Gazeta Nacional Albania

Anton Marku: Një flutur të zezë e zuri gjumi, poezi

Anton Marku

Vjenë, 29.12.2022

SHTËPITË PA DRITARE

Aq shumë bujtina
Hapën dyert
Para shtratit tënd

Mijëra këmisha u shqyen
Para syve të tu

Mesnatave
Urave u rrëshqasin pantallonat
E të gjithë ua shohin
Këmbët e bardha

Shiu i veriut
Lagë rrugët e jugut
Sa herë që do

E sotmja
Po merr në thua në të djeshmen
E nuk po arrin të bëhet
E nesërme

Lumi i qytetit tim
Daltë çfarë e djegtë
Ujin tënd.

PASNATA

Një flutur të zezë
E zuri gjumi
Në kapelën e një murgu
Që lutej
Të mos ishte më

Në sytë e tij
Ishte thyer drita
Tek po maste
Thellësinë e asgjësë

Jetën e kishte ushqyer
Me kafshatat e ngjyera
Në lëngun e gurëve

Me ëndrrën
Kishte ndarë shtratin
me mijëra herë

Bashkë kishin pirë
Nga e njëjta gotë
Derisa bora e hëngri dimrin

Më askush nuk e mban mend
Çfarë ngjyre pat qielli
Ditën që iku ai

Asnjë arkivol
nuk i zuri brenda
Edhe emrin
edhe trupin.

DRITË E PAMBARUAR

Nga jeta deri këtu
Sa vite na kanë vdekur
E sa u vramë vetë?

Çfarë është ajo në ne
Që rrënjët i ka në qiell
E degët në tokë?

Kur të nisim të fshehim fytyrat
Ku do të zhvendoset
Bota jonë?

Lum ata
Që vetë do të ngjiten
Kryqeve të tyre.

ILUZION

Atdhe
ka mijëra vite
Që mezi po e mban veten në këmbë
Duke parë ëndrra
Se mesi i botës
Është në kërthizën tënde

O At
Duhet zgjuar
Për të kuptuar
Sa shumë kemi fjetur.

JETA

Është e shkurtër
Ka vetëm katër shkronja

Kaq ishte

Hiç.