Hëna
Poezi nga Jorge Luis Borges
Përkthyer nga Kujtim Morina
1. Të vetmet parajsa që kemi
E di se gjërat që kam humbur janë kaq shumë
saqë s’mund t’í numëroj
dhe ato humbje
janë e gjitha çfarë kam.
Kam humbur të verdhën dhe të zezën,
dhe mendoj për ato ngjyra të pambërritshme.
Ata që s’janë të verbër, s’mund ta kuptojnë.
Babai im është i vdekur dhe është gjithnjë pranë meje.
Kur lexoj vargjet e Swinburne,
flas me zërin e tij.
Vetëm ata që kanë vdekur janë tanët,
Vetëm ata që kemi humbur.
Ilioni u shua megjithatë jeton në vargjet e Homerit
Izraeli ishte izrael kur u bë një nostalgji e lashtë.
Çdo poezi, në kohë, bëhet elegji
Gratë që na kanë lënë janë tonat,
Të lirë siç jemi tani nga mosbesimi,
Të lirë nga ankthet, nga trazimet
dhe frika e humbjes së shpresës.
Nuk ka parajsa të tjera veç atyre të humbura.
2.Gjërat që mund të kishin qenë
Mendoj për gjërat që nuk ishin por mund të kishin qenë.
Traktati mbi mitet saksone që Bede nuk e shkroi kurrë.
Puna e pakonceptueshme që mund t’i ketë feksur Dantes
sapo korrektoi vargun e fundit të Komedisë.
Historia pa mbasditet e kryqit dhe bimës helmuese kukuta.
Historia pa fytyrën e Helenës.
Njeriu pa sytë që na dha hënën.
Fitorja e Jugut në tre ditët e betejës së Gettysburg
Dashuria që kurrë nuk e gjetëm.
Perandoria e gjerë që vikingët zgjodhën të mos e krijonin.
Bota pa rrotën ose trëndafilin.
Pikëpamja që Xhon Don kishte për Shekspirin.
Briri tjetër i njëbrirëshit.
Zogu i pemës irlandeze që ndriçon në dy pemë njëkohësisht
Fëmija që kurrë nuk e pata.
3. Hëna
I kushtohet Maria Kodama
Ka kaq shumë vetmi në atë disk të artë
Hëna e këtyre netëve nuk është hëna që Adami pa.
Shekujt e gjatë të vigjilencës njerëzore e kanë mbushur atë
me një vajtim të moçëm.
Shikoje. Ajo është pasqyra jote.
4. Keqardhje për çdo vdekje
I çliruar nga kujtesa dhe shpresa,
pa kufij, abstrakt dhe pothuaj pa të ardhme
Një i vdekur nuk është një i vdekur, ai është vetë vdekja.
Si Zoti i mistikëve
për të Cilin çdo gjë që mund të thuhet, duhet të mohohet,
Një i vdekur, është i huaj kudo
përveçse në gërmadhat dhe mungesën e botës.
Ne e plaçkisim atë nga gjithçka
derisa të mos mbetet as si ngjyrë apo rrokje
Këtu është, oborri që sytë e tij nuk e shohin më
Atje, kalldrëmi ku shpresa e tij nderet në pritje.
Madje edhe ajo që mendojmë
se ai mund të jetë duke menduar.
E ndajmë si hajnat
plaçkën e ditë-netëve.
5. Ne jemi koha, ne jemi të famshmit
Ne jemi koha, ne jemi të famshmit
Metaforë nga Herakliti i Errëti.
Ne jemi uji, jo diamanti i fortë
Ai që është humbur, jo ai që qëndron i paprekur.
Jemi lumi dhe ai greku
që e shikon veten në ujin e lumit. Reflektimi i tij
ndryshon në ujërat e pasqyruara
në një kristal që transformohet si zjarri.
Ne jemi lumi i paracaktuar
në rrjedhën e tij drejt detit.
Hijet e rrethojnë atë
Çdo gjë na thotë lamtumirë, çdo gjë ikën.
