PROMOVIMI I LIBRIT’’ PIKENISJA E MEKATIT’’
TROPOJE, 18.11.2025
Në mjediset e Muzeut Historik të Tropojës u zhvillua promovimi i librit ‘’Pikënisja e mëkatit’’ i poetit Lulzim Logu, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë në bashkëpunim me Klubin Letrar ‘’Gjon Nikoll Kazazi’’ Gjakovë.
Në sallën e mbushur plot, me interesim të jashtëzakonshëm, me pjesëmarrje nga krijues nga të gjitha trevat shqiptare ky promovim mori trajtat e një feste të vertete e cila dëshmoi me nota realiste rolin dhe ndikimin e madh të letërsisë në integrimin e përbashkët kulturor dhe jo vetëm.
Në takim merrte pjesë botuesi i librit z.Bujar hudhri nga Shtëpia Botuese ‘’Onufri’’ si dhe shkrimtari i mirënjohur Besnik Mustafai, redaktori i këtij libri. Ky takim u moderua nga shkrimtari Muharrem Kurti,i cili në hapje të tij theksoi :
‘’Lulzim Logu është sot një ndër zërat e veçantë të letërsisë shqipe. Shkrimtar, poet dhe studjues I njohur për gjuhën e pasur, ironinë e hollë dhe përqëndrimin në aspekte filozofike dhe ekzistenciale të jetës. Vepra e tij përfshin poezi, ese’ dhe shkrime kritike, ku shpesh përshkruhen përjetime personale, realitete sociale dhe reflektime mbi identitetin.Ai ka një vëmëndje të veçantë mbi ndertimin e imazheve poetike dhe një lirizëm që ngjizet me thellësi konceptuale.
Njëkohësisht një intelektual dhe bashkëpunëtor i rëndësishëm në drejtim të integrimit tone të përbashkët kulturor dhe jo vetem, në drejtimin e Klubit Të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë ai ka përmbi 15 vite që kontribon perms aktiviteteve dhe botimeve të përbashkëta në thyerjen e kufirit mes Tropojës dhe Gjakovës, Pejës dhe Tropojës, Klinës dhe Tropojës e kështu me rradhë. Botimi i Antologjisë poetike të krijuesve të Malësisë së Gjakovës dhe i 15 numrave të deritanishëm të Revistës Kulturore Periodike ‘’URAT’’ janë ndoshta pikat më të ndritshme të kësaj veprimtarie krenare. nderuar me çmime të rëndesishme në Shqipëri dhe Kosovë si çmimi ‘’At Gjergj Fishta’’ dhe Ibrahim Rugova’’, fitues i çmimit të madh të Festivalit të pare Nderkombëtar të poezisë Malisheva 2024 dhe shume kompeticione të tjera.’’
Poeti Tahir bezhani në fjalën e tij u ndal në bashkëpunimin tashmë shumëvjeçar mes të dy klubeve dhe arritjet e tij si dhe solli disa vlerësime të përmbledhura mbi poezinë e Lulzim Logut”
‘’Universi tematik në trevagëshin e pesërvargëshin e Logut, përmban fragmente fluide të filozofisë dhe universit shpirtëror shikuar nga thellësia, gjerësia dhe lartësia e mendjes së ndritur prej krijuesi cilësor. Lulzim Logu, poeti zëmadh i Malësisë së Gjakovës, ka lindur e është rritur i rrethuar me bukuritë e rralla alpine të cilat ia kanë ushqyer gjithmonë shpirtin e njomë me traditat, me kulturën e fisnikërinë kombëtare, aty ku guximi shpirtëror kalitet rrathëve të jetës përgjithmonë i paepur.
Qenësore mbetet bukuria e vargut përmes paraqitjes shumëdensional të tematikës së qëlluar sociale ku lexuesi gjen kënaqësinë duke u thelluar në atë galeri poetike si thesar kulturor i letërsisë shqipe. Nga penda e Lulzim Logut, vargu “flet” bukur në shqipen tonë moderne dhe mban peshën e frymëmarrjes filozofike poetike, duke trazuar brendësinë emocionale shpirtërore në të gjitha aspektet e jetës.’’
