Site icon Gazeta Nacional Albania

Agim Gjakova: RRËFIMI I JURISTIT, TREGIM

 

 

 

 

Prokuror, gjykatës, avokat. Tri detyra, tri përgjegjësi. Të përpiqesha të isha i përkryer do të thoshte se duhej të isha gatuar me përgjegjësi. Në të tria u enda si njeri që u ishte përshtatur përmbajtjes dhe kërkesave të tyre në dobi të vetvetes..

Në fillim u lëkunda se në cilën detyrë të filloja punën, pasi isha pa përvojë. Shqyrtova të tria në raport me shtetin, me mbarëvajtjen shoqërore dhe…? Natyrisht me rrjedhën ekonomike. Zhvillimi “historik”, e quajta kështu gjithçka që kishte ndodhur me ngjarje të thjeshta e të ndërlikuara si vjedhje, përdhunime, plaçkitje, vrasje e të tjera, ma shtiu në mendje se detyra e gjykatësit më shkonte më shumë për shtati kur i kisha thënë vetës se duhej të arrija pasurimin dhe  pozitën, ashtu siç ishte bërë rrugë në tërë veprimtarinë juridike. Më dukej se nga sistemet administrativ, arsimor, kulturor e të tjerë, kisha zgjedhur më të përshtatshmin. Sistemi i pushtetit ishte me rastësi: Sot je në pushtet, nesër nuk je, pasi vjen ai tjetri. Kurse jurist je në të gjitha kohët e pushtetet dhe ke mundësi të’ ndjekësh shtegun e karrierës, sado i ngushtë dhe i shtrembër, nëpër të cilin mund të ecësh fitimtar.

Plotësova dokumentet e kërkuara. Më emëruan në gjykatën themelore, e cila kishe disa departamente. U mendova gjatë se më cilin departament ishte më mirë të punoja. Zgjodha departamentin e përgjithshëm. Për këtë m’u desh të ndërhyja me të njohur që të më caktonin aty.

“Gjykimi dhe drejtësia janë larg njëra tjetrës si koka me këmbët.” I thashë vetes. Për drejtësinë e gjykimin ka me qindra thënie. Unë e shkriftova thënien time se duhej të lodhja këmbët që të ishte një gjykim i drejtë, ose duhej të lodhja mendjen që të pushonin këmbët.

Për ta ushtruar detyrën pa pengesa dhe për të fituar një emër të mirë, sidomos si gjykatës që merr vendime të sakta, dhe për të përmbushur pikësynimet e mia, më duhej të krijoja miqësi me policinë dhe administratën. Njëkohësisht duhej të lidhesha me kolegë prokurorë dhe avokatë, si edhe të bëja miq në gjykatën e apelit.. Sa i përket politikës dhe përplasjeve partiake…? E dija se çfarë dhe si duhej të përdridhesha, pasi aty ligjet hyjnë shumë pak dhe sa më i zgjuar të ishe aq më shumë dije ta përdridhje.

Më caktuan lëndën e parë. E studiova tri herë. Së pari desha të kuptoja thelbin dhe e përqasa me të gjithë praktikën e rasteve të tilla që kisha lexuar apo dëgjuar. Ishte një çështje civile. Së dyti, si të sillesha me personat. Të filloja si tashmë kolegët  që kishin vite që merrnin para nga palët, apo të qëndroja i ndershëm?

Si rast i parë zgjodha të dytën. “Që të të marrin vërtetë për të ndershëm duhet t’i nderosh njerëzit.. E kam përpara të ardhmen se njerëzit nuk m und të rrinë pa zënka.”  I thashë vetes.Megjithatë vetëm në rastin e katërt përfitova një kafe nga pala, së cilës ia dhashë të drejtën. “Më mirë si fillim deri sa të… Sa të trashet lëkura!” Më tha një koleg duke qeshur, kur biseduam shkarazi për këtë dukuri. Kështu më doli nami si gjyqtar i rregullt dhe i drejtë.