Kujtesa nuk e shtyp monedhën e vet.
Megjithatë ka diçka që qëndron
Ka diçka që vajton.
6. Mbi verbërinë e tij
Në krye të viteve, më pëlqen apo jo,
një mjegull e përhirtë më rrethon, e pandryshueshme
që i shndërron gjërat në një të vetme,
pa ngjyrë, pa formë. Pothuaj në mendim
Nata e paanë dhe e plotfuqishme dhe dita
plot me njerëz është bërë një mjegull kostante,
një dritë e druajtur që nuk tërheq vëmendje
dhe shtrihet në pritje në agim. Kam mall të shoh
vetëm njëherë një fytyrë njerëzore. E panjohur për mua
enciklopedia e mbyllur. Drama e ëmbël në volume
që nuk mund të bëj gjë tjetër veçse ta mbaj në duar.
Zogjtë e imët që ngrihen pikiatë, hënëzat prej ari,
Të tjerë e kanë botën, për mirë apo për keq.
Unë kam këtë gjysmë-errësirë, dhe mundin e vargut.
7. Një trëndafil dhe Miltoni
Nga brezat e trëndafilave
që kanë humbur në thellësinë e viteve,
dua një të shpëtuar nga harrimi.
Një trëndafil të panjollë, nga të gjitha gjërat
që kanë ekzistuar. Fati më lejon
dhuratën e zgjedhjes njëherë
të asaj luleje argjendi, trëndafili i fundit
që Miltoni e mbajti në duar,
të paparë, Oh purpur, e verdhë
apo ngjyrë e bardhë e një kopshti të rrënuar
E shkuara jote ende mbetet magjike.
Shndrit përherë në këto vargje
si në duart e tij, trëndafili i padukshëm.
8. Vetëvrasja
Asnjë yll nuk do të mbetet natën
As nata vetë nuk do të mbetet.
Unë do të vdes dhe bashkë me mua shuma
e të gjithë universit të padurueshëm.
Do të fshij piramidat, monedhat,
kontinentet dhe të gjithë fytyrat
Do të fshj të shkuarën e akumuluar
Do ta bëj pluhur historinë, pluhur pluhuri.
Tani vështroj perëndimin e fundit
Dëgjoj zogun e fundit
Lë amanet asgjënë askujt.
JORGE LUIS BORGES
Jorge Luis Borges ishte një shkrimtar argjentinas vepra e të cilit vazhdon të sfidojë dhe mrekullojë lexuesit për dekada pas vdekjes së tij. Ai është i mirënjohur për tregimet e shkurtra që shpesh eksplorojnë tema të kohës, pafundësisë, realitetit dhe identitetit. Krijimtaria e Borgesit karakterizohet nga rigoroziteti intelektual, fabulat e labirintheve dhe mjegullimin e vijave ndarëse mes trillimit dhe realitetit. Ai shpesh përdor mjete letrare si labirinthet, pasqyrat dhe ëndrrat për të krijuar një ndjenjë hutimi dhe pasigurie në narrativat e tij.
Borges ishte gjithashtu një poet prodhimtar, eseist dhe përkthyes. Poezia e tij shënohet nga erudicioni, thellësia filozofike dhe përdorimi elegant i gjuhës. Shumë nga poezitë e tij eksplorojnë tema metafizike dhe ekzistenciale, duke marrë frymëzimin nga burime të tilla diverse si mitologjia e lashtë, letërsia mesjetare dhe filozofia moderne.
Vepra e Borgesit ka pasur një ndikim të thellë mbi breza të tërë të shkrimtarëve duke frymëzuar autorë të tillë si: Italo Kalvino, Gabriel Garsia Markez dhe Umberto Eko. Përzierja e tij unike e fantazisë, filozofisë dhe eksperimentimit letrat vijon të rezonojë me lexuesit e sotëm, duke çimentuar statusin e tij si një prej shkrimtarëve më origjinalë dhe më ndikues të shekullit 20.

