– Nanës Zade
(1922 – 10 prill 2020)
1.
Atë natë numëruam Pëllumba
Të bardhë, larashë, pikaloshë
Deri në mesnatë i numëruam –
Ime Nanë dhe unë
Mua më dilnin pak –
Asaj – shumë!
Plim, vinin e iknin –
Sërish binin!
Një, dy –
Dhjetë …
Nëntëdhjetetetë!
Ah, këta pëllumba të kujtimeve!
Nga Qiej të largët vinin
Dhe binin
Flatraqëndisur me krahnezë résh!
Tak-tak! Tak-tak! – çukitnin
Në xham të penxheresë!
Dhe, sërish iknin …
2.
Në çast Kupë e Qiellit u mbyll
Natës s’po i bënim më ballë
Nanëlokja ime në Prishtinë
Unë – në New York
Midis nesh – një Oqean mall!
U trembën, sakaq, pëllumbat
Nga dhimbja u trembën dhe ikën …
Po, një u nda nga plimi, u ndal –
M’u bë – priste diçka mbi parmak …
Çukiti lehtë, në xham çukiti –
… Taak-taak!
3.
E pashë kur mblodhi krahët –
Që këndej Atlantikut e pashë!
O, e pashë, vetë!
Me ‘i luleborë Mokne në sqepth iku
Oh, Iku!
Drejt Yjesh po i çante retë!
————
New York, 10/11 prill ‘20