Gazeta Nacional Albania

TIRANA,tregim nga Jusuf Buxhovi

Tiranën e kishte parë për herë të parë kur në botë zyrtarisht njihej si kryeqytet i Republikës Socialiste të Shqipërisë, i një vendi të vogël të Ballkanit, atëbotë me rreth tre milionë banorë, që krenohej me socializmin më autentik që mund të ekzistonte, ku thuhej se nuk kishte analfabetizëm, se nuk kishte papunësi dhe, mbi të gjitha, nuk kishte kurrfarë religjioni, por vetëm besim të patundur në ardhmërinë e pashmangshme komuniste, që tashmë kishte filluar të përfshinte gjithë botën…
Asaj zhurme të pandalshme ideologjike, që përcillej me parulla të llojllojshme, me të cilat lavdërohej shkëputja nga e gjithë bota, ku edhe e ashtuquajtura “vetmi e madhe”, bashkë me mbylljen e hekurt, merrej si domosdoshmëri për t´u bërë ballë, si thuhej, komploteve të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, që ishin të shumtë, dhe fjalë të ngjashme, nuk ua kishte vënë veshin as atëherë, e as më vonë, ngaqë e dinte se ajo që propagandohej si ideal komunist dhe, po qe nevoja do të sendërtohej madje edhe duke ngrënë bar, nuk ishin tjetër veçse pjesë e asaj fatkeqësie në vazhdimësi që i ishin përplasur pikërisht pse ai vend dhe ajo hapësirë ngahera kishte qenë pjesë e një udhëkryqi botëror, ku rëndom ishin derdhur të kundërtat e atyre zhvillimeve, të cilat, në garën e madhe për mbizotërim dhe përvetësim të pangopshëm, ishin kthyer në papajtueshmëri dhe kishin kaluar në armiqësi të vazhdueshme, të cilave përherë u ishte paguar haraç i madh dhe tejet i rëndë, ngaqë mbijetimi, qoftë edhe i dosidoshëm, kalonte nëpër përshtatje, ndër më të ndryshmet, që nga vazalitetet e deri te nënshtrimet e rënda…
“Ah, ky mbijetimi me çdo kusht dhe çmimi i tij” – i kishte thënë zëri i brendshëm, pikërisht ai, që qysh se mbante mend, ishte përpjekur që Tiranën pareshtur t´ia nguliste si një vend të shenjtë, përfytyrimin madhështor të të cilit nuk ia kishte zvetënuar as ndarja e gjatë dhe as gjërat e tjera të asaj shkëputjeje, që u kishin hyrë në mes dhe pamëshirshëm ia kishin shprishur tërësinë e asaj fryme që ai e kishte marrë, por edhe e parë si botë shqiptare dhe nuk ia kishin zvetënuar as të tjerat që më vonë kishin qenë pjesë e lojërave të asaj skene të madhe të teatrit të përhershëm, ku ndërrohen aktorët, por assesi rolet, midis të dëgjueshmëve dhe të padëgjueshmëve…
Pra, të tillë e kishte parë dhe e kishte përjetuar Tiranën edhe kur kishte shkelur për herë të parë në të dhe aty kishte fituar përshtypjen se kishte thithur kundërmimin e një toke që në thellësinë e saj ruante nektarin e qenies, e cila nëpër shekuj ishte formësuar brenda një hapësire jetësore dhe pareshtur përpiqej të frymonte si e tillë, pa marrë parasysh shkallmimit që e rëndonte…
Kjo ndjenjë e çuditshme sikur kishte përjashtuar të tjerat, që sadopak do të mund t´ia prishnin kënaqësinë, për të cilat më vonë do të mësojë dhe kuptojë se kishin qenë me bollëk…
“Mbase jam i dënuar të mbetem idealist i përhershëm, që të ardhmen e sheh në përmirësimin e së kaluarës pa të nesërme, pikërisht të asaj që kishte paraqitur dhunë në emër të mashtrimeve të së përkohshmes dhe të ngjashme “
Andaj, që nga dita e parë deri tek e shtata e vizitës, iu kishte përmbajtur atyre që duhej t´i shërbenin përfytyrimit se Tirana ishte dhe mbetej qendër e një strumbullari të lidhjeve të veçanta të brendshme dhe të jashtme, që duhej të vlente përgjithmonë dhe për secilin që i takonte asaj, pa marrë parasysh se ku ndodhej dhe pa marrë parasysh ato që quheshin pjesë e realiteteve të reja…
“Ka diçka të jashtëzakonshme, qoftë si mbindërtim apo themel i veçantë shpirtëror i thadruar në atë që e ka prodhuar ndriçimi hyjnor që nga lashtësia dhe fuqia e saj e lirisë, që i mban të jashtmet dhe i lidh për vete edhe kur duken si të papajtueshme”, do të vlerësojë atëherë dhe më vonë.
