Hijes
Hijen unë e shoh ndryshe, në fakt si një dritë prej së cilës për arsye të panjohura i është larguar ajo, pra si një ish dritë. E kanë bërë këtë pa pëlqimin e saj?-( gjë e cila është një hipotezë që mund të merret në konsideratë për mendimin tim), apo është larguar vetë për kushedi çfarë arsyesh këtë nuk mund ta di.
Mbase e lodhur, e pakënaqur, e mërzitur apo velur e bezdisur aq sa po i tjetërsohet vetë jeta, vendos të heqë dorë. Kështu për shumë arsye nuk mund ta shoh një hije si shumë të tjerë;
Si pjesa e errët, e padukshme dhe ziliqarja e dritës!
Ndonjëherë mund të jetë dhe e kundërta. Si në rastin e të vërtetës e gënjeshtrës. Ku gënjeshtra e mashtroi dhe e la lakuriq të vërtetën në sytë e botës duke e bërë të ndjehet në një turp e pasiguri të përjetshme.
Ose si në një film vërtetë të dhimshëm e të frikshëm të parë dikur. Dhe pse mund të jetë bazuar thjesht në imagjinatë të pastër, më la një shije të hidhur!
Me magji dhe mashtrim një çift bënin të mundur t’u merrnin rininë e freskinë të rinjve pasi i piketonin e ngatërronin në kurthet e intrigat e tyre. Nuk i harroj çastet kur ndodhte këmbimi, vajza dhe djali bëheshin pleq dhe rinia e tyre u kalonte dy mashtruesve. Kishin disa breza që bënin të njëjtën gjë, askush nuk i ndaloi.
**
Ngjarje e trishtë, se di pse dhe ku është ngjashmëria me hijet e mia, por ja që m’u kujtua tani. A nuk ka ndodhur dhe në sa raste të tjera kur trillimet u kanë paraprirë ngjarjeve të mevonshme?
E pse mund të mos jetë kështu dhe në këtë rast? Jo më kot ajo nuk i ndahet dritës, as drita nuk e përzë!
Mbase është ajo e ndëshkuara të cilës i kanë marrë më të mirën. Mundet të jetë pjesa më e shëndoshë e saj. Dhe mund t’i takojë me të drejtë të kërkojë atë që i takon dhe pa të cilën nuk mund të bëjë. Dhe unë nuk kam frikë prej hijes.
Por dhe ju mos u trembni. Thjesht mundohuni të viheni për një çast në vendin e saj! Dhe pyetjet ndjekin njëra tjetrën;
Çfarë fshihet në këtë mes? Cila është në fakt historia dhe e vërteta? Përse ajo vazhdon ta ndjek dritën ngushtësisht dhe pa ndërprerje?
Dhe drita përse e lejon këtë?
Mbase se s’mund të bëjnë dot pa njëra tjetrën, ose janë të detyruara nga ndonjë pakt a kompromis i fshehtë?
Këtu ka diçka, mbi të gjitha një mister! Ah sikur të mund ta zbuloja ose të paktën t’i afrohesha sadopak. Kjo para se të jetë vonë dhe një ditë të jemi në vendin e saj të shohim me dhimbje sesi të tjerët kalojnë indiferentë pa dashur të dinë asgjë mbi të vërtetën tënde.
Me sytë drejt dritës dhe pse ajo mund të jetë verbuese mashtruese e zhurmëmadhe.
Mund të mos jetë siç duket, kushedi çfarë fshihet më në thellësi e brendësi. Këtë ma thotë ajo e bekuara, shqisa e gjashtë. Është e vetmja që shpesh më orienton drejt së vërtetës.
Ok flm
Eureka
Prej një kohe të gjatë isha vetëm. Gjithmonë ndodhte diçka dhe unë sërish në vend numëro.
Ndodhte që të besoja se kësaj here rashë kokë e këmbë në dashuri. I egzaltuar mendoja se ja, kjo ishte ajo që më duhej, më së fundi.
Kjo vazhdonte derisa takoja familjen e saj, ku ndjeja se diçka përmbysej e zvetënohej.
