TË TJERAT KUPTOHEN …
E gjeta dashurinë tonë,
si një nuse,
që pret të dashurin në çastin solemn,
aty ku e lamë atëherë,
kur secili prej nesh rrëmbeu humbjen e vet
dhe u larguam të dy fitimtarë.
Ajo nuk kish ndërruar moshë,
të kuqin e buzëve e kish të freskët
dhe nuk e kish hequr fustanin e bardhë.
Në sy,
kish gjithë dritëzimin e yjve tanë të atëhershëm,
ndërsa në faqe dy petëla rozë.
I kish marrë nga lulja e pjeshkës.
Rruazat e dhëmbëve,
i kish si zefirët e kokrrave të shegës.
Gjoksi qe gati t’i çahej nga lumturia,
buzëqeshte e tërë ëmbëlsisht.-Unë, – më tha, – mbaj gëzimin tuaj,
ndaj jam përherë në lulëri.
Të tjerat kuptohen …
Dhimbjen e kemi marrë të gjithë ne të dy.
2015
NUK DI SI LASHË NJË SHTEG TË ÇELË
Nuk di si lashë një shteg të çelë,
një shteg të shpirtit, s’di se si
dhe ndodhi siç ndodh në legjendë,
nga ai shteg më hyre ti.
Dhe më pushtove si kështjellë,
që duket si e papushtuar
dhe fle, pa ditur se një shteg,
të hapur krejt e ka harruar.
Sa i shkujdesshëm paskam qenë,
si të isha vajzë fillestare,
që s’di të ngrejë rrethojë në shpirt
dhe e pushton dikush lehtë fare.
TË TJERAT KUPTOHEN…
Po ku i pata kështjellarët,
me ushta, helmeta dhe shpata?
Strateg i dobët paskam qenë,
që shtigjet i kam lënë të hapëta.
Tani pushtuar jam prej teje,
pushtim i ëndërrt, i paparë,
asnjë ushtri përballë nuk shoh
dhe s’di se kujt t’i dal përballë.
Po them të rri kështu siç jam,
i robëruar gjithsesi,
më mirë me ty dhe i pushtuar,
se sa pa ty dhe në liri.
2015
PLAGËT
Dikur më dhimbte fjala.
Sa më dilte nga kujdestaria,
ma plagosnin gojët e marra.
Tani që hesht,
heshtja më dhemb më tepër se fjala.
2015
TË TJERAT KUPTOHEN… GURËT E MURIT TË LASHTË
Këta gurë të mëdhenj,
të gdhendur me penën e daltës,
që rrinë gojëkyçur në këtë mur të lashtë,
si rojat në bedenat e kështjellës,
në perëndim herë,
britmojnë fuqishëm,
me heshtjen e tyre të thellë.
Në britmën e heshtjes,
fjala arrin majimin e vet
dhe bëhet fjala e botës.
Në të është gdhendur kronika e kohës.
Kronika jonë e përgjakshme,
të cilën nuk e nxë asnjë tragjedi.
Kronika jonë,
ku kalendarin e caktonin të tjerët
dhe i dënuari,
ka qenë përherë fati ynë.
Mënyra jonë e vetme,
për ta jetuar historinë.
Kjo britmë e heshtjes,
e shpon kohën në brinjë tej e tej.
Kështu e mban të zgjuar historinë,
nuk e lë të flejë.
2018
NË PRAG TË MBRËMJES
Ai e përshëndeti dhe u nis të dilte.
Ishte i lodhur, i drobitur,
sikur qe kthyer nga një udhëtim i gjatë.
Fytyrën e kish të tretur, të zverdhur,
si një djerrinë pas një vere të thatë.
Një çast u panë sy më sy.
Ajo i hodhi një vështrim të butë
dhe i lëshoi një buzëqeshje të dobët,
si dielli para se të perëndojë,
që e di se nuk mund ta mbajë ditën më gjatë,
mandej ikën pa u ndjerë, në qetësi.
Buzëqeshja e saj,
u shua ngadalë në mbrëmjen e fytyrës së tij.
2018
TË TJERAT KUPTOHEN… NË ANË TË KUNDËRTA TË TOKËS
Në anë të kundërta të tokës,
jetojmë si ishuj larg e larg,
sa herë tek njëri bëhet ditë,
aq herë tek tjetri bëhet natë.
Kur njëri puth ditën e bukur,
në faqen e saj të praruar,
tjetri shkel mbi honet e natës,
stoik si një i vetëngujuar.
Kur ditë e njërit, nxirë nga retë,
pikon prej qiellit mërzitë,
tek tjetri, hëna, defi i natës,
pikon ca tinguj të florinjtë.
Në anë të kundërta të botës,
tani ne jeta na ka mbetur,
kur njëri prej nesh është i zgjuar,
natyrshëm, tjetri është i fjetur.
Kur tjetrit duam t’i shkojmë pranë,
mendimit tonë i rrëshqet këmba
dhe s’gjejmë dot asnjë rrugicë,
nga ato që të çojnë tek ëndrra.
