Shkruan: Vera Pelaj
Kush (cili) është Agim Gjakova?
U lind më 1935. Bir i dy mësuesve gjakovarë, i Demushit, oficer demokrat në ushtrinë e Fan Nolit si kryeministër, drejtor didaktik arsimor i tri nënprefekturave, Gjakovës, Malësisë dhe Podrimjes, kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar, i burgosur nga Italia fashiste, i torturuar dhe pas demonstratës që u bë në Gjakovë për lirimin e tij, gjatë së cilës u vra Shani Nushi, u plagosën të tjerë, u rrahën e gjakosën njerëzit, u lirua nga burgu që të vdiste në shtëpi në vitin 1943. E ëma Emine Gjakova – Shehdula e rriti në frymën atdhetare, kur spikati edhe axha i tij Haki Taha që vrau Milladin Popoviqin.
Agim Gjakova mbaroi shkollën Normale në Gjakovë dhe shkoi student në Beograd në fakultetin filozofik. Fryma atdhetare nuk e la të qetë edhe atje dhe bashkë me shokët formoi shoqatën e studentëve shqiptarë në Beograd, “Përpjekja”, në gojën e ujkut, në kohën kur sundonte Rankoviqi dhe torturoheshin e vriteshin shqiptarët e Kosovës në reprezaljen e ashtuquajtur aksioni për mbledhjen e armëve.
U burgos tri herë. Me gjithë torturat ku ia thyen edhe dhëmbët, nuk pranoi asgjë]. I thanë “Ti je i ndërgjegjshëm politikisht dhe me ty nuk bën fajde dajaku. Duhet të ta shkatërrojmë sistemin nervor që të dorëzohesh. Kishte metoda edhe për këtë. Por Agim Gjakova nuk firmosi asnjë shkresë.
Megjithëkëtë Agim Gjakova u tha se nuk ishte dhe nuk do të jetë për Jugosllavinë, se Jugosllavia nuk u ka bërë strehë të barabartë shqiptarëve dhe për trajtimi e familjes së tij dhe vetë atë pa bursë… Po theksoj, se studenti Agim Gjakova pothuajse nuk dinte ç’ishte të hante mëngjes se nuk kishte. Paguante vetëm drekën dhe konviktin dhe darkën herë me bukë e herë pa bukë.
Pasi ia hoqën shtetësinë me arsyetimin se kishte lindur jashtë Jugosllavisë, herën e tretë e arrestuan dhe e dërguan në kampin e përqendrimit dhe i thanë se “Nuk del më kurrë i lirë në tokën e Jugosllavisë”. Morën përgjigjen se “nuk më ka marrë malli për tokën e Jugosllavisë, por për Kosovën time.” Dhe me 27 maj të vitit 1960 vetë zyrtarët e UDB-së e nxorën fishek në kufirin shqiptar si person të padëshirueshëm për Jugosllavinë.
Ky ishte shkau.
Po si e priti atdheu si të riatdhesuar? Duke dashur t’i bëjnë luftë nervash e lanë për tre muaj e gjysmë pa punë dhe pa pagë. Familjes (nëna dhe një teze që u dëbuan bashkë me të) i dhanë një ndihmë tre mijë lekë për gjithë atë kohë, që ishte sa gjysma e rrogës mesatare në Shqipëri në atë kohë. Qëlloi që në tre katër ditë në javë të hante bukë me dhallë në gjendje shëndetësore të pasburgurt. Por stoicizmi i Agim Gjakovës, në përballje me buzëqeshje dhe humor, aq karakteristike për të gjatë gjithë jetës edhe sot e kësaj dite, e përballoi edhe atë sfidë. Kërkoi të vazhdonte studimet. Më në fund pas dy vjetësh i dhanë mundësinë të vazhdonte studimet për gjuhën angleze dhe shqipe në Tiranë.
Kam në kompjuter dosjen e Sigurimit të Shtetit për Agim Gjakovën. Drejtoresha e Autoritetit të trajtimit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit i tha kur po ia dorëzonin se “Juve do të jua japim dosjen të plotë, pasi nuk keni pisllëqe vetë, por të tjerët kanë për ju. Dhe bashkë me dy të tjerët ju keni qenë, siç themi, gjak e lak me Sigurimin.”