Zonja plakë që ishte kandidate për t’u bërë vjehrra e ardhmshme, ngjiste shumë me të bijën. Dhe nuk më shkonte as nëpër mend se në të ardhmen e bija do përfundonte si ajo.
Ishte e frikshme ajo pamje qe fanarepsej pa dëshirën time. Kjo s’kishte të bënte me plakjen e lëkurës vyshkjen e tharjen, as me rrëzimin në të poshtë dhe dorëzimin përballë kohës e forcës së rëndesës.
Kishte më shumë të bënte me të përbrendshmen, atë që nuk duket fillimisht por me kohë vuloset në portret përfundimisht. Shpirt i vrarë, kufomë e gjallë që si hije vjen rrotull.
Fytyrë e sheshtë sikur një tren ta kishte vulosur e rrafshuar, mjekër e shumëfishtë faqe të fishkura plot rrudha si rrush i tharë dhe i mykur, nga mungesa e kujdesit dhe dashurisë, sy të pangjyrë, të pa ushqyer me agime, ngjyra e ylbere, gojë të hidhur me buzë të shtrembra tek flasin fjalë pa kuptim, mustaqe jo vetëm mbi e nën buzë por të mbjella gjithandej në mënyrë të çrregullt nga një dorë e pakujdesshme. Portret që nuk ngjiste aspak me atë që do doja të kisha pranë.
Në rast tjetër ishte kandidati për vjehërr ai që më kishte futur datën!-Sy inatçorë e të pabesë, zgavra të futura thellë si për t’u mbrojtur nga armiqësia e atyre që mund të kishte bërë në jetë.
Larg qoftë të dënosh veten me vullnetin tënd të lirë! Kështu kisha ikur nga sytë këmbët, pa kthyer as kokën pas. Po si mund të shpëtosh prej kësaj gjendjeje?Ç’duhej bërë se dhe vetëm nuk mund të rrish? Mos e ka fajin dashuria ime e munguar që i zhvlerëson e shëmton fytyrat?
Thonë se ajo verbon e tjetërson, ku ma gjen të ndodhë kështu. Jam gjithë sy e veshë duke pritur të shoh e gjej atë që më duhet. Mbase diçka do bëhet dhe për mua…
***
Eureka!!! E gjeta!!!
Më së fundi diçka po ndodh!! Ja një vajzë me një buzëqeshje të padukshme siç ma do zemra! Shoh rrotull se mos kushedi, i takon dikujt tjetër por jo, ishte vetëm për mua.
Nuk bënte asgjë për të tërhequr vëmendjen por seç kishte diçka që të zgjonte, një kujtim i ardhur si nga një botë sa e njohur dhe e panjohur njëkohësisht.
Gjeste, profil e veprime të para diku, plot fisnikëri e elegancë gati hyjnore, por dhe diçka e egër e papërpunuar që duket se nuk ka nevojë për asgjë dhe askënd.
Vetëm sjell e jep, sikur i përket natyrës e kohës dhe ja këtë çast ti duhet ta fiksosh jo për të por për të matur vetveten në lidhje me atë që ajo përfaqëson, Kohën.
Të pranishme të 9 portat e bukura të trupit femëror si tek poezia e famshme e Apolinerit. Prej tyre buronte kaq afsh dhe sensualitet, sa dhe pafajësi e butësi! Ja ku isha përballë saj me dëshirë e pasion të papërballueshëm por më ishte dhe kaq e pamundur për ta prekur a shijuar sadopak.
Me shpresën se diku në një kohë e vend tjetër do mund të kurorëzohej më së fundi.
***
Portret me po këtë aureolë, që kërkoja e prisja në realitet e ëndërr. Ajo dhe gjesti që e shoqëroi më vonë; Mbështetja në bërryl dhe dora mbi faqe;
-Kryevepër, e arrirë sot dhe përjetësisht! E hijshme sa dhe fëmijënore, e brishtë dhe e tulatur, priste atë që do ta zbulonte e veçonte.
