Gazeta Nacional Albania

Bedri Myftari : LULESHQERRËZA, tregim

Një maturante me përparëse të zezë të dalë boje, çdo ditë kur shkonte në shkollë haste në rrugë një djalë të bukur, me krela të arta që i binin mbi ballin e gjerë, me sy të kaltër e të kthjellët si cipëz e qiellit fill pas shiut kur ndizen yjet. Fytyra i ndizej në purpurin e agimit, kur çelin zambakët gjoleve. Trupin e kishte të hedhur e të zhdërvjellët si lastar në pranverë. Gjimnazistja ishte bija e një fshatari të varfër. Ajo bënte kilometra të tëra për të shkuar në gjimnaz. Ishte vajza më e mirë në mësime në të gjithë maturantët e atij qyteti të vogël larg në provincat veriore. Ajo kur hasi për herë të parë në rrugë djalin e bukur nga qyteti u shtang dhe u trullos. Ajo ishte e pastër si një pikë vese mbi petalet e luleve të alpeve kur pikojnë netëve të verës nga sytë e bukur të yjeve. Ajo vetëm në ëndrrat adoleshente të vajzërisë së parë kishte parë një bukuri të tillë mashkullore. Ishte e virgjër si ujërat e burimeve ku gurgullonin gurrave, bjeshkëve. Ishte naive si sorkadhe, e brishtë si një lule manushaqe, e thjeshtë si një luleshqerrëz. Dhe kështu i flisnin të gjithë në shkollë “Luleshqerrëza”. Qysh atë ditë që e pa për herë të parë djaloshin e bukur, luleshqerrëza ra në dashuri. Asaj iu pre oreksi dhe netëve në ëndrra shihte vetëm atë djalin e bukur. I bëhej sikur ai herë dilte nga gonxhet e zambakëve, herë nga gonxhet e trëndafilave, herë sikur zbriste nga hëna në një natë të argjendtë si parashutë e thurur me rrezet e hënës, e herë sikur pikonte si pika e vesës nga yjet. Ajo kalonte orë të tëra duke e parë, por ai ishte fodull, harlisej me vajzat e bukura të qytetit që visheshin si princesha, me varëse e byzylyk në qafë e në llërët e duarve. Kurse gjimnazisten e vogël as e vinte re fare. Një ditë Luleshqerrëza u çua herët, doli lëndinave buzë lumenjve dhe mblodhi lulet më të bukura: zymbyla të bukur të alpeve, manushaqe, lule erëza, i bëri buqetë dhe u nis për t’ia dhënë yllit të ëndrrave të saj të pafajshme. Ai po qëndronte në një trotuar dhe u buzëqeshte e ua bënte me dorë biondeve e bruneve me minifunde e byzylyk me gurë të çmuar në gushët e llërët e bardha. Luleshqerrëza iu afrua, por ai as e vuri re fare.
-Mirëmëngjesi! –pëshpëriti ajo e skuqur e tëra e me një zë që i dridhej nga emocionet.
Ai ktheu sytë e i rrotulloi si fajkua dhe e pa vajzën e vogël nga koka tek këmbët. Ajo u drithërua e tëra nga shikimi i tij. Ai vuri buzën në gaz si me mos përfillje dhe ja ktheu rëndë – rëndë:
-Mirëmëngjesi! Doni gjë? –e pyeti si perëndi.
Luleshqerrës iu prenë gjunjët dhe mezi u mbajt.