Si ta kisha shtyrë unë më erdhi një burrë e më kërkoi  ta nxirrja të pafajshëm për  një shkelje që dënohej vetëm me gjobë. Kishte marrë dijeni se sa ishte gjoba dhe ma ofroi këtë shumë, madje edhe pak më shumë, pasi nuk dëshironte të kishte një, siç e quajti vetë, njollë në biografi. E shikova gjatë në heshtje. Ai, herë i ngrinte sytë e më vështronte, herë i ulte dhe priste së çfarë do t’i thosha unë. Ishte një gjykim që i takonte gjykatësit për kundërvajtje dhe nuk di përse ma kishin caktuar mua.

“Mirë, por kjo të mbetet midis nesh.” I thashë. I qeshi fytyra. U ngrit,  nxori zarfin nga xhepi i brendshëm i xhaketës. S’di pse nuk e zgjata dorën ta merrja. Ai priti disa çaste, pastaj e la mbi tavolinë. Tha “faleminderit “ e doli.

U ula në karrige dhe më vrulluan mendimet. I kisha thënë vetes të pasurohesha e të ndërtoja një karrierë, mbase shembullore, por në ato çaste m’u përzien të gjitha ndjenjat e mendimet. Isha i drejtësisë dhe…? Dhe a po mbroja drejtësinë? Gjoba ishte ndëshkim për të trokitur në vetëdije dhe për ta ngacmuar ndërgjegjen. Mbase edhe ky “zëvendësim”, e quaja ashtu, mund të trokiste në vetëdije dhe ta ngacmonte ndërgjegjen e tij në mënyrë të qetë dhe të kënaqshme. “Mos e vrajë mendjen shumë, o burrë! Bota ka e do të ketë morinë e rasteve të ndryshme.” Thashë dhe hapa dosjen dhe shënova: I pafajshëm. Do të dija si ta kapërceja këtë rast të lehtë. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja duhej t’i shërbenin qëllimit tim.

Pas kësaj fillova të  mos mendoj më se a duhej apo nuk duhej të përfitoja. Brenda  një kohe të shkurtë marrja u bë e rëndomtë që nuk nxiste kurrfarë mendimesh. Ky qëndrim zgjati pak vjet kur “sëmundja ngjitëse” e përfitimit edhe me ndërlikime, stërhollime e kleçka në shpjegimin e zbërthimin e ligjeve, filloi të sillte shuma me shifra më të lata.

I varfër, i pasur…? Nuk më interesonte. Të gjithë duhet të paguanin që vendimi të ishte në anën e tyre kur bëhej fjalë në raport me shtetin ose me institucione. Pak më e vështirë ishte të jepja vendime për paditë ndërmjet palëve qytetare. Pala e paditur më ofronte shpërblimin

madje edhe kur çështja anonte haptazi nga pala tjetër.

Përgjegjësi kisha vetëm ndaj mirëqenies sime. Megjithatë u trembesha kundërpadive në apel pas gjykimit të shkallës së parë,  se mund të më nxirrnin lakuriq, prandaj duheshin  stërhollime e ndërlikime që të mos merrej se kisha dhënë vendim në favor të palës në gabim, por si nuancë shpjegim e zbërthimi të ligjit.

Për një kohë u bëra mjeshtër sa nuk ma kalonte më askush në gjirin e kolegëve të gjykatës, ashtu si gjeli maje plehu. Më kujtohet se si e pështjellova një çështje. Shpërblimi qe tejet joshës. Pala që kërkohej të ishte e pranishme në gjykim nuk duhej të paraqitej edhe kur shtyhej për mungesë të arsyeshme. Pështjellimin e bëra me rregullin e njoftimit. Personi ishte jashtë shtetit dhe unë gjeta mënyrën dhe njoftimi i shkoi në adresë  brenda qytetit. Kështu që atij nuk i mbërriti njoftimi për paraqitje. Atëherë mora vendim që pala tjetër të administronte pronën deri sa të paraqitej personi me kërkesën e duhur për rishqyrtim.