-Pëllumbesha ime, kështu të dua, në kohë e shekuj, do të fiksoj e përjetësoj në vargje me dashurinë time të pafundme!
-Ti mund të ndryshosh e përsosesh bashkë me tiparet e tua, teksa bëhesh grua e nënë, por do jesh e njëjta që buzëqesh gëzueshëm, mjegullueshëm e trishtueshëm për çfarë ke, dëshiron, apo ke humbur. Ripërtëritja dhe ringjallja janë pjesë e atij portreri, ajo që i mungon shpesh një të gjalli. Që i gërryen rrudh e plak. Kaq ndjellëse e rrëzëllitëse bashkë me enigmën tënde të padeshifruar. Vetëm ata që kanë provuar dhimbjen dhe gëzimin e thellë që mund të sjellë dashuria dhe humbja e saj, të kuptojnë e humbasin mbas teje. Ti je si një Tokë jo thjesht grua, ke thellësinë, pafundësinë dhe përjetësinë në gji si vetë ajo.
-Je e dashura ime, e sprovuar në lot e dhimbje, e munduar nga djajtë por e pavdekshme dhe e pamposhtur tek pret bekimin që të takon!
***
Jam unë autori i kësaj vepre të madhërueshme e të pakapshme, të papërkufizuar siç duhet nga vetë pamjaftueshmëria e fjalës dhe mendjes së njeriut të sotëm.
Kohët që do të vijnë me dimensione të reja do ta lartësojnë e hyjnyzojnë siç mund të ndodhë me të përjetshmen e të paimagjinueshmen. Ashtu si Leonardo ishte i Mona Lizës së tij,
Homeri i Helenës dhe Shekspiri i Zhuljetës.
-Unë ndjehem me fat dhe i lumtur sepse Ti je Nëna, bija, motra, gruaja, je Perëndeshë e hyjneshë, toka ime që pret farën, pjellore e bukur, e magjishme si askush. Mbretëron si vetëm ti di të bësh, të jetosh e shndërrohesh por të mbetesh vetvetja. Shpirti im dhe dashuria ime do të ruajnë e mbajnë të paprekur e të pandryshuar. Dhe unë i dashuri yt, mbas kësaj, i vetmi në jetë të jetëve pres të gëzoj lumturisht bashkë me ty!
Asaj
Trupi i saj është kaq elegant, gati i tejdukshëm, aq sa i përngjan një reje. Dhe pse prej kohësh më është larguar, më duket sikur e shoh atje lart. Është ajo reja e bardhë dhe e bukur mbi det.
Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Një si ajo s’ka si të rrijë gjatë këtu poshtë. Mundohem ta kuptoj dhe pse më dhemb largimi.
I mbani mend çastet me mjegull? Kujtoni sa bezdisëse mund të jetë ndonjëherë prania e saj? Sidomos në një udhëtim me makinë. Mbase vjen për ndonjë peng a merak, por unë dua të besoj se ka qëllim të mirë. Mbase për të na kujtuar diçka, romantizmin e harruar dhe lidhjen me natyrën. Kështu siç jemi lëshuar kokëposhtë të zhytur në qorrollepsjen e radhës, tek shtyjmë ditët të kapur si në kurth nga realiteti mbytës, mes monotonisë, kotësisë e përhumbjes. Ndërsa bëjmë këtë largojmë e lëmë pas dore bukurinë. Ja ku jam me zemrën që më rreth fort, porsi një fëmijë që qesh e lodron, përplas doçkat tek përpiqet të kapë e bëjë për vete atë që nuk mund të preket e përvetësohet, përveçse të adhurohet. Me të vërtetë mund të harrohesh e lumturohesh.
Kjo vello e argjendtë i zbukuron kryet dhe kristalet ja lagin mollëzat me bulëzat e pikëzat e diamantëta mbi e nën të. Është e njëjta mjegull, që dikur zbutej e lëshohej nën vështrimin e buzëgazin tim, lotonte me çdo pjesë të trupit të përbërë prej drite dhe ëndrre. Forma që më lënë ende pa mend.
