Gazeta Nacional Albania

U NDA  SOT NGA JETA SHKRIMTARI SHEFKI KARADAKU. Nga Xhevat Mustafa

U NDA  SOT NGA JETA SHKRIMTARI SHEFKI KARADAKU

 

 

 

Shefki Karadaku, një emër i spikatur në letërsinë dhe kulturën kombëtare

 

Ditën e martë, më 16 mars 2021, pushoi së rrahuri nga një sëmundje e përshpejtuar, jo nga Covid 19, zemra e Shefki Karadakut, një nga krijuesit më prodhimtarë e më cilësorë të letërsisë shqipe, në poezi dhe prozë, në gjinitë e tregimit, novelës dhe romanit. Ai u lind në Elbasan, më 9 qershor të vitit 1941, në një lagje tradicionale. Shprehja qysh në fëmjëri e adoleshencë e talentit  për letërsi , përcaktoi dëshirën dhe vendimin  që të vazhdonte studimet e larta universitare  për gjuhë e letërsi. Vitet e studimeve universitare  e ndihmuan për të rritur  dhe për konsoliduar talentin si dhe për të botuar vjersha me nivel të spikatur dhe premtues, qysh herët  në shtypin letrar të viteve 1960/1970. Ai u vendos në Tiranë që kur ishte ende në vitet shkollore dhe, pas studimeve universitare, filloi punë si redaktor në revistën prestigjioze “Ylli”, e cila, për koicidencë i kishte zyrat e redaksisë në Rrugën e Elbasanit, pranë Urës së Tabakëve. Prandaj, në asnjë libër poetik të tij, nuk mungon Elbasani. Karadaku është si ajo kumria që s’e tradhtoi kurrë qytetin e lindjes…Po kështu, edhe Kosovën, Karadakun e origjinës së të parëve…

 

Do të dal në rrugë/ Të kap një makinë çfarëdo/ Të hidhem në vendlindje/ Që zemërohet kur s’më sheh…

 

Vitet e punës në revistën “Ylli” i dhanë shansin dhe mundësitë të botojë cikle me poezi, që tërhoqën vëmendjen dhe vlerësimet e kritkëve letrarë e të lexuesve elitarë . Për poezinë e Shefki Karadakut janë prononcuar me vlerësime pozitive kritikët dhe shkrimtarët me emër që nga Kadareja, Sterio Spasse, Perikli Jorgoni, Llazar Siliqi, Dritëro Agolli, Adriatik Kallulli, Xhezair Abazi, Faslli Haliti, Roland Gjoza, Petraq Risto…Poeti dhe shkrimtari   Shefki Karadaku, sipas artikujve studimorë nga shkrimtarë dhe kritikë letrarë shqiptarë, mes të cilëve edhe Leonard Veizi, Konstandin Dhamo, e tj, e nga të huajt, si studiuesja gjermane Erika Beerman, portretizohet si një nga shkrimtarët e spikatur të kohës. Ai vlerësohet prej tyre jo vetëm për anën sasiore të titujve dhe veprave, por mbi të gjitha për anën cilësore, për origjinalitetin dhe individualitetin. Një studim më konkret  e më të gjërë për krijimtarinë e tij e gjejmë te libri “Absurdi mbretëror” – (Shënime kritike, ese, këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut), në të cilin autori i 38 veprave letrare në prozë e në poezi, deri në atë kohë, portretizohet si një nga shkrimtarët më të  shquar të kohës së tij. Tek ai u vlerësua lirizmi, pasuria dhe natyrshmëria në motive e subjekte,  siguria  në tematikë, pasuria estetike, sidomos në  lirikën shqipe të dashurisë. Pas viteve 1990, në prozën e gjatë, në novelat dhe romanet, Shefkiu spikati dhe u afirmua për  kurajon, realizmin kritik, jo socialist, për zhdërvjelltësinë dhe mprehtësinë tematike, për karakteret  me individualitet dhe besueshmëri, për figuracionin e pasur dhe simbolikën, që të shtynte për vramendje e reflektim…

Në fondin krijues të këtij autori gjen një mori veprash që përcjellin emocione të freskëta,  origjinalitet të këndshëm e të besueshëm, plot humanizëm, mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie dhe dhembshurie njerëzore.

Sipas recensionit të shkruar nga Leonard Veizi, me titull “Shefki Karadaku, poeti që ka hyrë me dinjitet në letërsinë shqipe”, botuar në gazetën FJALA, më  27/06/2020, “…Karadaku erdhi në letërsinë shqipe me poezi të lirikës së ngrohtë dhe frymëzuese, jo aq në kuptimin social të fjalës, sesa në atë të rebelimit gjuhësor dhe tematik. Përqafimi i modernes, me respektimin e mjeteve poetike të gjithëkohshme, gradualisht e bëri poezinë e tij të kthjellët në strukturat e saj, të ndjeshme ndaj formave poetike të tilla, si ndaj vargut, rimës, kadencës.