Dhe, në përputhje me këtë bindje, do t´i ndërtojë edhe qëndrimet që do ta çojnë deri tek idealizimi i atdhedashurisë, si një vlerë e përhershme njerëzore, që e kishte marrë si tejet legjitime, si një parakusht kryesor ndaj përkatësisë qytetëruese dhe hapësirës së saj, i lirë dhe i barabartë, kudo qoftë…
“Askush nuk mund të jetë me dinjitet pa çati të vlefshme shpirti, pa marrë parasysh mirëqenien dhe dehjen e saj mashtruese, qoftë edhe në rrethanat e shoqërisë së shpenzimit”, do të mendojë çastin që në sallën e Teatrit dhe të Operës shqiptare, (por jo vetëm aty) kishte dëgjuar këngën aq të përhapur “Enver Hoxha, tungjatjeta”, të cilën, në atë dehjen e brendshme, mendja aty për aty ia kishte kthyer në refrenin “Shqipëri, tungjatjeta, me ty jemi sa të jetë jeta”, që po aty, herë i kishte tingëlluar si “Antikë, tungjatjeta”, e herë si “Themel i Perëndimit, tungjatjeta…”, që e kishte marrë me vete dhe i ishte thadruar në një si metaforë shpirti, që nuk i ishte hequr nga koka as atëherë, e as kurrë më, dhe e kishte përcjellë edhe pas tridhjetë vjetësh, e që si e tillë madje i kishte ardhur në ndihmë për ta mbrojtur nga ajo zagushi shfrenuese mu në sheshin e saj kryesor, ku dikur ajri i freskët që vinte nga Dajti, ia kishte krijuar përshtypjen, jo vetëm të njeriut më të shëndetshëm të rruzullit tokësor, por edhe të krijesës tejet të lumtur, që gjen prehje në një hapësirë të qetë fare, e cila duket si e krijuar për një shlodhje të jashtëzakonshme të brendshme, e cila nuk mund të përshkruhet me fjalë, por me një ndijim të veçantë…
Natyrisht se fuqinë e atij ndijimi të veçantë, që e kishte hetuar, por edhe përjetuar para tridhjetë vjetësh, pikërisht atëherë kur në sheshin e madh kishte parë monumentin e Skënderbeut, fare të qetë, por tejet krenar, që me shikimin e përhumbur mbizotëronte në atë hapësirë nëpër të cilën para më shumë se pesë shekujsh kishte kaluar, e kishte ndier edhe pas tridhjetë vjetësh dhe ajo sikur i kishte ardhur nga ajo brendi, ku ishte ushqyer dhe ruajtur me fanatizëm të madh, si diçka e paprekshme dhe e përhershme, që asgjë nuk mund ta shpërqendronte, me të cilën, jo vetëm mbrohej nga çfarëdo shqetësimi i arsyeshëm, ose i paarsyeshëm, por që do t´i ndihmonte edhe më tutje ta ruante bindjen e betimit “Shqipëri, tungjatjeta…”, që i ngjau se refreni i masës “me ty jemi sa të jetë jeta…”, sikur i ishte kthyer në refren personal dhe tashmë po i vinte “me ty jam sa të jetë jeta…” si “Shqipëri, Liri, Perëndim…”, krejt një, dhe se ky shndërrim nga jemi në jam, paraqiste më shumë se një mënyrë të të folurit që ndërron nëpër veta, përshtypje kjo që përballë asaj zagushie të jashtëzakonshme, të cilën mundohej ta parandalonte a ta përjashtonte fare