Gazeta Nacional Albania

Ilir Paja: Hojet e erës, poezi

Nga Ilir Paja.

Aromë.

Hëna mbushet me muzgje vjeshte.
Një gjethe që e ndjek pas një qiell.
Rënkon era dhe gjethet i lëpijnë plagët.
Kujtimet dhembin më shumë se dhembjet.
Pemë e zhveshur , baba dhe burrë braktisur.
I vdekur më shumë se të vrarët.

Aromë gjethesh. Toka gatitet të flerë.
Reja merr ngjyrën që lë pas hija bujkut.
Dita ka shijen e lagësht të natës.
Ajri kundërmon lot hëne
Pas mëngjesit të flakët.
Era i hap tokës plagët.

Dhèu tkurret nga vyshkja barit.
Toka zgjedh hirin e vdekjes dhe
Jo një vdekje t’mplakur.
Aromë vjeshte, kjo përjetësi puthjesh
Me ikje gjethesh…ringjallur.

Divorc.

Në kuzhinë një sobë e fikur.
Në tryezë një pjatë më pak.
Një gotë uji që kullon mes krisjeve.
Feta e bukës e kafshuar
vetëm nga thika.
Këmisha e palarë fle në shtrat
Gjumë i vdekur.

Harlisja erës.

Kur i kacaviret reve i bën të ndjeshme
Si lotët.
E përshkon njeriun dhe ai mendon se
Krahët e mallit nuk janë hije e së shkuarës.
Si fëmijë rrotullohet rreth një peme.
Era gërvishet zonjushë kur degën
Tërheq si dita natën…
Troket në xham dashnor që kacaviret
Jashtë rrobave veshur.
Në mure hesht si hija mesditës
Që të djersijë aromë dielli
Kur mblidhet pjekur si frut.

Qytetërim.

Buza e muzgut ndjeu shijen e një
Qyteti puthur me horizont veshjesh
Të modës së fundit.
Dielli tretet ishull thesari.
Askush s’i hedh erës së zhveshur
Një bluzë, këmishë, xhaketë për supet
E saj ngarkuar me re.
Në buzët e sipërme të natës
Pagjumësia ecën këmbë zbathur.
Nga gjaku natës pikojnë yje.
Qytetërim që s’bie mbi qytet.

Hije muri.

Hijen në mur e ndoqi një mace.
Më pas mbërriti dhe një degë e thyer.
Ndaloi aty dhe hapi i njeriut të vrarë
Nga një aksident në rrugë.
Nata u mblodh grusht njeriu kur
Godet njeriun që vret, por që nuk vdes.
Aty u ul vetë dimri.
Kjo pleqëri ku erës thinjat i duken
Ngrirje e thëllimit.
U mbështet dhe dita, qeni që ruan me lehjen
Humbjes e rrugës nëpër natë.
Aty ndeza një zjarr.
Tani m’u duk muri më jashtë se hija.
Ndjeva se hija ime nuk ishte më jashtë trupit
Tim.
Dimri u mbështet aty si gjumi njeriut i mbetur jashtë.

Të ndesh dimër.

Era nuk çukit si zogjtë pas aromave
Të frutave në vjeshtë.
As s’mund të jetë përkëdhelja ish së
Dashurës ku era ishte ende prush gushti.
Në ndehjen e dimrit mungojnë gjethet.
Ishin gurët e çmuar të një mbrëmjeje
Thirrur nga aristokracia pemëve.
Ku era ishte e zonja e një shtëpie
Ngritur me mure rrëshire.
Dimri mbetet ashtu varur jashtë.
Çdo grua mbledh teshat që pëshpërisin
Plot keqardhje rrobën e dimrit.
I jepen duarve të saj pasi kanë fshehur në sqetull
Çukitjen e një ere sqep dëbore.
Në ndehjen e dimrit një pemë
Troket në derë dhe kërkon strehë
Për pyllin.

Mbirja hënës.

Nga dhèu natës mbin patate e hënës.
Bota që bie e pangrënë mbush stomakun
Me pëshpirtjet për vdekjen.
Dalja hënës bën shpirtrat të
presin rënies
E patates.
Të pagjumë njerëzit ngjajnë
Me degët e krasitura të pemëve.
Dhe tani e shohin përjetësinë e tyre
Në pataten që me lëvozhgën e saj
Qëruar bie e ngopur me natë.

Dielli.

