Ndjeva, që po afrohej. Ky libër tregon pikërisht për Atë. Atë, që nuk ka emër. U shtriva në krevat me sytë hapur dhe mata me sy distancën Atje. Dukej më afër se kurrë, po i thosha mbas cepit të dhomës. E dija, që kisha nevojë për bravë dere mbrojtëse për natën që do të vinte, por Ai vjen dhe unë nuk kam më nerva të pres.
Bie telefoni. Mäki-Jyrki i cili propozoi që të takoheshim të nesërmen në orën 10 në Seinäjoki tek restoranti i stacionit. Brava! Për të mbajtur mbledhjen shfaqur dikur në të ardhme nga një bandë Radiofoni i një filmi. Aty më kërkuan ndihmë për një shkrim. Dëgjoja i lehtësuar dialektin Oulunian të Jyrkit. Po diskutonim gjëra të mira. Ramë dakord dhe i dhamë lamtumirën njëri-tjetrit. Shfletova oraret e trenit dhe pashë që treni nisej në orën gjashtë, nëse do e arrija. Gati qesha, por jo. Ta marrtë dreqi, sa budalla u tregova! Përse nuk dita të sajoja menjëherë si të largohesha prej tij. Nuk do të gjejë gjë atje, nuk do të vijë në Seinäjoki. Mäki-Jyrki gjithsesi ka frikë.
Mendova të zieja pak çaj, gjë që nuk është punë e vështirë, por e mjaftueshme. Ka nevojë për ujë, çajnik, qeska çaji dhe filxhan.
E ndeza sobën duke e ngritur në gjashtë gradë dhe hodha ujë në çajnik. U ngjita atje. Më në fund arriti të më befasojë. Tani Ai kishte ardhur dhe nuk do të largohej më nga preferenca e tij. E pashë tek zbriste në formën e diellit dhe të yjeve. Mendimet u zbehën në kokën time dhe në vend të tyre u shfaq galaktika. Një boshllëk i akullt i errësirës, ku shkëlqente drita qiellore. Dielli lind dhe perëndon.
U afrova përmbi lavaman dhe pashë që disku i sobës ishte skuqur. Prej çezmës kishte rrjedhur 500 litra që prej saj në tenxhere dhe në kanalet hidraulike. Mblodha forcat dhe e mbylla pllakën e ndezur. Në atë moment pata një mendje të keqe të vendosja dorën përmbi pllakën e nxehur dhe të ndieja dhimbje. Dora tjetër ishte më e zgjuar dhe e kapi menjëherë dorën që ishte duke u hedhur përmbi pllakë. Pastaj kapa çezmën dhe e mbylla. Më pas u ula në dysheme dhe u shtriva përmbi qilimin e punuar nga nëna ime.
Menjëherë ndjeva aromën e qilimit. Mbante erën e një shtëpie të sigurt për fëmijën, plot lodra. Unë kam patur gati njëqind figura të rosës Donald në Veikkari. Më kujtohet që bëja garë sportive mes tyre dhe pikërisht ky qilim ishte një terren i mirë për hedhjet e shtizave. Në të dyja anët e shtizës ishin vendosur shkopinj dhëmbësh të mprehtë. Një nga një çoja Goofyn ose Mikin ose Pelen në fund të pistës së vrapimit, vraponim shpejt dhe e hidhnim shtizën me hark të bukur në anën tjetër të qilimit. Shtiza atëherë ngecte ashtu krenare duke qëndruar drejt në qilim. Pastaj e matja hedhjen me metrin e nënës dhe rezultatin e shkruaja në fletore. Kam mbushur gjithë ato fletore me shënime të ngjarjeve të rosës Donald.
Isha shtrirë me bark me hundën mbërthyer për qilim. Po mendoja që të flija aty, sepse rruga për tek krevati ku mund të shplodhesha mirë, ishte nja 40 vjet rrugë. Ashtu siç isha i mbylla sytë. Koka menjëherë u shndërrua në një oqean hapësire. Ndjeva dhimbje në kokë prej zgjerimit të kokës nga shpejtësia e dritës dhe përpëlita sytë duke i hapur.
