Site icon Gazeta Nacional Albania

VALLJA E EKZISTENCËS . Poezi nga Anton PAPLEKA

 

 

NJË GRUSHT ME DRITË HËNE

 

Djalosh ëndërrimtar

Një mbrëmje e kam shuar etjen

Në një burim të vendlindjes

Ku e mbusha kupën e duarve

Me ujë të kulluar e me dritë hëne

 

Kur u largova nga ai burim

As që më shkoi në mendje

Se ai grusht me dritë hëne

Që e piva bashkë me ujët e kulluar

Do ta ndryshonte kuptimin e jetës sime

 

Gjithçka të bukur që do të shihja rreth meje

Do ta ndriçonte e do ta rrethonte me brerore

Rrezatimi i çuditshëm

E atij gushti me dritë hëne

Ngallmuar në thellësi të qenies sime…

 

 

HIJA E ZOGUT MOA

 

Re e zezë e kobshme

Mbi planetin tonë rri pezull hija e zogut Moa

Skeleti i të cilit është ekspozuar

Në muzeun e Canterbury-së në Christchurch

 

Ky zog vigan i Zelandës së Re

(Dinornis maximus) që mund të ishte

Dy metra e gjysmë i lartë

Është zhdukur në mes të shekullit XVIII

 

Qiejt e lënë shkret nga flatrat e Moas

Dhe të zogjve të tjerë të zhdukur

Janë pushtuar nga hijet e llahtarshme

Të avionëve luftarakë dhe të dronëve

Nga kërpudhat e provave bërthamore

Nga tymrat e pyjeve të kryehershme

Dhe nga shtresa asfiksuese e CO2

 

Qysh atëherë

Hija ogurkeqe e zogut Moa

Shpaloset mbi planetin tonë

Flamur i zi i vdekjes…

 

 

 

 

 

 

 

MITI MODERN I JONASIT DHE I BALENËS

 

Në versionin e lashtë të Biblës

Jonasi është gëlltitur nga balena

Ndonëse ndenji në barkun e saj

Tri ditë me radhë

Ai doli së andejmi shëndoshë si molla

 

Në një version modern të Biblës

Të konsideruar si ekologjik

Balena është preja

Që gjuhet dhe gëlltitet nga Jonasi

Fuzhnjat e tij i përgjakin detet

Si duart e zonjës Makbeth

 

Një ndryshim i rëndësishëm

Midis versioneve të mësipërme

Është fakti se balena e vrarë me fuzhnjë

E copëtuar dhe e gëlltitur nga Jonasi

Kurrë më nuk del e gjallë

Nga barku i këtij të fundit

 

Numri i balenave të masakruara

Dhe i deteve të njollosura me gjak

Shtohet në mënyrë të pandalshme

 

Në vitet që vijnë

Ka rrezik që lloji i balenave të zhduket

Në barkun e pangishëm të Jonasit…

 

 

 

 

 

 

VIJIM I DIALOGUT TË ARKILOKUT

 

Zemër

Nganjëherë ti shndërrohesh në një dem të tërbuar

Që godet me brirë brinjët e kraharorit tim

 

Të lutem hiq dorë nga rrengje të tilla

 

Ti nuk fiton asgjë

Duke prishur një pakt të lidhur

Qysh nga ngjizja ime

 

Pra vazhdo të kryesh punën tënde

Prej klepsidre që mbush e zbraz

Pesë-gjashtë litra gjak

Në arteret dhe venat e mia

 

Zemër

Ky dialog midis meje dhe teje

Është thjesht një vijim i dialogut të lashtë

Që Arkiloku ka zhvilluar me zemrën e tij

Para njëzet e tetë shekujsh

Një dialog që vijon në të gjitha kohët

Dhe nga një vend në tjetrin

 

Atëherë qetësohu rrih rregullisht

Respekto paktin që ke lidhur

Me të vetmin bashkëpunëtor që ke…

 

 

 

 

 

 

PAS DALJES NGA SPITALI

 

