…Tek kioska e gazetave të qytetit, shefi i ri i kinoteatrit, Stiven A, sapo kishte mbaruar provat e shfaqies dhe në pushim po lexonte titujt e shtypit të ditës. Pas shpinës i erdhi një zë kumbues në formë urdhri:
-Zoti qytetar, largohu nga sheshi!
Stiven s’i dha vëmendje atij dhe vijoi leximin e gazetës. Tjetri, një civil me kostum gri, ecte kryelart me duart në xhepa, i gjatë, syzet mbi flokë, fodull e delirant i pashoq, që i kishte ngjitur shkallët e karrierës me dredhi, por që s’ishte penguar ndonjë herë në jetë. Sa më shumë i afrohej kioskës, aq më e madhe bëhej në sytë e Stiven vija e prerë e ballit sipër vetullës së tjetrit. Kapoja inatçor qe afruar te fytyra e Stiven dhe e mori për fyerje këtë gjest. Atëhere e humbi kontrollin dhe rrufeshëm, ngriti shkopin e gomës lart dhe me gjithë fuqinë e krahut e goditi pas qafës. Goditja fatale i kishte prekur trurin e vogël…Ndieu si t’i qe çarë koka në mes. Iu errësua shikimi e humbi ekuilibrin dhe u shemb përdhe pa ndjenja. Se çfarë ndodhi më pas, ai do ta merrte vesh pas dyzet e ca ditësh në spital…
…Kishin kaluar disa muaj nga ngjarja e pazakontë. Vjeshta e dytë zgjedhore erdhi me rrebeshe reshjesh të ftohta, ndërkohë që do të mbahet mend për protestën që degradoi në një rrëmujë të rrezikshme dhune. Atë mbrëmje po kthehesha nga kryeqyteti.
Unë isha e para grua e trevës që kapa timonin në ato vite të vështira. Pasagjeret e mia të përditshme ishin studentet që vazhdonin universitetin. Një gjëmimë zhurmemadhe zbriti nga kodrat dhe e shkundi qytetin, duke sjellë në mënyrë të beftë shiun e rrëmbyeshëm, që mbushi rrugët e na bëri të dyshonim se mos qe çarë diga e liqenit. Stuhia, shiu dhe acari, si duket kishin bërë aleancë për të shkulur pemët. Shtrëngoja fort timonin me të dyja duart, sepse gomat rrëshqisnin prej baltës së kuqe që zbriste nga kodra.
Hyrja kryesore e qytetit ishte bllokuar nga vargu i gjatë i makinave. Trotuareve njerëzit largoheshin me nxitim si një ushtri e shpartalluar. Velloja e zezë e natës e kaploi qytetin e vogël. Nën gomat e makinës dëgjoja kërcitjen e bishtave të flamujve, kornizat e parullave e të portreteve që notonin drejt përroit. Shiu i rrëmbyer më pengonte vështrimin, ngaqë fshirësja e xhamave funksiononte me vështirësi. Te ura e përroit, fatmirësisht i shpëtova një aksidenti. Tre-katër metër para hundës së mjetit, befasisht m’u shfaqën dy burra që mbanin nga krahët një djalë rreth të tridhjetave. Kokën e mbante varur, fytyrën e fshihte me kapuç që të mos i dukeshin xhungat e mavijosura, këmbët pllaq-plluq në ujë. Frenova menjëherë dhe ula xhamin e mjetit. Vajzat u ngjeshën pas njëra-tjetrës duke çuçurtitur si për të mbuluar hiret e njoma… Dikush hapi me forcë derën e taksisë, u hodhi një vështrim vajzave, më verboi sytë me prozhektor dhe ngriti zërin duke më parë pingul:
-Çoje në spital këtë! -Hajde, hajde, zbrisni shpejt vajza!
Me frikën në palcë, vajzat zbritën të tmerruara e u mblodhën pas trungut të një palme të rrëzuar nga stuhia. Në sedilen e pasme vendosën të plagosurin dhe u zhdukën. Ai rënkonte i mbledhur kruspull me duart shtrënguar te barku. Sipër këmishës, te brinja, dukej qartë një njollë gjaku. Druhesha se mos vdiste në makinë. Me bluzën e pastër sajova një fasho të gjatë dhe ia lidha plagën. “Ouuu!” rënkoi ai. Më mbyste vetmia dhe ideja se do të transportoja një të panjohur…(!)
