Gazeta Nacional Albania

VILHELME VRANA HAXHIRAJ NE 80-VJETORIN E SAJ. Nga Kadri Tarelli

Përjetime, nderime dhe urime pa fund

Shkrimtarja dhe studiuesja e shumënjohur vlonjate, znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj feston 80-vjetorin, pikërisht më, 08, të dhjetorit, 2024, në “Ditën e Rinisë”. Rastësia e solli që ajo të festojë me rininë, për të mbetur përherë e re dhe energjike në shpirt e frymëzim.
“Princesha e letrave shqipe, në Vlorë”, e quan Albert Habazaj, Vilhelmen, në një poezi thurur enkas për të. Ndërkohë unë e quaj “Princesha e Kaninës”. Një emërtim jo thjesht për rrënjët e saj fisnike të hershme, por për krijimtarinë e saj të bollshme letrare, për të rritur e fëmijë, ku përfshihen të gjitha zhanret e shkrimtarisë: romane, novela, poezi, publicistikë dhe studime historike e filozofike, ku ngërthehen gërshet bukuria e fjalës, forca e mendimit, mirënjohja për miqtë, të njohur e kolegë, dhe mbi të gjitha dashuria për komb e atdhe.
Të shkruash për Vilhelmen, të cilën shkurt e thërrasim “Vivra”, është sa e lehtë aq edhe e vështirë. Të pyesësh e të njohësh biografinë e saj, në ndeshesh me dy botë:
E para, përjetohet me shumë dhimbje e brenga njerëzore, sepse është shumë e trazuar, ndërsa e dyta ndriçohet nga drita e qëndresës, suksesit, krenarisë, mirësisë e lavdisë.
Është jeta në 45 vjet e goditur, e harruar dhe e përhumbur, e ndaluar dhe sfilitur nga diktatura, si “Armike”, në emër të luftës së klasës, ku ju mohua diplomimi, ndërsa për punësimin, mund të shkruhet një roman i madh vuajtjesh. Për shkrime e botime as që bëhet fjalë, sepse duhej ndëshkuar me të vetmin faj, se i përkiste një familjeje të pasur. Të gjithë ata që e njohën, jetuan dhe provuan diktaturën nuk habiten, madje edhe vetë Vivra, jo vetëm nuk çuditet, por nuk ka dëshirë ta kujtojë atë kohë pa kohë, sepse u përball e nuk u thye, nuk u rrëzua, as u gjunjëzua. Vuante në heshtje, si magma e ngjeshur nën malin shkëmbor, duke pritur ditën të shpërthejë. Besoj se i shkojnë përshtat këto dy vargje:
– Vivra je vullkan, pse shpërthyet vonë?
– Duar lidhur, gjuhë prerë, 50-vjet sëra jonë…! K.T. “Koha në vargje”. Poezia “Vivra je vullkan”.
Pjesa e dytë, do ta quaja, është jeta dhe suksesi në krijimtari.
Pas viteve 90-të, kohë e ndryshimit të madh, rrëzimi i diktaturës, atëherë kur ajo mbushi 50 vjet, botoi librin e saj të parë, për të cilin, Vivra thotë: “E mora librin me duar që më dridheshin dhe nuk besoja se në ato faqe ishte derdhur fëmijëria, rinia dhe shpirti im i copëzuar”. Sot Vivra, si askush tjetër në sojin e shkrimtarëve dhe studiuesve, ka shkruar rreth 70 libra, të botuar brenda 30 vjetësh. Duket e pabesueshme….., por ja që ndodh! Është një bibliotekë e tërë që flet me gjuhën e shkronjave. Në këtë mënyrë ajo realizoi ëndrrat e shuara, shpresat e vrara, gjithashtu gjeti vetveten e humbur në rrjedhat e kohës së vrazhdët. Këtu gjendet edhe Vlerësimi e nderimi për krijimtarinë letrare e studimore.
Në këtë udhë mendimi, nëse do të më duhet të përmend titujt e nderit, të marra këtu në mëmëdhe, e nëpër botë, më duhet të mbush disa faqe letre. Më lejoni të kujtoj vetëm disa prej tyre:
– Tiranë. Urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”.(2012), me “Medalje Ari”.
– “Emblema diplomatike e Durrësit”, nga Bashkia Durrës. 24 tetor, 2019.
– Fituese e çmimit, “Premio internazionale di Poezia”, -Firence-Italia -2010-2012. Është e vetmja autore shqiptare në këtë antologji, mes 205 autorëve nga e gjithë bota.
– Është anëtare e Akademisë Shqiptaro Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Neë York-2018;
– Çmimi: “Ëorld Icon of Literature Auard”, (Ikonë e letërsisë Botërore), e përzgjedhur nga Akademia e Shkencës, letërsisë dhe Arteve të Indisë, – 25 maj 2020;
– Çmimi “Pena e Kristaltë” në Suedi-14 Mars, 2014.
– Titull “Nder i Kombit”, nga Unioni shqiptar në Bukuresht. – 08 mars, 2023.
Nëse do të citoja të gjitha ata personalitete, që kanë shkruar për Vivran tonë, do më duhet të mbush shumë faqe, mbase edhe një libër të tërë. Besoj se këtu më lehtësohet puna ime shkrimore, pasi vetë “Heroina” jonë po çon për botim volumin e tretë të librit “Mirënjohja. Virtut i kujtesës”, kushtuar të gjithë atyre që kanë shkruar me dhjetëra shkrime, për të dhe për librat e saj. Po kursehem të përmend vetëm pak autorë:
