Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës , Prof. dr. Shyqri Galica , pershendet  Kuvendin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë

 

Të dashur shkrimtarë e artistë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju përshëndesim!

Është çasti shumë i rëndësishëm për të aktivizuar asociacionin më famëmadh kombëtar, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Republikës së Shqipërisë! Megjithëse qe një mungesë shumë e madhe, shkrimtarët dhe artistët në mjediset e tyre kanë zhvilluar aktivitet, mirëpo fuqinë që ua jep ky asociacion në qarqe kombëtare e ndërkombëtare mbetet i padiskutueshëm.

Shpresojmë se kriteret për anëtarë të Lidhjes do të jenë në funksion të vlerave dhe të krijimtarisë letrare e artistike në përgjithësi. Kemi emra të shquar, figura që na përfaqësojnë me dinjitet edhe në arenën ndërkombëtare.

Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Kryesisë, propozojmë që Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Republikës së Shqipërisë dhe Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës të marrin vendim për një asociacion të përbashkët kombëtar, një nevojë imediate për t’u paraqitur veprimtari në mjediset kombëtare e ndërkombëtare të letërsisë e të artit.

Besojmë se ky takim do të realizojë këta dhe objektiva të tjerë, që do të jenë parashikuar në programin e këtij Kuvendi.

Punë të mbarë! (19.05.2026)