Gazeta Nacional Albania

Hazir MEHMETI: F A T M I R I , TREGIM

(pjesa 2)
Ndërsa kujtonte legjendën e Vekut të Artë, Fatmiri tërhoqi librin e hapur të anatomisë dhe pasi nënvizoi mbi musculustriceps me ngjyrën e verdhë e futi në valixhen e tij të leckosur. Provimi i anatomisë ishte kyçi i mjekësisë dhe duhej seriozitet në çdo shkronjë e fjalë. Frenimi i trenit në stacion e gjeti të gatshëm për zbritje.
Në konviktin tre, kati i tretë në korridorin jugor në dhomë e fundit majtas, Fatmiri futi çelësin të hapte derën e dhomës. Në skajin e qilimit poshtë dalloi cepin e bardhë të letrës të futur nën të. Iu duk sikur ishte ajo e njëzetë e katër prillit. Dhe, pikërisht ishte e asaj date e ruajtur fshehur aty ku këpucët zbatheshin me gjithë përbaltjet e tyre nga rruga. E mori me shpejtësi sikur të ishte i rrethuar nga spiunët e sigurimit jugosllav. Qysh në titull e njohu se ishte përmbajtja e asaj kohe, por çuditej përse nuk ishte gjetur deri më tani. Pastërtia e saj dhe teknika e shkrimit dukej tjetër dhe të bënte të dyshosh se dikush e kishte vënë qëllimisht tani vonë mu para derës së tyre. Nga hapja e derës në fytyrë e preku ajri i nxehtë dhe i rëndë i dhomës.
Pas përfundimit të praktikës në klinikë u kthyen të lodhur Agimi dhe Ismaili.
-Dukeni se jeni të brengosur nga fytyra, apo keni telashe të tjera, – e pyeti Fatmiri.
Ku qëlluan kaq shumë ligjërata dhe ushtrime, mu tani kur kemi provimin e anatomisë. Nuk e di si do ia bëjmë sepse afatin nuk mund ta humbim. Dje lexova lajmërimin nga profesor Gajtani dhe Marinkoviçi që nuk do të udhëtojnë në Prishtinë për mbajtjen e provimeve.
-Mundësia e vetme është të shkojmë në Beograd për të hyrë në provim, përndryshe e humbim afatin dhe rrezikojmë provimet tjera, -foli i brengosur Ismaili.
-Nuk është hera e parë, do shkojmë, kemi edhe gjashtë ditë kohë të rrumbullakojmë kapitujt dhe qetësohemi sado pak nga ushtrimet, – tha Agimi.
Treni arriti me vonesë në stacionin e madh buzë Danubit të turbullt në mesin e majit të rënduar nga shiu. Sapo zbritën nga treni, pak hapa më tutje furra e xha Elezit ishte pika e parë e takimit të tyre. Me derën e hapur dhe aromë buke e byreku të shijshëm, edhe po të doje, nuk mund të kaloje pa i shijuar. Familja Nuredini nga fshati Kamenianit të Gostivarit ishte e njohur në Beograd për gatimet dhe byrekët e saj, por mbi të gjitha ishte e njohur për pritjen bujare dhe vëllazërore të hallexhinjve shqiptarë të cilët nuk ishin të pakët. Restoranti i tyre në Rrugën e Prizrenit ishte strehim i sigurt për studentët shqiptarë dhe ai nuk i linte të paguanin asnjë qindarkë. Ajo ditë takimi me Akiun, të birin e xha Elezit, ishte e këndshme. Ai u afrua dhe i përshëndeti moshatarët e tij të lodhur nga rruga.
-Në mbrëmje ju pres në restorant, nuk dua të dëgjoj që keni ikur pa pushuar së bashku sonte, – u tha Akiu me mëngët e përvjela dhe u largua drejtë furrës.
Shiu i dendur në qytet lagte çdo gjë. Tramvaji dukej sikur rrëshqiste mbi ujë me xhamat e tij të avulluar dhe mezi i fshinte shoferi, një njeri trashanik, me dorën e tij të majtë të mbështjellë me leckën e gjelbër. Kalamegdani i mbuluar sipër me re ngjante me hijen e rëndë të kujtimit të vjetër të kohëve në përcjellje të rrjedhës së lumit luginës së gjerë nën të.
Instituti i Anatomisë ishte mbushur me studentë nga disa qytete. Në stendat e qelqta të korridoreve të gjera vareshin listat me emrat e studentëve. Takimi me Hashimin nga Peshteri e lehtësoi punën informative. Ata që vijnë nga qytetet e tjera duhen lajmëruar tek referenti me indeksin e tyre.
Amfiteatri u mbush i tëri gjysmë ore para fillimit të provimit. Të tre udhëtarët e rinj nga Kosova dhe Hashimi zunë vend në rendin e dytë nga ana e majtë e dritareve. Rrobat e tyre të lagura, flokët e shpupurishura dhe fytyrat e tyre me sy të fryrë, tregonin lodhjen e udhëtimit tërë natën e ftohtë me shi në vagonin pa ngrohje.
