Së shpejti libri i ri me poezi i Sheqere Sinës “VAJZË PREJ ËNDRRASH’’ , botim i Nacional. Nga Valter Dauti

Si një përrua i beftë pranveror, tani në fundvjeshtë, vjen sërishmi poetja Sheqere Sina (Ozuni), me një vëllim të ri poetik. Pas pesë librash të tjerë.
Herë herë e çiltër si dëbora e parë që s’e di as vetë ku bie dhe ç’fat e pret, dhe herë- herë e akullt, e fortë dhe e gatshme të sfidojë këdo, autorja nuk kërkon të ketë shtrat, nuk i pëlqen që të flerë mbi rima dhe strofa; shpërthen personalisht, pa pyetu për rregulla të shkruara të poetikës. Me sa duket i pëlqejnë më shumë rregullat e pashkruara.
E them këtë, pasi më bën përshtypje mënyra se si percepton dhe përfytyron; krejt individualisht, ajo këndon e lirë dhe nëse, kënga i pëlqen vetvetes, është e bukur dhe e arrirë. Ndoshta e ndien veten jashtë misionit poetik të një poeti, që mundohet të paraqitet me shtratin e tij, apo stilin e veçantë, që kërkon të krijojë nëpër ecjen artistike.Sigurisht, që kjo nuk mund të ndodhë; ajo kërkon me ngulm të jetë dikush edhe pse e ndien se është; vetëm se në këtë paradë të ndërlikuar krijuesish, ku secili kërkon me të drejtë të jetë dikushi, Sheqerja flet me zërin e vet, herë shebenikas dhe herë myzeqar. Është vetvetja, Sheqerja dhe bën mirë që nuk pyet për autoshtrat, autostil.Ku ka më mirë që të ligjërosh poetikisht, ashtu siç dëshiron vetë ti?Gjykomë dhe pas leximit, më thuaj jam e mirë apo e keqe, përsa i përket të shkruarit; e di vetë unë, unë do shkruaj për ata që më duan dhe i dua; po munde të më blesh, më bli, po munda të të blej do të jesh aty, me mua…
Sheqerja nuk do t’ia dijë për stil.Ka rrugën e vet ku do të ecë, pa bordura, pa shëtitore, pa stimuj që të grishin dhe të ndjehesh dikush. Diku këndon lirshëm, pa rregulla, pa asnjë lloj rregulli, thjesht me rima foljore që tregojnë lëvizje dhe veprim, diku është e ngurtë dhe e rreptë karshi tyre.Pasi mbaron së lexuari këtë vëllimin poetik, ( është libri i gjashtë që ka botuar), mundohesh të nxjerrësh një konkluzion për krijimtarinë poetike të saj.Tulatesh dhe rinis që të kërkosh ç’të thuash, sepse e ke të vështirë të arrish në një konkluzion.Diku ka strofa të qëruara mjeshtërisht, me rimë dhe ritëm të kujdesshëm, ndërsa diku, të risillet në mendje krijimtaria folklorike, e thjeshtë fare, me një distik që përcillet nëpër dasmat e zakonshme të trevave ku ka jetuar. Normalisht që i bën pyetjen vetes:Kush është kjo që këndon kështu?
Sheqerja këndon ashtu, siç di dhe do vetë.Mendoj se priret së tepërmi nga gjendja emocionale e përditshmërisë.Tek është e trishtuar shkruan trishtueshëm, tek jeton me kujtimet prindërore, shkruan për prindërit; deri në detaje të hollë janë percetimet e saj poetike; shkruan për veten dhe jo për të tjerët; shkruan për të tjerët pa e përjashtuar veten nga emocionet e tyre.
