Kemi në Shqipëri institucione të afta për të bërë kanonizim estetik në kushte pluralizmi?
Ky artikull është një pozicionim i tretë kritik, që synon ta çojë debatin më lart dhe më gjerësisht se një polemikë.
Pikat e forta të artikullit të Profesor Mujë Buçpapaj
Në artikullin e Profesor Buçpapajaj dallohen qartë autori nga institucioni .Kjo është një arritje metodologjike. Buçpapaj nuk sulmon lirinë krijuese të autores Rita Petro, por aktin institucional të kanonizimit. Ky është dallim themelor në kritikën serioze dhe e vendos tekstin përtej thashethemeve letrare.
Profesor Buçpapaj rivendos debatin te kriteri estetik. Artikulli rikthen një pyetje që mungon sot në letrat shqipe:
Çfarë e bën një vepër të jetë model kanonik dhe jo thjesht e dukshme?
Kritika e Profesor Buçpapaj kundrejt gjuhës ideologjike të jurisë (“energji”, “emancipim”, “kapërcim tabush”) është e drejtë dhe e argumentuar.
Referencat implicite te Adorno, erotika klasike, autonomia e formës, janë shenja të një mendimi kritik të formuar. Ai nuk është moralist; ai është formalist-estet. Profesor Mujë Buçpapaj problematizon marrëdhënien poezi–shkollë–shtet. Kjo është pikë shumë e fortë. Jo çdo poezi e lirë është poezi e përshtatshme për përfaqësim publik institucional. Ky nuk është argument censorial, por pedagogjik dhe simbolik.
Në artikullin e Profesor Buçpapaj vihet re tendenca drejt totalizimit të veprës së Rita Petros përmes librit poetik “Vrima”Këtu artikulli dobësohet. Rita Petro nuk është vetëm libri poetik “Vrima” Një kritik akademik duhet ose të analizojë korpus më të gjerë,ose të pranojë se po kritikon një libër specifik, jo një poetikë të tërë.
Gjithashtu vihet re se gjuha herë-herë është polemike më shumë se analitike. Alegoria e “vrimës” si vakum kriteresh është retorikisht e fortë, por akademikisht e rrezikshme, sepse e ngarkon tekstin me simbolikë morale si dhe i jep lexuesit ndjesinë e një pozicioni tashmë të mbyllur. Mungon gjithashtu analiza e drejtpërdrejtë tekstuale .
Artikulli i Profesor Buçpapaj flet për poezi, por rrallë me poezinë. Kritika akademike e nivelit të lartë kërkon citime konkrete, analiza vargu, strukture, ritmi, figuracioni.
***
Poezia e Rita Petros ka koherencë tematike dhe autorësi të dallueshme. Poetja Rita Petro nuk është episodike. Ajo ka ndërtuar një zë të qëndrueshëm trupor, femëror, intim që sfidon një traditë shqiptare të qëndrueshme.Ajo sjell trupin femëror si subjekt dhe jo si objekt.Provokimi i saj është historikisht i lexueshëm.
Letërsia shqiptare ka qenë e varfër në poezinë e trupit. Në këtë kuptim edhe një poezi “deklarative” mund të ketë funksion çlirues.Edhe mungesa e metaforizimit mund të jetë zgjedhje estetike, jo paaftësi.
Laureati nuk është domosdoshmërisht kanoni përfundimtar.
Në modelet anglo-saksone, laureati shpesh është figurë dialogu me publikun dhe jo domosdoshmërisht kulmi estetik absolut.
Në këtë lexim, zgjedhja e Rita Petros mund të shihet si zgjedhje e debatit, jo e konsensusit.
Në artikullin e Profesor Mujë Buçpapaj vihet re rreziku i elitizmit estetik të mbyllur.
Kritika e tij presupozon një standard të lartë formal, por nuk e problematizon mjaftueshës.Për vetë faktin se edhe forma klasike mund të bëhet konvencion bosh.
Edhe “metafora” mund të jetë po aq ideologjike sa slogani. Institucionet e poetit laureat në Perëndim nuk janë aq të pastra sa përshkruhen. Edhe atje ka polemika, ka zgjedhje politike, ka kompromis simbolik.
Nga pozicioni i kritikës letrare edhe unë që po shkruaj këtë artikull pyes veten se a duhet të mbroj estetikën, apo të mbroj një rend simbolik që po ndryshon?
Ky artikull nuk po dialogon nëse Rita Petro është poete e mirë apo jo. Por as se Profesor Buçpapaj ka të drejtë apo jo.
Pyetja ime është a kemi në Shqipëri institucione të afta për të bërë kanonizim estetik në kushte pluralizmi?
Problemi nuk është provokimi,problem nuk është as erotika. Problemi është mungesa e një metodologjie të artikuluar vlerësimi.
Artikulli i Prof. Mujë Buçpapaj është serioz, i argumentuar dhe i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të qenë kritikë përfundimtare.
Rita Petro mund të vlerësohet si zë i rëndësishëm i një poezie trupore feministe, por zgjedhja e saj si Laureate mbetet e debatueshme.
Letërsia shqipe ka nevojë urgjente për kritika që dialogojnë, jo që anatemojnë.
Marre nga https://atunispoetry.com/…/kemi-ne-shqiperi…/