Profesori i përcjellë nga asistentët e tij, një grua e re flokëverdhë dhe burri i gjatë me flokëgështenjë, zunë vend anash tabelës së madhe dhe studentëve që mbushnin amfiteatrin. Qetësia mbushi hapësirën e gjerë të tij.
-Sot do fillojmë me ata studentë të regjistrit të mbetur nga dje, e pastaj do të vazhdojmë me ata që vijnë nga qytetet e tjera dhe ata studentë të regjistrit aktual. Nga tetë studentet e mbetur nga dita e djeshme vetëm tre prej tyre dolën në provim, të tjerët abstenuan, vetëm njëri prej tyre mori notë pozitive. Profesori dukej i pakënaqur me përgatitjen e tyre.
Tani është radha juaj, iu drejtua ai studentëve nga Prishtina! Doni të pushoni edhe pak dhe të terni rrobat e lagura, pasi dukeni të lodhur, e pastaj të hyni në provim, apo tani?
-Përshëndetje Profesor! Faleminderit për mundësinë e dhënë, por ne me dëshirë do të përgjigjeshim tani, -foli Agimi.
Ismail Dreshaj, u dëgjua zëri i asistentes. Në sallë mbizotëroi qetësia. Studentët e Beogradit ishin kureshtarë ndaj filluan ta përcjellin rrjedhën e provimit me studentë nga qytetet e tjera. Kur studentët ishin nga Prishtina kureshtja ishte e veçantë.

Ismaili tërhoqi pyetjet i qetë dhe u ul sërish në karrigen e tij.
-Doni ta vazhdoni dhe ta përfundoni në tabelë atë që nuk e përfundoi kolegu juaj më parë? -pyeti ai.
-Si urdhëroni profesor! Ismaili u ngrit, shkroi në latinisht emrat e muskujve dhe ligamenteve. Në të gjitha pyetjet ai u përgjigj qartë e saktë. Salla dukej sikur nuk merrte frymë. Kulmi i suksesit ishte kur Ismaili bëri lidhjen mes morfologjisë së muskulit dhe qarkullimit të energjisë molekulare. Lidhja me Ciklin e Kalvinit në lirimin e Adenozinë Trefosfatit dhe dyoksidit të karbonit si prodhime të fundit të shkreptimës glukozite e mahniti sallën. Profesori u ngrit në këmbë dhe ia dha dorën: Urime! Ju vlerësoheni me notën maksimale.
-Po të kishte notë deri në njëqind, ju e meritoni, – tha profesor Marinkoviçi dhe filloi të duartrokiste.
Ishte diçka e rrallë në amfiteatrot e provimeve. Pas tij duartrokitën disa studentë aty në radhët e para.
Provimi i Fatmirit zgjati mbi një orë. Asistentët bënë shumë pyetje të cilave ai iu përgjigj të gjithave me sukses. Profesori e përfundoi urimin me një fjali: S’keni pse vazhdoni më tutje, shihet se jeni përgatitur shkëlqyeshëm. Literatura e shfrytëzuar në disa gjuhë tregon përgatitjen sipërore të tij. Urime! Nota dhjetë për ty!
Fatmiri u ndie i lumtur dhe pikërisht tani pa se pantallonat e tij ishin tharë bashkë me këpucët e zbardhura nga plasaritjet e tyre të përbaltura.
Pas tij u dëgjua zëri i asistencës:
Agim Vela!
Agimi la shallin e tij të kuq i vijëzuar me të zezë, mori fletët dhe doli në karrigen të cilën sapo e liroi Fatmiri.
Sa për ta shtendosur, profesori e pyeti rreth domethënies së emrit të tij, pasi shumica e dëgjuesve në sallë nuk kishin dëgjuar emër shqip. Agimi e sqaroi, se emri i tij tregonte lindjen e diellit me gjithë shpresën e ditës së re dhe me të gjitha ato që sjell rrezja e diellit mbi tokë e në fytyrat e njerëzve.
-Emër i bukur! -tha profesori duke buzëqeshur.
Agimi, shpalosi fletë pyetjet dhe pasi profesori e kuptoi se pyetjet ishin të qarta filloi përgjigjen. Skeleti i kafkës me gjithë strukturën e tij në funksion të sistemit nervor qendror dhe shqisave ishte një lidhje e materialeve nga fiziologjia, anatomia dhe endokrinologjia e cila duhej kohë për ta shtjelluar. Agimi pas një ore fshiu djersët, piu një gllënjkë ujë dhe vazhdoi të flasë.
-Mjafton! Keni ju pyetje plotësuese?- iu drejtua ai të dy asistentëve të tij.
