Gazeta Nacional Albania

Alma ZENELLARI : Një udhëtim nëpër bibliotekë dhe një lojë me tituj librash të lexuar

ARRATISEM !

Arratisem nga zhurmat bezdisëse, nga monotonia lodhëse e rutinës së përditshme. Arratisem nga gjendjet toksike dhe përfundoj sa e sa herë në këtë strehë të bekuar, në këtë oaz dashurie. Laryshi librash personazhesh ku mjaftojnë dy duar për tu gjendur atje ku fillon qielli, atje ku këndojnë karavidhet, atje ku dëshira kthehet këngë, atje ku pemët takojnë yjet. Arratisem midis kufirit ëndërr zhgjëndër, atje ku dikush si ti kërkon të zbuloj parajsën e sigurt.
Ndaj kërkoj, përzgjedh…, dhe harrohem .
Është një arratisje e bukur që më pëlqen, si dikur fëmijë i vogël marrok. Është një ikje e domosdoshme, e pamëkat për t’u vet-harruar një çast a për t’i shpëtuar gjymtimit të kotësisë, të gjendjeve boshe.

Bëhem personazhi çapkën, leximtari i dashuruar. Bëhem heroina që frymëzon.
Lëviz fije gjelbëroshe dhe shoh si përkul kryet si një mjelmë e mallëngjyer gruaja e liqenit . Shndërrohem vajza e mjaltit që rend drejt të panjohurave, drejt misterit , drejt gjendjeve që më mbajnë peshë, që më mbajnë pezull frymën. Mbetem aty e befasuar nga historia e pabesueshme e murgut që shiti ferrarin. Përfundoj në suitën 405, në rrugën chanel, mbetem e befasuar nga dielli që perëndon, nga muzgu i përflakur. Po aq e hutuar, ankthioze nga gjiganti i fjetur. Ndonjëherë pres. Ndonjëherë largohem me sekretet e një gruaje mbledhur kujdeshëm brenda një peshtafi. Vrapoj si një bambi e paditur, e pabindur. Ndonjëherë pres zërin të më thotë pa lutje “mos më ler të shkoj”.
Ndodh të bulëzoj nga shqetësimi, trazimi duke kërkuar kopshtin e harruar, parajsën e bardhë, verën e fluturave që vërtiten mes luleve me push.
Ndoshta kërkoj një verë pa lamtumirë!

E kështu ditë pas dite ngec në një kurth të bukur nga i cili nuk dua të çlirohem asnjëherë.
Aty duke lexuar, duke guxuar të udhëtoj në kohë të largëta, në kohë të reja përpiqem të gjej qytetin e arinjve, të zbuloj misterin e luanëve të Sicilisë, profecinë e Romanovëve…
Arratisem si vajza e pirenejve, me shqetësimin e gruas që dinte vetëm të dashuronte, me ankthin e bijës së mallkuar .
Befasohem, pikëllohem nga gjuetari i balonave. Bëhem Amelia e vogël, vajza e Agamemnonit, bëhem Theanoja me plagë të pashëruara kurrë. Ndihem gruaja sekrete, udhëtoj si Venecia me dhimbjet thellë kraharorit duke hulumtuar pandalur midis botëve të pafundme.
Gjej misterin e biblës prej argjile, përpiqem të kuptoj si lëvizin fijet e padukshme që mbajnë të lidhur vëllazërinë e pëlhurës së shenjtë.

Arratisem!

Në këtë arrati vetmitare timen takoj ato, 69 gra të bukura, tinzare, delikate, burrnesha gati hyjnore që më prekin thellësitë e shpirtit me të fshehtën e tyre të parrëfyer më parë.
Ndjej kockat e zemrës si thyhen kur zbuloj misteret e Klarës, kur takoj djalin me pizhama dhe pafajësinë e tij. Përlotem, fikem si një prill i thyer . Zemra ime thyhet dhe vdes .
Megjithatë sërish kërkoj një tjetër kurth për t’u çliruar nga furia e së keqes, për t’ja ndalur hovin .
Kërkoj dritë përtej humnerës!
Arratisem mes dashurisë dhe urrejtjes, mes vuajtjes dhe lumturisë, atje ku sytë përpiqen t’i shpëtojnë verbërisë, atje ku mendja ime rreket të kthjellet, të qetësohet dhe të kuptojë se ka gjëra më të rëndësishme , më të bukura pse jo edhe më të thjeshta, por që na bëjnë më të mirë, më të fisshëm, më të denjë, më human!

Në çdo fund leximi paqtohem me veten. Meditoj!
Mbyll sytë një çast! Kuptoj si mbizotërohem nga një qetësi e thellë. Qetësi të tillë mund ta thyej butësisht vetëm zukatja e një bletëze të zgjuar, dridhja e butë e krahëve dhe kënga plot shpresë e saj.

Bekuar qofsh oaz i dashurisë!

Shkruar nga Alma ZENELLARI
26/7/2024