Gazeta Nacional Albania

VISAR ZHITI: FOLEJA, LUFTA DHE PLANETI

March 6, 2022

Ngjajnë planeti dhe foleja?
Ndoshta.
Po, po…
Qiellin e kanë të përbashkët
dhe s’ka rëndësi madhësia.
Një fole zogsh plot me cicërima
gëzimesh është më e madhe
për mua se sa një planet,
sado i stërmadh qoftë, por i shkretë,
pa ujë, pa një gjethe. Një pëndë
vlen sa një kometë. Bombave që hedhin avionët luftarakë nga lart,
duhet t’u vijë shumë turp nga foletë e zogjve, po mendoj si një fëmijë dhe fjala është pêr ata që hedhin bomba e sidomos për ata që urdhërojnë që t’i hedhin. Nuk kanë turp
prej fëmijëve të tyre?
A nuk u del fantazma e një fëmije
të vrarë nga lufta?
Si fëmijë po shikoja kësaj pasditeje
foletë në degët e pemëve ende të zhveshura nga dimri. Janë fole jete,
po thosha me vete. Pavarësisht historisë, revolucioneve,
pakënaqësive pa kuptim
apo dhe me kuptim të jetës,
djallëzive dhe mënçurive të popujve, urrejtjes gjenerale, luftës që nga tani dhe dikur, këto fole zogjsh që i merr era, metaforikisht janë më të forta se të gjitha dhe e sfidojnë llahtarin planetar.
Zogjtë nuk njohin kufij dhe s’u duhen pasaporta,
thashë me vete si një fëmijë. As presidentë. Foletë e njeriut, për çudi, qytete apo vende ndodh
që për një çast të bëhen gërmadhë
me urdhër të një presidenti,
që sigurisht është çmendur.
Një shtet, që para ca kohe ka qenë vetë i shkatërruar
nga një luftë e madhe, që e quajnë patriotike,
por që ishte thjeshtë e çmendur,
tani shkon t’i bëjë një vendi tjetër
po atë hata, me po atë delir
dhe çmenduri.
Zogjtë nuk çmenden dhe as kuptojnë kryq të thyer apo yll të kuq,
madje as emblemat me zogj e shpendë me dy kokë e me tigra e gomerë, etj,
gryka e tankut mund t’u duket
si zgavër e përshtatêshme
për të bërë një fole, sa tmerr
që vjellin zjarr!
Si fëmijë shikoj foletë lart, po që ngjajnë si zemra të errta a si planete
të largët? Krahasime mund të gjenden plot. Po i fotografoja. Puna është
të mësojmë nga kujtesa e folesë
së zogjve ashtu si foletë e njerëzve. Janë si planete. Janë vetë planete
të universit më të bukur
dhe më me kuptim, të dashurisë njerëzore dhe kërshërisë së pafund
të njeriut. Që dhe një i vetëm
është një univers. Mallkim
planetar kur ka që guxojnë
të shkatërrojnë e të vrasin jetën
dhe mjedisin. Ata kurrë
nuk do të kenë parë një fole
mes degëve nëpër erëra,
nuk do të kenë dëgjuar ndonjë zë fëmije
të kërkojë një zog për ta marrë ndër duart plot paqe,
nuk kujtohen që ata që nisin luftrat, e pësojnë
po prej tyre, ja, hitleri u dogj,
musolinin e varën, dhe çausheskun
e vranë, po stalinin me statujat e tij
që u shkulën nga kudo, edhe enverin etj,
millosheviçit i pushoi zemra në gjyqin e Hagë,
kujtova nga më të fundit, që i njohëm vetë, por edhe putini,
ndjekësi i tyre qorr, ka për të humbur një ditë, së shpejti.
Tani edhe fëmijët e dinë që në hapësirën pafund plot me yje
jemi së bashku në një planet që edhe mund ta shkatërrojmë, jo ne,
por të tjerë si ne dhe kundër nesh.
Porosinë më të vlefshme për luftën sot
na i jep ai fëmija që në zinxhirët
e një tanku po derdh ujët e hollë,
zhurmëritës si cicërimë zogu.
Të mos harrojmë, se fillon te foleja
dhe aty mbaron…