-Jo! –belbëzoi pafajësisht. Desha t’ju dhuroj këto lule! –i tha. Ai i mori lulet, i pa, i flaku në rrugë me neveri dhe i tha:
-Unë dua vetëm byzylykë e perla në gushët e llërët e bardha të vajzave! Luleshqerrëza u zverdh, uli kokën dhe u largua pa folur. Vajti në shtëpizën e saj atje larg në fshatin e vogël mbi krahët e alpeve, u mbyll në dhomëzën e vogël, ra përmbys në shtrat dhe u shkri në vaj. Ajo të nesërmen nuk u çua nga shtrati. Prindërit, motra e vogël u bënë merak dhe i rrinin tek koka. Edhe zogjtë e alpeve, sorkadhet, lepurushat u mërzitën kur nuk e shihnin më Luleshqerrëzën me librat nën sqetull që shkonte herët në shkollë. Edhe lulet e vazove mbi dritare, i varën kokat të mërzitura. Vajza ligej e tretej çdo ditë. Harabelat u treguan dallëndysheve, dallëndyshet ua treguan pulëbardhave dhe pulëbardhat ua treguan sirenave të detit, se një vajzë e bukur si sirenë atje larg në Alpe, kishte rënë e sëmurë, se djali i kishte kërkuar perla në gushë e në llërët e bardha. Sirenat e detit këtë lajm e përhapën në të gjithë mbretërinë e detit. Këtë lajm e mësoi edhe orakulli shekullor me mjekër të bardhë si shkuma e detit, që jetonte në pallatin e ëndrrave në fund të detit. Ai u tregoi banorëve të mbretërisë së tij, se perlat gjendeshin shumë larg. Ato dinin t’i prodhonin vetëm molusqet. E këto molusqe ishin shumë të rralla e të veçanta. Ato banonin në Detin Indian dhe vetëm atje ku derdhej lumi Panxhap në Detin e Kuq.
-Molusqet, u tha orakulli shekullor me mjekër të bardhë që banonte në pallatin e ëndrrave në fund të detit, janë gjallesat e para të rruzullit tonë dhe prej tyre ka nisur jeta. Ato në gjirin e tyre mbajnë shumë sekrete për jetën. Kaq tha Orakulli Mjekërbardhë, pastaj heshti dhe humbi në rrugët e pa fund të destinacioneve njerëzore. Sirenat e detit u transmetuan thëniet e Orakullit pulëbardhave. Pulëbardhat u mblodhën dhe nisën një dërgatë prej dymbëdhjetë pulëbardhash për në Detin e Kuq në Indi. Ato arritën në të gdhirë në vendin e quajtur parajsa e perlave, atje ku derdhej lumi ne Detin e Kuq. Delta e lumit ishte e rrethuar me pyje të pafund bambush, palmash e bananesh. Qielli pasqyrohej në oazin ku derdhej lumi në të gjitha ngjyrat, nuancat e reflekset e diellit, agimeve, yjeve të hënës. Të dymbëdhjetë pulëbardhat u ulën në brigjet e deltës ku derdhej lumi në Detin e Kuq. Delfinët nxorën kokat dhe i pyetën nëse kërkonin gjë. Pulëbardhat u thanë historinë e Luleshqerrëzës. Delfinët u treguan se molusqet që bënin perla e kishin selinë e tyre këtu në fundin e ujërave në thellësi 50 metra poshtë. Dhe pas kësaj, delfinët u zhytën dhe shkuan në fund të Detit të Kuq në mbretërinë e molusqeve. Atje u takuan me mbretëreshën, dhe ja treguan historinë e Luleshqerrëzës. Mbretëresha e detit i tha mbretëreshës së molusqeve. Mbretëresha e molusqeve i tha se të gjitha perlat ishin mbledhur nga fshatarët e varfër të këtyre viseve dhe ishin shitur tek tregtarët e perlave. Ato ishin blerë nga mbretëresha, princa, aristokratë. Një perlë është një univers më vete dhe do shumë mund e kohë për t’u bërë, molusqet mund ta prodhonin edhe brenda natës perlën, por s’do të ketë as vezullimin e rubinëve, as shkëlqimin e xhevahireve, as ndriçimin e arit dhe as ngjyrën e gjelbër të ëndrrave të smeraldeve.
