Gazeta Nacional Albania

INTERVISTA E FUNDIT ME POETIN DIN MEHMETI, DHËNË NACIONALIT TRI DITË PARA SHUARJES

 

Intervistoi dhe pajisi me shënime LULZIM LOGU

 

PO IA LË “NACIONALIT” TESTAMENTIN TIM POETIK

 

DIN MEHMETI: “Duke qenë miqtë e mi të ngushtë dhe duke respektuar gazetën tuaj “Nacional”, është dashtë të jem i gëzueshëm, por në këto moment të jem i sinqertë, botën e shoh pak të perthyeme, çasti i dhembjes është i egër, çdo fjalë kujtoj se më kthehet mbrapsht, ti e di, ta kam thënë një ditë, Din Mehmeti o flet sinqerisht, ose nuk flet!Kam respekt për Tropojën, panteonin natyror dhe kulturor të Shqipërisë, ka dhënë emra shumë të shquar, me qëllim zgjodha ta lexoj atje këtë poezi timen, që nuk e di a është e fundit?! Në e kam quajtur testament, mire ia paskam qëlluar që e lash te ju testamentin tim…”

Kohë më parë , botuesi i Veprës Letrare të Din Mehmetit, miku im i nderuar Mr. Jetish Kadishani, gjatë një vizite që bëri në Tropojë, më dhuroi kompletin prej pesë vëllimesh, të cilin sapo e kishte botuar Shtëpia Botuese ” Drenusha” Prishtinë.I kisha treguar për udhëtimet e fundit të Din Mehmetit në Tropojë, për mirënjohjen që komuniteti krijues dhe Bashkia e Bajram Currit i akorduan poetit të madh shqiptar, për konsideratën e lartë që ai kishte për këtë vend dhe njerëzit e tij si dhe për poezinë e fundit që Din Mehmeti kishte deklamuar në takimin e fundit poetik, të zhvilluar me të rinjtë tropojanë, me titull: ” Trashëgimi”. Salla qe ngritur në këmbë kur ai e përfundoi dhe e vlerësoi si poezia e tij e fundit, në manifestin e vet poetik…Ai ishte 80 vjeç, me sy të rrudhur melankolikë, me një kasketë të lehtë, pak të mënjanuar mbi ballë, me frymëmarrje të rënduar, por mjaft i emocionuar dhe i dëshiruar që të fliste, të shtërngonte duart me pjesëmarrësit, të tregonte vazhdimisht për mallin e fshehur të dhjetra viteve ndarje të padrejtë dhe druhej se çdo çast për të do të ishte i fundit, pa shijuar dashurinë e bashkimit…S’di a do të mund të ngjitem dot deri në Valbonë, ta shoh njëherë atë vend të bekuar, më tha atë ditë në ndarje, në Qafë të Morinës dhe shumë herë të tjera, kur e kam takuar dhe biseduar me të në Gjakovë!… Kishte qënë poeti Tahir Bezhani, i cili pati shënuar rilidhjen shpirtërore dhe kulturore mes Gjakovës, por dhe viseve tjera të Kosovës me Tropojën dhe qytetet tjera, pas çlirimit të Kosovës. Ai propozoi atëkohë që aktiviteti i pare i përbashkët t’i kushtohej pikërisht Din Mehmetit, legjendës së gjallë të poezisë shqipe. Pastaj erdhën Ali Podrimja e plot poetë, piktorë dhe artiste të kosovës, duke begatuar kësisoj lidhjen e rivendosur dhe të shumëendërruar, nga të dy anët e kufirit të pazakontë…