nga mendja, po sikur nuk ia dilte dot, kishte rëndësi të madhe, meqë nuk ishte fjala vetëm për një alternim të thjeshtë gjuhësor të mënyrës së të folurit, por për diçka më shumë, që qet në pah pikëpamje të tjera, mbase qenësore, të cilat mund t´i duheshin atij të menduari në rrethanat e reja, kur refreneve të betimit për dashurinë e përjetshme dhe të ngjashme, sikur ua zënin vendin sjelljet e drejtpërdrejta jetësore, pa idealizime dhe himnizime, të cilat jo rrallë rrudhen deri në kërkesën: “Sa më do, aq të dua…” Ose, edhe më ndryshe: “Sa më jep, të jap…”
Të menduarit rreth alternimit të fundit sikur e tmerroi. Ndaj, për ta mundur atë gjendje nisi të thotë atë “…me ty jam sa të jetë jeta…”
gjithnjë duke e përcjellë me atë “Shqipëri, ah Shqipëri”, fillimisht sikur t’i drejtohej dikujt që e kishte brenda, por edhe pranë, dhe këtë nisi ta përsëriste dhe ripërsëriste sikur të kërkonte që tundimi i kësaj thirrjeje betuese të përfshinte çdo gjë dhe çdo skutë, sado larg qoftë: aty, përtej dhe gjithandej…
Dikur, madje, iu bë se çirrja “Shqipëri, ah Shqipëri”, po i dilte nga qenia e tij dhe i gjithë trupi dhe se po i kthehej në një klithmë lemeritëse, në një gjëmë, që synonte të mbërthente gjithë sheshin e hapur, ku derdhej shikimi i ngrirë i Skënderbeut në monumentin e madh në bronz, të cilin, nga kafeneja e platesë së Teatrit të Operës dhe të Baletit, pikërisht aty ku para tridhjetë vjetësh kishte përjetuar fuqinë e këngës “Enver Hoxha, tungjatjeta…”, që aty për aty i ishte kthyer në betimin “Shqipëri, (apo Antikë, Perëndim), tungjatjeta…”, mezi po e hetonte, dhe ndodhte kështu ngaqë mendja i thoshte se ishte një zallahi e madhe, që kishte mbërthyer ajrin përreth deri te kodrat e Dajtit dhe më tutje, madje, e cila sikur synonte që pushtetin e mjegullës ta përhapte në të gjitha anët, sa të mbulohej çdo gjë e saj për ta shpërfillur fare…
“Kjo nuk duhet me u lejue”, deshi të thoshte me mendjen tek ajo perdja e mjegullt që i dukej se gjithnjë më shumë po i qepej përpara që t´ia kthente atë shqetësim e thellë, që e kishte hetuar vite më parë, kur në ditarët televizivë dhe në faqet e gazetave kishte parë ato skena rrëqethëse të shpërthimit të njëfarë mllefi të vetvetishëm, me të cilin veprim rrënohej gjithë ç’ hasej përpara, sikur të kishte arritur edhe përmasat e njëfarë vetëzbrazjeje shfrenuese, së cilës pastaj, nga anash, por edhe nga larg, i ishin shpjeguar gjoja edhe arsyet gjithfare dhe madje i ishin parë edhe ngjashmëritë dhe të tjerat, me të cilat ishte bërë përpjekje që ajo, e cila ato ditë pasqyrohej ashtu, të lidhej me prirje çmendjeje, që vijnë nga sëmundje të fshehta shpirti, të cilat janë tejet të rrezikshme, ngaqë përhapen shpejt dhe janë në gjendje të përfshijnë edhe të tjerët, dhe çmos tjetër…