-Ja… duro, duro dhe pak. Për pesë minuta jemi te dera e spitalit.-i thashë.
Ai ngriti cepin e xhaketës sa t’i dukej gryka e armës dhe si t’i frikej një egërsire, ulëriu me forcë:
-Ktheje makinën mbrapsht!
U mblodha një grusht mbi timon. Frenova menjëherë. Sa s’më ndaloi zemra. Ktheva makinën në rrethrrotullim dhe po ecja në të përpjetën rurale që kalonte mes pyllit, drejt perëndimit.
-Si e ke emrin ti, more djal?-e pyeta që ta mbaja me muhabet.
Heshtje! Si duket, s’donte të identifikohej. “I paemër”, thashë me vete.
-Më thuaj, ku dëshiron të të çoj motra, ty?
Përmendi fshatin dhe banorin Ç. A, ku donte të strehohej.
Te vila e Ç. A zbrita për të thirrur të zotin e shtëpisë. Në ballkon ishte një divan i përmbysur që pikonte ujë. Trokita dy-tri herë, por asnjë zë s’ndihej veç kukuvajkës që bënte “ku-ku-miau” në degën e manit. “E, moj kukuvajkë të keqen, ta dish ti hallin tim!”. U futa në taksi dhe i bëra një shenjë me dorë, se porta ishte mbyllur me dryn.
-Po tani?-më doli vetiu pyetja.
-Te shtëpia jote!-foli ai, si ta kishte paramenduar përgjigjen.
-Jam grua me burrë, more zotëri,-ia preva në mes fjalën me një frymë kundërshtimi. -Do të më ndash nga burri?! Është përgjegjësi e madhe kjo që po bëj. Po sikur, mos o zot…, ti je zverdhur dheee …?
-Si ta ketë shkruar zoti. Do të merremi vesh…-Nisu!-tha ai.
“… një punonjës i rendit është marrë peng nga forcat e errëta. Policia është vënë në kërkim të rrëmbyesve. Kush ka dijeni, të telefonoj në nr. 069…”
-Mbylle atë “radio mèrda” se na çau veshët!-tha ai. I erdhi ligsht që ishte bërë lajm.
Ku të mbytesha! E kisha të vështirë të kuptoja se çfarë fshihej në kokën e tij. Ktheva makinën dhe rrita shpejtësinë. Im shoq ishte bërë merak për vonesën. Po afrohej mesnata. “Tak-tak-tak!”. Të trokasësh me frikë në derën e shtëpisë tënde (!) U hap drita e jashtme.
-Stiven, mbylle dritën, se kam një të plagosur në makinë,-i bëra zë burrit.
U hap dera. Sapo e pa fytyrën e “mysafirit”, tim shoqi i ngriu shikimi në ballin e të paemrit. U hutua e mbeti disa sekonda me gojë e sy hapur…
“ … Jo mjekër e mustaqe të lësh ti, por edhe me lëkurë ariu të vishesh, syrit tim s’i shpëton dot”, mërmëriti brenda vetes Stiven.
E mbështetëm të plagosurin te divani, pranë sobës dhe dolëm në dhomën tjetër , për të kërkuar ndonjë medikament nga kutia e ndihmës së shpejtë.
-Ti s’je mirë , Stiven. Ç’pate që u zbehe në fytyrë, kur hyri ai?
-Flasim më vonë. Tani nxito t’i japim ndihmën e parë, se do të na mbetet në derë…
Stiven ndezi cigaren dhe e shikoja që bënte “uf-uf” ngaqë diçka bluante përbrenda…Thithte cigaren dhe e lëshonte tymin në fjolla shtëllungash të dredhura që ngjiteshin sipër fytyrës. Ndërkohë që i tregoja se çfarë tipi ishte i plagosuri, u bë një zhurmë në kuzhinë. Në tentativë për t’u ngritur, ai kishte rënë pa ndjenja. Ishte bërë limon në fytyrë.
-Po tani?-m’u drejtua me qortim Stiven. -E shikon se çfarë na bëre, moj grua?
Ndërkohë që i vura pak pambuk me alkol te hunda, ai po reagonte, tundi kokën, lëvizi vetullat sipër dhe hapi gojën si i përgjumur. Atëhere nxitova për tek mjekja e lagjes e cila mori çantën dhe erdhi menjëherë. Ajo i kontrolloi plagën, temperaturën, tensionin dhe tha se të plagosurit urgjent i duhej dhënë gjak.