Te shkruan për fëmijët dhe të tjerë trashgimtarë, percepton dhe shprehet objektivisht, pa u bërë merak se këto janë përjetime individuale. Tek i thashë një ditë këto, m’u përgjigj:Po mirë, more ti, këto janë poezitë e mia, kështu dua t’i shkruaj, kështu më pëlqen, kështu i shkruaj unë… Nuk mund t’i thosha asgjë. Kishte të drejtë. Librat i boton dhe i shkruan vetë, paguan vetë koston financiare, mendon vetë se si mund dhe duhet të jetë i bukur një libër që të fal kënaqësi!Ajo është e thjeshtë dhe e çiltër në ato që thotë. Në fund të fundit, përtej arritjeve stilistikore, tematika e poezive të saj janë njerëzit e thjeshtë, fenomenet e përditshme, plagët që dhembin dhe bukuria e jetës. Ajo ka të drejtë të këndojë siç t’i dojë zemra dhe siç dëshiron vetë, përtej kornizave të poetikës.
E përmenda kalimthi më sipër; është autorja e pesë librave që janë libra të këndshëm dhe të vlerësuar; ajo ecën në rrugën e artit natyrshëm, pa komplekse, këndon dhe nuk do duartrokitje fallso.Në se do të ishte në fillimrrugë, edhe vetë mund t’i bënte një pyetje vetes: Të eci më tej, apo të qëndroj? Mirë po tani s’ka më mëdyshje, ajo ka hyrë në listën e lexuesit të kulturuar dhe s’mund të tërhiqet.Shprehet lirshëm poetikisht ajo: Dua t’i dëgjoj zërin thëllëzës!/Le të jetë zemëruar pak./Prag agimit, bashkë me shoqet, rrëzës,/te lind dielli dhe pyllin përflak…Është e bukur, shumë e bukur dhe e pastër mënyra se si shprehet autorja, ka brenda pranverën me zërat e saj, ka agimin e bardhë të bashkëshoqëruar me vajza ëndërrimtare, që zgjohen me diellin; dielli është i përflakur dhe të sjell ndërmend faqet e skuqura të vajzave që përflaken si një pyll i mbushur plot, fare plot, ashtu siç është jeta vajzërore. Komentova vetëm një strofë për të nxitur perceptimin e lexuesit dhe asociacionin që krijon autorja, për të mos e përforcuar me: Një re e zezë e madhe si dragoi,/u hap në qiell dhe diellin e pushtoi.
U bëra erë dhe flaka tutje renë,/me sytë e mi, që kurrë gjumë s’flenë. Katër vargje të thjeshtë, në distik, që të krijojnë ndjesinë jo vetëm të lëvizjes normale me anë të qënësisë së distikut, por edhe të një reagimi kryeneç që nuk hesht kurrë dhe reagon gjithmonë poetikisht dhe njerëzisht.Kjo është Sheqerja e ëmbël, e butë dhe e brishtë, por që përballet dhe nuk mbyll sy; siç është e ashpër dhe pa kompromis për plagët e shumta që ka jeta.Zbutet më tej, zbutet te përkundet nëpër valëzat e brishta të Shkumbinit dhe nëpër ëndërrzat njomëzake të gjimnazistes së dikurshme: Hera-herës, zgjohet ëndrra ime, atje shkon./Atje ku zogjtë ngrihen si re të bërë trumba./
Atje, ku era që fryn dhe shkëmbinjtë i huton,/Atje, ku gjithnjë, është e shtrenjtë dhe e bukur rruga…E hutuar nga kujtimet siç mund të hutohet gjithçka e bukur njerëzore, Sheqerja bëhet re, bëhet trumbë zogjsh, bëhet rrugë e pastër në të cilën rend poezia e saj e bukur dhe e brishtë.

I uroj libra të tjerë, të kësaj kornize çiltërsie! S’besoj se ajo ka ndiesinë e dëshirës për certifikata dhe tituj, të cilat i ka jo të pakta; s’besoj se ajo shkruan për t’u dukur!
Që është dikush në letërsinë tonë, që ka origjinalitet, kjo duket qartë, pasi lexon atë që shkruan. Më duket, sikur është më bukur të shkruash kështu!

Valter Dauti, Lushnjë, 3 nëntor,2023.