Edhe atëherë, si edhe më vonë, nëpër ato çaste tepër të rënda, nëpër të cilat kishte kaluar, në vend se të thyhej, në vend se të shpërqendrohej, apo edhe të hiqte dorë nga bindjet që i vinin nga ajo thellësi e brendshme, që ta kishte më të lehtë dhe të gjithën madje ta quante pjesë të një iluzioni të paqëndrueshëm, i ishte kthyer betimit “Shqipëri, tungjatjeta, me ty jemi sa të jetë jeta…”, që e kishte sjellë dhe përsjellë në vete si diçka me të cilën ngrihej në një pikë, ku i bëhej se qëndronte i paprekshëm, gjë që atë ndjenjë dhe atë përvijim i ngjau ta hetonte edhe çastet kur sërish ishte aty dhe nga plateja e kafenesë së Teatrit dhe të Baletit kishte përfshirë me shikim atë hapësirë që dikur i ishte shfaqur me atë ajrin që i ishte dukur ndër më të shëndetshmit në botë, por që tash betimi për Shqipërinë sikur po i vinte në njëjës dhe ajo “jam”, në përçapje e sipër, po i zgjatej e stërzgjatej, sa të ndjehej si një përplasje e shkëputur, e cila duhej të nxirret sa më parë që ashtu ta shprishte atë vellon e paqartësisë dhe të mjegullës, e cila në atë pikasje sikur i përhapej pandalshëm, por që ajo, në pamundësi lirimi, mbetej në qarkun e asaj lëvizjeje të brendshme, e cila pak nga pak sikur po ia bënte të ditur se e gjitha mund t´i kthehej në një shprishje fanitëse, që mund të përfundojë me një zbrazje, sa të ndjehet fare i paqenë…
I përballur me atë gjendje, nëpër të cilën i dukej se gjithnjë më tepër mbërthehej, sesi iu tek të ngrihej dhe të merrte vrapin gjithandej sheshit, që t´i afrohej sa më parë përmendores së Skënderbeut dhe të bënte çmos të parandalonte përhapjen e asaj perdeje të mjegullt, të cilën sikur e kishte parë dhe kishte përshtypjen se ajo gjithnjë më shumë po ia pushtonte fushëpamjen, pikërisht atë që para tridhjetë vjetësh, por edhe tash e kishte pikasur dhe e kishte parë si diçka të shenjtë, përfytyrimit të së cilës duhej nënshtruar të gjitha, pa përjashtim…
Dhe, në atë vrapim marramenthi, që i dukej i pafund, ngaqë shihte se hapësira midis monumentit të Skënderbeut, i shfaqej thuajse e paarritshme, një hapësirë e mbushur me gjithfarë hijesh të lidhura paqartësish mes vete, kishte nisur t’ia thoshte asaj kënge “Shqipëri, tungjatjeta, me ty jam sa të jetë jeta…”, që në atë maratonë të pandalshme fare i vetmuar, i ishte kthyer në klithmën lemeritëse “Shqipëri, ah, Shqipëri”, që dikur i kishte kaluar në një shterim të shurdhët, në një si ngulfatje. Kjo jo vetëm që nuk e kishte ndalë, por i shkallmuar fare, kishte vazhduar drejt Skënderbeun, pale se mund të merrej i përqeshur dhe i krisur nga ata që nuk e kuptonin ç’i ziente përbrenda…
Bon, 2002.
(Nga “Jeta lakuriqe”, Prishtinë, 2009)