Duke biseduar për veprën e Din Mehmetit, në takimin e fundit me Jetish Kadishanin, i cili ndërroi jetë papritur, para disa ditësh, ai më sugjeroi që t’i shkruaj impresionet nga takimet me Dinin, t’i mbaj shënim thëniet e tij, ato janë lapidare për çdo njeri, për çdo artist dhe intelektual, më tha. Këmbënguli, duke me thene që ta intervistoja, pasi ai “është i sëmurë dhe çdo ditë e humbur nga takimi me atë njeri, dhëmb shumë…” Nga fundi i tetorit më bie zilja e telefonit, Tahir Bezhani më njofton për gjendjen e rënduar të Din Mehmetit, duke më lutur që të shfrytëzojmë njohjet tona dhe të nderhyjmë për një vizitë të specializuar të poetit në Tiranë. Me plot dëshirë dhe respekt të jashtëzakonshëm, këtë e realizoi poeti Mujë Buçpapaj, i cili u kujdes për të gjitha shërbimet e specializuara ndaj tij. Por tashmë sëmundja e kishte bërë të veten, vetëm etja për jetë dhe forca e shpirtit e mbante gjallë Din Mehmetin. Pas vizitës së fundit të Dinit në Tiranë nga fundi i muajit shtator 2010 edhe Muja më tha se Dini ishte në ditët e tij më të vështira, prandaj do të ishte mirë që t’i merrnim një intervistë për gazetën “Nacional”, duke patur edhe mbeshtetjen e Tahirit.

Para dy javësh e vizitova në shtëpinë e tij në periferinë e Gjakovës, me mikun e tij të vjetër, Tahir Bezhani. U ngrit në këmbë, bëri të buzëqeshë, lëshoi një thënje me zë të ulët:” Ah, ju tropojanët…!” Fytyra e tij e bardhë si faqja e murit, sytë fshehur thellë në zgavra, trishtimi që dukej se pikonte në çdo segment të tij, pyetja e tij e parë, në vend të përshëndetjes me ne, se a ka dalë koha e bukur, më stepen, nuk mund t’i kërkoja intervistë, ishte e tepërt…Ai nuk u shtri, u mbështet përballë nesh në kanapé, rregulloi me dorë flokët mbi ballë dhe tha: Edhe pak kohë më ka mbetur! Por me ju më pelqen të flas, në mundsha!

NACIONAL: Baca Din, fëminia gjithmonë mbetet ishulli, ku së fundi, kthehen të gjithë krijuesit e medhenj.Çfarë kujtoni më së shumti nga fëminia e juaj, si mund ta konturoni me pak fjalë atë?!

DIN MEHMETI: E kam thënë diku, në librat e mi, është ndjenjë normale njerëzore, t’i kthehesh të kaluarës, përkatësisht feminisë dhe familjes. Mbaj mend babën tim kapuçbardhë, një njeri që kurrë nuk rrëzohej, ngase dinte të ecte i matur, nuk i frikësohej kurrë mortjes…

Mbaj mend këngëtarët popullorë nëpër oda, këngët e tyre më përziheshin me do rrefime të më të vjetërve, për trimninë, bukurinë dhe flamurin, pastaj për kreshnikët e zanat dhe ndoshta këtu zë fill edhe poezia , që shkrova më vonë.

NACIONAL: Krijimtaria juaj letrare i perket një periudhe të madhe të sundimit serb, si e konsideroni tani në këtë faze të lirisë, këtë krijimtari, dimensionet krijuese të saj?

DIN MEHMETI: Liria, dihet, i ka dhënë frymë të re poezisë sot, ju ka dhënë tjera mundësi shprehjeje poetëve.Ata mund të njihen me traditat botërore të poezisë, me teknikat e reja, por pa manipuluar me to. Disa poetë në emër të lirisë, prodhojnë joliri, së pari, poeti duhet të jetë i lirë ndaj vetvetes, ta dojë tjetrin dhe poezinë e tij, sa ta konsiderojë si të veten.Sot kanë ndryshuar shumë raportet, kahjet, poezia është më elitare, ndonjëherë tuj dashtë me u duk ma moderne, e humbet rolin dhe peshën e vet.Atëbotë, kur ju më pyesni shkruhej shumë poezi, ndoshta gaboj, por tash mendoj se popujt e ndrydhur dhe të prapambetur shkruanin shumë poezi, mendonim se do ta ndryshonim krejt botën me poezi, nganjëherë duhej ta bënim dinake, të fshehur…Poezia është e çuditshme, ka moment që duket sikur vdes, bëhet pafundësisht individuale, humbet rolin e saj shoqëror, por mbijeton si sfinksi, ngrihet dhe bëhet një gjini elitare, e cila natyrisht se kerkon edhe lexues elitarë.

