Gazeta Nacional Albania

Bratislav TASHKOVSKI (Shkup). Poezi. Nga origjinali maqedonisht: Shqipëroi Mustafa SPAHIU

I KYÇUR NË HESHTJ

Jeta e jonë
Kushtuar Biljanës

Dhe po të mund ta ndërroj
atë nuk do ta kisha bërë.
Asnjëherë s’kam qenë kaq i lumtur
dhe nuk e di çka aty për ndërrim.
Nëse shikon një çikëz më larg
do të vëresh sa të mëdhenj jemi.
Unë dhe ti vogëlushe
si anijetar të guximshëm lundrojmë tutje
Ku?
Atje ku dëshirojmë!

I harruar

Kërkoi plasaritje
që të mund të fshehem
nga gumëzhimi i bletëve.
Në atë sekond të stërgjatur
i mbylli sytë
që të mund të shikoj.
Përjashta më thërret dita
dhe unë dal
si lëndë e harruar,
i harruar në iluzionin e dikujt!

Do të vij

Atje
ku do të mundesh të më dëgjosh,
atje do të vij.
Që të të rrëfej për këto ditë
që jetojnë prapa dritares
si lule pa ujë dhe pa dashuri.

Dhe atëherë
kur do të fillojmë
ta ëndërrojmë tokën
ndoshta përsëri do të lindemi,
unë i pavdekur ti i ringjallur.
E di
kjo jetë është e pamëshirë
kamxhiku fshikullon
dhe të gjitha vargjet i bren deri në kocka.
Për atë dhe u nisa
të vij dhe të mbetem atje,
larg prapa kockave.

Derisa

Derisa dashuria shplodhej
unë si i egër
vrapoja nëpër bregore.
Në venat e gjakut kisha harruar
shumë dritë,
dhe ajo ishte e gjatë
ashtu sikur dora
kur në mëngjes me mall e prek heshtjen.

Zgjohem i çuditshëm.
E dëgjoi ngrohtësinë
dhe shikoi si ajo ëndërron qiell të ri.
Flas me ujin
dhe ik prej pëshpëritjeve,
derisa çdo gjë ik prej meje.
Retë përjetshëm janë larg
që të ndihem i yti!

Po…

Heshtjen e pikturova me dhembje
ndërsa dritën
hollake si fije bari
e vara në murin e lagësht.

Po,
ndoshta është koha të dal në rrezinë,
të filloj të flas me erën
dhe atëherë,
nëse duhet dhe të vdes nga kujtimet.
Atëherë do të jem vetëm thërmijë
nga gurët e vjetër
dhe kaltërsi e këputur mbi kokën time!

A është koha?

Perëndi,
nga je nisur?
Nëpër shpirtin tim po shkel
si nëpër kalldrëm.
Unë e di se doemos do të vish.
Mirëpo, mos aq herët
që të më shfajsosh nga mundësia:
Dhe unë si i yti
diçka të bëj!

Varrezat

Zulmëmadh,
të kanë rrëmihur livadhin.
Godasin në gur
sikur duan ta thejnë dritën.
Hudhin errësisë nëpër fushë
askend se pyesin
dhe nuk dyshojnë në ate.
Për ata kujtimi është lëngatë.
Zulmëmadh,
sërisht i vdesin të vdekurit!

Pyetje

Nëse ndonjëherë
harrohem të dua,
vallë, a do të dyshosh në mua;

vetëm për këtë
që gjithnjë më pak mundem
ndërsa gjithnjë më tepër kujtohem?

Mos nxito

Sikur jeta t’ishte
vetëm ajo çka qenë:
Asoherë ndoshta do harrojmë
përse kemi jetuar.
Por
a është e mjaftueshme ashtu?
Dhe a ka kush që mund t’i ndalë
mendjen dhe kohën?
Atje jemi të gjithë.

Dhe ata që kanë dashur
dhe ata që kanë ikur!

Për ate mos nxito
ka kohë për një lëngatë të tillë.

Urrejtje

Zotynë
kaq shumë nuk na duan!
Po të munden
dhe varrezat do të na i bëjnë të tejdukshëm,
që të shohin
kur të duan
se si na rriten kockat!

Ndiej,
se gjithnjë e më tepër bëhem ajër,
kurse jam vetëm gur
i futur thellë poshtë
në shpirtin tënd.
Dhe derisa më shikojnë nga lartë
pyetem:
“Ndoshta vetëm ne
të vdekurit
ende e dijmë se kemi atdhe.”

Ata!

Përsëri janë këtu.
Më shikojnë se si e godas gurin.
Ngopen
të kënaqur nga imtësirat.
Unë,
ngadalë
sikur guaskë i çeli sytë
dhe fuqishëm,
për inat,
dëgjoj se si
shumë ustallarë të moçëm
sonte trokasin nga damarët e mi.
Rruga është e hapur
dhe këngën askush s’mund ta ndalë.

Ndëshkimi

E di
askush s’mund të Madhërishmit
që t’ia ndalojë të ndëshkon.
Kështu e sheh punën e vet plaku.

Hapin e vdekjes
askush nuk mund ta pengojë,
ajo vjen kur ja do qejfi
dhe është hije e marrë që kërcen.