Mbretëresha e mbretërisë së perlave u tregoi historinë e Luleshqerrëzës. Të gjithë u mallëngjyen nga kjo histori. Dymbëdhjetë molusqet u treguat të gatshëm të prodhonin dymbëdhjetë perla, por që ato të merrnin vezullimin e shkëlqimin e një perle, duhej që të digjeshin mbi dymbëdhjetë molusqet dymbëdhjetë kandila deti, dhe të ndigjeshin dymbëdhjetë yje deti e t’i lëshonin vezullimet e tyre mbi dymbëdhjetë molusqet deri sa të shuheshin, dhe dymbëdhjetë sirena duhet të këndonin mbi dymbëdhjetë molusqet derisa t’u sosej fryma. Dymbëdhjetë molusqet u futën në vorbullat e ujërave te delta ku derdhej lumi, qëndruan deri sa u goditën e u plagosën nga kokrriza rëre, që iu futën atyre thellë në mushkëri. Molusqet i formuan perlat. Ato kishin madhësi e forma të ndryshme, ca trekëndëshe e ca në formën e dardhës, por asnjëra nuk kishte as shkëlqim, as ngjyrë, as vezullim. Atëherë u ndezën dymbëdhjetë kandila deti e qëndruan mbi dymbëdhjetë molusqet, u çelën dymbëdhjetë yje deti dhe i derdhën gjithë shkëlqimin e rrezeve të tyre mbi dymbëdhjetë molusqet. Dymbëdhjetë sirena nisën këngët e magjishme dhe u qëndruan mbi kokë dymbëdhjetë molusqeve. Kur u fikën dritat e dymbëdhjetë kandilave të detit, u shkrinë dymbëdhjetë yjet dhe u sos fryma e dymbëdhjetë sirenave. Molusqet u kthyen në guaska, hapën kraharorin dhe dymbëdhjetë perla shkëlqyen gjithë fundin e Detit të Kuq. Delfinët i morën dymbëdhjetë perlat dhe ua nxorën në breg pulëbardhave. Pulëbardhat i falënderuan delfinët dhe secila mori një perlë dhe fluturuan. Në të gdhirë të ditës tjetër, kur mbi Alpet Arbërore atje në fshatin e largët të Luleshqerrëzës kishin çelur trëndafilat e agimeve Arbërore, pulëbardhat u ulën mbi dritaren e shtëpizës së vogël të Luleshqerrëzës. Ato i lëshuan perlat në dyshemenë ku dergjej Luleshqerrëza. Dhoma e vogël u ndriçua sikur të kishte hyrë dielli Brenda. Luleshqerrëza mbylli sytë nga ndriçimi i perlave mbi dysheme. Ku i hapi sytë pa dymbëdhjetë rruzuj që shkëlqenin si yje. Ajo u çua e i mori në dorë këto diej të vegjël. Ato kishin reflekset e diamanteve, rubinëve, arit, xhevahireve, smeraldeve. Ca kishin formë e rruzujve, ca trekëndëshe, ca katrore e ca në formën e dardhës. Luleshqerrëza gjashtë perla i vuri në gushë dhe tre në llërën e saj. Kur doli Luleshqerrëza nga shtëpia shkëlqeu vendi nga vezullimet e perlave në gushën e llërët e Luleshqerrzës. Sorkadhet nisën vallen nga gëzimi që u shërua Luleshqerrëza. Harabelat u çmendën nga cicërimat. Kumritë, bilbilat e thëllëzat. Lulet e egra të fushave e maleve çelën sytë kur pane Luleshqerrëzën. Lulet e saksive u gjallëruan. Luleshqerrëza u nis për të takuar djalin e bukur me kaçurrelat e arta. “Kur të shohë gjithë këto perla vezulluese në gushën e llërat e mia, ai do të verbohet e do më marrë në krahët e tij”, -ëndërronte me vete Luleshqerrëza. Ku shkoi tek vendi ku qëndronte zakonisht djali i bukur me krelat e arta, Luleshqerrëza shtangu. Ai s’ishte atje. I ra kryq e tërthor qytetit, por nuk e pa askund djalin e artë. U ndal dhe pyeti ca vajza me minifunde:
-Mos e keni parë atë djalin me sy të kaltër, trupin lastar e krelat e arta që qëndronte tek trotuari i bulevardit kryesor të qytetit?
-Pse, s’ke marrë vesh ti për të?! –i thanë ato.
-Jo, s’di gjë! –i tha Luleshqerrëza.
-Atë e kanë future në burg! –i thanë vajzat me minifunde.
-Pse?! –pyeti e habitur Luleshqerrëza.
-Se ai i tërhiqte vajzat me bukurinë e tij. Dhe ato që kishin byzylykë me gurë të çmuar, a perla në gushë e në llërët e bardha, i merrte në shtëpi. Atje i vriste dhe ua merrte byzylykët e gushës e llërëve të bardha. Luleshqerrëza shtangu kur dëgjoi këto fjalë për djalin e bukur. Nuk deshi t’i besonte ato fjalë dhe tha me vete se i thonë nga inati se s’i ka përfillur. I ra përsëri qytetit kryq e tërthor, por djalin se pa kund. Kudo që pyeti për të i thanë të njëjtat gjëra. Atëherë Luleshqerrëza kokulur u kthye në shtëpizën e saj.
