TILLIE OLSEN: QËNDROJ KËTU DUKE HEKUROSUR, tregim. Përktheu: KOSTA NAKE

Jam duke hekurosur dhe, ajo që më shkruan, më detyron ta lëviz hekurin para e prapa e tronditur.

Ka nevojë për ndihmë… Sikur të vija, ç’mund të bëja? U bë nëntëmbëdhjetë vjeçe dhe gjithë këto vite i ka kaluar larg meje. Ishte një bebe e bukur. I dhashë gji asaj, u dhashë gji të gjithëve, por me të ishte koha kur pëlqeja librat, edhe pse qarjet e saj më dërmonin duke më tundur dhe sisët më dhimbnin nga enjtja. Lëshonte bulëza të ndritshme tingujsh. Donte të lëvizte, donte dritë, donte ngjyra, muzikë dhe endje. Donte të shtrihej në dysheme mbi mbrojtëset blu të sipërfaqes me duart dhe këmbët në ekstazë. Ishte një mrekulli për mua, por, kur u bë tetëmuajshe, duhej ta lija gjithë ditën me gruan e katit poshtë, për të cilën ajo nuk ishte aspak një mrekulli.

Isha nëntëmbëdhjetë vjeçe. Në prag depresioni. Filloja të vrapoja sapo zbrisja nga makina, vrapoja përpjetë shkallëve, te vendi që mbante erë të tharët dhe zgjohesha ose flija për t’u zgjuar e tronditur kur ajo më shikonte mua. Pas një fare kohe, gjeta një punë natën, kështu që mund të isha gjithë ditën me të. kështu ishte më mirë. U desh një kohë e gjatë për të mbledhur paratë që të paguaja mbajtjen e saj. Kur erdhi, mezi e njoha, duke ecur shpejt dhe nervoze si i ati, me pamje si i ati, e hollë, me lëkurën e verdhë dhe regëtimin e qukave. Gjithë dashuria e bebes kishte ikur.

Ishte dy vjeçe, moshë e mjaftueshme për në çerdhe, i vetmi vend për fëmijët. Ishte e vetmja mënyrë për ta mbajtur punën. Instikti më thonte se edukatorja ishte e keqe, pasi gjithë ato vite më është ngjizur në kujtesë një djalë i vogël, përkulur në qoshe, nën kërcënimin e saj: “Pse nuk ke dalë jashtë, se të godet Alvini? Kjo nuk është arsye, dil jashtë, frikacake.”

E dija se Emilia e urrente atë, edhe pse nuk pëshpëriti, as u përgjërua mëngjeseve “mos shko, mami” si fëmijët e tjerë. Gjithmonë kishte një arsye pse duhej të qëndronte në shtëpi. “Ma, jam e sëmurë. Ma, edukatoret nuk janë sot. Ma, nuk mund të shkojmë, se mbrëmë ra zjarri atje. Ma, sot është ditë pushimi.” Asnjëherë një protestë e drejtpërdrejtë, asnjëherë rebelim. Mendoj fëmijët e tjerë kur ishin tre-katër vjeç, shpërthimet, zemëratat, denoncimet, kërkesat dhe ndjehem menjëherë keq.

Do ta lëshoj hekurin. Plaku që jetonte prapa banesës sonë, një herë më tha në mënyrën e vet të sjellshme: “Ti duhet t’i buzëqeshësh Emilisë kur ta shikosh.” Ç’kishte në fytyrën time kur e shikoja atë? Unë e doja atë. Të gjitha ishin akte dashurie. Ajo nuk buzëqeshte lehtë, rrinte vetëm pothuajse gjithmonë, siç bënin vëllezërit dhe motrat e saj. Fytyra e saj ishte me hije, por kur donte, sa fluide bëhej. Po një natë, kur u kthyem nga një shfaqje komedie, e gjetëm të tronditur.

“Unë nuk qava, – na tha. – Tri herë ju thirra, vetëm tri herë dhe vrapova nëpër shkallë ta hapja derën që të vinit sa më shpejt. Ora trokiti fort. E hodha tutje sepse më trembi kur foli.”