Redaktori i librit ”Pikënisja e mëkatit”, z. Besnik Mustafaj, pos të tjerash shkruan për autorin:
” Lulzim logu si poet përbën një veçanti për tu theksuar. Përkundër prirjes së përgjithshme të njerëzve të letrave, të cultures dhe të artit për tu përqëndruar në Tiranë, ai zgjodhi të bënte jetën e tij në vendlindjen e tij në Tropojë.Nisur nga kumti i poezisë së tij dhe estetika e shprehjes së këtij kumti, do të thosha se Lulzim Logu nuk e zgjodhi Tropojën i shtyrë nga ndonjë dalldi romantike paseiste për t’u tërhequr larg “rrëmujës dhe rrëmetit” të qytetit të madh. Tropojën e ka zgjedhur si pikë të ngritur mbi reliev, për ta parë nga lart pikërisht “rrëmujën dhe rrëmetin. Kësisoj ai e shndrron Tropojën, kulturalisht në qëndër të botës, prej nga niset imagjinata e tij e pasur për të bërë sinteza poetike të rëndësishme dhe origjinale mbi shumë nga problematikat thelbësore të qytetërimit të sotëm.”
Në fjalën e tij botuesi Bujar Hudhri u ndal në vlerat e krijuesve tropojanë ndër vite, posaçerisht tek botimet dinjitoze të shkrimtarit të njohur Besnik Mustafaj, tek roli dhe mbështetja ndaj krijuesve të rinj, tek politikat bashkëkohore të përzgjedhjes dhe paraqitjes dinjitoze të shkrimtarëve dhe veprave të tyre si dhe solli përvojën e pasur të Onufrit në këtë drejtim. Gjithashtu ai vlerësoi poetin Logu për librin e tij si dhe përgëzoi bashkëpunimet letrare të dy klubeve.
Poeti Zenun Hysenukaj në fjalën e tij, mes të tjerash pohoi se:
‘’Në këtë libër Logu shënon një shkallë të lartë të idealit tij estetik. Poezia e tij sundon me forcën e një teknike të çliruar nga çdo strukturë.Format aty përvijohen me lëndën e një universi të tronditur dhe na ndihmon të njohim mrekullinë e emocionit. libri është një udhëtim në botën e brendshme të autorit, ku koha, dhembja, lutja dhe natyra bashkohen në një poezi të pasur me figura dhe simbole, duke ofruar një pasqyrë të thellë mbi përjetimet dhe kërkimet e shpirtit njerëzor.
Në fund të këtyre rradhëve,mund të them me bindje ,se në detin e madh të poezisë sotme shqipe ,poezia e Lulzim Logut është një dallgë që vjen prej thellësive të shpirti të tij për të lënë gjurmë e jo për të fjetur.’’
Në përshëndetjen e tij, Kryetari i bashkisë Tropojë, z.Rexhë Byberi u shpreh se Lulzim Logu dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve që ai drejton i kanë dhënë shpirt dhe gjallëri zhvillimeve kulturore në Malësinë e Gjakovës, kanë shënuar arritje të përbashkëta në Kosovë dhe vise të tjera si dhe i propozoi këshillit të bashkisë Tropojë akordimin e titullit ‘’Qytetar nderi’’ i Tropojës poetit, shkrimtarit dhe studjuesit Lulzim Logu.
Poezitë e interpretuara nga grupi i vajzave të gjimnazit ‘’Asim Vokshi’’ Bajram Curri nën ritmet muzikore përzgjedhur nga Bujar Doçi si dhe ritmet e valles së Tropojës interpretuar nga vallëtarët e vegjël e pasuruan programin e këtij promovimi që pasuan diskutime të shumë pjesëmarrësve rreth librit dhe vlerave intelektuale dhe njerëzore të autorit të tij.
Në fund fjala e poetit Lulzim Logu i emocionoi të pranishmit me sinqeritetin dhe frymën e ngrohtë të fjalës së tij të mirënjohjes, ndërsa rrefeu edhe projektet krijuese në vazhdim.

