Site icon Gazeta Nacional Albania

GJOK GRUDA, POETI I KUJTESËS KOMBËTARE: ATDHEU, MALSIA DHE IDENTITETI SHQIPTAR NË VARGJE

GJOK GRUDA, POETI I KUJTESËS KOMBËTARE: ATDHEU, MALSIA DHE IDENTITETI SHQIPTAR NË VARGJE

 

Poezia e Gjok Grudës artikulohet mbi një poetikë të identitetit, kujtesës historike dhe përkatësisë atdhetare. Në të, atdheu nuk shfaqet thjesht si hapësirë gjeografike, por si një kategori shpirtërore, historike dhe kulturore, e cila përcakton vetëdijen e subjektit lirik. Vargu i tij mbart një ligjërim të drejtpërdrejtë, emocional dhe të lidhur ngushtë me traditën e poezisë patriotike shqiptare, veçanërisht me sensibilitetin e letërsisë së Veriut dhe me trashëgiminë e Gjergj Fishtës.

“Atë Gjergj Fishta”, figura e poetit kombëtar ngrihet në përmasën e një autoriteti të pakontestueshëm estetik e shpirtëror. Pohimi “Poet si Ty nuk ka ma të madh” nuk është vetëm një shprehje admirimi personal; ai shenjon marrëdhënien e poetit me një traditë letrare që Gruda e konsideron themelore për ndërgjegjen shqiptare. Fishta shfaqet si figurë-kanon, si pikë referimi për poetin dhe për vetë idenë e letërsisë kombëtare.

Një nga figurat më të qëndrueshme të kësaj poetike është dielli, i cili te poezia “Dielli” funksionon si metaforë e Shqipërisë, e dritës dhe e shpresës. Vargu “DIELLI lind në Shqipni” sintetizon një simbolikë të tërë kombëtare: Shqipëria shndërrohet në burim drite, por edhe në një prani të largët, të cilën mërgimi dhe ndarja e bëjnë njëkohësisht të dashur dhe të dhimbshme. Këtu poezia e Grudës fiton një dimension të veçantë të përvojës së diasporës dhe të mallit për vendin amë.

Te “Malsia ime”, atdheu konkretizohet në topografinë e kujtesës. Malet, kullat, figurat familjare dhe emrat e njerëzve të vendlindjes ndërtojnë një arkiv poetik të kujtesës kolektive. Vargu “O Malsi, Malsia ime, / Unë për ty ruaj shumë kujtime” e shndërron vendlindjen në një hapësirë të shenjtë të identitetit. Kjo poezi nuk është vetëm evokim nostalgjik; ajo funksionon si një akt i ruajtjes së kujtesës, përmes të cilit historia familjare dhe ajo kombëtare ndërthuren.

“Troje etnike të Shqipnisë”, ligjërimi merr karakter më të theksuar identitar dhe politik. Formula “Shpirti im është Shqipni, / Zemra ime është Kosovë” ndërton një hartë poetike të përkatësisë, ku hapësira kombëtare konceptohet përmes gjuhës së trupit dhe të shpirtit. Ndërsa në “Mërgimtarët”, kjo vetëdije shndërrohet në dramë të mërgimit, të largimit dhe të kujtesës së vendit amë. Kështu, atdheu te Gruda është njëkohësisht vend, kujtim, gjuhë dhe përgjegjësi morale.

“Lum për ju malet e Malsisë”, poeti rikthehet te memoria e qëndresës dhe e figurave historike, duke i dhënë peizazhit një funksion memorial. Malet nuk janë vetëm natyrë; ato janë dëshmitare të historisë, hapësira ku kujtesa e luftës, sakrificës dhe flamurit shndërrohet në mit poetik.

Edhe “Nanë Tereze” e zgjeron këtë univers përtej kufijve të atdheut. Figura e Nënë Terezës ndërton një urë ndërmjet identitetit shqiptar dhe dimensionit universal të humanizmit. Në vargun “Ti je angel në këtë botë, / Je dritë dhe diell i ngrohtë!”, simbolika e dritës, e pranishme edhe në “Dielli”, merr tashmë një dimension etik dhe njerëzor.

Nga pikëpamja stilistike, poezia e Grudës mbështetet në ligjërimin e drejtpërdrejtë, në përsëritjen retorike, apostrofin, simbolikën e dritës, malit, flamurit dhe gjakut, si dhe në përdorimin e gegnishtes si shenjë e autenticitetit kulturor. Kjo gjuhë nuk është thjesht zgjedhje dialektore, por pjesë e identitetit estetik të autorit dhe e lidhjes së tij me traditën letrare të Malësisë.

Në përfundim, Gjok Gruda ndërton një poezi që mund të lexohet si një poetikë e kujtesës kombëtare: një poezi ku vendlindja bëhet metaforë e atdheut, historia shndërrohet në kujtesë poetike dhe kujtesa në një formë të qëndrueshme të identitetit. Vlera e këtyre poezive qëndron mbi të gjitha në sinqeritetin e ndjenjës, në koherencën e motivit atdhetar dhe në përpjekjen për ta mbajtur të gjallë, përmes fjalës poetike, një botë të tërë vlerash, figurash dhe kujtimesh. Në këtë kuptim, poezia e Gjok Grudës përfaqëson një zë të veçantë të poezisë bashkëkohore me frymë atdhetare, ku tradita, memoria dhe identiteti bashkëjetojnë në një ligjërim të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë.