NACIONAL: Ju keni frymëzuar dhe rritur gjenerata të tëra me poezinë tuaj dhe fjalën tënde të rrallë. Çfarë mendoni sot për krijimtarinë e më të rinjve?

DIN MEHMETI: Tash poezia s’mund të jetë tërësisht transparente, duhet pak më shumë abstraksion, sot s’ka shumë kohë për vargje të gjata e monotone, apo për shtresime të gjera vargu, njerëzit edhe bukën shumë herë e hanë në udhëtim, në tren, autobus apo këmbë, ndaj dhe poezia duhet të jetë më adapte ndaj njeriut dhe të rinjtë duhet ta kenë perherë parasysh këtë. Të rinjtë sot janë pa komplekse, guxojnë, shpalosin edhe hone të fshehta ndjenjash, janë të shlirë nga pesha e nacionalizmit fals dhe urrejtja ndaj tjetrit. Kjo më pëlqen tek të rinjtë, unë vet kam qënë dhe jam nacionalist, por dashuria ime e madhe ndaj popullit tim, kurrë nuk më ka lejuar dhe s’më lejon ta urrej tjetrin, kam shkruar në një poezi timen, moton:” Unë jam në ju, ju jeni në mua!”Të rinjtë ndonjëherë edhe mashtrohen, kur deklarojnë me të madhe se shkruajnë vetëm per vete, jo për të tjerët. Eshtë e pamundur të të mos kujtohet ai tjetri, kushdoqoftë ai, i afërt, apo i largët, i dashur apo i urryer.Poetët janë berthama e botës, s’di tash, kush e ka thënë këtë dhe kjo s’do koment apo jo?!

NACIONAL: A mund të shpeheni për poetët tuaj më të preferuar?!

DIN MEHMETI: Oh, jo s’do të guxoja të deklarohesha kështu! Por nuk gaboj të them se poetë si Dritëro Agolli e kanë shënuar epokën e vet, me mënyrën e tyre të të konceptuarit të realitetit, që zor se përsëritet. Poezinë e mban në këmbë bukuria, ajo rrëzon tempuj, diktatura, atë nuk e rrëzon kush dot! Kush e rrëzon korbin e Edgar Alan Poes?! Idhulli im, ndoshta Reshpja?!I panjohur per shumë njerëz, shpesh i harruar në kohë, për paradokset e veta. E pata takuar në Tiranë, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, sapo më pa, më njohu. I thashë thjesht, Frederik, të dua shumë, por ai iku shpejt, u shua…Pastaj Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, ka shtylla plot kjo poezia jonë, ndoshta nuk e kemi vlerësuar akoma poezinë tone shumëdimensionale…

NACIONAL: Ju së fundi udhëtuat në Shqipëri, permes rrugës së kombit, a menduat se vizioni i të ardhmes së kombit shqiptar, është më i ndriçuar se kurrë?

DIN MEHMETI: Rruga është rilindja e kombit, definitivisht është bashkimi i ardhshëm i shqiptarëve. Berisha ka natyrshëm emrin e pashlyeshëm në këtë proces!Mendoja shumë here se do të vdisja pa e parë këtë rrugë, një peng, më pak…

NACIONAL: Në takimin e fundit me krijuesit, ju ekzaltuat sallën me poezinë tuaj me titull:” Testament” Cili do të ishte testament poetik i Din Mehmetit, në pak fjalë?!