U bëra mjeshtër edhe në plotësimin e dosjeve me dëftesa, dëshmi, e të tjera që ua kërkoja palëve që ofronin shpërblime të mëdha, në mënyrë që të kisha njëfarë materiali mbështetës për të marrë vendimin në dobi të tyre.

Ligjet e nenet? Kush i mban mend të gjitha! Shpesh nuk më hyjnë në punë fare se marr vendime logjike kur më duhet të jap vendime të njëanshme. Megjithatë duhej të kisha parasysh thënien “gjëja e parë që duhet bërë është të vrasësh juristin: Në një rast u ndesha me avokatin, i cili më kundërshtoi, duke më thënë se filan nen i ligjit nuk zbatohej në atë rast. E shikova dhe qesha. I dhashë me kuptue se “kështu duhet për të marrë këtë vendim të caktuar”.

Pajtimin ndërmjet palëve e kam pasur për dëshirë, se e rregulloja në atë mënyrë që të dy opalët të mbeteshin të kënaqur, po edhe unë. Hartoja tekstin e marrëveshjes dhe arrija që të dy palët ta pranonin.

Më kujtohet një rast kur arrita një marrëveshje jashtëgjyqësore. I thërrita të dy palët të pinim kafe të tre. Po haheshin për një pronë toke. Paditësi e kishte shfrytëzuar atë tokë. Pas luftës tokën kishte filluar ta shfrytëzonte i padituri.  Hetova në kadastër dhe kjo pronë ishte e një personi që kishte emigruar shumë vite më parë dhe nuk ishte bërë i gjallë. Mund të kishte vdekur. Pra të dy nuk kishin as marrëveshje me pronarin as akt pronësie. Toka i mbetej shtetit kur të vërtetohej se pronari kishte vdekur dhe nuk koishte trashëgimtar.  Ua bëra me dije këtë. Ata heshtën.

“Ju mund ta ndani përgjysmë atë tokë. Unë do të jua lëshoj një akt marrëveshjeje, pa përmendur pronësinë. Shteti nuk ka nge të merret me saktësimin e kësaj prone, prandaj jeni të sigurt. Përndryshe e humbisni të dy mundësinë e shfrytëzimit të saj.”

E pranuan pajtimin. Kisha parasysh “ligji e krijon mbulesën dhe e fsheh thelbin”. Të dyve iu thashë se po përfitonin një pronë me të ardhura të mira, prandaj edhe shpërblimi duhet të jetë në përpjesëtim me këto të ardhura. Kisha parasysh urtinë popullore se “kur zihen dy veta shkon i treti t’i pajtojë dhe ai ua lyp shpërblimin për mundin”.

Në disa raste më vinin avokatët dhe merreshim vesh për shumën, në disa raste u bija përanash dhe ata e kuptonin se gjykimi duhej të ishte me marrëveshjen financiare.  I kishte dalë nami një avokati që merrte shuma të mëdha, por edhe rastet i zgjidhte në favor të atij që paguante dhe pothuajse gjithmonë kishte fituar. Duke u menduar se çfarë bënte ai më shumë se të tjerët, fap!, më shkrepi se ishte fort e lehtë ta kuptoje. Ishin pikërisht shumat e mëdha që zgjidhnin problemin. Qesha me vete dhe si rastësisht u takuam, u përshëndetëm, e lavdërova për sukseset dhe i propozova të pinim kafe. “Kur e lyen rrotën e qerres, ajo ecën sigurt dhe pa kërcitje.” Ma pohoi.

Gjatë punës kam menduar shpesh nëse do të ishte më mirë të kisha të bëja me persona juridikë privatë apo publikë. Nuk më duhesshn mua persona publikë kur financohen nga shteti, ose janë ndërmarrje shtetërore dhe financohen vetë. Ata që punonin në këto nuk të linin të futje dorën më xhepat e tyre. Megjithatë ka pasur rrallë që më është caktuar ndonjë lëndë e tyre për gjykim. Të kishe punë me shoqata ishte si të merreshe me grerëza.