M.Bucpapaj

 

 

 

 

 

ATË GJERGJ FISHTA

 

Nga Gjok Gruda

 

Kur ta lexova librin e parë,

Mu rrit zemrën e mu ba mal,

Shokve t’mi atëherë u kam thanë,

Poet si Ty nuk ka ma të madh.

 

Nuk ka ma të madh se Ty n’Shqiptari,

Nuk ka ma të madh poet n’botë se Ty,

Nuk ka poet në botë që ka shpirt si Ti,

Për poezi në këtë botë je PERENDI.

 

Grudë, 23 Tetor 2017

 

 

DIELLI

 

Prej pas maleve të largëta,

Atje në truellin arbënor,

Shkrepin rrezet e arta,

Kur del syni yt hyjnor.

 

Për ne, këtu në Malsi,

Kështu asht thanë prej ZOTIT,

DIELLI lind në Shqipni,

Përtej maleve të Hotit.

 

Ai asht gurrë i dritës

Dhe kroi i jetës,

Largues i terrorit dhe i frikës

Dhe burim i shpresës.

 

Si DIELLI dhe votra,

Shqipnia asht për ne,

O vllazën e motra,

Veç nga larg të nxe

 

Prej s’largu të jep dritë,

Të nxitë e të josh shumë,

Por verës ashtë i fortë

Të djeg të ban shkrumb

 

E mbyllur dhe larg nesh,

Shqipnia ndodhet sot.

Erresues DIELLI prapa nesh

Për drita s’shuhet dot.

Grudë, mars 1988

 

 

 

 

TROJE ETNIKE TË SHQIPNISË

 

Shpirti im është Shqipni,

Zemra ime është Kosovë,

Si syte e mi ju dua Çamëri,

Shkup, Preshevë, Ulqin, Tetovë…

 

Fryma jote jam Iliri,

E gjaku Yt jam Malsi,

Jetën e jap për Ty Dardani

Se Ty të kam shpirt e Perëndi.

 

Trojet etnike s’duhet të kenë kufi,

Trojet etnike nji flamur kuq e zi,

Trojet etnike përherë e mot në Iliri.

Rrnoft Shqipnia etnike për jetë në liri.

Shkodër 17 tetor 2020

 

 

 

MËRGIMTARËT

 

Sa gabim, o mërgimtarë

Me e Ishue tokën tanë.

Ma mirë të vdesin, se të gjallë,

Se grekë e sllavë nuk troje me i lanë.

 

 

Për në s’ka ma ditë të mire

Pa Shqipni, Kosovë, Çamëri

Dhe pa trojet tona në Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi.

Qe vujte aq randë në robni

 

Kur mbërritëm në këtë vend të gjanë,

Nuk nxe diell, as duket hanë

të vetmuem e kamë atdheun amë,

Të mjerët na, si i kemi lanë.

 

Na mergimtarë të mendojmë,

Vendin kur mos ta harrojmë!

Do të vijë dita të gëzojmë,

Trojet etnike t’i bashkojnë

 

Detroit, dhjetuer 1993

 

 

 

 

LUM PËR JU MALET E MALSISË

 

Lum për ju malet e Malsisë,

Ma të bukurat e Shqipnisë,

Sukë e Grudës së Deçiqit,

Ku u derdh gjak, flamuri u ngrit!

 

Kush e filloi pushkën e parë,

Prelë Nik Martini me të vllanë,

Në Deçiq turqit i vranë,

Fisi Stanaj derë e parë!

 

 

Nuk ka vend ma të bekuem,

Se ato male me gure t’lmuem

Pesëqind vjet turqit sulmuen,

Por të gjallë përpara s’kaluen!

5 MARS 2017

 

 

MALSIA IME

 

O Malsi, Malsia ime,

Unë për ty ruaj shumë kujtime.

S’i harroj male e shkrepa

Ku kanë lindur burra e burmesha.

 

S’te harroj, vendlindja ine,

Se njohin qyqet në shpinë time,

Në Stanaj të Grudës, në ato kulla

Linden shumë trima, gra e burra.

 

Si Prele Nika e Ujke Martin,

Mirash Ujka e Tomë Gjeke Stani,

Gjoni, Prenka, Filja, Deda, Agia,

Toma Ndou, Gjergji e Maria

 

Sado qyqet zije këndojnë,

Shqiponjat nuk shkrepu do t’ jetojnë,

Do t’i gzzynë trojet e se parve

Se Malsia asht e shqiptarëve!

 

5 MARS 2017

 

NANE TEREZE

 

Emni yt si diell me rreze

 

Je në këtë botë moj Nanë tereze.

Linde shqiptare krenare në Shkup,

Ma vonë shkove misionare në Kalkutë

 

Ti je angel në këte botë,

Je dritë dhe diell i ngrohtë!

Për mijëra vjet me zemër plot

Lum që të ka i Madhi zot

1886

 

 

 

Exit mobile version