Nga hojet e diellit
Bletët e yjeve krijuan njeriun.
Njeriu vë gojë natën.
Dhe kafshon mjaltin e ditës.
Në diell trupi ynë krijon
Me djersën hojet e tundimeve.
Ndaj ne s’mund të flemë
Natë e vdekur.
Nga hojet e diellit
Nata bulëzon e verbuar
Sepse dita ringjall
Të gjitha vdekjet.

Fluturimi i shiut.

Era në shi plandoset shpend i vrarë.
Nën shi pema është prindi i zhveshur nga
Muret e shtëpisë.
Gjethet si kartmonedhat në inflancion
Blejnë të shkuarën.
Por ajo vjen mbështjellë re nate.
Është vdekja kujtimeve.
Shiu zbret si ushtarët nga kalatë e reve.
E pushtojnë njeriun deri në gjunjët.
Ndërsa ai nis dhe sulmon me trupin
lart të ndezur.
Rigon shi. Retë shtrihen mërzitur
Si perënditë.
Trokojnë dhe hapin në tokë mollëza krateresh.
Shiu nuk bie më nxitimthi
Se njeriu ndjek më shumë kohën
E të tjerëve se të vetes.
Pikat më ngjajnë si përçina çeliku.
Që duam t’ia ngulim strukturës së erës.
Më pas pemëve, rrugëve, trupit tonë.
Në strukturën metalike të dimrit
Si një keshtjellë e pabanuar mesjetare
Era ringjallet duke ulëritur
Nga përplasja me një dimër të
Mbytur ndryshku…

Etyd mbrëmjeje.

Kur muzgu gjakoset
Ditë e ecur vetëm zbathur.
Mbrëmja hapet dhe fshihet
Shtrat gruaje.
Pranë mitrës së Hënës.
Yjet e ndjejnë veten më
Shumë foshnja se ringjallje.
Nata, burrëri
Që pin qiellin me fund…

Det dimri.

Shkulmon si pemë që era
I kthen shikimin rrënjëve.
Joshës, i frikshëm, i çmendur.
Më shumë se heshtja qiellit
Nën diell.
I ndrojtur në breg si ushtari kur
Del mbi llogore .
Në plazhe era plandoset
Hije dielli.
Nga ikjet e njerëzve
Tani kanë mbetur këmbët
E tyre të zbathura
Pa gjurmët e mbërritjeve.

30.12.2022.

Hojet e erës.

Në folenë e së shkuarës
Era kthehet në mbrëmje gjethe.
Hoje e erës ka pamjen e
Ringjalljes së prindërve
Ku vdekja është toka që hesht.
Në hojen ku mbërrin nata.
Era ulet dehur me qiellin në supe.
Aty në hojen ku gruaja
Gatuan shtratin,
era shtrihet ditë e zhveshur.
Burri palos me kujdes ditën
E punës dhe mediton pluhur.
Nëse lutesh fëmijëri,
era ndjen gërvishjen e hojes
qepur nga cohë pantallonash të
grisura.
Në hojen e erës ku ka ngecur
Këmba fëmijërisë.
Pema kullon gjak.
Rrëshira ka ngjyrën e ëndrrave…
Kur hoja është mendim.
Era është trup muze me sytë
Që përtypin hapësirë.
Hoja e kohës ka përjetimin
E qiellit, por ringjalljet nuk
Janë bletë.
Në hojen e natës hëna çukit
Lëvoshkën e shpirtrave.
Pa i thyer vezët e yjeve.
Hoje e ditës merr flakë.
Toka djersin pranverë
Duke u larë mes zjarrit.
E nesërmja mbërrin bletë
Dielli mbush hojet e erës
Me puthje mjalti.

Dashuri.

Muzgu prehet thellësi lugine.
Atje ku ëndrrat vozisin Odise.
Ti ke shtrat një Penelopë që s’fle.
Që bën dhe princat e yjeve
Të besojnë se pëlhurë e natës
Vdekjen e hënës duhet të presë.

Në trupin e gruas ti s’i mbyll veshët.
S’do doje as heshtjen e qiellit kaq absurd.
Për ty mjafton që gruaja të të japë trimërinë
E një dallge.
Mos të vdesësh rërë në muzg.

Në luginën e natës rri ndehur hije e Penelopës.
Ashtu si qielli qendiset me yje dhe shkepet fshehtësi.
Trupi im tendoset hark i Odisesë.
Dhe vë shigjetë një ditë zbritur nga luginë.