Kaluan disa vjet dhe u arrit shifra  disa numrash e depozitave në katër banka që të mos diktohej. Në politikë thuhet se “politika ka pare, nëse nuk i merr ti, i merr ai tjetri”, por mua nuk më lypsej të merresha me procese që preknin politikën. Përkujdesesha të mos merrja lëndë të tilla që preknin politikën dhe as personat politikë. “Edhe drejtësia ka pare, dhe aty ku i merr ti, i marr edhe unë, dhe aty ku marr unë, merr edhe ti.”

Kisha marrë. Kisha krijuar miq në organet mbikëqyrëse, por kohët e fundit më kishin dalë, thuaju po deshe, edhe armiq që filluan të më dërgonin pusulle të tilla si:.

“Ti punon nën rrogoz, i dashur, por jo gjithmonë mbetesh pa u zbuluar.”

“Hiq dorë nga tërë pisllëqet, zotni!”

“Kafshata e madhe të ngec në fyt.”

Ato fjalë më shtynë  të mendohem thellë. Në gjykim duhej të mbështillesha me lëkurë bualli që të mos prekesha nga asgjë, çkado që të thoshin. Isha gjykatës që i priste sëpata  në të dy anët. I jepja të drejt atij që kishte, por edhe tjetrin e fajësoja pak. Kështu fitoja nga të dy anët.

Kur ndodhen ngjarje dhe qëndrimet politike të drejtimit të shtetit ndryshuan dhe veprimtaria e juristëve u shtua shumë, puna e avokatit u bë prijëse, ose ta them doli në krye, pasi paguheshin shuma të mëdha për procesin e mbrojtjes, se u acaruan mjaft marrëdhëniet e përgjithshme politike-shoqërore.

Avokat! Mundësia për më shumë dredhi. Kriminelin ta nxirrje viktimë. Viktimën ta akuzoje shkaktare. Këto ishin më të rëndat. Pastaj njëqindenjë më të lehta. Pra ,një rrah shumë i gjerë për përfitime.

Plotësova kërkesat dhe provat që lypseshin. Hapa një zyrë. E pajisa në mënyrë të tillë që t’u bënte përshtypje klientëve. E shkroi bukur me shkronja të mëdha një piktor “Kur puqen dy vezë, njëra do thyhet. Këtu thyhet veza e kundërshtarit.” E futa në një kornizë dhe e vara në mur.

Nuk e kisha menduar deri në atë masë plotësinë e  pagesave. Në fillim mbrojta disa çështja civile, pastaj edhe ato më të rëndat deri tek krimet. Për këto kërkoja më shumë. Përvoja në gjykatë më kishte mësuar se kur duhej të mbroja një të akuzuar për krim, duhej të ngatërroja nenet e ligjet në atë mënyrë që të mos kuptohej plotësisht e vërteta dhe në këtë hulli të nxirrja përfundimet që duhej përpara gjykatës. Megjithatë më e rëndësishmja ishte bashkëpunimi me gjykatësit. Qesha me vete kur m’u kujtua bashkëpunimi im si gjykatës me avokatët. Tash ishte e kundërta: Avokati bashkëpunonte me gjykatës!

Kjo punë shkonte si në vaj, siç thonë, por jo të gjithë gjykatësit më shikonin me sy të mirë. Që t’u jepja një mësim më ndihmoi rasti kur një klient më solli vendimin e njërit prej këtyre gjykatësve që kishte bërë një gabim të pafalshëm.  Vendimi ia kishte njohur përfituesit pronësinë për një truall, duke e arsyetuar se ishte zgjatim i kopshtit të tij. Por nuk kishte bërë këqyrje, se ndërmjet kopshtit dhe truallit ndodhej një hapësirë toke që i takonte dikujt tjetër. E paraqita në kolegj dhe u mor një masë e ashpër me paralajmërim se do t’i hiqej e drejta e ushtrimi si jurist.  Pas kësaj më doli nami si avokat i zoti dhe i ndershëm.

