Veprimtaria u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, organizuan sot në Tiranë promovimin e romanit “Shtëpia e verdhë”, të shkrimtarit dhe dramaturgut të mirënjohur shqiptar Bashkim Hoxha.
Veprimtaria u zhvillua në orën 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Qendra “Sotir Kolea” (Biblioteka e Vjetër), në sallën e konferencave, një hapësirë me një atmosferë të veçantë, e rrethuar nga koleksione të rralla librash në gjuhë të huaja, të shekujve të kaluar, tashmë në dispozicion të studiuesve shqiptarë.
Në promovim morën pjesë dhjetëra shkrimtarë, studiues, profesorë universiteti, kritikë letrarë dhe miq të autorit.
Veprimtarinë e hapi kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, poeti dhe studiuesi i letërsisë, dr. Mujë Buçpapaj. Ai falënderoi drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Majlinda Toçi, për bashkëpunimin në organizimin e këtij aktiviteti kushtuar një romani që trajton një prej temave më të ndjeshme të historisë së afërt shqiptare dhe të luftës së Kosovës.
Në fjalën e tij, Buçpapaj u ndal te rëndësia e romanit në raport me propagandën, deformimin e së vërtetës dhe përpjekjet për të krijuar narrativa të rreme rreth luftës së UÇK-së dhe popullit shqiptar të Kosovës.
Ai theksoi se “Shtëpia e verdhë” është një roman i Bashkim Hoxhës, i botuar edhe në gjuhë të huaja, në qendër të të cilit qëndron historia e një shtëpie në një fshat të Matit, e cila u bë objekt i akuzave për trafik organesh gjatë luftës së Kosovës.
“Por romani nuk është thjesht një rrëfim dokumentar për ‘Shtëpinë e Verdhë’. Bashkim Hoxha e përdor këtë ngjarje si pikënisje letrare për të trajtuar propagandën, lajmet e rreme, deformimin e së vërtetës, pasojat e akuzave mbi njerëzit e pafajshëm dhe raportin mes faktit dhe trillimit”, u shpreh Buçpapaj.
Sipas tij, një nga veçoritë e romanit është edhe struktura e tij kinematografike, ku ndërthuren një regjisor, një drejtor fotografie dhe një skenar filmi me realitetin ballkanik, duke krijuar një marrëdhënie të veçantë mes filmit, historisë, kujtesës dhe fiksionit. Kjo ndërthurje i jep veprës një ritëm të veçantë narrativ dhe e vendos lexuesin përballë pyetjes mbi kufirin ndërmjet së vërtetës dhe manipulimit të saj.
Në vijim foli kryetari i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, z. Agim Bajrami. Ai u ndal te vlerat artistike të romanit dhe mënyra se si Bashkim Hoxha ndërton një marrëdhënie të ndërlikuar mes faktit historik dhe fiksionit letrar. Bajrami e ka trajtuar më herët romanin edhe në planin kritik, duke vënë në dukje ndërthurjen e fiksionit me faktet jetësore dhe karakterin e veçantë të prozës së Hoxhës.
Shkrimtarja e mirënjohur Flutura Açka vlerësoi dimensionin letrar të veprës dhe mënyrën se si autori e shndërron një ngjarje të ngarkuar me debate historike e politike në një subjekt të mirëfilltë letrar. Ajo u ndal te përgjegjësia e letërsisë përballë kujtesës, së vërtetës dhe përpjekjeve për deformimin e saj.
Studiuesja e njohur Emi Krosi analizoi disa prej veçorive të strukturës narrative dhe mënyrës së ndërtimit të personazheve. Në vëmendje të diskutimit të saj ishte edhe raporti ndërmjet realitetit historik, fiksionit dhe perspektivës së autorit në trajtimin e një teme kaq të ndjeshme.
