit, lavdia e të shprehurit dhe shkëlqimi diellor i dritës së letërsisë është thjeshtësia. Asgjë nuk është më e mirë se thjeshtësia … asgjë nuk mund të zëvendësojë teprinë dhe mungesën e qartësisë. Mbartja e peshës së impulsit, zhbirimi i thellësive intelektuale dhe artikulimet e përveçme të temave, nuk janë aftësi të zakonshme, as shumë të pazakonshme. Por të flasësh përmes letërsisë me saktësinë dhe lirshmërinë e përkryer të lëvizjeve të kafshëve, dhe me ndjesinë e panjollosshme të pemëve në pyje dhe të barit buzë rrugës, është ngadhënjimi i pacen i artit.”

Vepra të zgjedhura: Franklin Evansi (Franklin Evans, 1842); Gjethe bari (Leaves of Grass, 1855, botimi i parë); Kur përkëdhel daullen (Sequel to Drum-Taps, 1865); Pamje demokratike (Democratic Vistas, 1871); Kujtimet e luftës (Memoranda During the War, 1875); Mbledhja e ditëve mostra (Specimen Days & Collect, 1882-83); Degë nëntori (November Boughs, 1888); Vepra e plotë, 10 vëllime (Complete Writings, 10 vol., 1902); Korrespondenca, 4 vëllime (Correspondence, 1961-69, 4 vols., redaktuar nga E. H. Miller); Vepra në prozë, 2 vëllime (Prose Works, 1963-64, 2 vols., redaktuar nga F. Stoval); Librat e ditëve dhe fletoret e shënimeve (Daybooks and Notebooks, 1978); Gazetari: 1834-1846, (The Journalism: 1834-1846, 1998).