Pashë tek dyshemeja, po zmadhohej përgjatë universit tjetër, në anën tjetër të qilimit. U zvarrita për atje. Zvarritja në më të shumtën shkoi mirë, por në disa vende qilimi u mblodh dhe u rrudh. Fillova të mblidhem.
Mbërrita në vend dhe përdrodha një cigare. Pastaj u ngrita në këmbë dhe po qëndroja. Përse jo. Çelësat dhe çakmaku ishin gati në xhep. Hodha një hap të kujdesshëm. Pastaj hodha tjetrin. E kalova Lallin dhe Henrikun. Në korridorin e shkallës drita ishte ndezur. Në ballkonin e komshiut, cigarja shkëlqente. Burrit me syze dhe dy mace, meqenëse syzet ia kam parë, por jo macet. Ai vetë thotë se ka dy mace.
Një njeri i trullosur, por nuk mundem më të tërhiqem, ndaj isha i detyruar të mbështetesha në kangjella.
Në fillim mendova të mos flisja fare. Gjithsesi iu shkëputa mendimit dhe e përshëndeta mirëmbrëma. Ai nuk lëvizi dhe as nuk tha gjë. Për inat nuk ia ndeza cigaren. E vështrova dhe ai më vështroi. Në atë moment kuptova që ai dinte gjithçka, edhe mendimet e mia. Ky nuk është komshiu. Është Ai.
Burri qeshi dhe u largua. Ndjeva që zemra më rrahu dyqind. U mbështeta në kangjella. Më kot u mundova të gjeja sorrat, sikur edhe sorrën nënë. Ndërkohë ndeza një cigare dhe e thitha thellë. Pastaj sepse më erdhi një ide e çmendur ta hidhja cigaren poshtë dhe të hidhesha edhe vetë mbas saj dhe të vështroja a mundesha ta kapja përpara se cigarja të binte në gurët e tokës.
Mbas kësaj fillova të vrapoja kuturu në drejtim të banesës dhe me një frymë e duke kaluar shkallët arrita deri tek krevati.
U shtriva me fytyrën nga tavani dhe fillova të vështroja muret. Koka filloi të më rëndojë deri diku. Ndjeva dikë: dhe ja, telefoni. Në fillim u duk bosh. Treni nisej për në drejtim të veriut mbas gjashtë orësh. Nuk do të hipja kurrë në atë tren, të cilit i ishte këputur çengeli lidhës i vagonit. Ndoshta ishte këputur, sepse kishte ardhur që të qëndronte aty.
Ndërkohë mendova t’i nis një mesazh Mäki-Jyrkit. Shtypa një germë, pastaj pushova pak. Vetëm për të nisur atë mesazh m’u desh një orë: “Nuk mund të vij dot. Nuk jam mirë.” Përgjigjja erdhi menjëherë mbas 15 sekondash dhe m’u duk si nënshkrim i gurëve të varreve: “Pusho i qetë, shoku im.”
Ndoshta mund të mendohet edhe ndryshe, mendova. Ja, kështu mund të vdesësh në kohën e sotme moderne, “këput dhe shkëput” ashtu siç edhe Çehovi ka thënë dhe bie mbi shtrat, me kurorë në kokë dhe me tatuazh në qafë si alergji në lëkurë prej stresit, ndërsa memoriali vjen me mesazh.
E megjithatë, akoma nuk vdiqa. Nuk mund të flija dhe as të rrija zgjuar, ndaj edhe fillova t’i shkruaja një mesazh Anës. Si përfundim përgjigjja që mora ishin fjalë pozitive, por nuk isha i sigurt nëse i besova ato që shkruante. Mundet që Ana të kishte thurur komplot me Atë.
Pastaj brenda kokës sime filloi të gumëzhinte, ishte shiu i meteorit. Në atë moment nuk ishte e mundur të shtrihesha, vetëm të ngrihesha. Nuk ishte e mundur të rrija çuar, duhej të ulesha në krevat, ku nuk ishte e mundur, ndaj edhe u rrëzova në dysheme. Aty ku nuk ishte e mundur të gjendesha, ndaj edhe shkova afër makinës së shkrimit dhe hapa fletoren.