-Çudi! –mendonte me vete Luleshqerrëza. Si ka mundësi që një djalë i bukur si një yll të ketë zemër të akullt e shpirt krimineli?! Luleshqerrëza bënte kilometra të tëra për të shkuar në shkollë. Ajo ishte më e mira në mësime. Perlat i kishte hequr nga gusha e llërët e bardha dhe i kishte mbyllur në valixhen e saj prej dërrase. Një natë, Luleshqerrëza mori një perlë dhe e çoi tek një nën që po i vdiste fëmija dhe s’kishte me se t’i merrte ilaçet. Pastaj një perlë tjetër ia fali një vajze të fshatit që po martohej dhe s’kishte me se të blinte fustanin e bardhë të nusërisë. Një perlë ia fali poetit të fshatit që s’kishte me se të botonte librin me lirika. Një perlë ia dha një familjeje që i kishin rrëmbyer djalin e vetëm dhe s’kishte aq para sa i kërkonin rrëmbyesit për ta liruar. Disa perla i fali për azilin e pleqve dhe disa për jetimoren e qytetit. U dha prindërve të vajzave që ua kishin rrëmbyer trafikantët dhe i kishin shitur përtej detit si prostituta. Ata me të marrë perlat shkuan dhe i nxorën vajzat e tyre. Tani Luleshqerrëza ishte njeriu më i lumtur në botë. Ajo e harroi djalin me kaçurrelat e arta dhe se shihte më as në ëndërr, nuk e shkonte më as në mend. Por një ditë Luleshqerrëzës ia preu rrugën një djalë. Ai ishte i ndrojtur dhe kur i hidhte vështrimin Luleshqerrëzës skuqej i tëri. Luleshqerrëza kur e haste në rrugë ulte kokën dhe nxitonte hapin. Ajo s’kishte më besim te askush. Një ditë djaloshi i doli përpara dhe me zë të dredhur i foli:
-Mirëmëngjesi Luleshqerrëz! – Luleshqerrëza uli kokën dhe nxitoi hapin por s’i ktheu përgjigje.
Një ditë ai doli para Luleshqerrëzës dhe i la në dorë një zarf. Luleshqerrëza shkoi në shtëpi e hapi zarfin dhe brenda gjeti një poezi që i dërgonte djaloshi. Luleshqerrëza e lexoi poezinë dhe i shkoi në takim djaloshit, ashtu siç donte ai. Ata u takuan tek Livadhet qiellore. Ishte një natë e bukur maji. Ai i nxori flautin dhe i ra sonatës “Dritës së Hënës”, “Valsit të Danubit”, interpretoi pjesë nga “Liqeni i Mjellmave” dhe pjesë nga Belini e Moxarti. Hëna qëndroi si e mekur dhe dëgjonte. Yjet u ulën mbi livadhin e qiejve dhe i dogjën të gjitha ndjenjat nga malli, hingëllinë pelat hergjele tutje çaireve. Bilbilat i morën ata tinguj hyjnor dhe i kthyen në këngë. Xixëllonjat dogjën të gjitha fosforitet duke lëshuar mesazhe dashurie. Djaloshi ishte kompozitor. Luleshqerrëza dhe kompozitori u martuan. Ai kompozonte këngë lirike për hënën, yjet, mbrëmjet, agimet, për Luleshqerrëzën, për dashurinë. Kurse Luleshqerrëza ndihmonte të varfrit, ushqente kafshët, rriste lulet. Luleshqerrëza sa rroi e shkriu jetën për të tjerët. Shpirti i saj u bë xixëllonjë. Edhe kompozitori u shkri në këngë dashurie dhe shpirti i tij u bë bilbil. Të gjitha vajzat si Luleshqerrëza, kur vdesin bëhen xixëllonja. Kurse të gjithë kompozitorët që martohen me vajzat e thjeshta si Luleshqerrëza dhe i këndojnë vetëm të thjeshtës, të pastrës, të bukurës, kur vdesin bëhen bilbila. Sa herë vjen maji, netëve mbi lëndina, rudina, në fushat e pafund dalin xixëllonja e japin mesazhe rinie e dashurie. Bilbilat korijeve meken, duke i kënduar natës së majit, yjeve të hënës, bredhave, luleshqerrëzave.