Dhe çfarë dosje se! Për pothuajse mbi njëzet e sa vjet u mbikëqyr, u vëzhgua, u përgjua, u hetua në Shkodër, Kukës, Berat, Lushnjë e Fier, Mirditë, Durrës, Kavajë etj. për ndonjë lidhje të këtij agjenti të rrezikshëm. Një dosje prej njëmijenjëqindenjëzetetetë faqe.
Në dosje figurojnë njëqind e katër emra: drejtorë të Sigurimit të Shtetit, drejtorë drejtorish, oficerë dhe operative, dy ministra, dy zëvendësministra, të cilët janë marrë drejtpërdrejtë apo tërthorazi me Agim Gjakovën, si armik i rrezikshëm kundër partisë e pushtetit, si agjent i mundshëm i UDB-së.
E çka s’ka në këtë dosje! Në një anë Agim Gjakova e në anën tjetër një ushtri e tërë. Sfida e buzëqeshjes, nëse për miq e shokë tejet e përzemërt, për këtë ushtri edhe sfiduese dhe ironike. E pyetëm Agim Gjakovën se si kanë qenë mbikëqyrja, vëzhgimi, përgjimi. “Ishin të egra, banale, vulgare, me presion psikologjik.” Dhe siç thonë u mbush kupa. Në vitet shtatëdhjetë i shkroi letër ministrit të brendshëm ku trajtoi çështje kombëtare, të marrëdhënieve me Kosovën dhe me vëllezërit kosovarë. Kur e lexon atë letër njeriu i bën pyetje vetes: Çfarë guximi vetëvrasës është ky?
Po citoj pak nga shënimi i ministrit të brendshëm, Kadri Hazbiu, që ia dërgon drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli: “E studiova me vëmendje letrën që më dërgon sh. Agim Gjakova. Mendoj se shqetësimi i tij… është legjitim. Por më duket se ky ka një sërë pakjartësish… Po ashtu tregohet i ngutur e jo me respekt ndaj shokëve që e kanë këshilluar e skjaruar – siç thotë ai vetë. Me sa duket nuk kupton mirë se këto çështje i trajton – si gjithnjë partia dhe organet përkatëse të pushtetit në një gamë të gjerë…”
Reklama
Po çfarë shkruan, ndër të tjera, në atë letër, Agim Gjakova:
Se politika e Shqipërisë nuk ka qenë në mbrojtje të Kosovës në vitet 1944. Vetëm tani kur ndryshuan rrethanat filloi Shqipëria të interesohet për Kosovën … Shoku Enver nuk është interesuar aq sa duhet për popullin e Kosovës deri tani … në rast të krijimit të situatës së përleshjeve në Jugosllavi nuk besojmë se Shqipëria do të na vijë në ndihmë… sikur mungon vullneti, kjo u pa më katërdhjetekatrën – si mund të pretendohet të krijohet afiniteti, afërsia shpirtërore me kosovarë, kur nuk është krijuar me ne që ndodhemi këtu – se kosovarët në Shqipëri nuk trajtohen mirë e tjerë e tjerë…
Natyrisht se Agimi nuk i kuptonte këto, as ministrin as Enverin, por lëshon batutën ironike se “Nuk mund të lejoj që fjalët e shokut Enver të kthehen në demagogji”. O tempora o mores!
Reklama
Agim Gjakova nuk kupton kur shtron pyetjen se ç’duhet bërë për Kosovën. Kjo i vë në siklet se si t’i përgjigjen. Dhe në bisedë me drejtorin e Sigurimit të Shtetit, zëvendësministër i brendshëm, Rexhep Kolli nuk merr asnjë përgjigje, por rrotullime fjalësh. Dhe Agim Gjakova, megjithëse e dinte, me buzëqeshjen e tij kupton se Enver Hoxha u ka dhënë urdhër që vetëm të bëhet ndonjë farë propagande për Kosovën dhe asgjë më shumë.
Agim Gjakova nuk kupton kur ua përplasë në fytyrë qëndrimet partiake e shtetërore se “Kosova nuk është pjesë e atdheut, kosovarët janë të gjithë nacionalistë borgjezë” etj.