Fillova të shkruaja, por fjalët më shtrembëroheshin brenda, jashtë. E hodha vështrimin brenda shkrimit tim i cili m’u duk si shkrimi i një të çmenduri. Aty kuptova se me Atë nuk luhej. Isha aq i drobitur, por gjumi në atë moment ishte i paarritshëm. Ajo që kuptova ishte se, nëse do t’i mbyllja sytë në atë moment dhe të flija, do të zhvendosesha diku, ku nuk kishte dalje. Diku në një vend ku nuk do të doja të isha.
Si një ujk në kafaz. Një ujk, organet gjenitale të së cilit janë prej guri graniti dhe pjesët e tjera inde të gjalla. Ujk, gjoksi i të cilit është i akullt, gjymtyrët prej toke, gëzofi prej zjarri dhe trutë prej ajri. Në atë kohë menjëherë vrapova për në banjë për të urinuar apo vjellë… çfarëdo që ishte e mundur, ku mund të ndihesha se isha gjallë, por prej meje nuk doli asgjë. A më qarkullon gjaku akoma?! Ktheva vështrimin nga venat e gjakut dhe po mendoja të provoja një prerje me thikë.
Buzëkuqin e lashë në banjë dhe kur u largova i hodha një vështrim pasqyrës, ku fillimisht nuk pashë askënd, por pastaj u shfaqën nja dy tipa. E përplasa derën e banjës, shkarazi vështrova me dyshim nga Lallia dhe u mbylla në dhomën time.
Në atë gjendje vazhdova të rrotullohem deri në mëngjes aty nga ora shtatë. As për duhan nuk kisha më guxim të shkoja, sepse e dija që grilat e dritareve ishin për mua tepër të ulëta.
Pastaj fillova të haja supën me tërshërë që gatuhej gjithmonë në atë orë mëngjesi. Ora tetë ishte e pamundur të gatuaje këtë lloj supe, sepse nuk dija.
Më mbrapa duhen larë dhëmbët, por as ajo nuk më integroi, ndaj thashë t’i shpëlaja të paktën me ujë dezinfektues, të cilin e kapërdiva menjëherë. Mbasi e mora veten nga kolla e fortë që më mbërtheu, kuptova se ishte koha të dilja jashtë.
Çanta e shpinës. Poezi nga Daniel Hjort dhe Brecht-in në çantë, dy libra të lehtë, fletore, laps dhe kalendar. Pak i paqartë për vendin e biçakut. Gjithmonë kam mbajtur çantë me vete dhe në çantë një biçak të mprehtë. Biçaku është instrumenti ynë i përbashkët dhe një mjet kuzhine, ndaj edhe duhet të jetë i mprehtë. Gjithsesi vendosa që biçakun të mos e merrja me vete në çantë.
Nëpër shkallët e pallatit nuk dukej askush. As në oborr. I rashë përqark pazarit Harju për të parë nëpër bar mos gjeja prap dildon, por nuk e gjeta. Pastaj u gjenda përballë ekranit të Planetit të Kuq. Vendi i Hjort-it ishte akoma bosh.
Vazhdova të ecja përreth rrugës së Gustavit. Vura re se këmbët po i tërhiqja zvarrë, ndaj fillova ta rregulloja ecjen duke bërë një kërcim të befasishëm. Isha shtrirë në asfalt për disa minuta. Faqen e kisha vendosur në kalldrëmin e kalimtarëve. Sytë i mbylla fort. Pastaj i hapa. U ngrita me të katërta. Pastaj me një të shtyrë u ngrita lart.
Kisha mbërritur tek dyqani SIWA, ku kërkova të më jepnin një paketë cigareje.
Çfarë, më pyeti shitësja.
U mundova përsëri të gjeja fjalën e duhur për ta nxjerrë nga goja. Nuk dilte që nuk dilte por fshihej nëpër gjuhë dhe dhëmbët e parë brenda gojës së thatë. Në atë moment drejtova gishtin nga paketa e cigareve dhe shitësja ma shiti. Dola. Ndeza cigaren. Vazhdova rrugën.
Vazhdova rrugën duke e kaluar shkëmbin e kishës dhe teatrin e qytetit për në drejtim të urës “Kënga e zogjve”. U zgjata në parmak dhe po vështroja trenat. Edhe aty mendimi i parë që më përshkoi ishte, si mund të hidhem prej këtu.
