12 tetor 2022
KALTËRSI DHE ZJARRE
U tret dhe një ditë,
U tret përfare…
Hapsirës pafund
Natës tinëzare.
Sa vetë u vranë?
Sa vdiqën urije?
Sa biznesmenë,
Dehen lumturie…?
Sa fëmijë lindën,
Si lule të bukura
Dhe sa dashuri
Tretur në të puthura?
Sa libra u shkruan,
Sa prozë e poezi?
Sa lexues u ndjenë,
Vetes të përtrì…?
Sa zbulime të reja,
Në tokë e qiell?
Sa ëndrra njerëzore
Kan zënë kërcell…?
U tret dhe një ditë,
U tret përfare.
Bota mbart ndër vete
Kaltërsi dhe zjarre…
VEÇ VLAGA E ZEMRËS
Çdo ditë, çdo natë
S’më shqitesh nga mendja,
S’më shqitesh nga zemra…
E largët, imazh.
Herë flas me veten
Herë me ty flas…
E më shfaqen çaste
Që kaluam bashkë…
Po, fundja, them
Me mundim të madh:
Çdo dashuri
Mbetet veç imazh…
Se vdesin çastet
Që përjetuam
Veç vlaga e zemrës
I ruan që i ruan…
QIELL I DASHURUAR
Qielli tretur
Gjer në fund të detit,
Në kaltërsi:
Duke bërë plazh
Dhe dashuri…
ABDI MATI
Sa herë kaloj
Në rrugën “Abdi Mati”
Më ngjan se përpara
Deti më del
Ndonëse n’Burrel…
Ndoshta, sepse,
Kundëradmirali
Si zgalem shkëlqeu…
Kur thërriste Atdheu…
Prandaj dhe mbeti
Madhështor
Si deti…
O, NJERI!
Nuk mundesh dot
Ta bindësh kohën
Të të ngjajë ty…
Po ti, po munde,
Përngjaji asaj…
O, njeri…!
AJO
– Ç’thotë pleqëria?
Më foli shpenguar…
Unë iu përgjigja:
“S’e kam takuar…”
Ajo psherëtiu
Ndër vete, penduar…
– Më fal, më tha,
Se fola nxituar…
TI, BEFAS, MË TROKET…
Kur unë kujtoj,
Se të kam harruar,
Mjegullës së kohës
Nëpër jetë…
Si diçka e shkuar,
Si diçka e fshehtë…
Ti befas m’troket
Zemrës, aq lehtë…
Sepse, siç duket,
Aty ke mbetur,
Diku mënjanë,
E fshehur, e fjetur…
Dhe s’di sesi
Zgjohesh aq papritur,
Sa mallin më ndez,
Gjer në të zhuritur…
EH, Ç’M’U PRISH GJUMI!
Eh, ç’m’u prish gjumi
Vapës së thellë!
Se grindeshin e lehnin,
Qentë nëpër jargë…
Për një bushtër joshëse
Gjakosur, tërë plagë…
Dhe vetes i thashë:
Pse, ç’kujton, o kokë,
Se s’lehin e grinden,
Qentë nëpër Europë… ?!
Sassuola, Itali, 23 korrik 2019
EH, SA MJERANE…!
Sa mendje të ndritura
Flenë nën tokë,
Në errësirë-mënxyre…
Eh, sa mjerane,
Do të ishte bota,
Pa dritën e tyre…!
NJË VALËZ MALLI
Një valëz malli
Më merr
Drejt teje…
Siç merr qielli
Bardhësinë
E një reje…
E qielli,
Dehur,
Derdh kaltërsi.
Dehur
Edhe unë,
Derdh dashuri…
PEISAZH
Ngadalë muzgu
Majë malesh zbret,
E dita të çlodhet
Bie shtratit të vet…
Çelin sytë yjet,
Duke farfuruar.
Nata krahëhapur,
Gjithçka ka pushtuar…
NOSTALGJIA
Zjarri në të shuar
Nuk ngroh njeri.
Dalëngadalë shuhet
E tretet në hì…
Po dhe dashuria,
Ftohur e rrënuar…
Tretet nëpër dhembje,
Me harresë mbuluar…
Po dhe zjarri,
Si dhe dashuria,
Nuk shuhen përfare,
Se i ruan nostalgjia…
…POR TI MË NGJALLE
Ca netë
Për ty,
S’kam bërë
Gjumë
Se ishe e bukur,
E bukur shumë…
Më shfaqeshe
Ndër ëndrra,
Ndër lule,
Ndër dritë,
Kur të afrohesha,
Më hapeshin sytë…
Por një ditë,
Një ditë të madhe,
Të putha ty,
Moj buzëpetale…
Thashë se u shova,
Por ti më ngjalle…
EH, SA MJEGULL!
Eh, sa mjegull,
Mjegullo në botë…!
Aq, sa dhe Zoti,
S’ndjehet aq i plotë…
Se s’e lë djalli,
Djalli i zi,
Të blerojë jeta,
Sipas ëndrrës së tij…