Dhe i mëshon pohimit: “E them haptazi se ka pasur individë që kanë thartuar fytyrat kur më kanë parë me shokët kosovarë. Unë kam guximin ta them, ashtu siç e kam thënë edhe më parë, të gjitha pakënaqësitë apo padrejtësitë e shkaktuara nga qëndrimi i personave të ndryshëm ndaj meje”. E thërrasin dhe ministri i thoë se “je shprehur pa respekt për oficerët e sigurimit”, dhe ky u përgjigjet “ jo për të gjithë, jua jap emrat”.
Reklama
Ku e ka marrë gjithë këtë guxim që të provokojë deri në sferat më të larta të diktaturës!
E pyesim: Si ke guxuar ta provokosh një shtet diktatorial me aq e aq krime? “Platforma e mbrojtjes sime ka qenë ”qëndroj dhe nisem nga pozicioni që Shqipëria të zhvillohet, të ecë përpara, duke theksuar si vërejtjet e mangësitë, si shtrembërimet e tendencat negative, si edhe provokimet, për të cilat kisha përgatitur edhe kundërpërgjigje në rast se do të më akuzonin, të paktën mos të më zinin në fjalë, pasi dihej se e kishin dorën e gjatë shtatë pash për të bërë ç’iu tekej e ç’të donin”.
Po bërtas edhe një herë: O tempora, mores! Siç thonë në Shqipëri të gjithë këta po bënin një vërë në ujë. E kishin nga ethet për karrierë, për përfitime partiake dhe nga urrejtja, që, siç janë shprehur në ministrinë e brendshme, “po na duket toka rëndë kah po shkel ai në Tiranë!”.
Sfida ironike bëhet edhe më e mprehtë e Agim Gjakovës. Më lejoni të tregoj vetëm një rast: Në hotel “Dajti” në Tiranë, që ishte vetëm për të huajt, ku nuk guxonin kurrsesi të hynin vendësit, Agim Gjakova nuk ka pyetur për Sigurimin. Ka takuar vëllezërit e tij. Një rast tek po priste pranë sportelit që të zbriste në holl nga dhoma një shok i tij i ardhur nga Kosova, i afrohet një operativ i Sigurimit dhe zhvillohet kjo bisedë:
– Kosovar je ti?
– Po.
– Ke ardhur nga Çerma? (Vend ku ndodhej kampi i kosovarëve)
– Po. (Agim Gjakova nuk ka qenë atje).
– Sa ke në Çermë?
– Gjashtë muaj.
– E paske mësuar mirë gjuhën shqipe.
– Po. Unë jam gjeni dhe e mësoj një gjuhë të huaj shumë mirë për gjashtë muaj.
Pas raportimit të këtij e thërrasin dhe i thonë: “Pse tallesh me oficerët e Sigurimit?” “Nuk tallem unë, por ata me vetveten.”
Hiç më mirë edhe ministrin e dytë, Hekuran Isai, dhe drejtorin e dytë të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, një kriminel sadist.
Agim Gjakova kërkon të shkojë në Gjermani për temën e një romani me subjekt nga jeta e shqiptarëve të Kosovës. Dhe ku se? Kërkon nga regjimi i një shteti që e kishte mbyllur vendin në karantinë. Por natyrisht shënohet: “Kjo kërkesë mund të jetë një tentativë për të matur pulsin e organeve tona ndaj tij… shpreson se duke shkuar jashtë shtetit edhe mund të mos kthehet më këtu.”
E pyesim Agim për këtë nëse vërtetë besonte se do ta linin. Si zakonisht buzëqesh dhe përgjigjet: “Ata nuk i linin as anëtarët e partisë, madje edhe me përgjegjësi, pa le mua! Por edhe sikur të më lëshonin nuk e kisha ndërmend të largohesha nga Shqipëria.” Dhe këtë provokim e bën edhe në Byronë Politike, letër drejtuar Ramiz Alisë, e cila është në dosjet e Komitetit Qendror të PPSH-së. Dhe i vjen përgjigja që aparati i Byrosë Politike i kishte dërguar kërkesën Ministrisë së Brendshme, e cila. nëpërmjet të Zylyftar Ramizin, i thuhet Agimit se “nuk kemi siguri për të”, pra insinuata se Agimi do ta tradhtojë Shqipërinë, kurse ia interpretojnë se mund ta eliminojë UDB-ja. Kjo e dyta përgjigje ironike. Pra, dhe dyshohet si agjent i saj edhe paskan frikë se ajo ta eliminojë.
