Gazeta Nacional Albania

VALIXHJA E VJETËR E BABAIT. Poezi nga Artur Shemaj

 

 

 

Në heshtje kryqëzohet vështrimi im

Te sarkofagu prej dërrase,

Tek ajo valixhe  si varkë në udhëtim

Nga një  dorë e  dashura mbajtur…

 

Gjithë ato udhëtime mbajti brenda

Dhe rraqet e njeriut të dashur

Malle, dëshira dhe brenga

Kur s`i nxinte vetë, rrugëve ua falte…

 

Vuve rri tani dhe s`do t`ia dijë

Edhe për molën që e gërryen

E heshtur si më e çuditshmja kuti

Si më enigmatikja që vitet mësyn…

 

Po nga vrimat e holla të molës

Që  ia tradhtojnë moshën,

Koha më bie gërvimat e kollës

Në erërat e ftohta të kohës.

 

Dhe erën e athtë të djersë

Avujt e rakisë mallëngjyese,

Dhe piklat e ftohta të vesës,

Kur babai gdhihej e natën  ngryste…

 

Si libër herbariumi ajo valixhe

Ndonjë aromë  brenda mban ,

Sikur sekretet më të mëdha të kishte

S`pranon asnjë hapje e lotin ma than…

 

Kështu ngjet gjithnjë kur njerëz të dashur

Më nuk janë midis nesh,

Fryma e tyre si vesë e mardhur

I vesh sendet dhe na rrëqeth…

 

 

 

EUROPA

 

S`kërkova të pi gjirin tënd të babëzitur

Veç atë që më takon,

Po ti u sollle si njerkë e bezdisur

Ndonëse ishe nëna jonë…

 

Ndoshta s`i dija tekat e tua,

Si fëmija dëshirat nënës nuk ia di,

S`kërkova të më jepje hua

Asnjë grusht liri…

 

Kombet përreth, prej teje

Kërkuan favore e  dhurata

Dhe ti trupin tim preve

Gjymtyrët e mia ua hodhe si shkarpa…

 

Ato gjymtyrë pres të m`i kthesh

Që në trupin tim t`i ngjis,

Ende besoj se nuk je njerkë

Por nënë  me dashuri shumëfish…

 

 

ËNDRRA

 

Si copra pasqyrash thyhet ëndrra

Kur ndesh në realitet,

Idili i saj shkon te brenga

Dhe brenga vret…

Me këto copra çfarë mund tqë bëhet

Si mund t`i hedhësh në realitet të tejkaluar?

Edhe pse të shkon mendja t`i ngjisësh,asgjë s`kthehet

Ëndrra vazhdon sërish duke sulmuar…

TË GJITHA FIGURAT

Të gjitha figurat për hënën janë konsumuar

S`ka mbetur më asgjë e re,

Me draprin e saj desha të korr figurën e fundit

Por ajo e vjetër qe…

Veç  rrallë na shkon ndërmend

Për burimin e dritës që ajo merr

Dhe me bullallëkun e vet shkëlqen

Dielli ia jep pa teprim

E kurrë s`i kërkon shpërblim…

 

 

 

 

 

 

 

MARKUSIT TË VOGËL…

 

 

Pyetjeve të mia përgjigjen ua mat

Dhe pse i vogël, kuptimin ua di,

Kur ndonjëra s`të shkon përshtat

E jep përgjigjen me diplomaci.

 

Gjaku të buit në sinqeritet fëminor

Nuk pyet fare për hierarki,

Atë që do i hidhesh në krakaror,

E pushton të tërin me dashuri…

 

Shpesh para teje gjendem gafil

Mendohem ç`përgjigje të të jap,

Për botën e ngatërruar pa një fill

Sa gjëra janë  ngatërruar  e bërë çorap.

 

I druhem pyetjes:Ç`është poezia,

Shqeto ta them: Nuk e di,

As me çfarë matet lumturia

Se poezi për mua je ti.

 

Ajo rrallë vjen siç ti e do

Nëpër dallgët e saj lundron,

Sa herë u mundova ta qetësoj

Zemërohet ,ikën e nuk dëgjon.

 

Do të më mjaftonte vetëm kjo

Prej shpirtit të nxirrja gurë xhevahiri,

Latuar me fjalë dashurie mbi to:

Markus,ti je më i  miri…

 

Kur zaret e fatit u hodhën në  botë

Kur linda unë ,ende nuk ishe ti,

Më ra të shkruaj për këtë short

Kur udhën bëjmë bashkë të dy.

 

Unë ec përpara e ti do më arrish

Koha vrapon me nxitim shumë,

Në moshën time kur të vish

Unë do kem shkuar tjetërkund.

 

Larg,sa larg,në një vend

Dot s`e shpjegoj,është e ngatërruar,

Por atëherë do të bjerë ndërmend

Poezia që  dikur kam shkruar..

 

Dhe do të më kujtosh një ditë

Për vargun tim të trishtuar,

Te një re e bardhë kur të ngresh sytë

E do të pyesish: Si e ke shkruar?…