Kritiku letrar Vladimir Muça u ndal në vlerat estetike dhe stilistike të romanit, duke evidentuar mënyrën se si Bashkim Hoxha ndërton tensionin narrativ dhe e mban lexuesin të përfshirë në zhvillimin e ngjarjeve. Ai e trajtoi veprën edhe në raport me traditën e romanit bashkëkohor shqiptar dhe me prirjen e autorit për të ndërthurur letërsinë me elemente të dramaturgjisë dhe kinematografisë.
Studiuesi i letërsisë Halil Rama foli për rëndësinë e temës së romanit dhe për dimensionin e saj historik e kombëtar. Ai vlerësoi përpjekjen e autorit për ta trajtuar përmes letërsisë një çështje që ka qenë objekt i debateve dhe narrativave të ndryshme gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Studiuesi i letërsisë prof. dr. Astrit Memia u përqendrua në mënyrën se si romani ndërton marrëdhënien mes kujtesës, historisë dhe fiksionit. Ai vlerësoi strukturën narrative të veprës dhe përpjekjen e autorit për të sjellë një këndvështrim letrar mbi një ngjarje që është shndërruar në një simbol të propagandës dhe manipulimit të informacionit.
Studiuesi prof. dr. Ilia Larti u ndal në dimensionin shoqëror dhe kulturor të romanit, duke vënë në dukje rëndësinë që ka letërsia në trajtimin e ngjarjeve historike dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive. Ai e konsideroi romanin një vepër që nxit reflektim mbi raportin ndërmjet së vërtetës, informacionit dhe mënyrës se si historia përcillet te brezat.
Poetesha dhe kritikja letrare Lola Shehu solli një këndvështrim nga kritika dhe krijimtaria letrare, duke u ndalur në gjuhën artistike dhe në mënyrën e veçantë të rrëfimit të autorit. Ajo vlerësoi dimensionin njerëzor të veprës dhe fatin e personazheve që përballen me pasojat e një akuze të ngritur mbi një narrativë të deformuar.
Shkrimtari dhe studiuesi Kozma Gjini foli për vendin që zë romani në krijimtarinë e Bashkim Hoxhës dhe për interesin që paraqet kjo vepër në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Ai u ndal gjithashtu në mënyrën se si autori ndërthur përvojën e tij si shkrimtar dhe dramaturg me teknikën kinematografike të rrëfimit.
Në fund e mori fjalën autori i romanit, shkrimtari i mirënjohur Bashkim Hoxha, i cili ndau me të pranishmit disa detaje interesante mbi lindjen e idesë së veprës. Ai tregoi se romani fillimisht ishte konceptuar si skenar për një film artistik, projekt që nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme financiare për realizimin e tij.
Hoxha u ndal te origjina e temës dhe te shqetësimi i tij për përdorimin e propagandës si mjet lufte. Ai theksoi se, ndërsa propaganda serbe ka investuar në prodhimin e veprave artistike dhe filmike që kanë përcjellë narrativa të rreme kundër UÇK-së, sipas tij, nga pala shqiptare ka munguar një mbështetje e mjaftueshme për projekte artistike që të dëshmojnë para opinionit ndërkombëtar krimet, dëbimin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Duke folur për romanin, Hoxha ka shpjeguar edhe më herët se ai e ka përdorur historinë e “Shtëpisë së Verdhë” për të trajtuar problemin bashkëkohor të lajmeve të rreme dhe përdorimit të propagandës si armë lufte, ndërsa personazhet e romanit janë krijime letrare.
Autori falënderoi organizatorët e veprimtarisë, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si dhe të gjithë shkrimtarët, studiuesit dhe të pranishmit që morën pjesë në këtë diskutim letrar.
Në përfundim të veprimtarisë, Bashkim Hoxha shpërndau libra falas për të pranishmit, duke e mbyllur promovimin në një atmosferë miqësore dhe letrare.
Romani “Shtëpia e verdhë”, botuar në vitin 2024, është ndërtuar mbi një strukturë ku ndërthuren elementi filmik, historia dhe fiksioni; vetë të dhënat botuese e përshkruajnë veprën si një roman ku një regjisor rumun, një drejtor fotografie italian dhe një skenar filmi përballen me realitetin ballkanik.
M. Buçpapaj