Ajo tha se ora foli përsëri me zë të lartë edhe atë natë që shkova në spital për të lindur Suzanën. Ishte në delir nga ethet që i shkaktonte fruthi, por ishte krejt e vetëdijshme që nuk mund t’i afrohej bebes. Nuk i eci me shëndetin. Mbeti si skelet, e hollë, pa dëshiruar të hante dhe natë pas nate kishte makthe. Më thërriste. Ngrihesha, e rraskapitur për gjumë, dhe i thoja: “S’ka gjë, shpirt, fli, është thjesht një ëndërr” dhe, në se ajo thërriste ende, me një zë të vendosur, “Tani fli, Emili, nuk ka asgjë që mund të të prekë ty.” Dy herë, vetëm dy herë, kur duhej të ngrihesha për Suzanën, shkova dhe u ula me të. Tani, kur është tepër vonë, ngrihem dhe shkoj te ajo.

“Më zgjove, Emili? Do ndonjë gjë?”

Përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: “Jo, jam mirë, kthehu e fli, o ma.”

Në klinikë më bindën ta dërgoj në një vend pushimi ku mund të kishte ushqimin dhe kujdesin që nuk mund t’ia siguroja në shtëpi dhe do të isha e lirë të përqëndrohesha te Suzana.

Ende i dërgojnë fëmijët atje. Oh, është një vend i bukur me lëndina të gjelbra, pemë të larta dhe shtretër me lule. Lart, në ballkonet e çdo ndërtese qëndrojnë vajza me fjongo të kuqe dhe fustane të bardhë, djem me kostume të bardhë dhe kravata të kuqe të mëdha. Prindërit qëndrojnë poshtë duke klithur për t’u dëgjuar dhe fëmijët po ashtu duke bërtitur dhe midis tyre muri i padukshëm “Për të mos u prekur nga mikrobet prindërore ose kontakti fizik.”

Na shkruante një herë në javë, me shkrimin e ngadalshëm të një shtatëvjeçareje. “Jam mirë. Si është bebi? Në se e shkruaj letrën bukur, do të marr një yll. Ju dua.” Nuk mori kurrë ndonjë yll. Ne i shkruanim ditën tjetër, ajo nuk i merrte kurrë, vetëm ia lexonin.

“Ne thjesht nuk kemi vend për të mbajtur ndonjë gjë personale të fëmijëve,” – shpjegonin ato me durim. Pas çdo vizite dukej më e dobët.

“Ajo nuk ha,” – na thoshin ato.

Ushqimi e sëmurte, mendoj se e sëmurte edhe një pjesë e jetës së saj. Kishte momente përndritjeje fizike, duke xixëlluar me patinat e skive, duke u hedhur si top lart e poshtë dhe duke kërcyer me litar ose duke iu ngjitur kodrës; por të gjitha këto ishin momentale. Ajo shqetësohej për pamjen e saj, e dobët, e zeshkët, në një kohë kur çdo vajzë e vogël duhej të dukej ose të mendonte se dukej si një bionde topolake. Askush nuk vinte të luante me të në shtëpinë tonë. Ndoshta sepse ne lëviznim shumë. Ishte një djalë që e dashuroi me dhimbje gjatë dy semestrave të shkollës. Muaj më vonë më tregoi se si kishte marrë disa qindarka nga kuleta ime për t’i blerë karamele.

“Ia blija karamelet e preferuara dhe ia jepja çdo ditë, megjithatë ai pëlqente më shumë Xheniferin se sa mua. Pse, o ma?”

Ishte një lloj pyetje pa përgjigje.

Linda një bebe tjetër dhe isha në shtëpi. Shumicën e kohës Emilia ishte me astmë, frymëmarrjen e kishte të vështirë dhe të ngadalshme prandaj e mbushte shtëpinë me tinguj të qetë. I solla dy pasqyra të vjetra tualeti dhe kutitë e saj me koleksione. Zgjidhte rruazat dhe vëthët, shishen me kapakë dhe guacka, lule të thata dhe guralecë, kartolina të vjetra dhe copëra metali; pastaj luante me Suzanën duke vendosur objekte, mobilje dhe njerëz në veprim. Ato ishin të vetmet periudha kohe të marrëdhënieve paqësore mes saj dhe Suzanës. Emilia kishte një zemëratë gërryese ndaj Suzanës. Suzana ishte me flokë të artë e kaçurrela, topolake, e shpejtë, e artikuluar, e sigurtë. Ishte e paaftë t’u bënte ballë gjërave të çmuara të Emilisë, duke i humbur apo duke i thyer ato. Për pesë vjet ishte zhvilluar fizikisht, edhe pse me vite ishte vetëm një vit më e vogël se Emilia. Ky zhvillim i ngadalshëm fizik i Emilisë e zgjeroi ndryshimin midis asaj e bashkëmoshatareve, dhe vuajti për këtë shkak. Ishte shumë e dobët për atë botë të tmerrshme dhe konkurrencë rinore, me krekosje dhe parada, me krahasimin e përhershëm të vetes me cilindo tjetër, me zilinë: “Po të kisha flokë të bakërt”, “Po të kisha atë lëkurë…”

Torturohej mjaft nga që nuk dukej si të tjerat, ishte e vetëdijshme për fjalët para se t’i thonte, merakosej vazhdimisht se ç’mendonin të tjerët për të.