Gjithsesi u hodha në bregun e Töölös. Gjatë zbritjes tatëpjetë, forca e peshës kundër dëshirës sime më ndryshoi të ecurën e çalë edhe në më të çalë, tak, tak, tak. Që në këtë pikë fillova të jem më ngurues rreth ekzistencës time. Plaku jeshil u shndërrua në një plak të kuq. Lëvizjet e mia nuk po mundesha t’i ndalja, por të ecja në drejtim të kuqes të fushës së stadiumit. Ashtu u nisa të lëvizja përreth vijave të stadiumit.
Mbas katër orëve akoma isha duke ecur përreth të njëjtës vijë nja një kilometër e gjysmë. Kisha ecur gati njëzet kilometra pa ngrënë dhe pa pirë dhe akoma nuk ndieja marrje mendsh. Ndoshta ndonjë cigare e kisha pirë. Askush nuk më kushtonte vëmendje.
Vazhdova ashtu t´i vija përreth stadiumit pa ditur si të ndalesha. Me siguri kisha vdekur atë moment kur u rrëzova në rrugën e Kustavit. Prandaj nuk më vënë re më.
Ky mendim dukej i saktë. Kisha vdekur. Ndërkohë më bie zilja e telefonit. Ishte Ana. Telefonit ia fika zërin. Vazhdova të vështroja ekranin ku shndriste akoma emri i saj. Anës nuk mund t’i thosha se kisha vdekur. E futa telefonin përsëri në xhep. Vazhdova të ecja drejt rrugës së vdekjes, ende në të kundërt të akrepave të orës, duke u anuar majtas.
Endesha përreth, nuk mund të ndryshoja asgjë. Befas vura re një shtëpi të verdhë. Ndoshta duhet të shkoj atje. Bëra dhe një xhiro për siguri. U ktheva aty ku u shfaq shtëpia e verdhë.
Kisha marrë guximin të hidhja një hap jashtë orbitës. Për atje. Po shkoj atëherë tek shtëpia e verdhë.
Shtëpia i kishte dyert e oborrit të përparmë të mbyllura. Eca përreth saj. Në oborrin e pasëm gjeta një buton.
I rashë. Derën e hapi një grua dhe më drejtoi përkundrejt tavolinës së qelqtë që të ulesha. Xhami kishte të çara, tek e cila futa letrën sipas kërkesës. Atje më bënë disa pyetje, të cilave iu përgjigja aq sa munda. U thashë, se vështirë që kjo të ishte shtëpia e verdhë, sepse mendoja se kisha vdekur.
Pastaj më drejtuan përkundrejt një dhome të madhe që të ulesha. Isha pothuaj i pafuqishëm dhe po ndjeja se po dremitsa. Megjithatë, e dija që nuk mund të flija, një mendim i tillë ishte i pamundur. Në atë dhomë kishte edhe të tjerë duke pritur. Kishte dhe një çift afrikanësh të veshur me ngjyra. Kishin dhe çallma. Po më vështronin. Edhe të gjithë të tjerët aty po më vështronin. Gati-gati sytë i kisha të mbyllur e megjithatë me mprehtësi po ndiqja çdo gjë përreth.
Kuptova se ky lloj trajnimi mjekësor ishte komplot, një teatër i mbas vdekjes. Aty çdo gjë lidhej me gjithçka dhe çdo mprehëse ishte drejtuar kundrejt meje. Shkunda veshët dhe fillova të dëgjoja biseda nëpër korridore, mbas cepave dhe ndërmjet mureve. Të gjithë po flisnin për mua, për fëmijërinë time, për veprimet e mia. Domethënë tani ishte momenti i dhënies së llogarisë. Veprat e mia filluan të ecin kundër meje. Ai barbari e dinte që dje se do të vdisja, si një parashikues, ishte lajmëtar!
E ç’mund të kishte mbas këtyre skenave? Dhe cili mund të jetë qëllimi i këtyre spekulimeve? Nuk e di përse kjo pyetje filloi të më intrigonte për nga ana profesionale, ndaj u nisa në një rrugëtim testimi drejt derës së jashtme. E ula dorezën e derës, por derën nuk munda ta hapja pa çelës. I panjohuri vrapoi për te vendi.