Dhe erdhi një ditë kur u lëndua, ngriu dhe u tendos si tel violine gati për tu këputur, duke më bërë xheloz aq sa desh u çmenda nga ngurtësimi i saj.
U largua dhe që atëherë nuk u kthye më as ajo dhe asnjë mjegull tjerër, shpesh i shoh që shfaqen aty lart në oqeanin e qiellit, për të më kujtuar sesa i braktisur dhe vetëm jam. Asgjë nuk e lidh më këtu poshtë ose të paktën jo direkt. Lodron, tërhiqet e lëshohet bymehet e tjetërsohet dhe unë veçse mund ta ndjek me sy të malluar, pa guxuar ti bëj ndonjë shenjë, me mendje e vesh dhe e zhvesh, i vë dhe kurora, fustane ballosh por guxoj ndonjëherë dhe fustan nusërie.
-Cili do ti shkonte më shumë? Kaq sensuale e brishtë dhe e pafajshme por dhe kaq perverse!
I përngjan ndonjëherë dhe një embrioni a më mirë fetusi në barkun e nënës, fotografuar në një qëndrim akrobatic dhe dëshirë ndjellës, e përkryer kjo ndjesi sa asnjë i rritur nuk do të ishte në gjendje ta bënte. Pa ndërgjegje e perceptim, pa qenë ende një individ, por thjesht një impuls, duke i paraprirë dhe vetë ndërgjegjes. Duket sikur tallet me të gjithë të turpshmit e devotshmit dhe lë pa fjalë dhe më perversin mes mjekëve e shkencëtarëve. Por ka dhe ditë në të cilat ato qajnë e derdhin lotët rrëke dhe unë që mbytem e varrosem nën ujëvarat e tyre. E çfarë mund të bëj me këtë dashuri?
Mbi tokë a përmbi re, në këtë botë a jashtë saj, ajo mbetet dashuri. Dhe askush s’mund të ma ndalojë e kontrollojë. Kështu shpesh më duket se jam në botën që dua me atë që dua.
Shtëpia në kodër
Ajo ishte një shtëpi e veçuar, mes gjelbërimit dhe larg prej gjithçkaje tjetër të ngjashme.
Dukej sikur ai që e kishte ndërtuar nuk dëshironte të kishte shumë lidhje me njerëzit e tjerë të zakonshëm.
Mbase donte të ishte sa më pranë krijuesit, ndaj kishte zgjedhur dhe këtë majë kodre. Por kjo mund të bënte dhe efektin e kundërt për banorët e saj, të ishin dhe më të sulmuar nga sfiduesi i tij, Djalli.
Kishte kaq shumë bukuri e magji në atë peisazh sa të bënte të harroheshe.
Ishin tre vëllezër dhe i madhi i tyre shquhej për burrëri e mençuri. Kishin ardhur që nga larg, nga Çamëria për t’u vendosur këtu për kushedi çfarë arsye. Erdhën plot e përplot saqë thoshin se sollën dhe mushka të ngarkuara me flori.
Ishin të kamur dhe njëherësh bujare sa s’gjendeshin të dytë. U martuan dhe morën nuse nga dyert më të mira të fshatrave rreth e rrotull.
Shumica e arave, burimeve, ramive, lëmenjve e bagëtive ishin te tyre, gjithë ato pasuri e ai bollëk nuk mbahej mend të kishte parë ai vend.
U shtuan shumë dhe me krushqi të panumërta.
Askush nuk mbetej pa përfituar nga bujaria e tyre. Sapo merrej vesh se filani apo fisteku nuk kishin korrur të mbjella të mbara, ose ujku i kishte çarë lopën, do të vinte që me natë qumështi dhe buka e porsa nxjerrë nga furra. Dhe shpejt thesi i miellit dhe bagëtia në formë borxhi, me plot respekt për të mos e bërë të ndjehej keq fukaranë e shkretë.
Kështu jeta vazhdonte rrjedhën e saj të qetë dhe të zakonshme e pacënuar nga lajmet e semundjeve e luftrave që ndodhnin diku larg.