Këtë nam e forcova kur klienti im i radhës ishte “dy pare njeri”. E kisha njohur nga larg dhe në një rast kisha thënë se nuk e hanë as qentë! Kërkoi t’ia përgatisja padinë për një të fortë që i kishe pushtuar truallin për të ndërtuar një dyqan. Më foli me zemër në dorë se i kishte të shkundur xhepat. U ndala për një çast. Edhe kërkesa më e vogël ishte si t’ia vija këmbën në fyt. Krahasova me njërin  që më kishte premtuar shumë dhe ky ishte e kundërta. “Fjalë e ëmbël thyhen të fortin.” Thashë më vete. “Unë jam i forti!” Në vend që t’i merrja diçka e ftova për drektë dhe u kënaq e gati sa nuk iu mbushën sytë me lot. Pas kësaj vrulluan edhe mjaft të tjerë, të cilëve u kërkoja një shumë të vogël. Nuk e di se çfarë ndodhi me mua. “I fortë i zbutur, i pa paragjykim për të ardhurat e disi i qetë deri ditën kur u ndesha me një avokat.

Marrëdhëniet me kolegët avokatë ishin dy llojesh kur përplaseshim në çështje civile. Me një pjesë ishte mirëkuptimi, me pjesën tjetër përplaseshim, nganjëherë fort ashpër deri në fyerje të njëri tjetrit. Avokati i palës tjetër, me të cilin u ndesha, ishte bytha e dreqit, prandaj duhej t’ia gjeja dobësitë, të përgatitesha mirë me thënie e veprime që të mos ia merrte mendtë gjykatësit. Pasi paraqitëm të dy mbrojtjet tona, iu drejtova avokatit kundërshtar  si me të qeshur, por thumbin e kishte brenda:

“Avokati e shti shejtanin në shishe, disa thonë në thes.”

“Mbrojtja e tjetrit sado e drejtë që të jetë, kurrë nuk i duket i plotë.” M’u përgjigj.

“Nuk të akuzoj për asgjë, por e ke shtyrë gjykimin tërhiq e mos këput si parakusht për të fituar.”

Këtë e bëja edhe vetë. Pështjelloja me kohën, me mosparaqitjen, me sëmundje e të tjera.

“A mos po të djegë miza, ty? Fol hapur.”

Kur avokati kundërshtar shihej se do të merrte zjarr, unë filloja të qeshja, madje me zë të fortë..

“Mos e lësho zogun prej dore!” Shqiptova me gaz.”

“Ti po e kupton se gjithë përpjekja po të shkon huq.”

“Kjo mbrojtja jote s’vlen as me ia falë dreqit pa sjellë një qitap si të atij që ia çoi kadiut për çdo faqe të mbushur me… e di ti vetë. Ti je si frynë era. Dhe ti e di se çka sjell era!”

M’u kujtuar anekdota e vjetër kur një i paditur që mund të dënohej rëndë, i solli  kadiut një libër fetar, gjoja për drejtësi hyjnore, ku në çdo faqe kishte nga një bankënotë.

 “Të dua, mor, të dua!” Ia  theksova fjalët po duke qeshur. Pastaj shtova: “Si krypa në sy!”

Iu lidh gjuha. Ia vërejta grimasat gjykatësit  për të kuptuar se nga cila anë do të anonte. M’u duk se kisha fituar. Dhe ashtu ndodhi.

Siç thashë se gjendja politike-pushtetare pësoi ndryshime më thirrën dhe ma kumtuan kërkesën që të kaloja në shërbimin e prokurorit. Në të vërtetë nuk më pëlqeu, megjithatë kuptova se duhej ta pranoja. Kuptova gjithashtu se në ministrinë e drejtësisë dhe në qeveri ishte diskutuar emërimi im si prokuror në prokurorinë e posaçme për krimet me arsyetimin se do të isha i paanshëm, sidomos në hetimin e korrupsionit, pasi kisha punuar në çështjet civile.