Ku dreqin mendon se po shkon?
Mendova të shkoja në shtëpi, këtu asgjë nuk po ndodh.
Së shpejti do të fillojë. Prej këtej nuk largohet njeri aq lehtë. Shko tek vendi yt!
Shkova, u ula dhe po prisja. Pastaj filloi aktiviteti drejtpërdrejt. Mua më urdhëruan të shkoja në një intervistë, ku fillova të flisja pandërprerë. Aty pranova gjithçka, duke pranuar se ishte një taktikë e mençur. Burri në fillim më intervistoi, pastaj nga dhoma tjetër, ku edhe ishte vendosur një krevat po intervistonte një grua. Edhe asaj i pohova gjithçka, madje edhe më tepër. Pohova gjithçka që kisha fantazuar dhe madje e bëra rrëfimin edhe më të mirë, pohova, ato gjëra që as mundesha më parë t’i mendoja.
Aty i keni materialet, djaj, mendova.
Pastaj më lanë përsëri të vuaja në një dhomë të madhe, ku intrigonte televizori dhe një grua e moshuar. Në televizor po flisnin për mua, por jo drejtpërdrejt, por në mënyrë që mund të kuptoja lidhjet. Toni ishte tallës. Kjo më bëri të ngrihesha dhe ta mbyllja televizorin.
Përse e mbylle? Tani do të fillojë programi rreth natyrës.
Rreth natyrës! Hmm, edhe gruaja e moshuar ishte demon që ishte vendosur aty për të më ngacmuar dhe vëzhguar mua. Natyra e hapur, kjo ishte sigurisht ajo që unë kisha humbur përfundimisht, prej saj më kishin shkëputur kur vdiqa.
Ç’po bën ti këtu? E pyeta të moshuarën aq vrazhdë sa munda.
Erdha të rinovoj recetën.
Nuk rinovohen receta këtu!
E çuditshme, aq as të sajonin diçka më të mirë nuk mundeshin, por “rinovim recetash”, shkoni në djall. Prej cepit u shfaq një grua, fytyrë e panjohur, e cila më afroi një pjatë kartoni me ushqim.
Për çfarë më duhet mua ushqimi kur unë jam i vdekur? Megjithatë cigaren edhe mund ta pija. Gruaja sinjalizoi me vendosmëri dhe fillova të haja për qejf. Pastaj marsh dhe drejt dhomës ku pihej duhani, për nga më drejtoi gruaja. Befas më bie telefoni. Ishte Marta.
Ç’kemi Marta! Jam në shtëpinë e verdhë, mos u bëj merak. Thirre gjyshen, motrën dhe Anën dhe thuaju që jam këtu.
Telefonin e mbylla pak i hutuar. Të ishte vërtet vajza ime? Përse duhej të thërriste këtu? Unë e di që jam i vdekur, dhe prap këta mundën disi të manipulojnë situatën edhe me këtë telefonatë. Kuptova që ata mund të bënin gjithçka, ndaj duhej të prisja me durim. Fundja, unë kisha dëshmuar për gjithçka dhe madje edhe disa bonuse më tepër. E vetmja gjë që më kishte mbetur ishte dinjiteti, ndaj edhe vendosa ta mbaja atë qoftë edhe me dhëmbë. Nxora një tjetër cigare dhe e ndeza menjëherë, ndërkohë që një grua tjetër afrohet të më marrë.
Prit të mbaroj njëherë këtë cigare.
Pije, pije. Për ty është aprovuar të japin një vend tek shtëpia e bardhë, ngjitur këtu afër. Por në fillim të duhet të nënshkruash këtë letër.
Ç’është kjo?
Po mundohem të sigurohem, që do të shkosh në shtëpinë e bardhë vullnetarisht.
Kjo gjë më bëri të qesh. Në fakt, unë kisha ardhur aty sepse s’kisha rrugë tjetër, kisha vdekur, sepse ishte i vetmi shteg i realitetit i cili më ishte lënë i hapur dhe më drejtoi aty. E ndjeva që gruaja mundi të më lexojë mendimet, ndaj edhe nuk u mundova t’i thosha gjë. Gruaja më vështroi me përbuzje. Ndërkohë më dukej sikur nuk isha aty dhe hodha cigaren përtokë.