Ç’gëzim të gjendesh prapë në ajër të lirë

Duke u mbështetur në një krah të dashur

Që të sjell ndër mend shtyllat e botës

Të fotografuara nga teleskopi Hubbles

Ç’gëzim të shohësh nga afër ngjyrat e rrugëve

Të pemëve të fasadave

Të thithësh si një parfum dehës

Kundërmimin e dheut të sapomihur

Rrëzë një peme

Të kalosh pranë njerëzve të ngarkuar me andrralla

Dhe me lumturi njerëzore

 

Ç’gëzim të zësh vend pra pë në vallen e ekzistencës

Të përsëritësh gjestet e përditshme që për ty ishin të ndaluara

Të lëvizësh si gjaku që fillon të qarkullojë sërish

Në një arter të prerë e të riqepur

Ç’gëzim të shohësh rreth vetes

Njerëz që ecin me hap të rëndë ose të nxituar

Që nuk kanë asgjë të përbashkët me jetën tënde

Të kufizuar në geton e sëmundjes

 

Ç’gëzim të ndihesh plotësisht vetvetja

Pavarësisht nga rreziqet që të zënë pritë

Në kthesën e çdo dite që ngre para teje

Urën e saj të lëvizshme prej drite…

 

 

 

 

 

 

NJË TOP BORE

 

Sytë e mi të uritur

Donin të kapërdinin tërë bardhësinë

E pyllit të mbështjellë me borë

 

I ndalur buzë rrugës

Unë mblodha një grusht borë

E shtrëngova fort në pëllëmbë

Sikur ngulmoja t’i falja

Një pjesë të ngrohtësisë sime njerëzore

 

Bora e shtrënguar nga duart e mia

U zvogëlua ca nga ca

U shkri e më rrodhi midis gishtave

Ashtu si dashuritë e njerëzve

Që zvogëlohen e shkrihen si një top bore

Derisa përfundojnë në currila loti…

 

 

 

 

 

 

DY POETË DHE MACET E TYRE

 

Poemat e Charles Bukowski-t

Të botuara tash së fundi në Paris

U kushtoheshin maceve

 

Poeti amerikan thoshte se felinët e tij

Kishte dashur t’i pagëzonte

Me emra dhe mbiemra shkrimtarësh

 

Libri i Bukowski-t më solli ndër mend

Poetin shqiptar Ndre Mjeda

Që kishte mbajtur në qelë disa mace

 

Në poemën e tij madhore « Liria »

Ai i kishte kënduar luftës së amerikanëve

Për të fituar Pavarësinë e Amerikës

 

Ky poet-prift i kishte pagëzuar macet e tij

Me emra pashallarësh shqiptarë

Që ia kishin shitur shpirtin Perandorisë Osmane

 

Identifikimi i pashallarëve me felinët

Kishte qenë një nga mënyrat e poetit

Për të sfiduar tiranët e vendit të tij…

 

 

 

 

 

 

KOHË MODERNE

 

Që andej ku bujt prej shekujsh, Ciceroni sheh me kureshtje

Atë që ndodh në tokë. Kur hedh sytë te viset e pasardhësve

Të ilirëve, ai vë re njerëzit që rendin pareshtur duke sokëllitur :

« Ikë të ikim ! » I habitur, ai përsërit me vete thënien e tij

Të njohur : « O tempora, o mores ! »

 

Dikur nënat shqiptare sa bashku me qumështin e gjirit

U mëkonin fëmijëve dashurinë për dheun e të parëve

Dhe dëshirën për të qenë luftëtarë të lirisë. Sot fëmijët

Shqiptarë rriten me dëshirën për të mërguar atje ku mund

Të fitojnë sa më shumë parà.

 

Dikur varfanjakët shqiptarë që merrnin rrugët me shkop

E me trastë, përcilleshin me urimin e dhimbshëm : « Të

Shkoftë lypa mbarë ! » Sot urimi arkaik i kohës së legjendës

Së misrit është zëvendësuar me urimin modern: «Të shkoftë

Mbarë trafiku i drogës ! »

 

Dikur pashallarët shqiptarë, të ulur mbi thasët e florinjve

Kënaqeshin nga britmat e viktimave të tyre. Sot të kapardisur

Në kolltukë luksozë, ata dehen nga kënaqësia duke ëndërruar

Për llogaritë e tyre bankare prej miliona eurosh të fshehura

Në parajsat fiskale.

 

Kohë moderne…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version