Prokuror. Një pjesë të personelit i njihja. Disa ishin më shumë punonjës politikë se prokurorë. Mbështeteshin nga partitë dhe vepronin sipas interesave, kërkesave e urdhrave të partive të tyre. “Ja, pra. si ndërhyn politika në drejtësi?” Dihej se duhej të ishin të pavarur, por… Gjithmonë ky “por” ka ngatërruar botën! “Drejtësia gjithmonë mundohet t’i ngjitet kodrës, por kurrë nuk e arrin majën.” Thashë i menduar se si do ta programoja punën time në kahet e mbrojtjes së vendit, ligjshmërisë, interesave të shtetit e të tjera.

Së pari e bëra për vete kryeprokurorin e prokurorisë së qytetit dhe vendosa kontakte me disa anëtarë të këshillit të prokurorisë e dy prej tyre i bëra miq. Meqë kisha punuar si gjykatës, pothuajse i njihja të gjithë gjyqtarët. Pasi nuk kisha gjykuar çështje penale, e pata pak të vështirë të bashkëpunoja me gjyqtarët që merreshin me çështje penale.

Në fillim pata raste të lehta të krimeve. Detyra kërkonte marrëdhënie të ngushta me policinë dhe shërbimin e fshehtë. Duhej vërtetë  të gjykohej nëse iksi kishte kryer krimin në bazë të provave dhe a ishin provat të theksuara, të shtuara apo të sakta. Ngritja e akuzës duhej bërë me kujdes se mundej që gjykata ta hidhte poshtë. A kishte ndonjë zbrazëti në procesin e punës? Ligjet i parashikojnë të gjitha, por kurrë s’mund të jenë të përkryera se edhe ngjarjet e rralla të jetës u paraprijnë, dhe një akuzë jo krejtësisht e saktë çon sipas thënies popullore se “Nga një vrimë e vogël, rrjedh e gjithë fuçia” e çështja mund të shkojë në kundërpadi.

Kaluan raste të lehta e të rënda si për shembull zhdukja apo vdekja e një personi ku duhej të hetoheshin rrethanat e të tjera, dhe ashtu, si kur isha gjykatës, edhe prokuror arrita, së bashku me gjykatësit, të përfitoja nga palët që kërkonin lehtësime. Më erdhi një rast i parë mjaft i vështirë e i ndërlikuar. M’u desh të kisha parasysh shumë skaje të çështjes. Një djalë kishte bërë vrasje nën ndikimin e drogës. Më erdhi babai i djalit. Nuk e dija se nga e kishte marrë vesh që unë e kisha lëndën. “Kërko sa të duash, por ma nxirr djalin nga burgu.” Më tha në mënyrë lutëse. Heshta një kohë të gjatë duke e vështruar. Ai filloi të lëvizte duart, sytë, trupin nga një ndjenjë e fuqishme dëshpërimi. Dukej se trupi i tij nuk gjente kurrfarë cak qetësimi.

“Eja nesër!” I thashë qetë pa shtuar asnjë fjalë tjetër.

Atë natë bashkë me gjyqtarin, duke pirë nga një gotë verë, e shoshitëm çështjen mbarë e mbrapsht me të gjitha të dhënat e provat.

“Unë kam një kontratë për një banesë në një bllok që po ndërton ai. T’ia kërkoj të ma lërë pa pagesë?” Më pyeti gjykatësi.

“Nuk është shumë, or burrë!”

Thirra një dëshmitar dhe i thashë se do të ishte i pandehur si bashkëpunëtor, ose si mos kallëzues i krimit, nëse nuk e thoshte të vërtetën. E vërteta nënkuptohej se ai duhej të pohonte se djali nuk kishte qenë në rregull me logjikën në çastin e krimit. I ngriu gjaku dhe nisi të belbëzonte. Deklaratën e mëparshme e tërhoqa nga dosja.

