Gazeta Nacional Albania

Erinda Medolli: PO LARGOHEM NGA KY VEND, POEZI

PO LARGOHEM NGA KY VEND

Po largohem nga ky vend,
Se jetesës filli i humbi.
Shpresa vdiq pa lindur mirë,
Dhe papunësia keq na mundi.

Po largohem nga ky vend
Siç u shpërndanë dhe të tjerë.
Por ta dini sa më dhëmb,
Ndoshta gjumi s’do më zerë.

Për asgjë nuk do kthej kokën
Se nuk lashë pasurinë,
Për gurët e sokakut mall do kem,
Edhe për plloçat e avllinë.

Po largohem si e dëbuar
Kush do donte të braktisë
Vendin që i dha emrin
Ku ka kujtimet e Fëmijërisë.

Po largohem përgjithmonë
Por me shpirt këtu ngujuar,
Zemra e shpirti do rrënkojë
Përgjithjetën do jetoj si i huaj.

Po largohem si shqiponjë
Larg ta ndërtoj folenë,
Atje ku nuk ta shkatërrojnë.
Zogjtë e mi të kenë ku të flenë.

THIRRJA IME

Miq m’i dëgjoni këto fjalë,
Ndoshta ju therin në zemër,
Për aq kohë sa jemi gjallë,
Të gjithë do ta kemi një emër!

Përderisa asgjë nuk sollëm,
Edhe për të marrë s’ka pse të presim,
Sa e rëndësishme qenka të mendojmë,
E pastaj hapin të hedhim!

Në këtë botë të marrë,
Të gjithë jetojmë të gënjeshtërt,
Derisa të grisim këtë perde mashtrimi,
Fati unë do të mbetet i verbër!

DOLLI ME FATIN

Vetmuar rri në një tavolinë
Dhe me fatin tim nis e ngre dolli,
Në gotë s’ka verë as raki
Por mbushur plot me lotët e mi!

E dalëngadalë nis e dehem
Dhe loz valle dhe dëfrej,
Nga dallga e jetës zë e shfrehem
Që dhimbjen shpirtit mos t’ia ndjej!

Se më iku darka e jetës
Me sytë qiellit e duke vajtuar,
Me çfarë lapsi vallë
Fati im qenka shkruar?!

ËNDRRAT PA MBARIM

Sa herë ndodh që nga jeta helmohem
Mundohem të fle, sikur të humb,
Brenda guaskës time shtrëngohem
Strukur nga bota që ëndrrat m’i zhduk!

Nuk dua të dal nga guaska, të zgjohem
Në këtë botë të lyer me gjak,
Kam frikë njerëzve t’u afrohem,
Se padashur më ndotin e mua pa shkak!

Nuk dua me veten të pëshpërit
Si ferra kujtimet nuk më lëshojnë,
Unë dua jetë t’i jap shpirtit
Dhe ëndrrat kurrë mos më mbarojnë.

GOTA E KUQE

Sonte për çudi askënd nuk dua pranë,
Një letër dhe një laps t’i kem mbi tavolinë.
Dhe një gotë me verë,mënjanë.
E me heshtjen do ta ngre dollinë.

Ajo më përflak, në thellësi
Atje ku s’ka njeri e shpirti ndez vullkan,
Mendimet ngrohen plot ëmbëlsi, dashuri
Vera vjen e ëmbël, pranë teje më mban!

Një gotë e kuqe më ngjan me dashurinë
Zjarrin më ndez ndjenjat e më lumturon
Largoj retë e zeza,shoh qiellin tim
Tutje çoj mërzinë, ty të dëshiroj!

Nuk dua asgjë sonte, veç një gotë verë.
Se më shuan çdo stuhi, më qetëson,
Dhe sa herë murlanet zemrën ma rëndojnë,
Marr një gotë verë dhe erërat pushojnë.

Nuk jam më e varfër, e pasur jam tani,
Sa herë pi verë,nuk dua t’ia di,
Në bie dëborë apo fryn erë.
Bashkë në vatrën ndezur,dua të ri
Eja i dashur të pimë verë!

BIOGRAFIA

Erinda Medolli është poete. Ka lindur në Trestenik të Devollit më 22.06.1989.
Më 2012 ka mbaruar me sukses studimet e larta për Mësuesi dega “Cikël I Ulët” Në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”.
Në 2022 mbron studimet Master Profesional me rezultate të shkëlqyera.
Pasioni i saj për letërsinë dhe nevoja për t’i dhënë zë mendimit, pasionit dhe ëndrrave, kanë qënë nxitja kryesore për t’ju paraqitur lexuesit me librin e saj të parë me poezi “Thirrja ime ” më 2020.
Është autore e tre vëllimeve me poezi.
-“Melodia e Shpirtit” Korrik 2020
-“Gjysma ime “,Shkurt 2022.
Ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme poetike brenda dhe jashtë vendit ku është nderua dhe me çmime.
Në poezitë e saj gjen të shpalosur shpirtin e një njeriu që shpreson, që beson tek vetja dhe tek Zoti. Që i jep krahë shpresës dhe jetë ëndrrave, mesazhet e saj burojnë nga një realitet i vështirë që shpeshherë na rrëzon por Erinda di të gjejë forcën, dhe me fuqinë e fjalës të çohet, dhe në mënyrën më fisnike, me anë të poezisë të shprehë dhimbjen e këthyrer në forcë. Erinda ndërmer një rrugëtim për të zbuluar vetveten de botën, shtegëton në labirintet e kujtesës dhe lidhet fort pas ndjenjës së dashurisë për fëmijët, për motrën për miqtë e sinqertë e të çmuar. Arti letrar tek Erinda është një përkufizim i qartë se bota ushqehet nga Dashuria.