Nuk kemi më pika takimi,
as shpresë ta përkëdhelim kot,
veç ligjin e rreptë të harrimit
dhe ëndrra djerrë, ku s’mbin një lot.
NË PARKUN E TË DASHURUARVE NË KARLOVI VAR
Ky park,
frymëmarrje ka qetësinë
dhe bustin e Bethovenit,
përmendore të shenjtë.
Edhe njerëzit janë si mjedisi,
puthen butësisht sikur përkëdhelin mëndafshin
dhe shëtisin të qetë, të lirë.
Për t’jua bërë çastet më të lumtura,
Bethoveni jep koncert me violinë.
Karlovi Var, Çeki, 2009
TI MOS U BËJ KAQ E BUKUR
Po ti mos u bëj kaq e bukur,
gjithë yjet mos i hidh mbi vete,
në qiellin tënd të hijeshisë,
nuk di nga vij e ku të vete.
Më ler, qoftë dhe një yll të vetëm,
të lozë me mua si fëmijë,
që ta lë të lirë marrëzinë,
të më gjejë rrugën për tek ti.
Ti rri e ftohtë si një ikonë,
në qetësinë tënde të qetë,
nuk di se si të të vij pranë,
të gjej një kod a një sekret.
TË TJERAT KUPTOHEN…
Diçka magjike si një ëndërr,
diçka të lehtë si një fllad,
diçka të ndezur si vështrimi,
diçka të zjarrtë si një mall.
Dhe pse e mbyt një ankth i trishtë,
prapë shpresa ime pret pas porte,
por, ah, tek derë e bukurisë,
si roje rri shpërfillja jote.
Ti bëhesh edhe më e bukur,
yjet e tu dhe më të artë,
ndaj mua më çmendet vështrimi,
kur të kundroj me mall nga larg.
2016
GJIROKASTRA
Ky qytet nuk e braktis kurrë legjendën,
që ai krijoi,
as legjenda nuk e braktis qytetin,
që krijoi ajo vetë.
Qyteti mbetet përjetësisht legjendë,
legjenda mbetet përjetësisht e vërtetë.
Mes këtij dyzimi,
koha vjen e ikën.
Vajzat, yjet e tokës,
i japin vërtetësinë ditën,
yjet e qiellit,
i kthejnë mitin natën.
Nëse do të shohësh një legjendë të gjallë,
mjafton të shohësh Gjirokastrën.
2016
TË TJERAT KUPTOHEN… PLEPAT
Po zhvishen plepat nga gjethnaja,
vjeshta s’ka kohë, po shkon me ngut,
me duart e padukshme të erës,
gjethet nxitimthi ia shkëput.
Rreth trungut të tyre të zhveshur,
degët si vija ngjiten lart
ngjyrosur me mungesë blerimi,
si vizatim i bërë me laps.
Ndërsa presin me ankth pranverën,
e ndjejnë veten mos më keq,
por gjejnë një fije ngushëllimi,
aty majë degësh, tek foletë.
2015
KONKURSI
Konkursi u bë.
Fitoi skulptori,
shtatorja e të cilit mori votën.
Tani është radha e shtatores,
të konkurojë me kohën.
2015
NINULLA E NËNËS
Flokëzbardhur, ballërrudhur,
jam kthyer si nga përralla,
para pragut ku u linda,
mbledh kujtime borë të bardha.
Dhe i zgjoj nga gjumi i gjatë,
sa i prek pak me kujtesë,
ato çelin si zambakë,
gjallërohen, marrin jetë.
Janë aq shumë… s’i zë shtëpia,
s’kanë një grimë pluhur në shpinë,
asnjë rrudhë s’ka marrë freskia
dhe në flokë s’kanë asnjë thinjë.
Vijnë nga larg, nga një kohë tjetër,
nga një kohë e tjetër ngjyre,
por ndërsa ato vijnë pranë,
unë shkoj larg, te kohë e tyre.
Dhe vazhdoj kërkoj me ngut,
rrëmoj thellë kujtesën time.
– Ç’po kërkon ? – më thotë një zë
.- Një ninullë të nënës sime.
2015
LOJA E LARGIMIT
Tani e kemi tërhequr veten në errësirë,
duke iu larguar syrit të dritës,
ku lexohen,
mendimet e tjetrit.
Tani secili lexon në terr,
mendimet e vetes,
në librin e dashurisë sonë,
me fletë të nxira.
Është e vetmja rrugë,
drejt së cilës na merr osh dëshira,
për të dalë të veçuar,
aty ku nuk mundëm të dalim së bashku.
Ndërkaq,
e luajmë sinqerisht,
lojën e hipokrizisë,
duke shtrënguar,
litarët e kalbur të afrimit.
Dhe e gjithë kjo,
për ta mbajtur të gjallë largimin.
AI
Ai iku si të gjithë nga kjo botë,
u këput e ra si një gjethe.
Vetëm zërin nuk ia dëgjoi askush,
se gjithë jetën foli me vete.
Kur po ikte,
e dëgjuan t’i dilnin ca fjalë nëpër dhëmbë:
-Heshtja, – tha, – është protestë,
e folura ka kosto të rëndë.
2018