Me kërkesën e gjykatësit mblodha edhe ca prova, raportin mjekësor që e kishte paguar i ati edhe atë të dëshmitarit, që ishin  lehtësim për të pandehurin. E nxorëm nga burgu dhe e dërguam në spital me mbikëqyrje policore. Në akuzë kërkova kufizim lirie . Gjykatësi e dënoi me dy vjet që do t’i kalonte në sanatorium për të droguarit.

“Bishat nuk presin që të gjykohen me drejtësi kur e shqyejnë prenë.” Këtë ironi na dërgoi dikush, me siguri nga familjarët e të vrarit, si mua ashtu edhe gjykatësit. E dinim se do të kalonte çështja në apel dhe se apeli do ta kthente për rigjykim, por ne , si thonë, “e bëmë tonën”.

Edhe pas disa rasteve si kjo, por më të lehta u mora me disa pushtetarë që më kishin  injoruar. Kisha grumbulluar ca mllefe. Ua gjeta ku kishin shkelur në dërrasë të kalbur. Ua gatova kulaçin. I futa në burg. U bëra “prokuror me miq e me armiq”. Për miqtë kisha ligjet që t’i mbroja. E ligjet i kisha edhe për armiqtë që t’i shkatërroja. Mbase ligjet edhe ujin e  ngrenë përpjetë.

“Neni dymbëdhjetë e përcakton qartë se paragrafi i nenit katër të faqes së dytë e përjashton dhe e drejton tek neni gjashtë i pjesës së parë ku flitet për këtë krim që keni kryer ju!” Të gjitha ishin sajime që ia thash të pandehurit për të zbuluar një të dytë, të cilin doja vërtetë ta dënoja. Ai nuk kuptoi asgjë, se në të vërtetë nuk qëndronte asgjë nga ato nene e paragrafë, por u trembi shumë dhe u zbërthye krejtësisht që ma lehtësoi shumë punën.

“O i mjeri qytetar! Sa degë e departamente ka kjo drejtësi edhe neve na luan kapaku i kokës që jemi të profesioni! Drejtësia e shtetit është gjëja më e ndërlikuar në jetën e njerëzve, varësi e ndërvarësi, nene, paragrafë… që as ne nuk i mbajmë në mend. Ia lumsha kanunit e kuvendit të burrave që kanë zgjidhur gjithçka drejt e mirë pa këtë babiloni! Ha,ha! E quajte babiloni, por  kjo babiloni na bën ne të kamur!”  I thashë kolegut tek po pinim nga një gotë. “Kjo drejtësi, ky sistem, e bën njeriun krejtësisht të varur nga i ashtuquajturi shtet. O qytetarë,  ligji është bërë për të ju kufizuar…!”

“Mjaft më na përgjunje!” Ma preu fjalën kolegu duke qeshur dhe cakërruan gotat.

E kujtova këtë rast se ka pasur edhe të tillë qytetarë që ma patën përplasur:

“Unë jam burrë që lidhet me fjalë dhe jo me ligjet e tua!”

“Lisi nuk pritet me një të ramë, zotni, siç doni ju!”

“Un e di fort  mirë se kush ha pare prej jush, i nderuar!”

Pati edhe sharje, por ky perifrazim, siç e quajta,  m’u drejtua pa pikën e frikës:

“Një ditë ma lëshove një lajkë të lëmuar,  

 të lëmuar…

sikur unë atë çast të kisha kunguar,  

një ditë tjetër ma mprehe dhelen të hollë si pé

sikur unë s’po shkelja fare mbi këtë dhé,

herën e tretë ma leve fjalën me sheqer aq shumë

sikur unë tërë kohës po flija gjumë..

or mik, në maje të hundës ma ke sjellë,

ma jep ndërgjegjen ne vend të legenit

se po më vjen me vjellë.”

Unë jam jurist, kuadër profesional. Studimet i l kam kryer shkëlqyeshëm. Kam ushtruar të tri pozicionet si gjykatës, si avokat dhe si prokuror. Ligjet zbatohen, por edhe shkelen, si në rastin kur “shpëtuam një jetë njeriu”, sepse në jetë gjithçka është relative. Jeta nuk gjykon. Gjykon njeriu.

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version