DIN MEHMETI: Duke qënë miqtë e mi të ngushtë dhe duke respektuar gazetën tuaj “Nacional”, është dashtë të jem i gëzueshëm, por në këto moment të jem i sinqertë, botën e shoh pak të perthyeme, çasti i dhembjes është i egër, çdo fjalë kujtoj se më kthehet mbrapsht, ti e di, ta kam thënë një ditë, Din mehmeti o flet sinqerisht, ose nuk flet!Kam respekt për Tropojën, panteonin natyror dhe kulturor të Shqipërisë, ka dhënë emra shumë të shquar, me qëllim zgjodha ta lexoj atje këtë poezi timen, që nuk e di a është e fundit?! Në e kam quajtur testament, mire ja paskam qëlluar që e lash te ju testamentin tim…

Na e bëri me dorë të pushojmë, u kollit ashpër, ndërkohë që Tahiri më tregonte çiftelitë në mur, ai u ngrit ngadalë, mori një shami, e cila u duk se u përgjak pak në fshirjen e buzëve, ju afrua telefonit, diçkaiI tha dikujt, na u afrua duke na bërë me shënjë, të bëjmë foto tek divani. Po ju përcjell tash, tha dhe arriti të dalë deri tek shkallët, nga dera e hapur ja dha zhurma e jetës së Gjakovës së tij të dashur…

A thua , do të mund të shkojmë nesër deri në Shkugëz, Tahir?!

Po, Baca Din, shkojmë!

Dera u mbyll dhe më mbeti në sy profili i skajshëm i Din Mehmetit, vizatuar në xhamin e saj. Ishte imazhi i fundit i tij, intervista e tij e fundit…

Pergatiti: LULZIM LOGU

Gjakovë- Bajram Curri

Nëntor 2010

Ndahet nga jeta poeti i shquar shqiptar Din Mehmeti

Kosave të egra nuk do t’u ikësh kurrë

“Më 12 nëntor 2010 u nda nga jeta poeti i shquar shqiptar, pedagogu i letërsisë dhe studiuesi i mirënjohur i letrave shqipe, Din Mehmeti.Ai vdiq, pas një sëmundje të rëndë në shtepinë e tij në Gjakovë, i rrethuar nga kujdesi i familjes dhe i miqve të tij të shumtë. Din Mehmeti lindi 82 vjet më parë në Gjakovë duke i përkushtuar tërë jetën poezisë shqipe dhe çeshtjes së bashkimit kombëtar.”

Më 12 nëntor u nda nga jeta poeti i shquar shqiptar, pedagogu i letërsisë dhe studiuesi i mirënjohur i letrave shqipe, Din Mehmeti.Ai vdiq, pas një sëmundje të rëndë në shtepinë e tij në Gjakovë, i rrethuar nga kujdesi i familjes dhe i miqve të tij të shumtë. Din Mehmeti lindi 79 vjet më parë në Gjakovë duke iu përkushtuar tërë jetën poezisë shqipe dhe çeshtjes së bashkimit kombëtar.Din Mehmeti lindi në fshatin Gjocaj, afër Junikut, me 7 Maj 1929.Shkollën fillore e kreu në Junik, kurse të mesmen, normalen, në Gjakovë.Studjoi gjuhen dhe letersinë shqipe në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1959.Aty regjistroi dhe studimet pasuniversitare dhe provimin e magjistraturës me titull: ” Nëna në strukturën e poezisë lirike shqiptare”Din mehmeti ka punuar si inspektor i shkollave në Lipjan, 1952-1954; si gazetar i rubrikës së kulturës në gazetën Rilindja, 1959-1962, si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në normalen dhe gjimnazin e Gjakovës, 1962-1967, nga ky vit deri në pension, punoi si profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë si dhe në Fakultetin e Edukimit.Në Prishtinë i janë botuar 17 vepra, në Tiranë 4 vepra, në gjuhën serbokroate 2 vepra, në frengjisht 1 vepër. Ai është autor dhe i shumë panoramave dhe antologjive në gjuhë të tjera.Ka fituar shumë shperblime kombëtare, së fundi :” Shperblimi Kombëtar ” Azem Shkreli” 2005.Elizabet Shabyel ka shkruar për Din Mehmetin: ” Të jesh njeri, do të thotë të jesh deri në vdekje, të jesh mish dhe buzëqeshje, por dhe asht’ dhe hi’. Që të mund të jetojmë, jeta nuk pushon së kërkuari vdekjen, ajo duhet t’i kerkojë eshtrat, t’i mbledhë, t’i identifikojë…Kjo poezi na magjeps, ngase na bën të vetdijshëm, për një essence, të jesh njeri!