Kështu, respekti ndaj një tradite poetike shqiptare e botërore u gërshetua me risitë, duke u dhënë kristalizim të dyja prirjeve të tij rinovuese, asaj në gjuhë dhe asaj në përmbajtje. Ndër të paktët poetë që refuzuan ta shkruajnë poemën sintezë – një hibrid letrar i diktuar dhe promovuar zyrtarisht – Karadaku preferoi të shkruajë lirika të lidhura me fije tematike, duke i bërë vëllimet e tij, nga pikëpamja kompozicionale, poema fragmentare…

Begatia gjuhësore, figurative, e  imazheve, e individualizoi dhe shquajti në  stil, duke shprehur me3 siguri dhe nivel të lavërueshëm artistik  një mënyrë të re  të vështruarit të botës, krijimin e një realiteti të ri, krejt origjinal, krejt vetjak. Me këtë prirje moderne lidhet prania e elementeve specifike formale të vjershërimit në krijimtarinë e tij, me vargun e lirë e të shpenguar, me dendurinë e figurave të befta e deri ekstravagante, me tendencën pothuaj obsesive për një ligjërim jostandard, jotradicional.

Ky modernitet, do të gjejë shprehjen e vet, veçanërisht në zbulimin multidimensional të psikikës dhe shpirtit të njeriut, pra, duke e parë atë në mënyrë komplekse, ku gërshetohen racionalja dhe irracionalja, të njohurat dhe misteret, ana sociale dhe biologjike e njeriut. Janë metafora të atilla, që, siç thotë një teoricien i sotëm i shquar, “qëndrojnë pikërisht në pikën ku prodhohet kuptimi në të pakuptimtën…”.

Karadaku është një nga përfaqësuesit më të spikatur për gjininë e lirikës ku absorbohen përvojat e poetikave tradicionale me ato moderne e avangardiste evropiane dhe realizohet kundërvënia ndaj traditës letrare. Tipare të futurizmit, ekspresionizmit, surrealizmit, madje dhe krepuskolarizmit janë përthithur dhe pasqyruar në poetikat e këtij autori.

Ndërthurja e tyre me përvojat individuale ka sjellë një poezi të re që u përgjigjet ndryshimeve të shoqërisë shqiptare, si dhe kërkesave të vetë sistemit letrar shqiptar.  Nga veprat e tij më të njohura përmendim: “Një mijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, “Garderoba e ofiqarit gri”, “Puthja e ngrirë”, “Apokalipsi i gjetheve”, “Argonautët ose 100 ditët shqiptare që tronditën botën”, “Sagë mbretërore” etj. Karadaku është poet dhe shkrimtar i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore, poet i problemeve historike dhe shoqërore.

Vëllimi poetik më i fundit “Trokas” përshkohet nga një fill i hollë lirike dhe malli prekës për vendlindjen e tij Elbasanin. Poeti grish lexuesin për humanizëm në emër të dashurisë, mirësisë e urtësisë. Shkrimtarë si Karadaku, të cilët kanë sjellë risi të padiskutueshme në letërsinë tonë, meritojnë gjithmonë vëmendje. Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera evropiane.  Edhe pse ishte një nga shkrimtarët më me shumë tiituj veprash të botuara, më të shquar e më të lexuar, sidomos pas vitit 1990, kritika  letrare, Bashkia e Elbasanit, Ministria e Kulturës, Ministria e Arësimit, Presidenca…nuk i kushtuan vëmendjen dhe nuk i dhanë vlerësimin  që meritonte….Ndoshta , sepse nuk bënte pjesë në listën e shkrmtarëve, që kishin lënë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia…? Ndoshta, sepse nuk  iu bashkua si mbështetës fanatik  asnjerës prej partive kryesore? Ndoshta, sepse pati guximin që në novelart dhe romanet e tij të vinte gishtin në të këqijat e shumta të diktaturës e pas vitit 1990, në plagët politike e sociale të tranzicionit dhe të demokracisë allashqiptare?

Më 16 mars 2021 familja Karadaku ka humbur njeriun e saj të dashur dhe që e bënte të ndjehej krenare. Ndërsa letërsia dhe kultura kombëtare kanë humbur një nga autorët e saj më të shquar, kur mund t’i jepte akoma vepra të tjera, edhe më cilësore artistikisht dhe më të pasura emocionalsht. Shefkiu u shua vetëm fiziksht. Emri, veprat e shumta e me nivel të padiskutueshëm artistik, i kanë dhënë me kohë të drejtën e denjë të pavdekësisë dhe të prehjes në Parajsë!

 

Po e mbyll me një fragment nga poezitë -hymne të poetit Shefki Karadaku për qytetin e tij të lindjes dhe dashuri e të gjithë jetës, Elbasanin.

***

Ky është qyteti me një mijë bebe

ky është qyteti me një mijë gojë

ky është qyteti me një mijë shprehje

E njoh këtë qytet të butë nga qerpiçi

e njoh këtë qytet të brishtë të dashurisë

e njoh këtë qytet të bardhë e të zi

Para rrugës sime një mijë rrugë të tjera

para dritares sime një mijë dritare shoh

para mendimit tim një mijë mendime të tjerë

Rri e sodis jetën që lind dhe mbaron frymën

rri e sodis dashurinë që lind një botë të re

rri e sodis vdekjen që lind nga dashuritë