Site icon Gazeta Nacional Albania

VALLJA E SHIUT. Poezi nga Chris Talazac, Francë. Përktheu: Mirela Leka Xhava, Francë

Chris Talazac lindi në Saint-André-de-Lidon në Charente-Maritime, Francë. Ajo është poete dhe themeluese e faqes së internetit dhe revistës së njohur letrare online Le Monde de Poetika dhe faqes tjetër të internetit PoetikArts. Autore e disa përmbledhjeve me poezi dhe haiku, ajo është botuar në disa nga gazetat dhe revistat më të famshme të Francës. Ajo ka fituar çmime të shumta konkursesh në Francë që nga viti 1998 dhe gjithashtu ka kontribuar në antologji të shumta. Ajo është anëtare e Shoqatës Les Poètes de l’Amitié – Poètes sans frontières që nga viti 2021.
Kësaj here vjen me nje cikël poezish lirike dhe haïku.

Solli dhe përshtati në shqip
Mirela Leka Xhava, Francë

1
Të shkruaj…
Rilexoi një nga një
Këto perla mbrëmjeje
Që vezullojnë nën hënë
Dhe në kujtesën time mbeten.

Të shkruaj…
Merr frymë në këto faqe
Në prehrin e vjeshtës sonë
Se nën fleta dhe gjethnajë
Dridhet fshehtësia jonë.

Të lutem…
Bashkoi me këto rima
Tingujt e ngrohtë të kitarës tënde
Në duetet tona intime
Ku shikimet tona luajnë butë.

Të krijoj…
Vallëzimeve, rrotullimeve
Në ritmin e zërit tënd të pastër
Në valët e mia, në frymëmarrime
Ti i merr të gjitha.

E pastaj…
Mos harro gjurmët që lë
Pikat, shenjat, çdo shenjim
Kur rrëshqas e kaloj pa zë
Nëpër këto rreshta që flasin.

Dhe prapë…
Ribashkuar një nga një
Këto gjurmë të natës
Këto perla të dritës së hënës (që s’janë si më parë)
Në një lumë shprese pa fjalë.

2
Stuhia

Thellë në Provence, dëgjo erën e verës
Që përfshin në zemër çmendurinë e gjinkallave.
Shiko si shkëlqejnë sonte kisha dhe këmbanarja
Në majën e fshatit tim , të varur tek yjet.

Shko përpara dhe shiko përsëri në buzë të dritares
Velat e varkave të bardha që tashmë po largohen,
Duke skicuar disa rrathë përpara se të zhduken
Nën horizontin e botës që rrumbullakoset atje poshtë.

Një stuhi shumë e fortë trondit gjithë bregun.
Një përrua fryhet dhe shkon drejt një ferme të fjetur.
Dëgjo më larg breshrin që shpon gjethet,
Dhe rrufenë e dhunshme që shqyen qiellin.

E dua aromën e rëndë dhe të lagësht të livandës
Që depërton në dhomë në natën e zemëruar.
Mbylli krahët rreth duarve të mia të dorëzuara,
Më frymo sërish deri në fund të detit.

Mos thuaj asgjë, unë e di, do të ketë nesër.
Ngatërromë mua, më shpjer në një valle të çmendur,
Mes valëve të mia, zëri yt, ëmbëlsia e lidhjeve tona
Të cilat rrjedhin lirshëm midis dy ritmeve.

Çmimi i parë i Agimit të poetëve
Konkursi i 10-të Ndërkombëtar CEPAL
Saint-André-lez-Lille (Nord)

3
Vallja e shiut

Era pëshpërit
Si një tufëz
Shiu godet me shuplakë
Në kopësht.

Ai bie
Dhe pastaj rrjedh
Në hendekun
Që po zgjohet

Mbrëmja është blu
Si livando
Që kërcen paksa
Në buzë të moçaleve.

Të gjitha lulet
Janë të përmbysura
Dhe në zemrën time
Gjithçka është e lagur.

Çmimi d’Honneur
Esnafi i Poezisë
Evreux (Eure)

4
Unë dua të ëndërroj më tej

Unë dua të ëndërroj më tej
Për të mos numëruar më, për të dhënë
Të mos dridhen, të flas
Për të mos bërtitur
Të frymoj
Të shpresoj
Të ndaj me të tjerët.

Në fillimet e kësaj pranvere të ftohtë
Midis oqeanit dhe faqeve të kodrave, vreshtave dhe kënetave
Netët e mia janë këtu
Ditët e tua janë atje
Dhe anasjelltas
Ka netë të tilla
Në vetminë time prej zanash
Aty ku asgjë nuk funksionon më
Aty ku minutat vlejnë po aq sa krahët e tu
Por krahët e tu nuk ekzistojnë
I them vetes se zana e yjeve
Nuk bën më për mua
Që po harxhoj kot bojën dhe xixëllimet e mia
I them vetes kaq e kaq shumë gjëra
Kaq shumë trëndafila gëzimi.

Haïku
1
Era duke fryrë
mbi gjethnajën e vjeshtës
Pylli i zhveshur.

2
Far i palëvizshëm
duke gëlltitur retë
ashtu qetësisht.

3
Në pik të verës,
larg skelës, duke u nis
të ngrejë velat.

4
Varka kalon gjirin
me të gjitha velat
të hapura.

5
Një pulëbardhë gri
ngjitet pas kangjellave
shkon rrotullimthi.

Solli dhe përshtati në shqip
Mirela Leka Xhava, Francë

Exit mobile version