Në poezinë:” Më lini të qaj!” Din Mehmeti shkroi, ndër të tjera:

” S’pata koh

Ti rreshk ëndrrat në këngë

Gjuha ime emrin a ma ruan?!…

Emri i Din Mehmetit qe shkruar perjetësisht, që atherë kur thoshte:” Fatin tim nuk e nënshkruaj!Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 2010 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare “Jeta e re.”Poezia e Din Mehmetit shquhet për ndjeshmëri popullore. Ashtu si dhe Ali Podrimja, i cili është po nga Gjakova, ai mbështetet në shumë figura, metafora, dhe simbole të poezisë popullore të Shqipërisë së Veriut për të mbrujtur dhe ndërtuar lirikat e tij të trazuara me vizionin stoik të malësorëve. Megjithëse është një fllad i lehtë romantik që përshkon poezinë e tij, sikundër e pati cilësuar dikur kritiku Rexhep Qosja, ky përdorim krijues i folklorit është i shkrirë fuqishëm me një rrjedhë realiste, herë-herë ironike, që buron pjesërisht nga etika e revoltës në traditën e Migjenit (1911-1938) dhe Esad Mekulit. Shqetësimi poetik i Din Mehmetit, megjithatë, nuk i drejtohet protestës mesianike ose kritikës sociale, por krijimtarisë artistike dhe përvojës individuale.Libri i tij i fundit, një përmbledhje më njëzetetetë vjersha lirike, mban titullin “As në tokë as në qiell”. “As në tokë as në qiell” është e ndarë në pesë cikle: “Trimat e këngës sime”, “Bishat e bardha”, “Kujtesa e letrave”, “Barka ime mbahu”, dhe “Këngë për vete”. Titulli i ciklit të katërt, “Barka ime mbahu”, është ndofta simbolik për praninë e sotme e letrave shqipe, bile edhe të shqiptarëve. Din Mehmeti mbetet një nga poetët më të shquar të letërsisë shqipe.Redaksia e gazetës “Nacional” i dërgon ngushëllime vellazërore familjes së poetit të shquar.

* Në krahët e shkrepave. Prishtinë : Rilindja, 1961

* Rini diellore. Prishtinë : Jeta e Re, 1966

* Dridhjet e dritës : vjersha. Prishtinë : Rilindja, 1969

* Heshtja e kallur. Prishtinë : Rilindja, 1972

* Ora. Prishtinë : Rilindja, 1974

* Fanar ne furtuna. Prishtine : Rilindja, 1981

* Agu : dramë. Prishtinë : Rilindja, 1982

* Prapë fillimi. Prishtinë : Jeta e Re, 1996

* Klithmë është emri im : poezi. Tiranë : Toena, 2002

* Mos vdis kur vdiset. Prishtinë : Rilindja, 2001

 

 

 

Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr

 

Nga DIN MEHMETI

 

Jam pakez i ndrydhur pakez i çliruar

Duke vrapuar pas emrit

Pakez i zverdhur pakez i frikesuar

Jam pakez i ngrire pakez i shkrire

Duke kenduar per ty

pakez i rrahur pakez i ndjekur jam.

Jam pakez i perbuzur nga Dielli

Kenga jote me ka ndezur

E me ka sterpikur me lot

Pakez i vrare edhe nga ylli jam.