E vëzhgova gruan fshehurazi si pas një reje tymi. Nuk më ngjante me një grua të vërtetë. Ishte një grua rreth të 35 vjeç, e huaj që jetonte me një rrogë të ulët, që vështirë të maskonte profesionin, gati-gati një hologram. Me një telepati i dërgova kësaj qenieje një mesazh që po e kuptoj që po më lexon mendimet, dhe nuk më bëhet fare vonë a e nënshkruaj apo jo formularin, por që për hatrin tënd mund edhe ta nënshkruaj, për të vazhduar më tej.
Ma jep.
E shkruajta emrin në letër dhe për disa çaste u mendova cili ishte mbiemri im. Pastaj m’u kujtua mbiemri i Martës dhe vendosa që edhe unë duhet të kisha të njëjtin.
Pastaj më vendosën në dhomën e pritjes. Prita pak kohë. Iu afrova derës për të provuar a ishte e mbyllur dhe ishte e mbyllur. Aq më bënte.
Në këto ditët e fundit ditët ishin zgjatur çuditërisht. Kjo besoj ndodh atëherë kur koha shndërrohet në pafundësi.
U ula për një minutë ose një orë. Por e përgatita veten që kjo pritje edhe mund të mos mbaronte kurrë. Ndoshta ky do të ishte vendi im tani e tutje. Ndërkohë që hodha sytë përreth vura re se në cep të dhomës ndodhej një makinë uji automatike. Ndjeva etje. Megjithatë e dija që duhej të qëndroja i ulur në karrige, por kjo nuk ma hiqte nga mendja makinën e ujit. Më ishte ngulitur aq shumë në mendje sa filloi edhe të derdhej.
Dukej sikur e kishin vendosur pikërisht aty për të provokuar reagimin tim. Megjithatë nuk ishte në pyetje për të më testuar mua në ndonjë mënyrë apo në një tjetër. Ata e dinin që nuk kishin ç’të testonin. Gjithçka lidhet në një mënyrë ose në një tjetër me poshtërimin dhe ndëshkimin. Ata duan të shikojnë sesi do të dukem kur e vërteta të zbulohet.
Jeta disi më kishte hedhur deri atëherë në hapa të sigurt, kisha zgjedhur gjithmonë labirintin tim dhe përpara fundit nuk kisha më pengesa të tjera.
Lojën e kisha humbur, por ende kisha mundësi për stile të reja.
Të rrija ulur apo të shkoja drejt makinës automatike të ujit?
Nëse do të rrija i ulur ndoshta do të më linin të vdisja urie në departamentin e rehabilitimit, ku do të më vendosnin llastikun pa më lajmëruar. Nëse do të ngrihesha, atëherë padyshim dikush do të shfaqej menjëherë në derë dhe do të ndodhte diçka e pakëndshme dhe e dhimbshme.
Fakti që tashmë isha i vdekur, nuk ma lehtësonte aspak zgjedhjen që duhej të bëja. I vdekur duhej të isha sepse edhe sistemi koordinativ kishte ndryshuar plotësisht. Por, edhe ngaqë të gjithë përreth meje përfaqësonin një tjetër formë qenieje. Ndërsa unë nuk dija asgjë, kur ndërkohë të gjithë të tjerët dinin gjithçka. Ndoshta kisha vdekur që 1 vjeç me infeksion në vesh apo temperaturë të lartë në shkollën Veikkari. Ndoshta isha hedhur prej ballkonit një natë më parë. Ndoshta më pushoi zemra tek shkallët e stadiumit.
Ndoshta të gjitha bashkë. Ndoshta se edhe burgimi im në shtëpinë e verdhë ishte rezultat i mesatares së cikleve të mundshme të jetës time.
A jam unë vetja?
Ashtu u ngrita ngadalë të merrja gotën plastike dhe ndërkohë edhe ata u futën brenda. Sigurisht.
I ÇMENDUR. Roman nga Juha Hurme. Përktheu nga origjinali finlandisht: Silvana Berki

