Gazeta Nacional Albania

Teodor Laço, në 85-vjetorin e lindjes dhe 5-vjetorin e vdekjes.Nga Halil Rama, Mejshter i Madh

Vepra shumëpërmasore e shkrimtarit, politikanit dhe dipomatit të urtë e vizionar

Laço, njeriu i letrave, politikës dhe diplomacisë

Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Pesë vjet më parë, kur sapo kishte festuar ditëlindjen e 80-të u nda nga jeta njeriu i letrave, politikës dhe diplomacisë Teodor Laço. Ai zë vend nderi në historinë e letrave shqipe, si një prej shkrimtarëve më të shquar dhe përfaqësues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, që përveç përvijimit të një profili modern në krijimtarinë letrare, nuk u tregua indiferent edhe ndaj zhvillimeve demokratike, duke u kthyer në një nga zërat kryesore në jetën parlamentare shqiptare.
U mbushën pesë vite që kurse botës së mendimit i mungon ky intelektuali i shquar, vizionar dhe kurajoz, i cili sëbashku me kolegët e tij do ta shndrronin Kinostudion në verën e vitit ‘’90 në djepin e mendimit liberal për kohën.
Laço, i cili kishte lindur më 29 shtator 1936 në Dardhë të Korçës, vdiq më 15 tetor dhe lamtumira e fundit iu dha më 16 tetor 2016. Ai ishte dhe mbetet simbol i politikanit të arsyes, luajal ndaj vlerave dhe parimeve që besonte… Ai ka lënë pas një trashëgimi të vyer në të gjitha fushat ku kontribuoi. Kontributet e tij kanë qenë të spiktatura që nga periudha kur hyri në kulturën dhe letërsinë tonë, por edhe në nxitjen e proceseve demokratike.

VEPRA LETRARE E LAÇOS

Si rrallëkush në fushën e letrave, Teodor Laço krijoi një trashëgimi letrare shumëpërmasore. Krijimtaria e tij është shumë e gjerë. Janë rreth 55 vepra të botuara, qoftë në letërsi apo dhe në publicistikë. Kësisoj, me korpusin e tij letrar me shumëllojshmëri tituj romanesh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, Laço zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe.
Ka filluar të botojë që prej viteve ’60. Është autor i disa skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri.
Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, eseist, skenarist, komentator, opinionist e politolog, Ai, padyshim, njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe. Janë të njohur për lexuesin romanet e Laços: “Tokë e Ashpër” (1971), “Përballimi” (1975), “Lëndina e Lotëve” (1980), “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” (1985), “Pushimet e Kolonelit” (1990), “Një vit i hidhur” (1995), “Mjegull” (2009), “Vrasja e buzëqeshjes” (2013), “Gropas 67” (2014) etj. Po ashtu proza e tij e shkurtër, si: “Rruga e bardhë”, “Një natë shiu”, “Ajri i ftohtë i mesnatës”, “Portat e dashurisë”, “Pylli në vjeshtë”, “Vdekja e Nëpunësit X” etj., që mbeten modele krahasuese e referuese në tregimin e shkurtër shqiptar.
Pjesë integrale e krijimtarisë letrare të tij janë dramat dhe komeditë e shumta dhe po aq të suksesshme. si: “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Qyteti i akuzuar”, “Shi në plazh” etj., që kanë lënë gjurmët e tyre në repertorin klasik të spektakleve dramaturgjike shqiptare.
Në lëmin e kinematografisë, Teodor Laço cilësohet si një prurës autoritar i disa prej skenarëve artistikë, mbi të cilët u realizuan një sërë filmash me prirje të reja regjisoriale e artistike. Dorën e tij mbajne filmat “Përballimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes”, ku mund të konstatosh se suksesi i tyre në publik u garantua së pari nga skenarët e tyre me vlera potenciale. Nuk mund ta konsiderosh të ezauruar veprimtarinë krijuese të T.Laços pa përmendur edhe publicistikën e tij kulturore, politike e sociale.
Përveç dhjetëra e dhjetëra artikujve të këtyre gjinive, Laço ka shkruar dhe botuar dy librat “Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar” dhe “Bashkëjetësë me kohën”, libra këto, voluminozë me publicistikë reflektive social-politike e diplomatike që e cilësojnë atë si një vëzhgues, përjetues dhe analizues të mprehtë të realiteteve historike kombëtare e ndërkombëtare. Ai ishte dhe mbetet si model i shkrimtarit të prozës së shkurtër, romanit, dramës e komedisë, skenarit të filmit e publicistikës.

