Gazeta Nacional Albania

Vito Taverna, Itali: Unë jetoj me këto gjëra, poezi. Përktheu: Angela Kosta

Vito Taverna dhe vargjet e tij në gjuhën shqipe të përkthyera nga Angela Kosta.
Vito Taverna ka lindur në Itali më 10 tetor 1929. Në gusht të këtij viti ai mori titullin Ambasador i Paqes dhe Kulturës. Për një kohë shumë të gjatë, që në moshë fare të re, ai i është përkushtuar me pasion poezisë për të cilat organizon evente të rëndësishme në Toskana, në qytetin Monterchi, ku ende jeton edhe sot. Në vitin 1990 ai themeloi Arkivin Kombëtar të Poezisë së Pabotuar të Monterchit dhe, çdo vit, të shtunën e fundit të gushtit organizon Konferencën e Poezisë për Organizatat Kombëtare dhe Ndërkombëtare që merren me problemet sociale të kohës sonë. Ai ka botuar shumë libra të cilat janë vlerësuar nga kritika letrare dhe me çmime të shumta Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Vito Taverna ka qenë edhe skenarist i kinemasë së filmave dokumentarë të ndryshëm. Në qershor të vitit 1957, ai fitoi çmimin “Ariu i Artë” në Festivalin e Filmit të Berlinit me dokumentarin “Njerëz të larguar”, dokumentar ky mbi guroren e shtufës së Ishujve Eolian. Vetëm një vit më pas, në qershor 1958, ai u prezantua me dokumentarin “Vjelja e gjatë”, në të cilin, protagonistë ishin vjelësit e ullirit në Kalabri, ku fitoi sërish çmimin “Ariu i Artë” në Festivalin e Filmit në Berlin.

ZËRAT AUTORITARË

Na ishte njëherë, por kur?
një zero,
që askush nuk e merrte seriozisht.
Zërat më autoritarë në botë,
gjallesat më të rëndësishme
të vlerësuar dhe të referuar nga vetë ata,
thonë në kor të zemëruar dhe të tronditur:
“Pa shiko këtë zero të rrumbullakët,
se si mburret pse në këtë botë ekziston,
por çfarë mund të bëjë ai përballë lavdisë
që ne ia besojmë njëri – tjetrit historisë”?
kështu thanë, por befas, pak i inatosur,
edhe zero merr vrull,
dhe u thotë të gjithë balonave të fryra:
“Kini kujdes se ju kam skeduar,
dhe nëse e vë veten përballë çdo arrogance,
do ju zhduk nga historia.
Ai që lavdëron veten
mashtrohet me të vërtetë:
mjaftoj unë dhe kjo nuk vlen asnjë zero tjetër”.

ETHE

Është melankolia,
që të pushton,
teksa zgjohesh, në orën e zakonshme,
sikur të kesh caktuar një takim.
Me mall
objektet rikompozohen,
në hapësirat e ndriçuara nga agimi.
Një e nga një
i viziton melankolia
dhe na lë,
na ngatërron
në një vezullim pendimi.
Unë jetoj me këto gjëra, sërish shijoj
gëlltitjen e lotëve,
dënesave të ndrydhura,
kur si fëmijë veten braktisja
në të timin dëshpërim.
Nuk ka kufij apo konture,
pak nga pak çngjyroset,
aty, brenda orëve dhe ditëve të jetës tënde
të fateve të tua,
dhe pikëllohet për vetveten
pothuajse një ethe jetëgjatë,
një lëngim ecjesh dhe rikthimesh.

KOKRRAT E SHEGËS

Sikur të isha një hajdut,
që në mes të natës lëviz
heshtje nën heshtje,
hije nën hije,
me kujdes jashtë shikoj
në këtë gjithësi që brenda meje zhytet.
Dhe brenda errësirës çjerr
i pa gjumë, shushurimën e perdeve,
për mua racionalist i devotshëm,
të bën t’u besosh pranive
me krahë engjëlli,
dhe një mërmëritje që zë i dobët bëhet,
e cila nuk kuptohet.
Dhe atje, nga fundi,
lind dhe më pushton vorbulla e jetës.
Më shtyp në çdo anë
kjo dëshirë e ngutshme për të ekzistuar,
plot momente lëngëzimi
si kokrrat e shegës,
që vërshojnë ftues
nga të çarat e frutës.
Ti jetë që skalit ditët e mia si një artist prej guri,
dëgjomë, detyrueshëm po të them,
në këtë valë orësh,
në këtë tufë çastesh,
në këto himne të diellit të plotë,
Unë jam i yti, i yti plotësisht, dhunshëm i yti!
Gjithçka lavdëroj tek ty, siç të dua, duamë.
Unë jam kantori yt
që kurrë nuk ngopet me ty.
Tek unë kthjellët do të shkëlqesh
ti mua më përket tërësisht
mish e gjak, kohë dhe hapësirë,
dhe ti thuamë përsëri miku im Dylan:
“Dashuria nuk do të humbasë,
dhe vdekja nuk do të ketë më sundim.”

MIKJA

Më pëlqen poezia që përshpërit
mes saj dhe meje mendimet e veta,
që pyetje bën
dhe qartëson pak nga pak hijet e mia,
që shushurisin mbi shkëmbinjtë e mprehtë
të dhimbjes dhe dashurisë,
me fjongon e zhurmshme të rrymës.
Gërmoj në sekretet e saj,
në atë që ajo di fare qartë
dhe si shoqe e zemrës më tregon.
Jeton mes të sotmes dhe të djeshmes, plangprishëse ose koprrace,
dhe përmbledh heshtjet dhe mundimet e saj
që shfaqen në shpirtin tokësor
për të eksploruar hapësirat
të shkreta dhe të vjetruara.
Oh, sa i vetmuar je, i ftuari i magjisë,
me ditët e evokuara, të bukura
të momenteve të shqetësuara,
që përcaktojnë të keqen e tyre për të vdekur.
E dua, si vajza adoleshente
e poetit Vincenzo Cardarelli,
Unë, peshkatar i panjohur sfungjeresh,
i përvëluar.
Përgatiti dhe përktheu: poetja, shkrimtarja, publicistja dhe Zv. Kryeredaktore në Albania Press
Angela Kosta – 8 Shtator 2023