– Dr. Mujë Buçpapaj: – “Vilhelme Vrana është një penë e fuqishme dhe e veçantë e letërsisë shqipe. Ajo ka hedhur themelet e një profili të qartë autentik si prozatore moderne, duke shëruar shpirtrat e humbur njerëzor dhe kombin e saj nëpërmjet personazheve, të cilët mbajnë mbi vete fatet e shoqërisë sonë, dje dhe sot. Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Vrana Haxhiraj”.
Akademiku Eshref Ymeri, vlerëson: – “Tipare të ngulitura në personalitetin e kësaj shkrimtareje, të kristalizuara në krejt krijimtarinë e saj, janë dashuria, dashamirësia, fisnikëria, ngrohtësia e shpirtit, ndërgjegjja e kulluar dhe qëndrimi i prerë kundër padrejtësisë. Ai është në një mendje me Loren Terner, kur shprehet: – Me këtë rast, dashamirësia për të tjerët shfaqet pikërisht si një rezultat përfundimtar dhe jo si mjet për arritjen e ndonjë tjetër synimi”.
Ndërsa Prof. dr. Fatmir Tereziu “ Mjeshtër i Madh”-Londër, mes të tjerave thotë: “Vilhelme Vrana Haxhiraj është një shkrimtare erudite, studiuese e publiciste me një kulturë që shtrihet në kohë dhe hapësirë të pamatë, që renditet mes emrave më të shquar të letërsisë kombëtare dhe më gjerë. Me këtë rast, ai i kushton Vivras, librin, “Liria në Optikën e Letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj”. Besoj nuk është pak.
Këtë libër, për mua, besoj s’jam i vetëm, më pëlqen ta përmend e ta theksoj edhe më shumë, jo vetëm për përmbajtjen dhe analizën akademike të krijimtarisë letrare, si vlerë e shtuar në letrat shqipe, por më së shumti, se është i pari autor që hapi udhën e studimit të gjithë veprës së autores së nderuar. Këtu më duhet t’i bëj vërejtje vetes, mbase në këtë mendim janë edhe të tjerë krijues, se ka ardhur koha që vepra e saj të studiohet në tërësi. Është një minierë krijimtarie, ku me lehtësi mund të zgjidhen tema, brenda këtij korpusi letrar, studimor, pedagogjik, shkencor, pse jo edhe politik e shoqëror.
Një meritë e shkrimtares Vranari, është se i ka kushtuar një sërë librash dhe shkrimesh, të rinjve dhe nxënësve shkollor. Është dashuria për arsimin, si mësuese e përkushtuar, që e shtyn drejt një krijimtarie me vlera të mëdha edukative. Po mjaftohem të sjell vetëm pak fjalë, për të thënë krejt mendimin e saj filozofik: “Nëse fëmijët i rrisim dhe i edukojmë me dashuri për atdheun e kombin, atëherë ata duhet ta njohin atë qysh nga zanafilla e jetës mbi këto troje”. Mendoj se i duhet shtuar: Është një porosi që vjen që nga rilindësi i ditur Sami Frashëri, dhe që duhet ta mbajmë në qafë si hajmali: “Dituria sjell në jetë dhe ushqen atdhedashurinë, dhe të dyja së bashku e shtyjnë njeriun përpara, e mësojnë atë të punojë për të mirën e tij e të shoqërisë”.
Duke folur e shkruar për shkrimtaren Vilhelme Vranari, nuk duhet të ndajmë apo të lemë mënjanë bashkëshortin e saj, Fitim Haxhiraj, artistin koreograf, mjeshtrin e fjalës dhe skenës dhe, për më shumë, shoqërimin e bërjen publike të të gjithë krijimtarisë së saj, si brenda vendit ashtu edhe nëpër botë. Ai është kurdoherë i kudogjendur, shoqërues nëpër takime, konkurse e kuvende letrare, ku nderohet dhe flitet për krijimtarinë e saj. Është i paarritshëm. Model frymëzimi.
Shumëkush mund të pyesë: – Ku e gjen forcën Vivra, që edhe në këtë moshë, nuk resht së shkruari…..?
Ndërsa unë shtoj pyetjet:
– Ku e gjen kohën që përballon gjithë këtë volum pune?
– Vallë ka shembull më të mirë për të rinjtë, por të treguar, se çfarë mund të bëjë njeriu, për të qëndruar e përballur me vështirësitë dhe, për t’u ngritur drejt majave? – Përgjigjen do ta gjeni nëpër vepra: – Jam e vonuar. Nuk e di a do mundem të them atë çfarë kam në mendje dhe në zemër, si detyrim ndaj vetes, familjes, atdheut dhe kombit….!?
Në mbyllje po shtoj pak vargje, si frymëzim çasti:
…………………….
Nuk u lodhe duke shkruar,
Ç’pati zemra, që s’tha jo!?
Plagët mbylle pa shëruar,
I the kohës…. tani vrapo!
……………………………………. Poezia, “Vivra në 80-vjetor”. Autori
Me rastin e 75 -vjetorit të saj, në Vlorë, unë premtova: – “Besoj se kur të festosh 100-vjetorin, do të mblidhemi përsëri kështu siç jemi sot, e të kuvendojmë për librin e 100-të”.
Sot po them: Jam i bindur se do ta mbajmë fjalën!. Dëshira është e madhe. Koha do ta tregojë!
Urime znj Vivra! Shëndet të mirë dhe punë të mbarë krijuese, për vepra të tjera, me shumë vlera.

Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës, më: 06. 12. 2024.