Site icon Gazeta Nacional Albania

Zëri kreativ i gruas intelektuale çame në Shqipëri dhe në diasporë. Reportazh nga Elda Keci

ZËRI KREATIV I GRUAS ÇAME

Nga Elda Keci

Të dielën, më 7 shtator 2025, në ambientet e ngrohta të Akademisë së Arteve në Tiranë, u zhvillua një veprimtari kulturore-artistike dhe poetike me titullin domethënës: “Zëri kreativ i gruas intelektuale çame në Shqipëri dhe në diasporë.” Një aktivitet që jo vetëm nderoi figurën e gruas çame, por edhe solli në vëmendje historinë, dhimbjen dhe krenarinë e një komuniteti me rrënjë të thella në trojet shqiptare.

Ky takim i veçantë, organizuar me përkushtim nga shkrimtarja Nexhi Hasani, dhe i moderuar me profesionalizëm e ndjeshmëri nga znj. Anila Kadija, mblodhi bashkë zëra të fuqishëm femërorë, të cilët përmes krijimtarisë së tyre sollën një panoramë të gjallë të identitetit, kulturës dhe dhimbjes së Çamërisë.

Veprimtaria ishte një dëshmi se krahina e Çamërisë është një nga trevat më të pasura shqiptare për nga trashëgimia shpirtërore – me një thesar të jashtëzakonshëm këngësh, vajesh, legjendash, baladash dhe folklori të rrallë që i ka rezistuar kohës. Kjo pasuri kulturore është pasqyruar ndër dekada edhe nga figura të njohura të letërsisë çame si Bilal Xhaferri, Bedri Myftari, Namik Mane, Agim Bajrami, Fatime Kulli, Arben Kondi, Anila Dahriu, Ahmet Mehmeti e shumë të tjerë, të cilët kanë krijuar një traditë të mirëfilltë letrare që vazhdon të frymëzojë breza të tërë poetësh dhe studiuesish.

Gratë intelektuale çame, nga Shqipëria dhe diaspora, ndanë me publikun vargje të mbushura me emocione të thella, ku përziheshin nostalgjia për tokat e humbura, kujtimet e fëmijërisë, dhimbja për të larguarit me dhunë dhe mallkimi për heshtjen historike që shpesh i ka rrethuar. Poezitë e tyre ishin jo vetëm thirrje për drejtësi, por edhe mesazh i fortë për të mos harruar kurrë rrënjët, për të ruajtur kulturën dhe për të përcjellë trashëgiminë e vyer tek brezat e ardhshëm.

Kjo veprimtari u pasurua edhe nga një performancë artistike mjaft emocionuese, ku këngëtarët çamë Enkeleda Arifi dhe Hysni Alushi sollën tingujt e vajit, këngëve të dasmave dhe motiveve tradicionale çame. Veshjet popullore, zëri i kthjellët i këngës dhe interpretimi autentik përcollën një atmosferë që preku zemrat e të gjithë të pranishmëve, duke sjellë Çamërinë e mohuar përmes artit dhe ndjesisë së gjallë kolektive.

Në aktivitet morën pjesë dhjetëra poete, shkrimtare dhe krijuese të tjera të spikatura, ndër të cilat: Lumturi Lume Plaku, Nezi Plaku Velaj, Nurie Maliqi Baduni, Shqiponja Panajoti, Mimoza Eliona Osmani, Alma Mehmeti, Rakela Zoga, Neviana Shehi, Ildije Xhemali, Nasia Xhemalaj, Arbana Arba etj. Ato përcollën përmes vargut dhe fjalës artistike mesazhe të forta të paqes, shpresës dhe rezistencës kulturore.

Ky takim u kthye në një urë lidhëse ndërmjet së shkuarës dhe së tashmes, duke dëshmuar se gruaja çame, përmes fjalës së saj, jo vetëm që mbart historinë, por është edhe forcë transformuese e realitetit. Ajo nuk harron, por as nuk mbyllet në dhimbje – përkundrazi, krijon, përcjell, edukon dhe ngjall ndërgjegje.

Në fund të veprimtarisë u shprehën dëshirat që ky zë i fuqishëm krijues të mos shterrojë kurrë dhe që veprimtari të tilla të shërbejnë si nxitje për të ruajtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.

Fotografi: Kristaq Janushi

 

Exit mobile version