LAÇO MINISTËR I KULTURËS…

Teodor Laço njihet tashmë në Shqipëri, por edhe në kancelaritë perëndimore si një prej intelektualëve antikonformistë, që paraprinë me krijimtarinë e tyre vizionin për nevojën e ndryshimeve politike e shoqërore kah demokratizimit të vendit, Ai u përfshi në proceset e krijimit të pluripartitizmit në krahun liberal demokrat, fillimisht si një prej themeluesve e drejtuesve të Partisë Social-Demokrate, duke qenë dhe nënkryetar i saj deri në vitin 1994 dhe më pas si krijues e drejtues për 10 vjet i Partisë Bashkimi Social Demokrat (që më vonë ndryshoi emrin në Bashkimi Liberal Demokrat). Gjatë kësaj kohe (1992-1996 dhe 1997-2005) ai zgjidhet deputet i Parlamentit shqiptar. Laço do të hynte si pjesë e legjislativit nga zgjedhjet e lira pluraliste më 1992, duke vijuar si deputet edhe për dy legjislatura me radhë (12 vjet deputet i Kuvendit të Shqipërisë). Si deputet Teodor Laço do të kujtohet për fjalën e urtë e të mençur, duke ndikuar kësisoj në ç’tensionimin e situatave konfliktuale mes mazhorancës dhe opozitës. Në ligjërimin e tij politik, për më shumë se një dekadë në legjislativin shqiptar spikati mençuria dhe vizioni bashkëkohor.
Në harkun kohor të dy viteve (1994-1997) Laço ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Qenë pikërisht këto dy vite kur ky diskater, ndoshta për herë të parë njohu standardet e përparuara europiane. Bashkëkohësit e kujtojnë Laçon ministër, veç të tjerash për sjelljen në Tiranë të disa trupave teatrale e muzikore nga vende të ndryshme përëndimore si dhe të artistëve me famë botërore, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në integrimin e kulturës shqiptare në botë. Qe koha kur nën drejtimin e tij Shqipëria rinisi organizimin e Festivaleve kombëtare, si Festivali Folklorik, jo më në Gjirokastër, por në Berat, kur rinisi funksionimi normal i trupave teatrore (Teatri Kombëtar dhe ai i Operas e Baletit, si dhe trupat teatrore rajonale të qyteteve kryesore) dhe kur iu kushtua vëmendja e duhur shtetërore monumenteve të kulturës, arkeologjisë etj. Pikërisht në vitet që dikasteri i Kulturës drejtohej nga Laço u përgatitën dosjet për pranimin e Beratit e Gjirokastrës në UNESCO, ndërkohë që Kruja, Butrinti, Apollonia, Kalaja e Rozafës, Foto “Marubi”, Amfitetari i Durrësit, Voskopoja etj, njohën bum turistësh.
Laço ministër mbahet mend edhe për kalimin e pallateve të kulturës të qyteteve kryesore në varësi të bashkive, kur shumë institucione tjera rajonale, si atëhere edhe sot janë të centralizuara nën administrimin e dikastereve qëndrore.
Kur Ai ushtronte detyrën e Ministrit të Kulturës, në vitin 1995, një nga ngjarjet më mbresëlënëse ka qenë sjellja e eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Fjalët që ka mbajtur për veprimtarinë e Konicës në New York, në prani të pothuaj të gjithë anëtarëve të Vatrës, si dhe në Katedralen e Shën Gjergjit, në Boston, edhe sot na japin emocione po aq të thella.

KOHA KUR SHKROI “NJË DRITARE NË KREMLIN”

Teodor Laço e mbylli karrierën e tij si ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse (2006-2008). Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me të ashtuquajturit “diplomatë të karierrës”, promovimi i të cilëve ndjek rrugën e zakonshme të ngritjes nga një gradë diplomatike në tjetrën. Por Laço, me meritë e fitoi edhe këtë titull, duke përfaqësuar denjësisht shtetin shqiptar në Federatën Ruse. Sidomos në këtë shtet të madh Ai u angazhua dhe ia arriti të promovojë një nivel të lakmueshëm kulturor, artin, letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Ashtu si nobelistët Miguel Anhel Asturias, Octavia Paz, etj, që njihen edhe si ish-ambasadorë të Amerikës Latine në Francë, edhe Laço ynë përfaqësoi në Moskë modelin shqiptar të diplomatit.
Me bindjen se angazhimi i krijuesve në diplomaci, gjithsesi, paraqet sfida të shumta, Laço qe ndoshta nga të rrallët ambasadorë që diti të ndërtojë një raport të drejtë midis pasionit kryesor të tij që ishte krijimtaria dhe detyrës shtetërore. Për të, një nga rastet kur i është dashur gjithë gjakftohtësia dhe vendosmëria për ta kaluar, ka qenë koha që u shpall Pavarësia e Kosovës, kur në selinë e ambasadës shqiptare në Moskë erdhi një kërcënim për vendosje bombe, i cili u shoqërua me protesta pas bllokut të ambasadës. Këtë moment tejet të vëshirë, ish-ambasadori Laço e menaxhoi me përpikmërinë maksimale. Gjithsesi, si sukses të tij gjatë atyre dy viteve mund të përmendim diplomacinë kulturore.
Por ato dy vite, pa iu shmangur fushës së letrave, i shërbyen shkrimtarit dhe diplomatit Teodor Laço për të skeduar librin “Një dritare në Kremlin – Nga Hrushovi te Putin” që do ta botonte, disa vite pasi kishte dalë në pension, duke i ardhur kështu në ndihmë lexuesit për të hapur një dritare në kështjellën misterioze të Kremlinit. Kështu, dy vitet si ambasador në Moskë, Laço iu përkushtua historisë, arkivave, shtypit, librave të botuara, që mëtojnë se kanë zbuluar shumëçka nga ngjarjet që kanë ndodhur brenda mureve të Kremlinit në 50 vitet e fundshekullit të kaluar.
Kësioj, libri “Një dritare në Kremlin” është pa dyshim pasqyrë e angazhimit të tij krijues. Ky libër është një shartim i historisë me fiksionin, një kuturisje karakteristike prej shkrimtari, që vjen në ndihmë për të hapur një dritare në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere.
Ky libër si edhe dhjetra të tjerë me letërsi e publicistikë, janë pjesë e kontributit dhe trashëgimisë së vyer që na la Teodor Laço, vepra e të cilit e veshi atë me pavdekësi.