– Jo, u përgjigjen ata me një zë të vendosur sikur donin të thoshin se edhe kjo deri tani ishte ca e tepërt.
-Mjafton, kjo që prezantuat deri më tani, i nderuari Agim, tha profesori. – Ju paskeni mësuar sa për të gjithë Kosovën, – vijoi ai me pak ironi dhe meritoni notën maksimale, dhjetë. Mori indeksin e vuri notën me firmë dhe ia dha në dorë Agimit.
Urime Agim! Ju do jeni ata të cilët do ta pasuroni Universitetin e ri të Prishtinës dhe nuk do të kemi nevojë të presim largimin e mjegullës për uljen e aeroplanëve nëpër aeroporte. Ndërsa Agimi rrinte afër tij, profesori iu drejtua studentëve që mbushnin amfiteatrin e Institutit të Anatomisë si rrallë herë.
Studentë të nderuar! Ja se si përgatitet provimi i anatomisë, merrni mësim nga këta studentë shqiptarë të ardhur nga larg, të lagur e përbaltur, të vuajtur e të nënçmuar, por me vullnet të madh për dije e shkencë nga një rajon i varfër i cili tani po e shikon mundësinë e arsimimit dhe shkollimit. Deri më tani janë tri notat maksimale, tri dhjetat e para dhe po të kishte nota deri në njëqind e meritonin. Jam krenar që kam studentë të tillë, e mbylli fjalën profesor Gajtani.
Profesori e përcolli me shikimin e tij largimin e tre shqiptarëve nga amfiteatri, kurse në sallë ra një heshtje e çuditshme. U duk sikur turpi e mbuloi secilin, ndoshta do të protestonin po të mundnin dhe nuk do të lejonin të përsëritej një poshtërim i tillë. Dhe, nga kush! Nga ata që i konsideronin të paarsimuar, primitivë dhe pakulturë. Nga ata që i kishin takuar si sharrëxhi në rrugët e qytetit të tyre para portave të shtëpive mbi grumbujsh drurësh e qymyri të zi, tani të poshtëruar mu në zemër të Institutit të Anatomisë, jo në gjuhën me të cilën ishin rritur, por në gjuhën e tyre të cilën e flisnin më mirë se shumë prej tyre dhe në gjuhën latine të shkencës e pastaj në gjuhën angleze, gjuhë e globit.
Ata nuk e dinin se mu këta studentë sy fryrë e të përbaltur ishin pasardhësit e atyre që ngritën dikur Akropolin, dhe Zeusit të lashtë prej të cilëve kishin çndukur e përvetësuar të tjerët nga kultura e tyre. Zeusi nuk fal ringjalljen e tij ndaj përbuzësve të bijve të tij në Tokën e Shenjtë të Dardanisë.
Dukej sikur shiu binte edhe nga toka e jo vetëm nga qielli dhe çdo gjë pikonte ujë. Të tre shokët u ulën në vagonin e dytë drejtë qytetit të tyre që i priste në heshtjen e rënduar nga vuajtjet e vjetra.
Fatimri sapo mbylli sytë në një qetësi të ëmbël pas provimit dhe gjithë asaj që përjetoi, e zuri gjumi. Vagoni përkundej bashkë me udhëtarët nën rrapëllimën ritmike shinave të hekurta. Ëndërronte udhëtimin në qerren me plakun mjekërbardhë fytyra e të cilit u zgjat dhe mbuloi lisat e thatë përskaj rrugës, shtrëngoi dhëmbët hapi sytë dhe bërtiti me të madhe: “Ata që fluturojnë me krahët e tyre, ngjiten lart!”.
“Dëgjo këtu ti djalosh, si e pate emrin? Nuk ta kam harruar Fatmir e ke, apo jo? Rruga e shpellës drejt Vekut të Artë është vetë jeta jonë. Shpellë është jeta jonë padituri, populli pa shkollë është pa sy! Uleni kokën e mos u krekosni! Çuditërisht plaku kishe krahë të lënduar që kullonin kuq, i dha me fuqi dhe fluturoi përmes dritareve duke thirrur: Porosi Gjogun! Gjoguuuunnn …! derisa humbi mbi fushat e gjera të Pllanës.
I mbytur në djersë Fatmiri u zgjua me kokën mbi krahun e Agimit. Hapi sytë pa Ismalin që dremitej me kokë në prehrin e Hashimit, dhe atëherë e kuptoi se kishte fjetur.
-Jeni djersitur, – iu drejtua atij me mirësi, Hashimi.
Po, paskam dremitur ca. Na pret rrugë e vështirë deri tek drita e re, na duhet kujdes e bashkim. Fishkëllima e trenit me gjithë furfullitjen e pistonave të hekurt tregonte fillimin e kthesës së re. Mbi luginën e Ibardhit u pa nga dritarja fillimi i agimit me gjithë rrezet e tij përmbi Mollëkuqen e ëndrrave që zgjoheshin.