Kisha lindur katër fëmijë më të vegjël tashmë dhe nuk kisha kohë për Emilinë. Duhej të më ndihmonte të isha nënë, shtëpiake dhe të bëja pazar. Duhej të vinte vulën e saj. Mëngjeseve duhej të përpiqej të paketonte drekën, t’u krihte flokët, t’u gjente palltot dhe këpucët, secili të bëhej gati për në shkollë ose kopësht në kohë. Emilia gjithmonë me detyrat e shtëpisë të pabëra. Mbetej shumë pak kohë natën, vetëm pasi fëmijët e vegjël kishin zënë shtratin. Ajo përpiqej mbi libra, gjithmonë duke ngrënë, ishin ato vite kur asaj i erdhi një oreks i paparë që ishte i pabesueshëm për familjen tonë. Unë isha duke hekurosur, ose duke përgatitur ushqimin për ditën tjetër, ose duke i shkruar e-mail Billit, ose duke u përkujdesur për beben. Nganjëherë Emilia më bënte të qeshja, kur nuk ishte e dëshpëruar sepse imitonte ndodhi ose tipa të rinjsh të shkollës. I thashë një herë: “Pse nuk bën diçka të tillë me grupin amator të shkollës?”

Një mëngjes më telefonoi në punë duke mbajtur me zor lotët: “Mama, e bëra dhe fitova, fitova! Ata më dhanë çmimin e parë. Nuk pushonin së duartrokituri dhe nuk më linin të ikja.”

Befas ajo ishte bërë dikush, ajo që kishte qenë e burgosur në dallimin e saj dhe në anonimitet. Filluan ta kërkojnë të performojë në shkollat e tjera të mesme, madje edhe në kolegje, pastaj në skenat e qytetit dhe më tej. Herën e parë që shkuam në shfaqje, e njoha vetëm në momentin kur qëndronte e dobët, e turpshme dhe pothuaj e mbytur brenda perdeve. Pastaj: Emilia ishte kjo? Kontroll, komandë, duke bërë kllounin e tronditur dhe vdekjeprurës, magjia, pastaj britmat, shikuesit me përplasjet e këmbëve që nuk mund ta humbnin këtë qeshje të rrallë e të çmuar të jetës së tyre. Pas kësaj ti duhet të bësh diçka për të që ka një dhunti si kjo, po pa pará dhe pa ditur se si, ç’mund të bësh? Ne ia kishim lënë gjithçka asaj dhe kjo dhunti, e shtjelluar shpesh brenda, e bllokuar, kishte shpërthyer në moshë të rritur.

Ajo po vjen. Ngjit shkallët me vrap, nga dy njëherësh me atë hapin e saj të lehtë e të hijshëm dhe unë e di që është e lumtur sonte.

“Do mbarosh së hekurosuri ndonjëherë, mama?”

Kjo ishte një nga netët e saj të komunikimit dhe më tregoi gjithçka dhe asgjë, mbërthyer pas pjatës së ushqimit mbushur nga një kuti akulloresh. Ishte aq e këndshme. Ajo do ta gjejë rrugën e saj. Ngjit shkallët për në shtrat.

“Ma, mos më ngri me të tjerët në mëngjes.”

“Por ti je në mes të semestrit.”

“Eh, ato, – tha ajo, u kthye, më puthi dhe krejt lirshëm vazhdoi, – Pas pak vitesh, kur ne të kemi vdekur, ato nuk do të hyjnë në punë.”

E kishte thënë këtë edhe më parë. E beson atë. Po nuk mund ta duroja sonte. Nuk do ta duroj asnjëherë plotësisht. Le të jetë vetja, kështu gjithçka brenda saj do të lulëzojë, por kur do të bëhet? Ka ende mjaft për të jetuar. Vetëm ndihmoje ta dijë, ndihmoje ta bëjë atë, ajo është më shumë se ky fustan në tavolinën e hekurosjes, i pafuqishëm para hekurit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here