Ato ende mbeteshin vetëm lajme e histori. Por asgjë e mirë nuk mund të zgjatë përjetësisht në këtë botë.
Si kudo një ditë fatkeqësitë filluan të trokasin njëra pas tjetrës.
Dhe siç thotë populli i mençur, nëse është kështu, nuk mbetet veçse t’u hapësh derën se ato mund të hyjnë nga se pret.
***
Ishin vitet kur kolera po bënte kërdinë në shumë vende të botës. Mesa duket ndonjë karvan që sillte e merrte mallra e bënte tregëti e kishte sjellë në këto anë.
Dhe sfiduesi i Zotit që kishte kohë që bëhej gati për të bërë atë që di më mirë, të sjellë fatkeqësi e vdekje, nuk vonoi të bënte kërdinë në këtë vend. Dhe zgjodhi, të vrasë me anë të kësaj sëmundjeje, nuset e gratë
e familjes. Krijuesi për arsye që nuk dihen e lejoi që të ndodhte.
Veç në një ditë u përcollën 6 tabute nga ajo derë. Nëna la birin pa gji, nusja i la thatë shtratin burrit të porsamartuar. Dhe mbeten këta burra të vetëm me fëmijë kërthi dhe pa gra mes punëve të panumërta. Ishte shumë e vështirë që të përballohej kjo mynxyrë. Një dorë e fuqishme e kishte ndryshuar përgjithmonë fatin e kësaj familjeje.
Shpejt u martuan për së dyti por kësaj here pa pyetur se kush futej tashmë në shtëpi.
Njerkat qëlluan të serta e armiqësia mes tyre shtohej çdo ditë e më tepër.
Fëmijët e gjetur po rriteshin jetimë dhe thuhej se ato po ua lanin të ndenjurat me fshesë, u hidhnin të hanin bashkë në një vend me bagëtitë.
Punët u lanë mbas dore, çdo gjë po merrte rrokupujën. Secili kishte dhimbjet e brengat e tij dhe asnjë nuk mund të shikonte përtej tyre.
Dukej sikur një mallkim i kishte goditur papritur ndaj të cilit ishte e kotë të ngrije krye. Kështu, një ditë të
bukur nuk kishte mbetur më asgjë.
Thonë se plaku i shtëpisë e humbi krejt mendjen dhe dilte nëpër dëborë me sandale ku gishtat e palarë tmerronin këdo që e shikonte. Varfëria e pllakosi këtë familje.
Një ditë, të gjithë anetarët e saj, të njohur ose për lavdinë ose fatkeqësinë e tyre, ishin larguar, dikush i përcjellë për në varreza, të tjetë për të bredhur rrugëve si lypësa ose të pastrehë. Vetëm një nga nipërit pati një fat të ndryshëm. Një kushëri i largët e mori me vete shumë larg.
U shkollua u rrit dhe u burrërua ky djalë. Por kokën e kishte gjithmonë pas në fshatin e lindjes së të parëve ku tani kishin mbetur vetëm rrënoja.
Dhe një ditë u kthye bashkë me nusen e tij të bukur.
Shpejt rindërtoi shtëpinë e të parëve të tij, bile më të madhe dhe hijerëndë se më parë. Ju kthye jeta dhe hijeshia asaj pllaje e kodre.
Stili i saj i veçantë për këto anë linte gojëhapur këdo që i binte rruga aty rrotull. Linden tre djem dhe një vajzë të hijshme sa shoqe nuk kishte.
Fëmijët rriteshin, mbaresia ishte rikthyer sërish sikur të mos ishte larguar kurrë. Gjithçka e keqe që kishte ndodhur kishte mbetur në të shkuarën. E sotmja rridhte bukur e lirshëm mes harmonisë e freskisë.
Prishej herë herë kjo qetësi nga zënkat mes vëllezërve që shpesh lojërat i kthenin në beteja të vërteta.
Ishin vëllezër por aq të ndryshëm nga njëri tjetri saqë dukej sikur nuk kishin asgjë të përbashkët.