Zotëron!

Dhe nëse dua
nuk mund të them
se më s’ka shpresë!
A po e dëgjon fjalën
kaherë të të harruarëve?
Fryma e tyre
të ndalet nëpër faqe?
Bëhu një çikëz si era
mate kohën si psherëtimë.
Atëherë do shohish se
drunjtë gjelbërohen
dhe gjithçka sërisht po lindet.
Fryej
dhe hudhe acarin nga shpirti yt!
Zotëron mik!

Prehje… vallë, a kam?

Ti je e denjë
për ty të lëngoj
të tranohem
nëse duhet dhe të vdes për ate.

Për atë shkak
derisa ndjehem
se si dikush m’i bren ditët,
(i hanë
sikur skaj i bardhë)
më thuaj se si të thërras?

Thuaj?
E unë si gjysmë i vdekur
dhe më tutje do ta kërkoi rrugën.
Prehje… vallë, a kam?

Eh, jetë, ç’kemi bërë?

Dikush më shikon

Nga heshtja po dridhem.
Kam harruar të jam i qetë.
Shikoj
në errësirë dikush më shikon,
gogësinë në mua
sikur sytë e veckël të kandrave,
që çdo mbrëmje
shikojnë a bëj gjumë
ose ëndërroi ndonjë vjershë të re?
Unë i kuptoj
shikimet e tyre
dhe për atë kam këtu.
Në këtë jetë të thatë
e cila tashmë bëhet e bezdishme!

E di

E di miku im
këtij shpirti i janë të njohura
të gjitha helmet e botës.
Ende mundem
që ta kuptoi bukurinë,
së paku deri atëherë
derisa nuk e ndalojnë!?

E di
do të sjellë koha
edhe shumë ditëzie.
Prandaj jam këtu:
Prej fillimit
deri tek fundi i dashurisë!

Autoportret

Shikohesh në pasqyrë
Ti kaherë
je hije e thyer
dhe i thurrish duart
si pezhishkë.

Edhe një çikëz
dhe çdo gjë të pengon
ndërsa do të mungon
shumë më tepër se ajo.

Për shkak të një buzëqeshjeje
dhe të një loje të thjeshtë fjalësh
tani je kështu:
I ngrirë
dhe nuk mund të njihesh.
Pyesish vetveten:
Kush të gjykon
dhe kush të ndëshkon?

Nga origjinali maqedonisht:
Shqipëroi Mustafa SPAHIU

Shënime për autorin

Krijuesi i shquar i letërsisë maqedonase Bratislav Tashkovski, u lind më 11 shtator 1960 në Shkup. Studioi zhurnalistikën (gazetarinë) në Universitetin “Shën Cirili e Metodi” në qytetin e lindjes. Ka nxjerr në dritë këto libra me poezi: “Gishtërinjtë në re” (1987), “Demat në qarkullimin e gjakut tim” (1989), “Letra e rrezikshme” (1991), “Engjëlli dhe muza e etur” (1994), “Djallëzorja” (1997), “Shpata ime kineze” (2001), “Shtëpi mbi shtëpitë” (2002), “Pasditja e një optimisti” (2003), “Vjersha nga shekulli i kaluar” (2004), “Toka e zhveshur” (2005), “Kënga e madhe e dashurisë” (2006), “Arratisje nga Jerusalemi” (2007), “Samo angel” (“Vetëm engjëll”) – zgjedhje poezish në gjuhën shqipe (2007), “Kaos nën qiell” – përzgjedhje nga poezia (2008), “Syri i engjëllit (The Eye of the Angel) – zgjedhje poezish në anglishte (2008), “Fjalët në sulm” (2009), “Thërmia kohe” (Parçeta vreme) – zgjedhje e poezisë në bullgarishte (2009).
Në vitin 2007 i botoi dramat “Toka e zhveshur” dhe “Nata kundruall Shën Kolit” (Drama e cila më 2009 u shfaq në skenën e Teatrit popullor në qytetin e Shtipit, me titull “Çudia e yndyrëshme”).
Është autor i romaneve: “Nëse jep Zoti” (2008) dhe “Kafaz prej mëkateve” (2010), si dhe i librit me esse “Vija e skuqur” (2010).
Është fitues i shpërblimeve: “Studentski zbor” (Tubimi studentor), “Mllad borec” (Luftëtari i ri), “Braqa Milladinovci” (Vëllezërit Miladinovci) dhe i “Shpërblimit shtetëror për librin më të mirë në fushën e publisticikës”. Nga viti 1999-2002 ka qenë Kryetar i Këshillit drejtues i manifestimit poetik “Mbrëmjet poetike të Strugës”. Është përfshirë në zgjedhjet antologjike të poezisë maqedonase. Pjesë dhe cikle nga poezia e tij janë përkthyer në frengjishte, rusishte, turqishte, sllovenishte, kroatishte, serbishte, polonishte, spanjishte dhe në gjuhën rusine.
Është themelues dhe kryeredaktor i revistës për letërsi dhe kulturë “AKT” dhe është anëtar i LSHM.
Autori jeton, punon dhe krijon në Shkup.

(M.S.)