-I plagosuri nuk dëshironte të shkonte në spital, moj xhan.
-Kur s’shkon pacienti te spitali, vjen spitali tek pacienti-foli me gjuhën religjioze ajo.
Mjekja ia pastroi plagën dhe i bëri një gjëlpërë për t’i qetësuar dhimbjet. Pastaj, ia ngriti këmishën të plagosurit dhe qarkoi vështrimin rreth trupit për të parë se ku ishte vrima e daljes së plumbit, por s’dukej asnjë çarje dalëse. “Atëhere plumbin e kemi brenda”, tha ajo. Mjekja mori pincetën dhe nisi të kontrollonte në thellësi të plagës.
-Duroje dhimbjen, o bir! Ja…edhe pak…edhe pak. Ajo e kapi plumbin me majën e pincetës, e tërhoqi ngadalë jashtë dhe ia tregoi të plagosurit: “Ja, shpëtove tani, kaq ishte”,-tha dhe e vendosi plumbin mbi tavolinë. Por gjendja e tij u rëndua, sepse plaga nisi të rridhte gjak.
-Na duhet gjak,-foli ajo dhe vështronte herë te unë e herë te im shoq.
U kuptuam me vështrime. Kishte një rregull në ato vite anomalie. Të merrje gjak në spital, duhej patjetër të depozitoje gjak. Përvesha mëngën e trikos dhe ndeva krahun, po kështu edhe im shoq. Mjekja e çoi gjakun në spital dhe u kthye me dy qeska të grupit zero. Ia kaloi me vigon në krah të plagosurit dhe pas pak orësh, ia qepi plagën me kujdes e ia fashoi. U çlirova e më erdhi zemra në vend, vetëm atëhere kur trupi i tij u gjallërua, nisi të lëvizte e të fliste normal, po buzëqeshte paksa kur bisedonte, e më tepër fliste vështrimi i syve të tij, që ishin pasqyra më e mirë e botës së brendshme…
Ra në qetësi dhe nisëm një bisedë familjare, për fëmijët, punët, qytetin… Një çast, ai hodhi sytë te supi i Stiven, të cilit i pulsonte ritmikisht lart, (“sëmundje-dhuratë” e mbetur që nga goditja…)
-Po ti, a mos je me parkinson?-e pyeti i paemri.
-Histori pa shkak e pa autor,-nisi të tregonte Stiven dhe ia ngjiti vështrimin si shigjetë tek vija e prerë sipër vetullës të paemrit: “…Kisha mbaruar provat dhe dola t’i hidhja një sy gazetave tek kioska pranë pallatit të kulturës. Atë mesditë do të bëhej një tubim. Më vjen një zdap nga pas shpinës. Ja, kaq i gjatë sa ti, me syzet sipër kokës dhe më tha që të largohesha nga sheshi…”
“I paemri” lëvizi nga vendi, brofi në këmbë e u tërhoq si i trembur pas, aq sa i cekën shpatullat te muri dhe një fytyrë i vinte e një i ikte. Mollëzat e faqeve i morën një të kuqe të lehtë. Nuk po i zinin këmbët dhe… Ndërsa ne po gëzonim, se viktima po përmirësohej e po merrte energji, ai bëri të çuditshmin. Me gjithë lutjet tona për të ndenjur, ai veshi xhupin, lidhi këpucët, kopsiti jelekun, vuri rripin e mesit, kontrolloi pistoletën, ngjeshi kapuçin e zi në kokë, eci brinjazi në korridor deri te dera…dhe foli nxitimthi:
-Faleminderit për gjithçka! U kam borxh jetën. Shikoni, është më mëëë…, është mëëë… (atij po i mbahej goja, si ta kish zënë gjynahu), -do të thosha se është më mirë të largohem pa u gdhirë…se e tillë është puna ime…!”
Na shtrëngoi dorën, doli në rrugë dhe u bë erë … Stivenit iu ravijëzua një grimcë ironie në cepin e buzëve…, ndërsa vetë mora plumbin në dorë dhe i thirra: “- Harrove plumbin, zotëri! Dhe mbeta disa çaste me dorën e shtrirë duke e shoqëruar me sy tjetrin, derisa u bë sa një pikë dhe u tret me errësirën…” -0-0-0-