Jam ne enderr pakez zhgenderr

Pakez femije kur fluturojne zogjt

Jam pakez endacak-shtegtimin e kam ne gjak

Duke ecur me ty kalistrok

Pakez i cuditshem kur qelloj rete.

Jam pakez i dyshimte pakez kokeforte

Kur shqelmoj zotrat qe s’dine te ngopen kurre

Pakez dicka neper zjarr dicka neper uje

Dicka qe hyn ne te ardhmen

Per te ikur nga vdekja jam…

 

  1. Nata e Poeteve

 

Kur heshtja mbulon çdo gjë

Kur të gjithë flenë

Zgjohen poetët

Për t’u djegur nëpër vargje

Ata ia shtrydhin

Gjakun e keq mendimit

Shpirti i tyne shesh betejash

Nga temperatura e fjalëve

Vdesin ngadalë pa klithma.

  1. Këndo ose vdis pa klithmë

Bëhu i blertë si unë

më tha bari një natë

këndo derisa të vallzojnë yjet

rreth diellit

si fëmijët rreth zjarrit në tokë

e pastaj dëgjo oshtimën

pa fjalë nëpër botë

lart do të mbesin kodrat duarthatë

e gurë breg rrugëve në mendime çarë

Këndo derisa të pëlcasiësh

si kripa në flakë

vajto po të duash

Kosave të egra s’do të mundesh t’u ikësh kurrë

kur çmenden kohërat në furtun…

Bari ma tregoi ëndrrën e vet:

–majet më të larta e hëngrën qiellin

e zjarrtë

e shteku i rrezeve kërkon veten në breg…

e bregu bregun pas bregut në breg….

I bukur është vetem zogu në fluturim

që me puhin e krahëve të rreshk

këndo ose vdis pa klithmë…

 

 

  1. Me lenë e me marrin tërë jetën

 

Më lënë një be për tokë e qiell

Që vran e kthjell

E m’i marrin sytë para se të zbresin në atë gropë

Për t’u dhanë dritë yje për t’i bërë

E m’i lënë porositë e nënës për një palë këpucë

Që nuk rrëshqasin në borë

Për një shall me vija të kuqe

Për ta vënë rreth qafe kur fërfëllazë bëhet ndër male

E ma marrin shpirtin për t’i dhënë hapësirë të blertë

Gaz mëngjesor që pikon nga lulet

E m’i lënë të gjitha frytet e tokës dhe fjalës

Që lidhin e zgjidhin veten kur e do puna

E m’i marrin të gjitha përmendoret e shesheve

Për t’i kënduar dimrave të gjatë

Se kënga do prush do zemër do shpirt

E m’i lënë krahët e shkëmbinjëve të lartë

Kur dragonjtë me kucedra gjuhen si në përrallë

Kur vetëtimat emërojnë njëra-tjetrën

E pastaj nënshkruajnë paqe

E m’i marrin vitrinat e veshëmbathjeve

Depot e miellit fabrikat që prodhojnë traktorë

Lugë pjata kripë

E m’i lënë blegërimat e deleve

Që mes gishtrinjve sjellin gjethin e tharë

E m’i marrin rrugët e asfaltuara para dere

Urat e larta prej cimentos dhe hekurit

E m’i lënë ciftelitë e fyejt për t’i rreshkë Bjeshkët e Nemuna

Me plisa bore edhe në vapën e korrikut

E m’i marrin hipsetëvravat e zbritsetëvravat e jetës

E m’i lënë duart rreth qafe dhe një shuplakë pranverë

për t’m’u gjetur në ditën e vështira

E ma marrin frikën mbi kasafortën e botës nga atomi

E m’i lënë besimet e tyre që s’lëkunden

E m’i marrin të gjitha librat për ta gjetur veten e tyre

Duke u ngjitur kah e nesërmja e pathyeshme

Në atë prehër të madh të Diellit

Që na ruan nga vdekjet

E më marrin

E më lënë

Ditëve të tregut fshatarët

Tërë jetën…