***
Por kjo qetësi nuk do të zgjaste shumë. Për kushedi çfarë arsye të panjohur, e keqja do të trokiste në këtë derë. Vajza e shtëpisë e bukur sa shoqe nuk kishte, u dashurua me një endacak grek që shpesh kalonte atyre anëve.
Vinte nga përtej kufijve duke kërkuar punë e fat. Ishte i bukur sa çdo femër që e shikonte, pa dashje e hante me sy dhe fillonte e ëndërronte për atë shtat dhe bukuri sikur të ishte princ e shkuar princit. Por dhe ai u dashurua me vajzën e vetme.
I kishin parë në pyll diku afër shkëmbit përkarshi shtëpisë se vajzës. I shkoi në vesh të atit dhe më vonë ndodhi hataja;
-Vajza e tij me këtë endacak brekëgrisur? Të pafe pa din e pa iman? Sytë ju errën aq sa nuk kishte më lidhje me atë burrë të mirë e të bredhur. Djalli e kishte bërë punën e tij më së miri;
E kishte qëlluar me sopatë për vdekje vajzën e tij, kur ajo e kishte kundërshtuar. Duart e saj i gjetën të copëtuara tek ishte munduar të pengonte e të mbrohej nga goditjet.
Dhe një çast më vonë kur kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur, i iku mendja përfundimisht. E futën në burg, por gjendja e tij sa vinte e keqësohej. E liruan mbas disa muajsh mbasi e kishin parë si të pashpresë dhe të kotë për ta mbajtur të mbyllur më gjatë.
Kishte marrë fund me gjithçka dënimi dhe dëmi që i bëri vetes ja kalonte çdo ndëshkimi të mundshëm.
Lëngoi pa ngrënë e pirë derisa një ditë u largua me emrin e së bijës në gojë.
Mbas tij dhe e shoqja nuk e pati të gjatë. Nuk u mbyll viti dhe ajo u bashkua me ta. Mbas kësaj djemtë morën rrugën dhe u larguan në kurbet.
Thonë se ikën në drejtime të ndryshme për të mos u takuar më kurrë.
Një nga lindja, tjetri në jug dhe i vogli në veri si më i sertë e inatçi që ishte.
Shtëpia mbeti e shkretë dhe sot e kësaj ditë askush nuk guxon të afrohet aq më shumë ta rindërtojë e banojë në të. Janë rrëzuar tavanet, muret, shkallët e ngurta.
Ju dorëzua kohës më së fundi pasi priti gjatë mos ndonjë trashëgimtar i guximshëm kthehej një ditë.
Është aty në kodër mes gjelbërimit e shkretimit, gëlojnë në të gjarpërinj e akrepë.
***
Historinë e kësaj familjeje e di kushdo në ato anë. Është treguar e ritreguar, ka kaluar gojë më gojë diku duke shtuar, diku duke hequr diçka.
Aq sa sot nuk dihet saktë se cila pjesë është e vërteta dhe cila e trilluar.
Por disa thonë se i pari i tyre ishte shpërngulur nga çamëria sepse kishte vrarë një gjarpër të stërmadh, atë të shtëpisë. Mallkimi për këtë, i vërtitej mbi kokë duke e trembur për vdekje për fatin e mëtejshëm të fëmijëve të tij.
Për ti ikur atij kishte ardhur në këtë fshat buzë kufirit. Por Djalli sheh larg dhe nuk është me kot mbreti i kësaj bote.
Sidomos vitet e fundit ai është egërsuar më shumë dhe në panik e ankth, do sa më shumë viktima.
I kurdis si orë me zile, disa të tjerë si bombë me sahat deri në momentin që i del flaka dhe fatkeqi ka provuar në lëkurën e tij gjithë ligësinë dhe pabesinë. Nuk mbetet gjë tjetër për banorët e tokës të shpresojnë se një
ditë sundimit të tij do ti vijë fundi. Dhe duke u lutur që ajo ditë të mos jetë shumë e largët.