Por sfida e Agim Gjakovës, një sfidë që mund të karakterizohet përsëri guxim vetëvrasës, sido që të jetë kuptohet edhe nga Sigurimi. Po citoj drejtorin e Sigurimit: “Kuptohet se qëllimi i tij ishte për të matur pulsin, për të mësuar nëse qëndrimi i shokëve të Degës së Veçantë ishte si individë, apo qëndrim i instancave më të larta.”
Renditen pseudonimet e dyzetekatër spiunëve, të ashtuquajtur bashkëpunëtorë. Disa prej tyre Agim Gjakova i njihte dhe nëpërmjet tyre bënte edhe lojë me Sigurimit. se ata kishin frikë nga ndonjë farë organizimi jashtë partisë dhe jashtë strukturave shtetërore dhe Agim Gjakova i sfidon me atë guximin vetëvrasës, duke iu thënë se “dëgjojeni shefin ju” për veten, se duhet kështu e ashtu e të tjera që t’ua çonin fjalët e tij Sigurimit, por në disa raste shënimi është se Agim Gjakova e ka kuptuar spiunin.
Reklama
Por hiç më lehtë nuk e ka pasur edhe në botën letrare: me refuzime për botim, me akuza deri në të përbindshmet që mund ta çonin në pushkatim ose burgim dhjetëvjeçar. Dhe përsëri buzëqeshja sfiduese, hera herë ironike. Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1967 Agim Gjakova diskutoi për trajtimin në letërsi me subjekt nga jeta e shqiptarëve të Kosovës, për të cilën jetë ju e dini se si ka qenë. Iu ndërpre fjala, sepse Agim Gjakova shtroi para të pranishmëve tezën se “atdheu është më i madh se shteti”. U prit me kënaqësi e miratim të heshtur në sall se – kush guxonte ndryshe – por u sulmua nga elita partiake se “shfaqte dyshime” ndaj politikës së partisë dhe se kufijtë e shtetit, pra edhe të atdheut, i paskësh përcaktuar saktë Stalini.
Në një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve ku duhej të kritikohej Agim Gjakova për veprën “Në kërkim të së vërtetës”, ku u tha, ndër të tjera,“Ti do ta gjesh të vërtetën? Të vërtetën e ka gjetur Partia”, etj. njëri prej kolegëve e krahasoi veprën e tij me mullarë të kashtës që i merr era dhe Agimi iu përgjigj: “Ata nuk janë mullarë kashte të Myzeqesë, por të Kosovës.” Kjo vepër u akuzua në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin.
Në këtë vazhdë për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë, me porosi të Sektorit ideologjik të Byrosë Politike të KQ të PPSH, u organizua një takim i ngushtë prej tetë vetash, ku u akuzua se është kundër ideologjisë së Partisë, politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit, si edhe për hermetizëm e luftënxitës, se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë, siç iu tha, dhe Agim Gjakova u përgjigj: Çudi se si qenkam kaq i fortë që të shti në sherr dy shtete!
E ç’të ju them, e ç’të ju them! Të përballësh me një ushtri të tërë… Ç’i thuhet kësaj!?
Agim Gjakovës i pëlqen të pijë kafe të fortë, na ka ndaluar që në tavolinë të bëjmë biseda serioze, se thotë se i kanë ardhur në maje të hundës, pasi për tridhjetë vjet çdo muaj ka dëgjuar shtatë tetë mbledhje gjoja serioze, për të mos përmendur aksion e të tjera edhe ditën e diele.
Është një hazerxhevap i madh, nuk di të shajë, nuk merr nëpër gojë askënd, bën humor mirëdashës me shokët e shoqet, tregon anekdota që i di me thes e të tjera. Nuk i dhimbsen paret që shpenzon me shoqërinë.
Unë nuk mund t’ia shpërblej kurrë ndihmën që më ka dhënë, vetëm se kur shkoj në katund në shtëpinë time, më porositë që t’i sjell bukë kallamoqe të gatuar mirë. Ky është shpërblimi që ia bëj. E them me mburrje që kam nderin dhe kënaqësinë që të jem në shoqëri me të. /Telegrafi/