Valbona Ahmeti
E përqafuar si e çmendur me ty, Shqipëri!
PRIJATARËT E LAVDISË
Të mbushim duar e krahë me lule borë
Aromë e tyre të shpërthejë si dielli mëngjesor
Të blerojnë ujëvarë meloditë e bukura të historisë
Të derdhen si dallgë detesh urimet e lavdisë
Me fije dielli të pikturohet në memoriet rinore
Legjendë kreshnikësh me rrënjë stërgjyshore
Të ngriten lartë flamujt, deri sa qielli të çahet
Histori e Marsit rreth oxhakut le të rrëfehet
Zogjtë shtegtarë kur të pushojnë mbi kullë
Borë e Çyçavicës le të shkrijë si gurrë
Në gji të lëndinës ëndrra shekullore është bekim
për çdo plumb pushke le të dëgjohet një rrëfim
Sqep më sqep amanetet e Bacës të ligjërohen
Me fjalë pranverash kurorat të zbukurohen
Melodia e lahutës le të jehojë në brezni
Të jetojnë trimat rinueshëm në përjetësi
Të lutem qiell mos na sjell pikëlotin dhembshëm
Shqyeji retë, zbrite ylberin gazmueshëm
Me pendë bilbilash le të shkruhet Marsi i Lavdisë
Ciceronët le të flasin për Prijatarët e Lirisë!
NATA DE TERRA
(E lindur nga Toka)
Trupin e lodhur e tërhoqa zvarrë
Shtigjeve të panjohura, shtete e dete
Rrënjët më mbetën atje me shpirtin e vrarë
Aromën e Tokës Amë e solla me vete
Flas me Alpet e Shqipes hijerënda
Gjuha e lashtë ma këndon himnin
Rrjedha e lumenjve kristalorë
Qysh moti ma ka rrëmbyer shikimin
Vazhdo të jesh gjithmonë unike
E dëgjoj një zë që heshtas më flet
Jeta dhe vdekja janë dy mike
E lindur nga Toka, kthehu, se ajo të pret!
ËMBËL THËRRET TOKA
N’ aeroport çelet fytyra e lumturisë
Baca në Fron rrëfen dasmën e Lirisë
Ëmbël thërret Toka, shqip flet zemra
Dashuria e çiltër lexohet brenda
Gjithë freskinë që e sjell stina
Mbi ty nurin ka qëndis natyra
Dielli i shtrin qerpikët n’agim
Mbi çdo rrugë e mbi çdo lendinë
Në zemrën tënde gjejnë folenë
Tek New Born në Prishtinë
Të qeshurat i flasin natës së vonë
Sa në Dardani sa n’Ulpianë
Cep më cep po t’i bie sheshit
Zemër jep shpata e Gjergjit
Shën Tereza me urtësi fal uratën
Për ata që e sollën Paqen
Në zemër të qytetit ku ligjërohet dija
Kolosi Anton me urtësi bën hije
Tek Verrat e Llukës falë mençurisë së tij
Mijëra fjalë e zemra u besatuan aty
Në Dodonë bukur aktrohet
Pjesë teatrale, mirë luhen skeçet
Pak thumbim për ngecjet e kohës
Pak shaka t ‘ecim me hap t ‘botës
Syrin e agut e zgjojnë ezanet
Pak më tej prajshëm falen psalmet
Të gjithë që lindëm mbi këtë Dhe
Komb e fe e kemi një Atdhe!
NË VICIANË
Sytë e tu si një det i pafund
Notoja ëndrrave sa çudi
Netët e mia sy pa gjumë
Njohja jonë ishte magji
Trupi im gjithë drithërime
Kur mendoja takimin e parë
Sytë shkëndija gjithë flakërime
Mblidhesha tek ti si një pulëbardhë
Në sytë e tu tretej nata
Vëzhgimi i hënës s’kishte mbarim
N ‘qepallën e skuqur shkrihej rrezearta
Në buzët tona çelej çdo agim
Kujtimet m’rrin veshur shpirtit
Shpalosen takimet si fletë e bardhë
Ëndrrat na përqafonin në Vicianë
Si stuhitë që përkëdhelnin kalanë
Nuk kisha hallin të gjeja fjalë
As të thurja vargje e poezi
Në shikimin tënd i lexoja të gjitha
Kjo kishte emrin dashuri
FLASIN MALE UJË E GURË
Lahen brigjet me shkëlqimin e ylberor
Si vocërrake eci në qelqe të grisura
Majat shkëmbore puthën me kaltërsitë
Lundroj në koman e me shtohet rritja
Herë si flutur e herë si pulëbardhë
Pas çdo çasti nga pak gjalloj
Shikimi i dehur më tretët në valë
Në çdo thellësi thesarët t’i shfletoj
Vrullshëm gjoksi m’gufon si gurrë
Krahët e bjeshkës përqafojnë qiellin
Më flasin malet, ujë e gurë
Shekuj rrinë, misterin s’e zbulojnë kurrë!
AH VALBONË, MOJ VALBONË
Mora udhë drejt Malësisë së Gjakovës
Nën hijet e saj pushova si për mall
Ulur në breg kujtimet me lundronin në kaltërsi
E muzgu i përflakur më fali jetëgjatësi
Bulëzimi i valës m’u ngjit në shpirt
Gjethet si fustan ma mbuluan trupin
Bora e bjeshkës si kurorë me rrinë mbi krye
Valet e lumit mu bënë stoli në fyt
Mora pak ngjyrë nga piklat mbi ujëvarë
Vargjet drithëronin si tingujt në kitarë
Shtrydhja nektarin e shpirtit fije-fije
Për perlat e qëndisura të kësaj hyjnije
Ah Valbonë, moj Valbonë
Dielli ndizet rrëzë bjeshkëve të tua
Hëna nuk mbyll sytë e purpurt
Paska rënë në dashuri me ujvarat e tua
Gurgullima jote m’ëmbëlsoi si mjaltë
Mu bë muzë, zemrën ma ndezi flakë
Një erëmali më përkëdheli plot dashuri
E përqafuar si e çmendur me ty, Shqipëri!
TË MIRËT
Të mirët të ftojnë
të ecësh në rrugë
të rrahur me dritësim
Depërtojnë fjalëbukurën
me modesti
Ti ke synim për përparim
Drita e tyre rrezaton mbi ty
Frikë nuk kanë se fiken,
janë të plotë si dielli
Edhe ti mbushesh plot
Tani një yll më shumë e ka qielli!

